Votat “e fshehta” dhe kontigjentet e hapura

0
233

Nga av. Xhafer Sadiku

Nga av. Xhafer SadikuPas çdo zgjedhje në Shqipëri, shumë njerëz shpresojnë dhe zhgënjehen për të shpresuar përsëri për zgjedhjet që vijnë. Kjo vjen nga mosnjohja e periudhës së sundimit komunist që reflektohet me të gjithë egërsinë e tij në realitetin e shoqërisë shqiptare të kohës.

 

Përmasat e krimit komunist

Po të hedhësh një vështrim sado të përciptë mbi historinë e sundimit gjysmëshekullor të komunistëve në Shqipëri, madje pa bërë ndonjë analizë të thellë, do të arrish në përfundimin se e majta ka një trashëgimi kriminale. Rezultat i shtypjes mizore të tyre, janë 5037 të ekzekutuar, nga të cilat 450 gra; 27788 të burgosur politikë, midis tyre 7367 gra; 988 të vdekur në burgje, ku 7 ishin gra, pa llogaritur këtu mijëra të internuar dhe të larguar jashtë atdheut. Po t’u shtosh edhe grabitjen e pasurisë së tyre e shkeljen e të drejtave më elementare, si ajo e arsimit, përmasat e krimit bëhen tragjike.

Ky gjenocid i pashoq mbi këtë pjesë të një populli që nuk i kalonte tre milion banorë, u krye nga Partia Komuniste (PPSH) nëpërmjet strukturave të të ashtuquajturit shtet dhe organizatave shoqërore, ndihmëse të partisë.

Po të vazhdojmë me logjikën e shifrave, na rezulton se për 5037 të ekzekutuar kemi përafërsisht po aq vrasës. Për të dënuar 27788 të burgosur politikë janë përdorur minimalisht mbi 80000 dëshmitarë të rremë. Po t’u shtojmë këtyre edhe agjentët e përpunimit aktiv përpara arrestimit, nga dy për çdo të arrestuar, numri i tyre i kalon të 55000 vetë.

E nëse futim këtu edhe gjyqtarët, prokurorët, punëtorët operativë të sigurimi, oficerët etj, makina shtypëse e diktaturës kompromenton një numri mjaft të madh.

 

Kontigjentet “armike”

Një nga mënyrat më djallëzore për trajtimin e të persekutuarëve politikë ishte kartelizimi i tyre nga Sigurimi i shtetit, si kontigjente armike. Për të pasur një përfytyrim për numrin e tyre, mjaftojnë disa shifra nga rrethe të ndryshme të vendit. Kështu, p.sh., më 1978, në rrethin e Dibrës ishin kartelizuar 2961 kontigjente, në Elbasan 4426 persona, në Gjirokastër 3696, në Fier 4000, në Pukë 1139, në Mirditë 1246, në Përmet 2007 kontigjente armike etj.

Kryetaret e degëve së punëve të brendshme të rretheve informonin sekretarin e parë të komitetit të partisë së rrethit për kontigjentet e hapura, ndërsa punëtorët operativë vinin në dijeni sekretarët e byrove dhe të organizatave bazë për kontigjentet që ata kishin në fshatrat apo ndërmarrjet e tyre.

Qëllimi i sigurimit ishte njohja e kontigjenteve të hapura nga ana e masës në fshat dhe kontrolli i tyre nga ana e organizatave të masave. ASHS, FO. 79, viti 1975, dosja 321

Nëse dikush nga kontigjentet, fliste ndonjë fjalë që nuk u pëlqente besnikëve të partisë, merreshin masa duke e demaskuar. Ky quhej kontroll me vijën e masave. “Ne e kemi pasur parasysh për zhvillimin e drejtë të luftës së klasave, – vihet në dukje në një raport të Sigurimit të shtetit, – neve kemi pasur parasysh zbatimin me këmbëngulje të vijës së masave”.

Vija e masave zbatohej duke u dhënë informacion organeve të sigurimit për kontigjentet armike, me qëllim kontrollin agjenturalo-operativ dhe demaskimin e tyre

 

Demaskimi i “armiqve” dhe korruptim i popullit

Demaskimet bëheshin në qendra pune e prodhimi, në shkolla e zbore ushtarake. “Me anën e demaskimeve, – theksohet në një raport të Sigurimit, – kemi krijuar mundësinë e luftës së klasave nga masat”.

Por edhe në këtë drejtim, komunistët bënin diferencime. Kështu, ndërsa demaskimet bëheshin për kontigjentet armike, këshillimet shërbenin për mbështetësit e tij, që sipas sigurimit, kishin rënë nën influencën e armikut.

Parimi komunist ishte se në shoqërinë socialiste dalloheshin dy lloj kontradiktash: “kontradiktat midis neve dhe armiqve tanë dhe kontradiktave në gjirin e popullit”.

Nëpërmjet demaskimeve, Sigurimi tërhiqte dhe implikonte njerëz që nuk kishin të bënin me rrjetin agjenturor, i kompromentonte dhe siguronte mbështetje afatgjatë. Demaskimet bëheshin në fshat e qendra pune, në kohën e arrestimit të personave që, sipas Sigurimit të shtetit, zhvillonin agjitacion e propagandë kundër pushteti.

Ndonëse rezultatet e zgjedhjeve nën sundimin e partisë së punës arrinin 99,99 për qind, regjimi shtonte numrin e “armiqve”, numrin e komunistëve dhe të rrjetit agjenturor të Sigurimit të shtetit.

Kështu, në vitet e fundit të regjimit komunist, të persekutuarit politike zinin rreth një të tretën e popullsisë, ndërsa numri i komunistëve arriti në rreth 150 mijë, dhe bashkë me familjet e tyre përbënin një të tretën e popullsisë. Pjesa tjetër, gati një e treta, kishte lidhje fisnore si me të persekutuarit, ashtu edhe me komunistët.

Terrori që Sigurimi ushtronte mbi kontigjentet “armike” dhe demaskimet që bënin për vite me radhë, e thyen pjesën tjetër dhe e bënë shërbëtore të regjimit. Ajo pjesë e popullit u largua gjithnjë e më shumë nga të afërmit e tyre të persekutuar dhe u vu tërësisht në shërbim të komunistëve.

 

Pluralizmi fals dhe persekutimi i të persekutuarëve

Vitet 1990-1991 u shoqëruan me ndryshime që patën më tepër karakterin e konvertimeve të mëdha politike, më shumë në formë se sa në përmbajtje. Kontigjentet “armike” u bënë pjesë e Partisë Demokratike duke i dhënë kartën morale dhe mbështetjen elektorale.

Ndërkohë, PPSH, në qershor 1991 ndërroi emrin në Partia Socialiste, duke i shpëtuar përgjegjësisë për krimet e përgjakshme. Në fakt, sa herë e kishte parë pisk ajo ja kishte hedhur. Kështu, gjatë luftës ishte fshehur pas Frontin Nacionalçlirimtar, ndërsa më 1948, ndërroi emrin nga PKSH në PPSH, dhe krimet e kryera deri atëherë ia faturoi Koçi Xoxes, të cilin e ekzekutuan.

Pas vitit 1991, komunistët e konvertuar në socialistë u rigjeneruan shpejt. Ata sakrifikuan Enver Hoxhën dhe afruan në gjirin e tyre, të gjithë komunistët e dënuar nga Enver Hoxha, madje edhe vrasës, që ai i kishte dënuar me të drejtë. Për të krijuar imazhin e një të majte moderne, ata nxitën dhe afruan disa të persekutuar me orgjinë të majtë, madje edhe banditë që krahas dënimit të tyre ordiner kishin edhe ndonjë dënim politik. Këta i shfrytëzuan për të krijuar një imazh të keq për të persekutuarit politikë tek brezi ri dhe për t’i vënë zjarrin Shqipërisë më 1997. Por misioni më i rëndësishëm i tyre është degjenerimi i kauzës së madhe të lirisë dhe drejtësisë, thjesht në dëmshpërblim ekonomik dhe lufta kundër të persekutuarve nga klasat e përmbysura, që e majta i trajton si “kontigjente armike”.

Këto zgjedhje dëshmuan se megjithëse votat janë të “fshehta”, detashmentet e së majtës nuk e harrojnë zakonin e vjetër duke luftuar ata që për gjysëm shekulli vazhdojnë t’i quanin armiq.

Është instinkti i kriminelëve të pandëshkuar dhe urrejtja për viktimat.

Ajo që të trondit është rreshtimi i të afërmve të të persekutuarëve përkrah vrasësve.

 

ASHS, FO. 79, viti 1975, dosja 321

ASHS, FO. 79, viti 1967, dosja 272

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here