Flet kryetari i Përmetit/ Niko Shupuli: Si e munda qeverinë në qytetin e themeleve të komunizmit

0
355

Flet kryebashkiaku që gjunjëzoi “Rilindjen” në qytetin e rilindësve

niko shupuliNiko Shupuli është njeriu që bëri surprizën më të madhe në zgjedhjet e 21 qershorit. 39-vjeçari me diplomë inxhinieri dhe juristi i dha një goditje të fortë të majtës pikërisht atje ku në 24 maj 1944 u vendos “de jure” sistemi komunist në vend. Kongresi i Përmetit ka qenë krenaria e të majtës historike nga kanë rrjedhur dhe dy forcat kryesore politike të saj, PS dhe LSI. Në çdo përvjetor, Përmeti ishte qyteti ku liderët e së majtës ngjishnin në qafë shaminë e pionierit dhe përkujtonin instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Një vit më parë, kur kreu i Kuvendit vizitoi qytetin e bukur të luleve, u shfaqën në foto edhe fëmijë që nderonin me grusht para fotove të diktatorit Hoxha. Ndarja e re administrative kishte 61 bashki dhe sigurisht Përmeti ishte “Stalingradi” i zgjedhjeve. Por juristi Shupuli e nisi qetë dhe pa shumë bujë, pa media, pa show mediatik, ai takoi çdo përmetar, duke u zotuar për ndershmëri punë dhe më të mirën për qytetin e tyre. Ai iu drejtua bashkëqytetarëve të tij, u kërkoi atyre të kalonin çdo hendek politik, të bashkoheshin për qytetin, për të mirën e të gjithëve. Me urtësinë e tij dhe me urtësinë e qytetarinë e përmetarëve vota e 21 qershorit tregoi se ata janë pasardhës të rilindësve, janë pasardhës të vëllezërve Frashëri, jo të Kongresit të Përmetit, siç përpiqet t’i paraqesë media dhe politika e majtë.

Në një intervistë ekskluzive për “Standard” kryebashkiaku i ri në mënyrë modeste tregon projektet e tij të së ardhmes. Falënderon qytetarët pa dallime partiake që i dhanë mundësinë të lërë gjurmë në historinë e qytetit të tij. Premton se do të punojë pa u lodhur dhe do të bashkëpunojë me të gjithë, mjafton që të bëhet më e mira për bashkëqytetarët e tij. Bën përshtypje fotoja e cover-it, në profilin e tij në “Facebook”, një foto e lulishtes kryesore të qytetit të Përmetit. Kryebashkiaku i ri shprehet i prerë se Përmeti është i përmetarëve, ky ka qenë edhe qëndrimi i tij gjatë fushatës elektorale.

 

  1. Kujt ia dedikoni fitoren tuaj në një zonë të stigmatizuar si të majtë?

Fitoren ua dedikoj qytetarëve të Përmetit, përmetarëve të mi, të cilët pavarësisht bindjeve të tyre politike të majte e të djathtë, të të gjitha shtresave shoqërore, votuan dhe mbështetën kandidaturën time më 21 qershor. Ia dedikoj familjes sime që më ka mbështetur, pa asnjë mëdyshje dhe me shumë sakrifica. Gjithashtu një meritë të padiskutueshme kanë strukturat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë që trokitën derë më derë dhe në çdo zemër qytetari për të kërkuar mbështetje për mua.

 

  1. Cili ishte çelësi juaj i suksesit, ku e përqendruat fushatën tuaj elektorale?

Çelësi i suksesit është te organizimi i mirë, takimet e drejtpërdrejta dhe sinqeriteti me banorët e Bashkisë së re të Përmetit, trokitja për çdo votë tek grupet e ndryshme shoqërore. Hartimi dhe paraqitja e një programi real dhe të prekshëm elektoral. Tek bindja e njerëzve për zgjidhjen e problemeve dhe halleve te tyre, besimi që patën tek mua qytetarët e bashkisë së Përmetit.

 

  1. Tani fushata mbaroi. Çfarë mesazhi keni për qytetarët e Përmetit, për ata që ju votuan dhe ata që s’ju votuan?

Zgjedhjet mbaruan, tani të gjithë bashkë pa ndasi te kontribuojmë të gjithë bashkë për të mirën e qytetit. Të mos e kthejmë kokën pas, por të shohim para dhe t’i kthejmë Përmetit dinjitetin e dikurshëm si qyteti i luleve, qyteti i kulturës dhe bashkëjetesës harmonike të grupeve të ndershme sociale, politike dhe fetare.

 

  1. Nga do ta nisni punën tuaj? Cilat janë problemet më të mëdha që ka sot Bashkia e re e Përmetit?

Si çdo bashki tjetër, edhe Përmeti ka problemet e veta. Çështjet më të prekshme janë papunësia dhe kryesisht në moshat e reja, si dhe mungesa e ujit të pijshëm. Unë zotohem se do bëj ç’është e mundur për të siguruar ujë pa ndërprerje dhe për të punësuar të rinjtë. Do përpiqem qe të marrim financime nga projekte të Bashkimit Evropian dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare. Çlirimi i biznesit dhe ofrimi i investitorëve të rinj do krijojnë më shumë vende pune dhe do përmirësojnë jetesën e qytetarëve të Bashkisë së Përmetit.

 

  1. Cili është vizioni juaj për këtë Bashki? Çfarë projektesh mendoni se do të kompletoni në përfundim të mandatit katërvjeçar?

Zotohem se nuk do të mungojë uji i pijshëm 24 orë. Është e papranueshme që me kaq shumë burime ujore përreth banorët të vuajnë për ujin e pijshëm. Do të ulim taksat, duke mbajtur premtimin e dhënë, gjë që do t’i japë frymëmarrje biznesit për të krijuar vende të reja pune. Do rrisim nivelin e shërbimeve bashkiake duke ua bërë sa më të lehtë qytetarëve. Do ketë një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore të të gjithë bashkisë. Do të ndërhyjmë me fondet tona por edhe duke kërkuar ndihmën e qeverisë qendrore. Investime do të kryejmë edhe në bujqësi për t’u dhënë mundësi bujqve ta shesin prodhimin e tyre me sa më pak kosto dhe më shumë fitim.

 

  1. Si do të jetë marrëdhënia juaj me qeverisjen e majtë dhe Kryeministrin Edi Rama?

Do t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Kryeministrit Rama, ministrave dhe deputetëve të qarkut për të bërë më të mirën për Përmetin dhe përmetarët. Nga ana ime nuk do të ketë asnjë pengesë dhe asnjë stepje për të kërkuar dhe ofruar bashkëpunim. Nuk ka rëndësi përkatësia politike e secilit, ka rëndësi që të bëhet më e mira për qytetarët. Do ulem të flas dhe bashkëpunoj me deputetët e qarkut për të thithur sa më shumë investime publike dhe për të realizuar projektet e parashikuara.

 

Lindur më 9 shtator 1976, në Përmet

Profesioni: Inxhinier

I diplomuar për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik i Tiranës, zoti Shupuli ka zgjeruar arsimimin e tij dhe në fushën juridike në Fakultetin Juridik, Tiranë. Njëherësh zoti Shupuli ka mbaruar studimet për gjuhë greke në Universitetin “Aristoteli”, Selanik.

Niko Shupuli ka një përvojë të pasur në administratën lokale, fillimisht si jurist në Bashkinë e Gjirokastrës e më pas si kryetar i Komunës Peran, të cilën e ka drejtuar prej dy mandatesh.

Përvoja e pasur, energjia dhe zelli janë asetet e Nikos si kandidat për Bashkinë Përmet. Ai vjen me vizionin e ndryshimit të nevojshëm, për të bërë atë që duhet për të nxitur punësimin, për të siguruar projekte infrastrukturore që përmirësojnë jetën e banorëve të Përmetit. Tradita e pasur e trevës së Përmetit është jo vetëm krenari për Nikon dhe çdo përmetar, por për Nikon kryetar Bashkie është një mundësi është një pasuri për të zhvilluar turizmin, për të nxitur bizneset e vogla që prodhojnë dhe tregtojnë produktet e çmuara të zonës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here