Standard.al

Kriset koalicioni Rama-Meta/ Dështimi në 6 bashki, LSI ja faturon humbjen PS-së: Në Pogradec u bë pazar

0

 

Gëzim Saliu

Rama-MetaRama i LSI-së: Votuesit tanë me korrektesë e luajalitet votuan 100 për qind kandidatët e koalicionit, duke mos u bërë pjesë e pazareve. Bashkitë e humbura jo tonat, por të ASHE-së

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të jetë më e qetë dhe kjo tashmë nuk ka më lidhje me opozitën. Një ditë pas humbjes në 6 bashkitë që kishte në interes të veçantë, si Vora, Pogradeci, Lezha apo Kukësi, forca e drejtuar nga Ilir Meta ka lexuar me kujdes rezultatet për këshillat bashkiakë, ku rezulton me një rritje të ndjeshme nga zgjedhjet e kaluara vendore si edhe ato të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo mos përputhje mes shifrave në rritje si forcë politike dhe humbjes në bashkitë e rëndësishme ka sjellë shqetësime të mëdha në selinë e LSI-së, të cilat janë përqendruar tek “tradhtia” brenda radhëve. Rezultatet e ndryshme në raportin bashki-rang kombëtar tregojnë qartë se kandidatët e LSI-së nuk kanë marrë mbështetjen e duhur nga baza e PS-së në bashkitë ku ata kandiduan.

 

Deklaratat e Ramës

“Zemërimi” i LSI-së me aleatin kryesor u vu re qartë dje në konferencën për shtyp të sekretarit të përgjithshëm të kësaj force Luan Rama, i cili foli për një Pazar në garën e Pogradecit. “Më lejoni të qëndroj pak edhe te fakti apo rezultati i atyre bashkive ku nuk rezultojnë fitues kandidatët e koalicionit. Jemi të duruar të presim me qetësi, natyrisht me shumë vëmendje, rezultatin që do të shpallet, por ndërkaq më pas ne do të bëjmë analizat e detajuara për të nxjerrë përgjegjësitë tona, përgjegjësitë e të gjithë aktorëve në garë, por dua të theksoj që pavarësisht kësaj nuk ka asnjë justifikim pazari i bërë në Bashkinë Pogradecit, i cili ia kalon edhe atij që njihet në mentalitetin apo në psikologjinë popullore, pazarit të Roskovecit”, – tha ai. Në këtë kontekst, Rama nuk ngurroi t’i përmendte aleatit kryesor PS, se votuesit e LSI kanë votuar 100 për qind për kandidatët e koalicionit për “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”,: “duke mos u bërë pjesë e pazareve dhe e lojërave të cilat mund të dëmtonin sadopak kandidatët e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Këto zgjedhje dhe roli, qëndrimi, shembulli, modeli i votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim konfirmojnë edhe njëherë luajalitetin dhe korrektesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila u qëndron me besnikëri dhe u shërben po me besnikëri marrëveshjeve dhe kontratave të bëra me partnerët”. Ndërkaq duke vazhduar “pickimin” ndaj PS-së, deputeti i LSI-së tha se bashkitë e humbura nga kjo forcë politike nuk janë të LSI-së, por të të gjithë koalicionit të majtë. “Do ta vlerësojmë maksimalisht rezultatin, do të lexojmë më shumë përgjegjësi çdo votë pro dhe çdo votë kundër për të evidentuar defektet, mangësitë, përgjegjësitë, por te ky standard vlerësimi, te ky qëndrim yni nuk bën pjesë Bashkia e Pogradecit, e cila siç thashë, pazari i bërë në Pogradec ia kalon edhe pazarit të njohur të Roskovecit. Kjo është krisja e parë reale mes dy partive kryesore të mazhorancës së majtë që drejton vendin prej dy vitesh, krisje e cila mund të thellohet më tej nëse vërtetohet se braktisja e LSI-së në bashkitë ku humbi ka ardhur me “urdhër nga lart”. Në rast të kundërt, pra nëse vetë baza e PS-së është treguar neglizhente ndaj kandidatëve të LSI-së apo deputetët socialistë kanë qenë të paaftë për të dhënë direktivat e duhura tek baza, kafja e radhës mes Ramës dhe Metës do të jetë sërish e ngrohtë.

 

Meta “harron” Veliajn, vlerëson Kosovën: Solli një standard të ri, duhet më shumë qytetari

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vlerësoi dje kandidatin e “Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet”, Halim Kosova, në garën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Përmes një mesazhi për mediat, lideri i LSI-së theksoi se fushata e kandidatit të opozitës solli një risi pozitive në zgjedhjet për pushtetin vendor. “Sjellja e doktor Halim Kosovës solli një standard të ri. Politika ka nevojë për më shumë qytetari. Fushata e doktor Kosovës ishte një risi pozitive”, – thekson kryetari i LSI-së. Ndërkaq në këtë mesazh të parë të përcjellë përmes zyrës së shtypit të LSI-së, meta nuk përmendi asnjëherë kandidatin fitues të së majtës Erion Veliaj. Ndërkaq në një dalje të dytë pasdite sekretari i përgjithshëm i LSI Luan Rama, ku foli për rezultatet në këshillat bashkim, përmendi edhe fitoren e Velijat në Tiranë duke shprehur besim se në këtë formë Tirana do të ecë në rrugën e duhur.

 

Simpatizantët e LSI protestojnë në Vorë: Nuk njohim rezultatin

Pasi në Vorë ku fitoi kandidati i APPD Fiqiri Ismaili, disa simpatizantë të LSI-së u mblodhën dje përpara KZAZ duke mos pranuar rezultatin. Duke kërkuar atë që ato e cilësojnë si “votë reale”, militantët e forcës së drejtuar nga Meta pohuan se ishin aty për të demonstruar deformimin e votës. Pranë simpatizantëve ishte edhe kandidati i ASHE, Luan Sallaku i cili tha se ka besim tek Prokuroria dhe KQZ që do e zgjidhin këtë çështje. “Do qëndrojmë në shesh derisa të gjejmë të drejtën tonë”, pohoi Sallaku. Fiqiri Ismail ii koalicionit të djathtë fitoi me 7985 vota kundrejt rivalit të ASHE Luan Sallaku i cili mori 7746 vota.

 

Bashkitë ku u bë garë deri për votat e fundit

Gara në zgjedhjet vendore të 21 qershorit në disa bashki ka qenë e fortë, ku palët politike kanë luftuar me njëra-tjetrën deri në votën e fundit. Kështu në bashkinë e Fushë-Arrëzit, përballja ishte më e ashpër dhe dy kandidatët janë ndarë me një diferencë prej 66 votash. Fran Tuci i Aleancës për Shqipërinë Europiane fitoi me 50,62% ndaj Gëzim Vatës së Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet që mori 49,38% të votave. Po ashtu në bashkinë Pukë Gjon Gjonaj i ASHE-së fitoi vetëm me 97 vota diferencë, duke mbledhur 50,64% të votave në garën me Rrok Dodajn që mori 49,36%. Një garë e fortë ishte edhe ajo në Vorë, ku fitorja e Fiqiri Ismailit të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet u vendos nga 138 vota, ku Luan Sallaku i ASHE-së mori 49,55% të votave kundrejt 50.45% të kryebashkiakut aktual. Gjithashtu në Mat gara ishte e fortë, ku Adelina Farici, kryebashkiaki socialiste e Burrelit humbi garën ndaj rivalit të Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet e Nezir Rizvanit me një diferencë 181 vota. Ndërkaq në këto zgjedhje nuk munguan rezultatet e thella si ai në Skrapar ku Nesim Spahiu i ASHE-së fitoi me 86,34% ndërsa rivali i tij Hajredin Baksiasi (APPD) mori vetëm 13,66%. Rezultat plebishitar mori në Pustec edhe Edmond Themelko i ASHE me 80,97%të votave, ndaj Miallaq Apostollovski me 19%.

 

E majta me 22 mijë vota më pak në Vlorë

Koalicioni i majtë në zgjedhjet e 21 qershorit mori më pak se 56 mijë vota në Qarkun Vlorë, duke shënuar një rezultat me 22 mijë vota më pas se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Të dhënat e KQZ tregojnë se në qarkun Vlorë, ku përfshihen shtatë bashki të reja, votuan afro 107 mijë votues, 37 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, nga 123 mijë vetë ose 42 për qind që patën votuar në vitin 2013. E majta arriti të grumbullojë 52 për qind të votave të qarkut Vlorë ndërsa e djathta mori 31.4 për qind. Koalicioni ASHE fitoi zgjedhjet për kryebashkiak në Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol dhe Delvinë ndërsa e djathta arriti të fitojë Bashkinë Selenicë e MEGA, një nga dy partitë e minoritetit grek në Shqipëri, fitoi garën për kryetar bashkie në Finiq.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.