Festa e shtyrë prej zgjedhjeve/ PS feston sot 24-vjetorin, Rama fton Fatos Nanon. A zgjidh ceremonia “ftohjen” me Metën?!

0
107

Gëzim Saliu

11655476_10204620381573911_291745885_nDetajet e organizimit të sotëm në Teatrin Kombëtar, ftesë për themelues dhe figura të PS-së

Partia Socialiste do të festojë sot në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar 24-vjetorin e themelimit të saj, festë e cila për herë të dytë, si në vitin 2013, përkon edhe me fitoren në zgjedhje të koalicionit të majtë. Në këtë ceremoni, kreu socialist nuk ka ngurruar të ftojë edhe liderin historik të PS-së, Fatos Nano, i cili ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Ish-kryeministri socialist ka qenë edhe më parë i ftuar në ditëlindjet e kaluara të PS-së, por nuk ka marrë pjesë në to. Takimi i fundit zyrtar mes Ramës dhe Nanos ishte ai i vitit 2012 në selinë e PS-së, ku ish-kreu socialist kërkoi nga pasardhësi i tij mbështetje për postin presidencial. Përgjigjja negative e Ramës nuk u mirëprit aspak nga Nano, i cili deri në atë kohë nuk kishte kursyer kritikat ndaj kryesocialistit për politikën e ndjekur si opozitar. Ndërkaq, kohët e fundit shtimit të kritikave të deputetit Ben Blushi i janë shtuar edhe spekulimet në oborret partiake për një rikthim të Nanos në jetën politike në mbështetje të grupit anti-Rama. U përfol për një ribashkim në një parti të re të deputetëve të larguar nga kreu socialist ose të atyre që nuk janë ndier “rehat” brenda selisë së purpurt nën drejtimin e ish-kryeministrit socialist, gjë e cila deri më tani ka mbetur thjesht një diskutim mediatik.

 

Festa

Në festën e organizuar në Muzeun Kombëtar, Kryeministri dhe kreu socialist Rama i ka dërguar ftesa përveç deputetëve, të zgjedhurve vendorë, kandidatëve dhe strukturave drejtuese të PS-së, edhe partive aleate, ish-deputetëve apo figurave të kësaj partie ndër vite. Po ashtu burime pranë PS-së bëjnë të ditur se nuk ka munguar as ftesa për opozitën, e cila nuk pritet të bëhet pjesë e ceremonisë festive të socialistëve. Ndërkohë që në qendër të vëmendjes nga ana e socialistëve do të jetë edhe aleati kryesor Ilir Meta, i cili duket se ka mbetur jo pak “qejfmbetur” me socialistët lidhur me mosbashkëpunimin e duhur në zgjedhjet vendore, LSI në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe tërthorazi ka kritikuar socialistët, të cilët sipas saj, nuk dhanë mbështetjen e duhur për kandidatët e propozuar nga partia e Metës në garën për bashkitë. Ndërkaq, sa i përket dekorit pritet që pjesa e brendshme e Muzeut të mbizotërohet nga ngjyra vjollcë përmes perdeve të holla rrethuese të ambientit ceremonial. Në këtë aktivitet pritet një fjalimi i Kryeministrit, i cili ashtu si dy vite më parë pritet të përqendrohet tek një historik i shkurtër i PS-së, falënderimet për themeluesit si edhe tek fitorja e zgjedhjeve nga ana e të majtëve. Në këtë të fundit, kreu i qeverisë pritet të vlerësojë rezultatin e arritur nga ASHE, ku sipas burimeve do t’i jepen falënderime speciale për aleatin kryesor LSI si edhe për bashkëpunëtorët “e rinj” të këtyre zgjedhjeve si FRD apo PDIU.

 

Gazeta “Kathimerini”/ Ministri i Jashtëm grek viziton Tiranën, bisedime për detin, ligjin e luftës dhe Kosovën

Gazeta greke “Kathimerini” e cilësoi një mundësi të mirë për normalizimin e marrëdhënieve Athinë-Tiranë vizitën e pritshme në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek në Shqipëri, Nikos Kotzias si dhe paketën e propozimeve që ai do të hedhë për bisedime me palën shqiptare. Në gjysmën e dytë të korrikut do të nisë një tur ballkanik ku do të rivlerësohen disa çështje që sipas gazetës e kanë çuar Greqinë në një udhëkryq diplomatik me vendet e rajonit. Ndalesa më e rëndësishme do të jetë padyshim Tirana me të cilën Athina ka një sërë problemesh të pazgjidhura dhe ku tensioni është rritur pas ardhjes në pushtet të socialistëve. Sipas “Kathimerini” paketa e ministrit Kotzias në Tiranë do të përmbajë 7 pika, duke nisur me propozimin për një korrigjim teknik të paktit detar të nënshkruar në vitin 2009, pasi qeveria greke nuk pranon një rinegocim të kësaj çështjeje, por këmbëngul në një zgjidhje politike të problemit. Pika e dytë e paktit është abrogimi i ligjit të luftës që është miratuar nga qeveria greke që në vitin 1987 por që nuk u dekretua nga presidenti i atëhershëm Kristos Sarxetakis. Pika e tretë është respektim i të drejtave të minoritetit etnik grek që sipas qeverisë greke janë shkelur rëndë me regjistrimin e popullsisë në vitin 2012, ku pakicës greke iu mohua e drejta për të shprehur kombësinë. Kërkesë tjetër është ngritja e tre varrezave për të rënët greke të luftës së dytë botërore dhe përfshirja e PDIU-së në qeveri e lënia jashtë e PBDNJ-së.

 

7 pikat e diskutimit sipas “Kathimerini”-t

1-Diskutimi i Marrëveshjes së Detit të vitit 2009 pasi qeveria greke nuk ka pranuar rinegocim, por do të marrë në konsideratë korrigjimet e mundshme teknike për ti dhënë fund kësaj çështje.

2-Diskutim për heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë e miratuar nga Greqia që në vitin 1987, por që Presidenti i asaj kohe Christos Sartzetakis kishte refuzuar nënshkrimin, për zbatimin e tij.

3-Diskutim për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Sipas “Kathimerini”-t, minoriteti grek nuk ka qenë asnjëherë i respektuar në Shqipëri. Ajo shton, se as Censusi i 2012-ës, nuk u dha të drejtën e regjistrimit të origjinës etnike, sikundër pjesës tjetër të minoriteteve në Shqipëri, gjë që ishte kritikuar edhe nga Këshilli i Evropës dhe Organizata të tjera.

4-Do të diskutohet për ndërtimin e 3 varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës në vitin 1940

5-Do të diskutohet për koalicionin e qeverisë me PDIU, gjë e cila nuk është pritur mirë nga qeveria greke pas largimit nga posti i nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule të PBDNJ dhe zëvendësimit të tij me kreun e partisë së çamëve Shpëtim Idrizi.

6-Do të diskutohet mbështetja e Greqisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

7- Së fundi, do të diskutohet edhe për një njohje të mundshme të pavarësisë së Kosovës nga Athina zyrtare.

 

Në Kllogjer/ PDIU përkujton 71-vjetorin e genocidit grek ndaj çamëve, Idrizi: Do vazhdojmë betejën

Në Varrezat Monumentale të Kllogjerit në Sarandë u përkujtua dje 71-vjetori i genocidit grek ndaj popullsisë çame. Të ardhur nga Saranda, por edhe nga Vlora, Elbasani, Durrësi e Tirana, përfaqësuesit e komunitetit çam u mblodhën tek Varri Monumental i Kllogjerit ku u vendosën kurora me lule. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi e ka cilësuar eksod biblik masakrën e 1944, ku mijëra çamë u vranë dhe të tjerë u shpërngulën dhunshëm nga trojet e tyre prej forcave greke. “Këta njerëz vdiqën të larguar në një eksod biblik, duke lënë pas rreth 20% të popullsisë të zhdukur, vrarë dhe masakruar. Ata u nisën drejt atdheut mëmë, ndaluan këtu në këtë vend dhe fatkeqësisht rreth 2900 prej tyre vdiqën të pamundur. Ne shqiptarët e Çamërisë do të vazhdojmë betejën tonë pa asnjë lloj kompromisi,të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, njohjen e genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, fitimin e të gjithë të drejtave pronësore, juridike të shqiptarëve të Çamërisë”, – tha ai. Në vitin 1944 nisi shpërngulja e dhunshme dhe masakrat ndaj popullsisë çame prej ushtrisë greke. Veçanërisht, krimet ishin masive në fshatrat ku çamët ishin kryesisht të besimit mysliman.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here