Rezultatet surprizuese/ Bogdani: Vota e sovranit nuk preket. Thirrje dyshes Rama Meta, për të ndalur presionet

0
112

Jetmir Olldashi

Gert Bogdani selia bluSurprizues e ka quajtur Partia Demokratike rezultatin e zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë. Përmes një deklarate të deputetit Gert Bogdani selia blu u shpreh e vendosur dhe e bindur  se numëruesit e Partisë Demokratike janë vigjilentë dhe se nuk do të lejojnë në asnjë moment që dyshja e krimit Rama-Meta të ndikojnë në rezultat. Bogdani tha gjithashtu se Partia Demokratike është e surprizuar nga rezultatet e deritanishme, ku sipas rezultateve paraprake ka fituar edhe në bashki që ajo nuk e priste, duke mos përjashtuar edhe fitoren në ato njësi vendore që konsiderohen si bastione të së djathtës. “Ne inkurajojmë numëruesit tanë të qëndrojnë vigjilentë e të mos lejojnë asnjë tentativë të dyshes Rama-Meta, për të deformuar më tej rezultatin e për të devijuar më tej vullnetin e qytetarëve. Rezultati parparak është shumë i mirë për PD dhe po fitojmë në bashki ku nuk e prisnim’’.  Bogdani shprehu besimin se pavarësisht presioneve të tipit mafioz rezultati i të djathtës do të jetë surprizues dhe është në rritje. ‘’Votat për PD janë në rritje megjithë valën intensive të presionit, krimit, blerjes së paprecedentë të votave, dhunës dhe përdorimit të çdo mjeti të jashtëligjshëm përgjatë fushatës dhe gjatë këtyre dy ditëve nga dyshja Rama- Meta. Ne i bëjmë thirrje dyshes Rama- Meta që të mos bllokojë dhe të mos vonojë procesin në KZAZ-të ku janë duke humbur, dhe në bastionet tona, me shpresën kriminale për të ndërhyrë dhe manipuluar. Numëruesit tanë janë në këmbë, ne jemi në këmbë dhe partnerët ndërkombëtarë janë me ne. Vota nuk preket!”, përfundoi deklaratën e tij ligjvënësi demokrat GertiBogdani.

 

PD, fiton betejën me LSI-në

E djathta ka arritur të thyej LSI-në në disa bashki të vendit duke përfshirë Vorën ku Ilir Meta ishte investuar personalisht. Në një garë të ethshme deri në kutinë e fundit Fiqiri Ismaili i partisë Demokratike ka thyer Luan Sallakun e LSI-së. Një zonë me shumë probleme ku Lëvizja Socialiste për Integrim kishte ofruar gjithë resurset e saj. Akuza dhe kundër akuza për blerje votash përdorim administrate ndërkaq deputetë të opozitës denoncuan se edhe policia e Shtetit ishte në shërbim të Lëvizjes Socialiste Integrim.Fiqiri Ismaili mori 7696 vota ose 50.45 %kundrejt 7558 votave ose 49.55 % të rivalit të majtë Luan Sallaku.Duket se kreu i LSI-së Meta e donte këtë bashki, jo vetëm për faktin se ka më shumë biznese se Tirana, por është gjithashtu një vend ku kryqëzohen të gjitha rrugët e vendit dhe pas tyre edhe bizneset.Pavarsisht se LSI-ja arriti të kishte rezultat pozitiv në 9 bashki përball koalicionit të djathtë, bashkitë të cilat i humbi kishin numër më të lartë votuesish dhe disfata ishte me rezultat të thellë. Ndërsa fitore Partia Demokratike arriti edhe në Selenicë me një diferencë prej 1 mijë votash përball rivalit të LSI-së. Pogradeci ishte një tjetër garë e shumëpërfolur dhe e fortë ku EduardKapri mundi Diana Milen e LSI-së gjithashtu me diferencë. Në bashkinë e Pogradecit, është shpallur fitues kandidati i djathtë EduardKapri me 17806 vota përballë kandidates së LSI-së, Diana Mile që ka marrë 16316 vota. Në një postim në rrjetin social facebook, në profilin e tij kandidati EduartKapr ka falënderuar qytetarët e Pogradecit për mbështetjen e ofruar. ‘’ Pogradecarët folën.Ne te gjithë folëm.Fitorja na përket të gjithëve.Ejani të investojmë të gjithë për të ardhmen e fëmijëve tanë.Pogradecarët folën.Vota e fitores, Votë për të ardhmen, vota kundër çifligarëve dhe arrogancës në Pushtetin Lokal.Fituam, triumfuam sepse ishim të gjithë në unison mendimi dhe vendimmarrjeje.Faleminderit nga zemra!
Faleminderit që më besuat administrimin e Qytetit!EduartKapri’’.  Një garë e fortë është duke u zhvilluar kuti më kuti e votë më votë edhe në Berat dhe Kuçovë mes kandidatëve të djathtë dhe përfaqësuesve të LSI-së.Zgjedhjet për pushtetin vendor kanë thyer disa bastione të së majtës në jug të vendit si Përmeti dhe Dropulli duke i dhënë një dimension gjeografik nga jugu deri në Tropojë në veri.

 

PD fitore të thellë edhe në Lezhë

Partia Demokratike dhe kandidati i saj FranRrokaj ka udhëhequr kuti pas kutie numërimin në bashkinë e Lezhës duke kaluar tashmë disa mijëra vota në avantazh ndaj kandidatit të LSI ViktorTushaj. Diferenca e krijuar është mbi 10% dhe në pak kuti të mbetura duket e pamundur të ketë zvogëlim të diferencës. Nga ana e tij kandidati i djathtë ka përshëndetur me një status në facebook të gjithë qytetarët e Lezhës. ‘’Ne do te mbajme premtimet e dhena.Fitorja jone eshte shume prane! Faleminderit permbeshtetjen’’!  Bashkia e Lezhës ishte një tjetër investim personal i kreut të LSI Ilir Meta. Thuajse gjatë gjithë fushatës elektorale deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shoqëruar kandidatin Tushaj në takimet me qytetarët.

 

Shkodra bindshëm për Voltanën

Voltana Ademi ka udhëhequr bindshëm që prej hapjes së kutisë së parë në Shkodër. Me një diferencë prej 20% të votave Ademi duket se shkon e sigurt drejt karriges së kryebashkiakes së Shkodrës përball rivales së majtë Keti Bazhdari. E majta përqendroi shumë energji në Shkodër duke bërë thirrje për votë masive për Keti Bazhdarin, ndërkohë që duket se qytetarët zgjodhën të votojnë edhe një herë për opozitën konkretisht për Voltana Ademin.

 

SHBA: Ndajmë shqetësimin e OSBE/ODIHR-it për blerjen e votave

SHBA, kanë përgëzuar shqiptarët, dhe kanë shprehur shqetësimin për presionet mbi qytetarët dhe blerjen e votave. Ambasada Amerikane në Tiranë ka nxitur institucionet të nxjerrin shpejt dhe saktë rrezultatin për të certifikuar fituesit. “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për ushtrimin paqësisht të së drejtës së tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet vendore më 21 qershor 2015. Numërimi i votave vazhdon dhe iu bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve’’. SHBA-të i kanë bërë jehonë pozitive dhe kanë përshëndetur faktin që dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa akte të rënda dhune. ‘’Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. Ne i bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera. Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në Facebook nga ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here