Nuk humbëm!/ Basha: Rezultati i zgjedhjeve, një hap i madh për PD-në

0

Jetmir Olldashi

Loading...

bashaPërgjigjja për “Standardin”: Kjo është një çështje teknike, në votën për kandidatët opozita ka rritje, ndërkohë që aleanca e majtë ka humbje të madhe dhe është braktisur nga qytetarë

Një hap i madh për Partinë Demokratike janë cilësuar zgjedhjet e 21 qershorit nga kryetari i saj, Lulzim Basha. Në një konferencë për mediat, zoti Basha akuzoi dyshen Rama-Meta për cenimin e standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Pavarësisht prej hartës territoriale të manipuluar nga dyshja Rama-Meta për interesat e pushtetit të tyre, pavarësisht prej kandidimit të personave me rekorde kriminale. Pavarësisht prej përfshirjes së malavitës dhe bandave të lidhura me pushtetin të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë nën hundën dhe para syve të policisë; presioneve të paligjshme ndaj administratës nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit dhe përfshirjes masive të institucioneve shtetërore në fushatën elektorale; transferimeve të paligjshme të mijëra zgjedhësve dhe falsifikimit të kartave të identitetit; presionit të ushtruar ndaj medias së lirë; blerjes masive të votës fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë; Partia Demokratike me aleatët ka hedhur një hap të madh të ringritjes, duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit”. “Standard” e pyeti kryetarin e PD-së se nëse rezultati i forcës së tij politike do të ishte më i dobët se rezultati i zgjedhjeve lokale të 2011-ës, a do ta quante humbje zoti Basha dhe forca e tij politike një gjë të tillë? “Kjo është një çështje teknike, në votën për kandidatët opozita ka rritje, ndërkohë që aleanca e majtë ka humbje të madhe dhe është braktisur nga qytetarët”. Pasi ka renditur problematikat e zgjedhjeve lideri i selisë blu u shpreh i bindur për fitoren e arritur nga koalicioni i djathtë në zgjedhjet e së dielës. “Kjo është një fitore për të gjithë demokratët. Me këtë rast dua të falënderoj nga zemra kandidatët tanë për përfaqësimin dinjitoz dhe mesazhin e madh të shpresës dhe alternativës që u dhanë qytetarëve shqiptarë!” Sipas kryetarit Basha, humbja e të majtës në këto zgjedhje ka qenë e thellë dhe një braktisje totale nga votuesit. I pyetur nga gazeta “Standard” se përse opozita nuk ia doli të nxirrte në votime qytetarët e zhgënjyer nga qeveria e majtë, zoti Basha tha se “humbja e të majtës është e madhe, braktisje e plotë nga qytetarët shqiptarë”. Ndërkaq, më parë ishte shprehur i bindur në humbjen e të majtës edhe për shkak të reformës territoriale. “Koalicioni i tyre ka pësuar një braktisje të madhe nga votuesit çka përbën refuzimin nga njëra anë të hartës territoriale Rama-Meta, të bërë pa konsultim me qytetarët dhe kundër interesave të tyre, dhe nga ana tjetër një mesazh të qartë e të prerë kundër keqqeverisjes, varfërisë, papunësisë, pasigurisë dhe padrejtësisë”. Kryetari i Partisë Demokratike tha se opozita ka dokumentuar çdo shkelje të standardit të zgjedhjeve dhe do ja paraqes institucioneve ligjzbatuese të vendit dhe institucioneve monitoruese ndërkombëtare. Ai u shpreh i bindur se shkelësit e ligjit do të japin llogari dhe se opozita nuk do e ndalë betejën e saj. Zoti Basha theksoi se kontakti me ndërkombëtarët ka qenë intensiv dhe i vazhdueshëm për çdo shqetësim mbi blerjen e votave. Kryetari i PD-së i quajti për herë të parë që pas të dielës zgjedhjet si të papranueshme dhe regres. “Për fat të keq këto zgjedhje janë një kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë, misioni i ODIHR-it, Këshilli i Evropës, Ambasada e SHBA dhe përfaqësia e BE folën qartë për shqetësimet e mëdha. Beteja jonë kundër intimidimit dhe presionit ndaj zgjedhësve, kundër blerjes së votave dhe pushtetit me paratë e korrupsionit dhe krimit, kundër kandidatëve dhe të zgjedhurve me rekorde kriminale do të vazhdojë”. Ashtu si dhe gjatë fushatës elektorale zoti Basha i kushtoi një rëndësi të veçantë situatës ekonomike në vend. Ai u premtoi shqiptarëve se forca e tij politike do të jetë pranë tyre. “Beteja jonë për tu hequr lakun nga fyti qindra, mijëra familjeve shqiptare që mezi mbyllin muajin dhe për të ndalur spiralen e rënies ekonomike, shpirtërore dhe të gjithanshme, beteja jonë për taksa të ulëta, çmime të ulëta, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe të ardhura më të larta, ka marrë sot një mbështetje të madhe kombëtare dhe kjo na mbush me energji të reja”. Përfundoi konferencën e tij zoti Basha.

 

Lamtumira e kandidatëve humbës të PD-së drejtuar elektoratit të tyre

Ardjan Turku Elbasan

Në mbyllje të kësaj fushate do të doja t’ju falënderoja shumë për mbështetjen që në vazhdimësi më keni dhënë, që nga moment i shprehjes së besimit për të qenë kandidat për bashkinë e re e në vazhdimësi, për realizimin e këtij aksioni politik. Edhe pse nuk u arrit fitorja, shpresoj të mos ju kem zhgënjyer. Miqtë e mi, çdo lloj sfide në jetën time e kam marre seriozisht por kurrë si një luftë për jetë a vdekje. Jo gjithmonë në jetë mund të dalësh fitues por është e rëndësishme që si fitoren edhe humbjen ta kesh me dinjitet. E duke dëshiruar të marr përsipër përgjegjësinë e humbjes, shpresoj të mos ju kem lënduar krenarinë. Së fundmi do të dëshiroja t’i uroja zotit Sejdini suksese në drejtimin për katër vitet e ardhshme të bashkisë së Elbasanit, në të mirë të këtij komuniteti të mrekullueshëm.

 

Enkelejd Alibeaj: respektoj dhe çmoj vullnetin e çdo qytetari të shprehur nëpërmjet votës

Të dashur miq! Bashkëqytetarë fierakë!

Për gjatë dy muajve pata kënaqësinë te isha më pranë secilit prej jush, në çdo fshat dhe lagje të Fierit. Ofrova për ju vizionin tim për Fierin, integritetin dhe përkushtimin tim dhe gjeta tek ju dëshirën dhe shpresën për ta ndryshuar këtë realitet.

Falenderoj secilin prej jush, demokrat e socialist, me apo pa parti, për qetësinë, maturinë dhe qytetarinë e treguar gjatë fushatës dhe ditën e votimit. Njëkohësisht respektoj dhe çmoj vullnetin e çdo qytetari të shprehur nëpërmjet votës. I uroj suksese kryebashkiakut të ri të Fierit me shpresën që Fieri të ndryshojë, që e sotmja dhe e nesërmja e çdo qytetari fierak, e çdo familjeje fierake të jetë më e mirë.

Përzemërsisht, Enkelejd Alibeaj

 

Ilir Krosi Dibër

Falënderoj miqtë dhe dashamirësit e shumte qe besuan dhe mbështetën alternativen tone, “Pune dhe Dinjitet”. Ne u ballafaquam me kundërshtarë te shumte, me marifete, intriga dhe prapaskena te shumta. Marifete dhe skenarë si te ish sigurimit te shtetit, të dirigjuara nga PS, pasi u binden se nuk na mundnin dot, rekrutuan 3-kandidate “te pamvarur” (dale nga listat e PD) si e vetmja mundësi për të dëmtuar dhe përçarë PD-në. Dhe ia arritën…!!!

 

Darien Xhindoli Lushnjë

Fitorja ime më e madhe është miqësia edhe besimi juaj. Ne jemi nga ata që çohemi në këmbë dhe vazhdojmë betejën pa kursyer asgjë! Jam krenar për ju të gjithë e jam ndjerë mirë mes jush e si në shtëpi sepse Lushnja do të jetë gjithnjë shtëpia ime dhe unë do luftoj gjithnjë për të!

Loading...

Lini nje pergjigje