Pas fitores në kryeqytet/ Veliaj: Do jem kryeshërbëtor i Tiranës, shërbim pa tesera partie. Pres bashkëpunim me Kosovën

0

Gëzim Saliu

Veliaj te selia e PS“Qyteti nuk i ka punët mirë, ndaj nuk festojmë, duhet të përveshim mëngët që ta çojmë Tiranën në rrugën e duhur”

Nga oborri i selisë së PS-së, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, doli dje për herë të parë në publik pas zgjedhjeve, duke e cilësuar fitoren në këtë garë si një përgjegjshmëri të madhe. I shoqëruar në këtë konferencë nga deputetët e qarkut të Tiranës dhe kandidatët për Këshillin Bashkiak, Veliaj theksoi se fitorja nuk ka vend për entuziazëm, pasi, sipas tij, kryeqyteti ka nevojë për shumë punë për të marrë drejtimin e duhur. Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës garantoi se do të jetë 24 orë kryeshërbëtor i të gjithë qytetarëve pa dallime politike. “Duhet të jemi shumë të përulur pa bori, jemi të vetëdijshëm që qyteti nuk i ka punët mirë, ndaj do përveshim mëngët që ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. U kërkoj aktivistëve të jemi të përmbajtur dhe modestë në fitoren tonë. Ne nuk jemi pushtues të këtij qyteti, por administratorë të tij dhe me këtë përulësi do fillojmë punën. Për të gjithë ata që nuk na e dhanë mbështetjen me votë, dua t’u them se ju mund të mos na keni dhënë votën, por e respektojmë, e dëgjojmë zërin tuajt të të menduarit ndryshe në Tiranë, do t’ju shërbejmë njësoj pa i ndarë njerëzit, pa i parë nga tesera. Ne do të ndërtojmë një Bashki që i bashkon dhe nuk i përçan njerëzit. Unë zotohem të jem kryeshërbëtori juaj 24 orë në 7 ditë të javës”, – tha ai.

 

Deklarata

Nga ana tjetër, në daljen e tij publike, Veliaj falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në fitoren në Tiranë, duke theksuar se këto zgjedhje ishin një konfirmim i demokracisë aktive. “Kjo është një ditë e rëndësishme për mua, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të gjithë ata që iu bashkuan Aleancës për Shqipërinë Evropiane, pasi na keni ngarkuar përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës. Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, cinik për qytetarinë e këtij vendi, skeptik për demokracinë tonë – sot ka një përgjigje. Qytetarët dolën masivisht në votime, konfirmuan një demokraci aktive dhe i dhanë fitoren Aleancës për Shqipërinë Evropiane në 46 Bashki të vendit – fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit. Shumica e shqiptarëve vendosën të vazhdonin në drejtimin e duhur dhe për këtë jemi mirënjohjes e tejet të përulur”, – tha kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës. Ndërkaq, Veliaj falënderoi dhe kundërshtarët e tij në këtë garë, ku tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me ta. “Merita ka edhe kundërshtari ynë, doktor Halim Kosova, i cili meriton gjithë respektin tonë për përpjekjet që ai bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij, për t’u ndarë nga linja e shpifjes, përgojimeve dhe goditjeve nën brez, që helmojnë politikën tonë. Faleminderit doktor Kosova! Gjej rastin të falënderoj edhe kandidatët e tjerë, Gjergjin, Sazanin, Ben Tafajin, Dhimitër Muslinë. Faleminderit të gjithë atyre që u përfshinë në garë! U them me gjithë respekt, doktor Halimit dhe kandidatëve të tjerë, që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se gjëra që na ndajnë, e në emër të gjithë gjërave që na bashkojnë, u them që mezi pres bashkëpunimin tuaj në Bashkinë e re të Tiranës”, – deklaroi kandidati fitues i mazhorancës. Në fund ai i kërkoi administratës aktuale të Bashkisë së kryeqytetit që të vazhdojë shërbimet, por edhe të frenohet nga ajo që ai e cilësoi si politika e deridjeshme e tokës së djegur. “I bëj thirrje administratës së Tiranës, nuk ka asnjë ngut për të lidhur kontrata 4-5 vjeçare këto ditë në transport, ujësjellës apo në mbledhjen e mbetjeve që nuk e respektojnë ndarjen e re administrative dhe që janë në frymën e thirrjes, pas meje u bëftë qameti!”, – bëri thirrje Veliaj.

Lini nje pergjigje