Përfundimtare/ Koalicioni i majtë 482.935 mijë vota më shumë se i djathti

0
108

Gëzim Saliu

11419780_10204620122047423_417624156_nMbyllen lokalet e 21 qershorit/ Në Malësinë e Madhe LSI forcë e parë, PD e treta. KQZ: Në zgjedhje, 47.63% e shqiptarëve

KQZ: Votat e 21 qershorit u numëruan vetëm për katër ditë, në vitin 2011 procesi zgjati 14 ditë

Me mbylljen e numërimit në Malësinë e Madhe për votën e Këshillit Bashkiak, u shënua dje edhe mbyllja zyrtare e procesit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit në vend. Malësia e Madhe ishte Bashkia e fundit në Shqipëri, ku ende nuk kishte një rezultat, për shkak të incidenteve të ndodhura në këtë Bashki, gjë e cila detyroi KQZ-në që 20 kutitë e mbetura pa numëruar të transportoheshin në Tiranë. Pas përfundimit të numërimit, i cili u zhvillua në shkollën “1 Maji” në kryeqytet, Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të merrte 2776 vota, duke rezultuar forcë e parë në Malësinë e Madhe, me 324 vota më shumë sesa Partia Socialiste, e cila mbajti vendin e dytë. Ndërkaq, Partia Demokratike mori vetëm 2190 vota, duke mbajtur vendin e tretë në këtë Bashki, e cila hasi probleme gjatë procesit të numërimit të votave si për kryetarin e ri ashtu edhe për Këshillin Bashkiak. Me mbylljen e numërimit në këtë Bashki tashmë e vetmja procedurë për mbylljen përfundimtare të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit mbetet vetëm shpallja e rezultatit zyrtar dhe ankimimet e partive politike.

 

Deklarata e KQZ-së

Ndërkaq, kur ka kaluar një javë nga dita e zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate, theksoi se procesi i numërimit të votave, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, është përmbyllur në një kohë më të shkurtër. Mbyllja e numërimit të 20 kutive për Këshillin Bashkiak të Malësisë së Madhe shënoi përmbylljen e këtij procesi, ku sipas institucionit kryesor të zgjedhjeve zhvillimet, sa i përket shpejtësisë së rezultatit, janë pozitive krahasuar me vitin 2013 apo me zgjedhjet e kaluara vendore të vitit 2011. “Në këto zgjedhje pavarësisht se ishin dy kuti votimi dhe numërimi i votave u bë për kryetar të bashkive dhe për anëtarë të këshillave bashkiakë, procesi i numërimit u bë brenda 4 ditëve, ndërkohë në vitin 2013, që ishte vetëm një kuti votimi (pra 1 fletë votimi për t’u numëruar), procesi i numërimit u mbyll brenda 7 ditësh, ndërsa në vitin 2011 procesi i numërimit ka zgjatur 14 ditë. Falë ndërhyrjes së KQZ-së me vendimmarrje për zgjidhjen e situatave të krijuara në disa VNV dhe bashkëpunimit me forcat politike për vazhdimin e procesit të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë, u bë i mundur numërimi i të gjitha kutive të votimit me një ritëm më të shpejtë se në zgjedhjet e kaluara”, – theksoi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj. Nga ana tjetër, ajo bëri të ditur zyrtarisht se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte rreth 47%, shumë herë më e ulët se ajo e 2013-ës, por edhe se pjesëmarrjet në zgjedhjet e kaluara lokale të 8 majit 2011. “Në zgjedhjet vendore të datës 21 qershor 2015 morën pjesë në votime 1.606.231 zgjedhës, pra 47.63%, ndërsa në zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2013, morën pjesë në votime 1.749.278 zgjedhës, pra 53.46%, dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 morën pjesë në votime 1.618.360 zgjedhës pra 51.10%”, – u shpreh zëdhënësja e KQZ-së.

 

Rezultati në Malësinë e Madhe

LSI 2776 vota

PS 2452 vota

PD 2190 vota

 

Koalicioni i majtë 482.935 mijë vota në avantazh ndaj koalicionit të djathtë

Pas numërimit të 5.268 kutive nga 5301 në të gjithë Shqipërinë, në garën për këshillat bashkiakë rezulton se koalicioni i majtë ka një avantazh prej 482.935 mijë votash më shumë se koalicioni i djathtë. Sipas rezultateve nga KQZ-ja, Partia Socialiste rezulton forcë e parë politike me 25,79% të votave, ndërsa Partia Demokratike me 20.35% është forcë e dytë politike. Në vend të tretë ndodhet Lëvizja Socialiste për Integrim me 16,60% të votave. Ndërkohë, votat e numëruara në këshillat bashkiakë kanë sjellë surpriza për të gjitha forcat politike. Kështu, në Delvinë, megjithëse janë numëruar pak kuti, Partia Demokratike rezulton forcë e katërt. LSIja ka marrë shumicën e këshillit, PS është renditur e dyta dhe PDIU e treta. Në Skrapar, LSI ka dalë forcë e parë politike e ndërsa ka surprizuar fakti se kjo forcë ka dalë partia e parë në Klos. Pas saj vijnë PD në vend të dytë dhe PS, e cila me votat e marra rezulton në vendin tretë. Ndërkaq në Shkodër, PD është renditur forcë e parë në Këshillin Bashkiak me 21 këshilltarë. LSI rezulton forcë e dytë me 10 këshilltarë dhe në vend të tretë vjen PS me 9 këshilltarë. Por krahas rezultateve në këshill edhe në votimet për kryetar bashkie nuk munguan surprizat, ku PD fitoi në disa bastione të njohura si të majtë si p.sh. Përmeti apo Mallakastra. Po ashtu, edhe të majtët fituan në disa bastione të djathta, ku kryesisht në Veri arritën rezultate surprizuese duke fituar në Has, Malësinë e Madhe, Bulqizë.

 

Në KQZ, 42 ankesa, pritet debat dhe përplasje për Vorën, Kurbinin dhe Tepelenën

Përfundimi i numërimit të kutive në Malësinë e Madhe deklaron të mbyllur zyrtarisht procesin e 21 qershorit. Pas mbylljes së kësaj faze, ndër më të rëndësishmet e procesit, pas asaj të votimit, beteja do të përqendrohet në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, ku do të diskutohen ankimimet e partive politike. Pranë institucionit kryesor të zgjedhjeve në vend kanë mbërritur tashmë 42 kërkesa ankimore, ku pjesa më e madhe janë ankime të partive të vogla apo të të pavarurve për rezultatin e këshillave bashkiakë. Por midis këtyre kërkesave, ato që mund të sjellin debate të forta mes palëve politike është fillimisht kërkesa që do të bëjë LSI për Bashkinë Vorë, për të cilën edhe prokuroria ka hapur hetime për lëvizje fiktive të zgjedhësve me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve. Por ndërsa LSI pretendon se janë shtuar 600 votues fiktivë nga kandidati fitues Fiqiri Ismaili në Vorë, gjë e cila sipas partisë së Metës ndikoi në rezultatin e ngushtë final, PD i kërkoi pak ditë më parë Kryeparlamentarit të qëndronte larg kësaj çështjeje. Përmes deputetit Astrit Patozi, PD theksoi se kjo Bashki u fitua nga PD dhe nuk mund të kalojë në favor të së majtës me fitore ne tavolinë. Një tjetër çështje që mund të hapë debat mes palëve do të jetë edhe ajo që lidhet me kërkesën e PD për përsëritjen e zgjedhjeve në Tepelenë, ku fitues u shpall kandidati i majtë. Demokratët kanë ankimuar gabimin në shtypjen e fletës së votës në këtë njësi, ku kandidati i djathtë mbante të njëjtin numër rendor në fletë me kandidatin e majtë. Sipas PD-së, ky gabim i KQZ-së ka ndikuar në vullnetin e zgjedhësve, duke deformuar sipas tyre votën. Kërkesa për ripërsëritje të zgjedhjeve ka mbërritur në KQZ edhe për dy bashki të tjera. Në Bashkinë Këlcyrë është kandidati i pavarur që u mbështet nga PD-ja, i cili kundërshton rezultatin dhe në Bashkinë Kurbin është vetë PD që kërkon ripërsëritje të zgjedhjeve. Për Kurbinin pritet një debat i gjerë në KQZ, pasi krahas votimit vetëm për një kandidat, pasi ai i demokratëve ishte tërhequr nga gara prej kohës, ka edhe pretendime për një pjesëmarrje minimale në zgjedhje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here