Ngjarja në Tepelenë/ Aksidentohet me makinë Tritan Shehu, shpëton bashkë me djalin e tij

0

 

Artan Cena

per shkrimin kryesorIsh-ministri i Shëndetësisë ka qenë duke udhëtuar nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës ku në vendin e quajtur Majkosh, makina me të cilën udhëtonte është përmbysur në rrugë

Përfaqësuesi i PD-së për Gjirokastrën, deputeti Tritan Shehu, është aksidentuar me makinë në segmentin rrugor Gjirokastër – Tepelenë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 16:00 në vendin e quajtur Majkosh. Ai ishte duke udhëtuar me një makinë tip fuoristradë. Mësohet se Shehu është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se Shehu ka qenë duke udhëtuar së bashku me djalin e tij, kur ka ndodhur aksidenti. Nga ngjarja ka mbetur i plagosur vetë Shehu, ndërsa djali i tij ka marrë disa lëndime. Gjatë aksidentit makina është kthyer përmbys. E menjëhershme ka qenë ndihma e dhënë ndaj tij dhe djalit, ndërsa ata janë dërguar në spitalin e Gjirokastrës, ku kanë marrë edhe mjekimin e nevojshëm. Pas ngjarjes vetë ish-ministri i Shëndetësisë ka sqaruar se ishte jashtë rrezikut për jetën.

 

Aksidenti i Shehut

Ish­ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu është përfshirë gjatë ditës djeshme në një aksident të rëndë automobilistik në segmentin Gjirokastër ­ Tepelenë. Aksidenti ka ndodhur gjatë mesditës në vendin e quajtur Majkosh, ndërsa mjeti tip fuoristradë me të cilin udhëtonte Shehu është përmbysur. Fatmirësisht, as ai, as i biri nuk kanë pësuar dëmtime. Në një komunikim me telefon për median, Tritan Shehu sqaroi edhe gjithçka që kishte ndodhur: “Është një aksident i rëndë, por jam mirë. Po udhëtoja me makinë së bashku me djalin, i cili ishte në sediljen e pasme. Nuk kemi asnjë dëm, veçse makina u përmbys. Makina pësoi dëmtime të jashtme, ne nuk jemi dëmtuar”, – sqaroi ai. Shehu prej disa javësh ndodhej në Gjirokastër si i dërguar i Partisë Demokratike për këtë zonë. Ai ka qenë në fushatë së bashkë me kandidatët e tjerë të djathtë në këtë qark.

 

Kush është Shehu

Tritan Shehu është politikan shqiptar, ish-kryetar i Partisë Demokratike. Ai ka titullin “Profesor”, “Doktor” të marrë nga Universiteti i Tiranës, ka qenë shefi i anestezi-reanimacionit shqiptar për një periudhë më shumë se 20-vjeçare deri në momentin që vendosi t’i futej politikës. Shehu është një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Ai ka qenë deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Tritan Shehu ka pasur postin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjatë periudhës 11 korrik 1996 – 12 prill 1997. Tritan Shehu ka pasur postin e ministrit të Shëndetësisë të Shqipërisë gjatë periudhës 1992 – 1996 dhe ishte iniciator i futjes se sistemit privat farmaceutik dhe stomatologjik. Ai ka qenë kryetar i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë gjatë periudhës 2005 – 2013. Shehu është kryetar i Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit të Shqipërisë dhe zv.rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Tritan Shehu është autor i shumë librave e shkrimeve me tematikë shëndetësore e politike.

 

Arben Frroku në Apel, avokatët: Ja 3 shtyllat e mbrojtjes sonë

 Avokatët e Arben Frrokut kanë paraqitur gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda mbrojtjen për klientin e tyre, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Në fjalën e tyre avokatët Tonin Prendi dhe Genc Gjokutaj, argumentuan se nuk qëndronin pretendimet e prokurorisë se Frroku ishte autor i vrasjes së Lamajt. Avokatët u përqendruan në tre shtylla, atë të rrëzimit të dëshmitarit të mbrojtur, mungesën e provave direkte sipas tyre ndaj Frrokut, si dhe faktin se sipas tyre Lamaj kishte pasur edhe konflikte me persona të tjerë, dhe po ashtu Frroku konfliktet që kishte pasur me Lamajn i kishte denoncuar në prokurori. Po ashtu avokatët arsyetuan se sipas tyre eksperimenti hetimor nuk kishte provuar pretendimet e prokurorisë se Frroku kishte udhëtuar menjëherë pas vrasjes në Kapshticë e në Greqi. Mbetjet e faktorëve plotësues sipas tyre nuk provonin që klienti i tyre kishte qëlluar me armë. Edhe në këtë seancë prokurori iu qëndroi pretendimeve të tij, se Arben Frroku ishte autor i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Kjo ngjarje ndodhi me 24 shkurt 2013, kur Lamaj u qëllua pranë shtëpisë së tij. Prej disa muajsh Lamaj, nuk ishte më shef komisariati në Kombinat, ndërsa konfliktin kryesor ai pati me të akuzuarin si dhe me Edmond Vlashajn, i njohur si mik i Frrokut. Pasi dëgjoi mbrojtjen Gjykata vendosi të japë vendimin të hënën me 29 qershor në orën 14:30.

 

Sherr në Rrogozhinë, pasi fitoi kandidati i mazhorancës

 Procesi i numërimit në Rrogozhinë degradon në dhunë dhe rrahje fizike. Shkak ka qenë përmbysja e rezultatit. Ndërsa deri në kutitë e fundit kryesonte Eqerem Deliu, kandidati i koalicionit opozitar APPD, ky rezultat është përmbysur dhe Beqir Nuredini, kandidati i koalicionit mazhoritar ASHE, ka kaluar në avantazh. Ky ka qenë momenti i konflikti dhe dhunës fizike, midis mbështetësve të dy kandidatëve, të cilët janë përplasur fizikisht jashtë vendit të numërimit të votave. Është dashur ndërhyrja e policisë për normalizimin e situatës dhe shoqërimin e shkaktarëve të përplasjes fizike.

 

Kërkohej për plagosjen e vëllait, arrestohet në shtëpi pas 2 muajsh

Një person është vënë në pranga pasi akuzohet se kishte qëlluar me thikë vëllanë e tij, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Vlorës ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, ka arrestuar personin e shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje kundrejt vëllait të tij. I arrestuari është identifikuar Vullnet Zekaj, 36 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u krye në banesën e tij në lagjen “24 Maji, pasi ky person në datën 02 maj 2015, ka tentuar të vrasë me mjete të mprehta, një thikë, vëllanë e tij me inicialet T. Z, i cili është dëmtuar dhe ka marrë mjekimin e duhur në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Kryhet arrestimi i këtij shtetasi për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë”.

 

 Arrestohet shqiptari, drejtonte një motor pa patentë

Një 28-vjeçar shqiptar në Itali u ndalua dje në një pikë kontrolli në Borgo Rivo. Shtetasi shqiptar akuzohej për përfshirje në një rrjet droge. Atij gjithashtu i ishte refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit. I riu ishte akuzuar për shkelje të ligjit të emigracionit, për drejtim pa patentë, dhe u dëbua nën akuzën e rrezikshmërisë shoqërore. Policia sekuestroi çiklomotorin me të cilin udhëtonte i riu, pasi dyshohet se ka origjinë të dyshimtë. Shqiptari do të dërgohet në Bari, nga ku pritet që të ekstradohet.

 

 Prangoset i kërkuari për shitje lëndësh narkotike

Një i ri është vënë në pranga gjatë ditës së djeshme bë Lezhë pasi ishte në kërkim për shitje droge. Policia lokale tha se ka vënë në pranga 34-vjeçarin Maringlen Ndoca, banues në Rrilë, Lezhë. Ky i fundit ishte në kërkim prej disa kohësh. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës thanë gjatë pasdites së djeshme se arrestimi i tij është bërë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka dhënë për këta shtetas masën e sigurimit “arrest me burg” për veprën penale, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Lini nje pergjigje