Financat dështojnë me të ardhurat, më 5 muaj mungojnë 47 milionë euro

0
134

Ervin Kaduku

 ministria e financave–  Ndërkohë që shpenzimet kapitale po mbahen të ulëta, duke vështirësuar gjendjen ekonomike të shqiptarëve dhe ulur ndjeshëm kapacitetin ekonomik të rritjes së Prodhimit të brendshëm Bruto

–  Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale janë dy zërat që kanë ecurinë më negative në raport me planin

Administrata doganore dhe ajo tatimore realizuan një nga bilancet më të këqija në shumë kohë për periudhën janar-maj 2015, ndërkohë që shpenzimet buxhetore u mbajtën të pakta, duke hequr nga ekonomia para për konsum dhe investime.

 

Të ardhurat

Të ardhurat e buxhetit të shtetit shënuan një rritje prej vetëm 5.1 për qind në krahasim me vitin 2014, pavarësisht se rritja e taksave të realizuara në janar të këtij viti dhe rritja ekonomike e parashikuar duhej të jepnin një rritje të të ardhurave buxhetore me së paku 10 për qind. Të ardhurat tatimore dhe doganore patën ecuri shumë të keqe, sipas bilancit të publikuar dje nga Ministria e Financave, dhe të ardhurat mungojnë pikërisht në ato zëra, ku rritja e taksave ka qenë më e ashpër.

Te të ardhurat nga tatimet dhe doganat qeverisë i mungojnë rreth 90 milionë euro, 11 miliardë lekë më pak sesa Financat parashikonin të mblidhnin në fillim të vitit.

Në raport me 5 mujorin 2014, efektin kryesor në rritje e kanë dhënë të ardhurat jotatimore dhe ato nga sigurimet shoqërore, që kanë ndikuar në 100% të rritjes.

 

TVSH

Të ardhurat nga TVSH, zëri kryesor në buxhet shënuan një rënie prej 6.4%, në 47.1 miliardë lekë. Financat kanë shpjeguar se rendimenti i ulët i mbledhjes së TVSH-së lidhet me disa ndryshime strukturore të ekonomisë, si zhvendoja e një pjese të konsumit të karburanteve nga importi te prodhimi vendas, rritja e konsumit të duhanit të dredhur. Një tjetër element është dhe shtimi i prodhimit bujqësor, që ka zëvendësuar importin (nga kjo e fundit shteti humb gjysmën e TVSH-së si rrjedhojë e sistemit të autofaturimit që bëjnë supermarketet për produktet që blejnë nga fshatari), por financat pohojnë se pavarësisht humbjes në të ardhura në afatin e shkurtër, ky është një zhvillim pozitiv.

Tatimi mbi fitimin shënoi të ardhura prej 11.8 miliardë lekë, 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe 1.2 miliardë lekë më shumë se plani.

 

Akcizat

Të ardhurat nga akcizat janë për këtë vit janë 4.5 miliardë lekë më pak se plani, pavarësisht se akciza e cigareve u rrit nga 90, në 110 lekë për paketë në janar të këtij viti. Te duhani, rritja tepër e shpejtë e taksimit në krahasim me rënien e fuqisë blerëse të popullsisë ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të zëvendësojë paketat e cigareve me duhan të hapur apo “cigare të mbushura”, të cilat janë duhan i hapur i futur në cigare me mjete të improvizuara dhe që shiten për vetëm 50 lekë për 20 cigare për shkak se nuk paguajnë taksa.

Por rënia nga ky zë i dedikohet edhe rënies së arkëtimeve nga renta minerare, të cilat janë më të dobëta për shkak të çmimit shumë më të ulët të naftës bruto këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.

 

TAP

Domethënëse qe edhe performanca e keqe e tatimit mbi të ardhurat personale. Të ardhurat nga ky zë qenë 3.2 miliardë lekë më të ulëta se sa plani, duke lënë të kuptosh se kemi të bëjmë me rritje të evazionit fiskal ose rënie të ndjeshme në të ardhurat e taksueshme të popullsisë. Dështimi është i dukshëm, pasi Financat prisnin që, pas rritjes së tatimit mbi dividendin dhe të ardhurat e tjera nga 10 në 15% nga 1 janari i këtij viti, të ardhurat nga ky zë të ishin shumë më të larta se kaq.

 

Taksat nacionale

Të ardhurat nga taksa nacionale ranë me 5.4% në 12.2 miliardë lekë (2.5 mld lekë më pak se plani), ku ndikimin kryesor e ka dhënë renta minerare (që ka rënë me rreth 1.8 miliaardë lekë), si rrjedhojë e uljes së çmimeve të karburanteve.

 

“Shpëtimtarët”

Zëri me ecurinë më të mirë këtë vit po rezulton ai i të ardhurave jotatimore që është rritur me 40% në 14.9 miliardë lekë me bazë vjetore për 5-mujorin, duke u sjellë Financave 3.8 miliardë lekë më shumë se plani i fillimvitit dhe duke amortizuar ndjeshëm rezultatin e dobët të tatimeve e doganave. Efektin kryesor në këtë zë vijon ta ketë muaji mars, si rrjedhojë e pagesës së licencave të telekomunikacioneve (event që ndodh vetëm një herë) dhe rritjen e të ardhurave nga tarifat e universiteteve, pasojë e shtrenjtimit të tyre. Gjithsesi, në maj ky zë u rrit fare pak dhe në muajt në vijim pritet që efekti i marsit të ulet ndjeshëm, duke i vënë Tatimet e Doganat përpara përgjegjësisë për të “shpëtuar” buxhetin.

 

Shpenzimet

Për të kompensuar performancën shumë të keqe në të ardhura, qeveria ka mbajtur të ulëta shpenzimet. Për pesëmujorin janar-maj, buxheti shpenzoi 14 miliardë lekë më pak se plani (rreth 100 milionë euro), e barasvlershme kjo me 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shpenzimet kapitale nuk kanë mundur të dalin nga anemia edhe këtë pesëmujor. Fondi i periudhës është realizuar është realizuar vetëm 87 për qind, ndërsa realizimi i investimeve me fonde të huaja ka pësuar një rënie prej 23% në krahasim me një vit më parë.

Por, ama, shpenzimet për personelin pësuan një rritje me gati 7 milionë dollarë në krahasim me 5 mujorin e 2014 me një rritje 0.6%. Gjithashtu edhe shpenzimet për pagesa kontributesh pësuan një rritje 2% në krahasim me një vit më parë.

Shpenzime më të ulta se, vjet janë bërë për kompensimin e ish pronarëve të cilët morën 736 milionë lekë më pak. Te pagesa e papunësisë u shpenzuan 38 për qind më pak dhe tek ndihma ekonomike 25% më pak. Sipas orientimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore fondet për të dy këto kategori do të duhet të shkurtohen më tej.

 

Rishikimi i mesvitit

Qeveria do të duhet të rishikojë buxhetin e shtetit këtë vit për t’u përballur me nivelin shumë më të ulët nga sa pritej në të ardhura, gjë që ka gjasa do të penalizojë edhe rritjen ekonomike të këtij viti. Ndërkohë, deficiti buxhetor në fund të pesëmujorit rezultoi 17% më i ulët se i një viti më parë në këtë periudhë. Por ndryshe nga viti i kaluar deficiti u financua gati 90 për qind me burime të huaja, ndërsa financimi i brendshëm në krahasim me vjet ra me 9 miliardë lekë.

 

Udhëzimi i Brukselit: Mos rritni taksat, frenoni shpenzimet

Përtej vitit 2015, programi i konsolidimit buxhetor në Shqipëri nuk parashikon masa të mëtejshme në të ardhurat, por synon të mbajë shpenzimet në kontroll. Sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Evropian konsolidimi në krahun e shpenzimeve do shtrihet në dy vitet e ardhshme 2016-2017.

Raporti i KE referon se është planifikuar që pjesa e shpenzimeve të personelit të ulet me rreth 1 pikë përqindje të PBB deri më 2017. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjithashtu pritet të bien në terma relativë nga 2.7% e PBB-së në vitin 2015 me 2.3% në 2017, përkundër nevojave të mëdha të mirëmbajtjes të paplotësuara, sidomos në sektorin rrugor.

Shpenzimet do të shkurtohen edhe për asistencën sociale dhe skemat e përfitimit të aftësisë së kufizuar. Këto shpenzime në vitin 2017 pritet të bien me 1.2% të PBB, si rezultat i reformave për heqjen e abuzuesve nga skemat, referon raporti i KE.

Brenda zarfit të shpenzimeve, investimeve publike janë e vetmja kategori e madhe që pritet të regjistrojë një rritje relative, nga 6% e PBB në vitin 2015 në 6.4% në 2017. Megjithatë, eksperiencat në të kaluarën e afërt të thonë se alokimi i tyre sipas parashikimeve në buxhet ka qenë i pamundur.

Në vitin 2014 dhe 2015, buxheti ka synuar rregullimet në kahun e të ardhurave, i fokusuar më së shumti në rritjen e performancës nga administrimi fiskal. Rritja e pritshme në raportin e të ardhurave ndaj PBB-së për këtë vit është e njëjtë si në 2014, d.m.th. 1.9 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm. Megjithatë, në buxhetin e vitit të kaluar rritja e taksave ka ndikuar në rritjen me 1.5% te të ardhurave raport me PBB, ndërsa rritja e këtij viti pritet të ndikojë në 1 për qind të BB pjesa tjetër është parashikuar nga zbutja e informalitetit, me një rol më rëndësishëm se në vitin 2014.

 

Humbjet në ujin e pijshëm arrijnë në 67 për qind

Reforma në sektorin e ujësjellës kanalizimeve për uljen e humbjeve në rrjet dhe të shifrës së ujit pa të ardhura, e cila aktualisht është në nivelin e 67 për qind, duket se ka filluar në disa drejtime. Këtë e ka konfirmuar Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto gjatë nënshkrimit të një memorandumi me USAID dhe Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri, që synon trajnimin dhe certefikimin e të gjithë menaxherëve operacionalë në sektorin e furnizimit me ujë. Kurset e para të trajnimit do të fillojnë të zhvillohen në fillim të vitit 2016.

“Ky memorandum ka rëndësi të veçantë si një hap shumë i rëndësishëm në reformën e thellë që ujësjellës­kanalizimet kanë filluar në Shqipëri. Qëllimi është të ecim drejt një performance më të mirë, me objektivin final të një shërbimi më cilësor dhe më të përhapur gjeografikisht, pra më pranë qytetarëve për këtë shërbim jetik, furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujit të përdorur. “Shumë e rëndësishme është që realizimi i këtij projekti të ecë paralelisht me gjitha hapat e tjera, të identifikuar dhe që po ndërrmenrren nga qeveria, së pari, për ta reformuar sipas ndarjes së re administrative territoriale, së dyti për të riorganizuar ndërrmarjet e UKT mbi bazën e performancës së mirfilltë”, u shpreh Ministri Haxhinasto.

“Çertifikimi i bazuar në testim është i rëndësishëm për menaxhimin e qëndrueshëm dhe profesional të sistemeve ujësjellës kanalizime. USAID ka kënaqësinë të mbështesë Qeverinë e Shqipërisë në përpjekjet për të modernizuar sektorin e ujit në Shqipëri”, u shpreh Drejtorja e Programeve të USAID, Znj. Clare Masson. Paralajmërimi i aksionit në sektorin e ujit të pijshëm është bërë muaj më parë dhe deri më tani është ngritur Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, me qëllim ngritjen e një database të saktë të përdoruesve të uji dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike.

 

Nga korriku nisin lehtësitë fiskale në zonat e lira ekonomike

Duke nisur nga muaji korrik i këtij viti, investitorët e zonave të lira ekonomike do të përfitojnë një serë lehtësisht fiskale e proceduriale. Investitorët e zonave të lira ekonomike apo “Zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” siç janë emërtuar sëfundmi, do të përjashtohen për 5 vitet e para nga pagesa e 50 për qindëshit të normës së tatimfitimit ndërsa 20 për qind e shpenzimeve do t’i njihen si shpenzime të zbritshme. Po ashtu, ndryshimet ligjore parashikojnë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vite dhe taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Nga ana tjetër, shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 për qind të vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit. Po ashtu, kostot e trajnimit të punonjësve në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura të periudhës tatimore me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10­-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike. Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim njihen gjithashtu si shpenzime të njohura me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10­vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike. Që nga viti 2007, kohë kur u miratua ligji e deri më sot, në Shqipëri numërohen 9 zona të lira ekonomike. Zonat e lira ekonomike janë territore që mund të shfrytëzohen për të investuar dhe për të cilat shteti ofron lehtësira fiskale.

 

Fond i posaçëm shtetëror për energjitë e rinovueshme

Qeveria do të krijojë një fond të posaçëm për kërkime dhe rritje investimesh në fushën e energjive të rinovueshme me miratimin e projektligjit “Për energjitë e rinovueshme”. Burime nga ministria e Energjisë thanë se ky fond do të caktojë tarifa fikse për blerjen e energjisë nga subjektet që operojnë në vendin tonë. Përsa i përket eksportit, fondi parashikon dhënien e incentivave dhe të një certifikate origjine që tregon se energjia është prodhuar në Shqipëri nga burime të rinovueshme. Me anë të kësaj certifikate, subjektet do të mund të shesin në tregjet ndërkombëtare. Përfitimet përllogariten të jenë të larta si për investitorët privatë, të cilët do të shesin energjinë e prodhuar bazuar në çmimet e bursës europiane, ashtu edhe për qeverinë shqiptare, e cila do të vjelë taksat mbi koncesionet e lëshuara dhe energjinë e transmetuar në rrjet. Vlera e fondit për mbështetjen e një subjekti privat të vetëm, që mund të ketë në pronësi disa hidrocentrale, arrin deri në 2 milionë euro.

Burime nga ministria konfirmojnë gjithashtu se, deri tani janë zhvilluar tre takime me palët e interesit, ndërkohë që, ligji pritet të përfundojë brenda këtij viti para se të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë për miratim. Në vendin tonë, aktualisht operojnë 93 hidrocentrale private, ku vetëm në vitin e kaluar prodhuan energji elektrike sa 15% e nevojave të vendit, apo rreth një teravator. Ndërkohë, që ende nuk është vënë në punë TEC-­i i Vlorës dhe tre hidrocentralet në basenin e lumit Devoll.

 

Çfarë po ndodh me euron?

Me një euro sot mund të blesh 1.12 dollarë, ndërkohë që një vit më parë mund të blejë 1.4 dollarë. Gjatë vitit të fundit, forcimi i dollarit amerikan kundrejt shportës së valutave kryesore është një fakt i patjetërsuseshëm, por ajo që çudit analistët dhe tregjet është fakti se pse monedha e përbashkët evropiane është forcuar së fundmi.

Forcimi i euros kundrejt dollarit ka ardhur pavarësisht lehtësimit sasior në shkallë të gjerë dhe pavarsisht deklaratave të Rezervës Federale për rritjen e normave të interesit për të parën herë që prej vitit 2006. Që prej muajit Mars, kur monedha e përbashkët preku nivele minimale, në 1.04 kundrejt dollarit amerikan, vlera e saj vetëm është forcuar. Tregjet dhe ekspertët janë shumë larg të dhënit një projeksion të saktë për ecurinë e kursit të këmbimit, pasi edhe lufta e monedhave është në kulmin e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara plotësisht në forcimin e euros dhe zhvlerësimin e dollarit, pasi siç e ka pohuar edhe vetë presidenti Obama, dollari aktualisht është më i fortë seç duhet.

Përtej fasadës, në botën e globalizuar të kesh një monedhë më të dobët se të tjerat të ndihmon mjaftueshëm. Por, në luftën për forcimin e euros bashkohet edhe Kina, të cilës nuk i intereson dollari i fortë. Tashmë që Greqia dhe kreditorët duket se janë në prag të një marrëveshje, dhe në të njëjtën kohë ekonomia e Shteteve të Bashkuara duket në superformë, projeksionet duken tepër të mjegullta.

Mes analistëve opinionet janë krejt të kundërta, pasi mes atyre që japin mendime pozitive për dollarin dhe atyre që japin mendime pozitive për euron është në tavolinë një diferencë prej 20%. Por deri më tani një gjë është e sigurtë; kursi po orientohet nga politikat e rezervës federale, dhe sinjalet që ajo jep për kohën e ndërhyrjes në politikat monetare

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here