Hapi që i duhet i Bashës

0
109

Nga Nebil Çika

Nga Nebil ÇikaI ka humbur apo i ka fituar zgjedhjet PD-ja?! Shumica thonë që i ka humbur, por ka edhe të tjerë që pretendojnë të kundërtën, përfshi edhe kryetarin Basha! Në daljen e tij të parë pas përfundimit të zgjedhjeve, kreu i opozitës e konsideroi humbjen e zgjedhjeve nga koalicioni i tij si një “hap të madh”, por nuk e sqaroi mirë, para apo prapa?! Por po e marrim të mirëqenë se shefi i opozitës e kishte fjalën për “hap përpara”. Nëse e shohim teknikisht të krahasuar me humnerën elektorale të vitit 2013, pretendimi i z. Basha për një hap para (jo aq të madh) është i justifikuar. Por ne jemi të detyruar ta dëgjojmë, perceptojmë e ta komentojmë politikisht shefin e opozitës dhe qëndrimin e tij politik për zgjedhjet. Në këtë këndvështrim pretendimi i z. Basha për hapa para e veçanërisht të madh, nuk më rezulton korrekt. Humbja është humbje dhe si e tillë duhet pranuar, pavarësisht faktorëve apo arsyeve që e çuan opozitën në të. Pranimi i saj është një akt sublim fisnik, por edhe një mundësi e madhe politike e pragmatike për të analizuar e korrigjuar defektet që çuan drejt saj. Gabimi më i madh, aq i përsëritur në politiken shqiptare, veçanërisht tek PD, është fajësimi i kundërshtarit politik për disfatën tënde, gjë që nuk i shpëtoi edhe arsyetimit të kryetarit Basha në daljen e parë paszgjedhore. Me gjithë natyrën “administrative” të këtyre zgjedhjeve aktorët politikë kanë përgjegjësi politike për to. Këtu nuk bëhet fjalë për “gijotinë”, por analizë, reflektim dhe veçanërisht përgjegjësi për të gjithë ata që morën përsipër këto zgjedhje nga kreu në bazë.

  1. Basha tha se do të ketë një hap tjetër edhe më të madh, duke nënkuptuar që PD do të përqendrohet tek zgjedhjet politike të 2017-ës, të cilat janë përveç të tjerash edhe një përgjegjësi e pashmangshme personale e tij. Por për të hedhur “hapin tjetër të madh” duhet patjetër të analizosh arsyet pse ky “hapi” i tanishëm nuk që mjaftueshmërisht i madh dhe veçanërisht humbës. Në traditën politike të PD-së mund të thuhet me plotë bindje se kjo forcë politike nuk ka bërë ndonjë analizë pas humbjeve të saj elektorale që nga viti 1991 e këtej. Ky ka qenë edhe defekti më i madh dhe aspekti më i kritikuar i saj, njëherazi edhe aspekti i pakonsideruar nga lidershipi. Në këtë situatë jam i prirë të besoj se edhe këtë radhë nuk do të këtë ndonjë surprizë, gjë që ma përforcoi edhe pretendimi i z. Basha për “fitore dhe hap të madh”.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte pa dyshim bojkoti që shumica e shqiptarëve u bënë atyre si një reagim ndaj politikës në përgjithësi e qeverisë në veçanti. Por opozita nuk mund ta përjashtojë veten nga rrezja e mesazhit popullor për politikën. Nga numri i votave më rezulton se ata që nuk kanë dalë në zgjedhje janë në masë votues të djathtë apo ish-votues te PD-së, gjë që duket qartë në diferencat e mëdha në zonat ku PD ka humbur zgjedhjet. E shikoj këtë bojkot si një mesazh i qartë për të dyja kampet politike. Për qeverinë ka urrejtje dhe kundërshtim të politikave të saj, ndërsa për opozitën mungesë shprese dhe mosbesim. Humbja e besimit tek opozita, veçanërisht PD, nuk është një fenomen i ri. Mendoj se kjo opozitë, kjo PD, nuk e përfaqëson dot më elektoratin e djathtë shqiptar. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi i PD-së me elektoratin dhe humbjet e thella të përsëritura në dy vite nuk duan koment. Që në fillimet e saj, PD nuk ka qenë një parti tipike e djathtë, por gjithsesi antikomunizmi apo më mirë retorika rreth tij mbulonte problemet e tjera dhe PD arriti t’i merrte disa herë votat e të djathtës shqiptare dhe prej tyre ndenji goxha vite në pushtet. Mirëpo me kalimin e kohës puplat ranë dhe shqiptaret panë që PD-ja nuk ishte aq e djathtë dhe për më tepër aq antikomuniste sa ata e mendonin. Situata politike dhe ekonomike në vend ndryshoi shpejt dhe raportet e politikës me jetën e përditshme u bënë edhe përcaktuese apo matëse reale të ideologjive dhe filozofisë së tyre politike. Gjithnjë e më shumë elektorati dhe grupimet e djathta të interesit panë që ndryshimi midis PD-së antikomuniste dhe PS-së ish-komuniste sa vinte e ngushtohej për të mos u dalluar më. Nga burimet njerëzore tek raportet me pronën, historinë, ekonominë dhe veçanërisht çështjen e interesat kombëtare dallimi PD-PS-LSI pothuaj nuk ekziston. Sa gjen komunistë të spikatur në PD aq gjen edhe ish-të përndjekur politikë të komunizmit apo ish-pronarë në PS. Retorika politike ndaj heshtjeve të mëdha ideologjike midis dy kampeve nuk ka tashmë asnjë ndryshim. E majta ish-komuniste në pushtet bën diferencën vetëm me arrogancën e hapur dhe me egërsinë e ushtrimit të politikës dhe pushtetit përballë te cilës opozita e djathtë nuk ka mundur dot të reagojë. Qëndrimet ndaj dy kategorive (në masë e njëjta gjë) të konsideruar si hipoteka elektorale e PD-së ish-të përndjekurve politikë dhe pronarëve, janë prova më e qartë që PD nuk është aq e djathtë sa duket. Këtë tani pas 25 vjetësh e kanë kuptuar shumica e shqiptarëve. Me pak fjalë, problemi më i madh i PD-së me elektoratin është fakti që PD nuk është një alternativë aq e djathtë sa duhet ose më mirë të themi se tashmë është zbuluar nga shumica e publikut që nuk është e tillë. Në fakt, duket që nuk ka qenë e projektuar që të jetë e tillë, pavarësisht iluzionit optik apo perceptimit të krijuar në publikun postkomunist shqiptar pa përvojë politike pluraliste. Me pak fjalë, ajo që kërkon publiku dhe elektorati e kjo PD nuk ia jep dot është një alternativë politike realisht e djathtë, një trend politik evropian apo edhe botëror. Kjo PD vazhdon të rrokulliset me shpejtësi majtas, drejt një tregu politik të tejngopur ku nuk ka vend për të. Nuk mundem dot në një shkrim të bëj një analizë të detajuar të komunistizimit të PD-së nga filozofia politike te përfaqësimi politik e mediatik me ish-komunistë apo spiunë të Sigurimit të Shtetit, por besoj se do të kemi kohë e nge të merremi me këto detaje në të ardhmen. Si përfundim, nëse z. Basha seriozisht do ta mbajë në këmbë këtë ngrehinë politike të quajtur PD i duhet vetëm një hap. Jo para as mbrapa, por vetëm djathtas. Me sa duket, deri tani ai nuk ka pasur as mundësinë, por, me sa duket, as vullnetin politik ta bëjë këtë. Shpresoj shumë ta ketë marrë të plotë mesazhin politik dhe elektoral të këtyre zgjedhjeve e të reflektoje drejt e në kohë. Asnjëherë nuk është aq vonë sa duket!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here