Shuplaka e Brukselit/ Elmar Brok: Zgjedhjet janë të falsifikuara. Basha: Njohja e zgjedhjeve, tradhti ndaj qytetarëve

0
121

Jetmir Olldashi

Frank Nürnberger / event-photo.biz. Europa eine Seele geben. Konferenz in Berlin am 14. 11. 2008. Redaktioneller Abdruck kostenfrei.

Misioni ynë, çmontimi i instrumentit që deformoi zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke dhunuar standardet

Shqiptarët nuk votuan të lirë në 21 qershor. Zgjedhjet u deformuan nga ndërhyrja e institucioneve shtetërore dhe malavitës. Këto ishin mesazhet e përçuara në samitin e Partive Popullore Evropiane në Bruksel nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Lideri i selisë blu pati takime me drejtues shtetesh dhe personalitete politike evropiane, të cilëve u përcolli shqetësimet e tij dhe të forcës politike që përfaqëson për dhunimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zoti Basha u shpreh i bindur në deklaratën e tij se pa siguruar standardin e zgjedhjeve vendi s’mund të bëjë para as në proceset integruese të Bashkimit Evropian dhe as në përmirësimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet. “Misioni im dhe i PD-së, çmontimi i instrumentit të oligarkisë që deformoi vullnetin e zgjedhësve në 21 qershor. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit evropian të vendit, por as në përballimin e sfidave imediate që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE-së në Bruksel”. Lideri i selisë blu, Lulzim Basha, mori pjesë në samitin e radhës të Partive Popullore Evropiane në Bruksel. Në qendër të bisedave që zoti Basha zhvilloi me drejtues të lartë të vendeve anëtare të BE-së ishte dhunimi i standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, të nënvizuara dhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, SHBA dhe BE. “Ka një zhgënjim të jashtëzakonshëm për stadin në të cilin gjendet Shqipëria, si rezultat i prishjes së zgjedhjeve lokale nga shumica, përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale, angazhimit të krimit dhe bandave kriminale për të intimiduar zgjedhësit dhe për të mbështetur kandidatët e shumicës në shumë raste, përdorimit masiv të parave publike por edhe të parave të pista, të korrupsionit e krimit për të blerë votën e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht kërcënimit të votuesve, nëse nuk do votonin për kandidatët e shumicës, për humbjen e vendit te tyre të punës apo të afërmve të tyre, në rastet kur këta punojnë në administratën publike, raste këto të mirë dokumentuara nga opozita, nga PD, të bërë të njohura institucioneve ndërkombëtare”. Kryetari i opozitës ka njohur homologët e tij evropian edhe me rezultatin e arritur nga Partia Demokratike në veçanti dhe opozita në tërësi. Ai ka risjellë në vëmendjen e politikëbërësve evropianë edhe një herë problematikën që ka shoqëruar procesin zgjedhor. “Opozita shqiptare, PD ia ka dalë në rezultatin formal që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real, pa këtë makineri presioni të shitblerjes së votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë siç tregojnë edhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët”, – theksoi zoti Basha. Kryetari i Partisë Demokratike është pyetur edhe për deklaratën e Elmar Brook-ut, kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, sipas të cilit nëse gjysma e konstatimeve të raportit të OSBE-së është e vërtetë, atëherë zgjedhjet janë të manipuluara dhe do ta ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në Komisionin e Punëve të Jashtme. Zoti Basha tha se çmontimi i këtij instrumenti të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD-së dhe i tij si kryetar i saj. “Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Sot apo nesër besoj do të jetë dita e fundit e përmbylljes së procesit të numërimit, në të cilin pavarësisht gjithë këtyre parregullsive, ne morëm pjesë dhe u bëmë thirrje numëruesve tanë të ishin të kujdesshëm në zbatimin e ligjit”.

Kryetari i opozitës paralajmëroi betejë ligjore brenda dhe jashtë vendit. Basha tha se kjo është e vetmja rrugë e opozitës për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. “Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformonin vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit evropian të vendit, por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE-së në Bruksel”, – u shpreh lideri i opozitës, Lulzim Basha. Ai u shpreh edhe për diskutimet lidhur me valën e emigracionit që ka kapur Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Lidhur me standardin e zgjedhjeve të 21 qershorit është shprehur edhe komisioneri i Zgjerimit, Hahn, i cili tha se do të ketë një deklaratë të plotë për zgjedhjet në Shqipëri vetëm pasi të dalë i plotë raporti i OSBE/ODIHR-it.

 

Elmar Brok: Zgjedhjet e 21 qershorit janë të falsifikuara

Janë ngritur dyshimet e para lidhur me standardet e zgjedhjeve të 21 qershorit. Deklarata e parë është bërë nga Elmar Brok, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili u shpreh: “Nëse gjysma e raportit të OSBE-së është e vërtetë, rrjedhimisht i bie që zgjedhjet janë të falsifikuara dhe do ta ngre këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian”. Zyrtari i lartë evropian u shpreh se do ta shtrojë për diskutim në mbledhjen e radhës të Komisionit të Jashtëm të BE-së standardin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe raportin paraprak të OSBE-së. “Mendoj se ky raport është befasues. Sikur edhe gjysma e këtij raporti të jetë e vërtetë, atëherë duhet të themi që këto zgjedhje janë të falsifikuara. Unë do ta përfshij në rendin e ditës për të informuar anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme për falsifikimin e madh të zgjedhjeve”.

 

PD nis betejën ligjore për zgjedhjet e 21 qershorit

Opozita ka ankimuar në KQZ rezultatin e zgjedhjeve në bashkitë e Tepelenës dhe Kurbinit. Në kërkesën drejtuar KQZ-së thuhet se fleta e votimit ka qenë e gabuar, pasi dy kandidatët e ASHE dhe APPD kanë pasur të njëjtin numër rendor në fletë, nr. 2, çka ka sjellë, sipas tyre, konfuzion mes zgjedhësve. Zgjedhjet vendore në Tepelenë u fituan nga kandidati i majtë. Një tjetër bashki që pritet të kontestohet nga PD-ja është ajo e Kurbinit, për të cilën demokratët kanë dërguar edhe një procedim penal në Prokurori për komisionerët e PS-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here