Në Bulqizë/ Tentuan të manipulonin kutitë e votimit, pranga kryetarit dhe sekretarit të komisionit

0
115

 

Artan Cena

arrestimJanë ndalur Vebi Gjini, 51 vjeç, dhe Ruzhdi Sula, 46 vjeç. Në kundërshtim me ligjin, ata bënë transportimin e materialeve zgjedhore me një automjet privat për në KZAZ-në e Bulqizës

Ndalohen nga policia kryetari dhe sekretari i komisionit të qendrës se votimit 1067 në fshatin Gjuras të rrethit të Bulqizës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit kanë bërë të ditur se janë ndalur Vebi Gjini, 51 vjeç, dhe Ruzhdi Sula, 46 vjeç. Në kundërshtim me ligjin, ata bënë transportimin e materialeve zgjedhore me një automjet privat për në KZAZ-në e Bulqizës, aty ku do të bëhej edhe numërimi. Gjatë rrugës ata janë përballur edhe me një grup simpatizantësh, të cilët tentuan të bënin bllokimin e mjetit me pretekstin se ishin prekur kutitë e votimit.

 

Denoncimi i PD-së

Pas incidentit në fshatin Gjuras, ku u rrëmbyen dy kutitë e votimit, policia ka arrestuar kreun e komisionit dhe sekretarin e Qendrës së Votimit numër 1067 në Bulqizë. Gjithashtu, është ndaluar edhe polici i Qendrës së Votimit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, në momentin kur po bëhej dhe transportimi i kutive të votimit drejt qendrës së numërimit. Ishte Partia Demokratike ajo e cila denoncoi rastin dhe akuzoi militantët e LSI për rrëmbim të kutisë e votimit. Sipas PD, kutia po transportohej me fugon, por militantët e LSI i kanë dalë para fugonit, kanë marrë kutinë dhe e kanë futur në një fuoristradë të tyre, ndërkohë që militantët e PD ndaluan mjetin. Kundrejt kësaj akuze, reagoi LSI e cila hodhi poshtë pretendimin e PD.

Ndërkohë që u desh ndërhyrja e policisë që të zhbllokonte situatën.

 

Deklarata e policisë

Mbrëmjen e djeshme ka reaguar në mënyrë zyrtare edhe Policia e Dibrës e cila ka shpjeguar gjithë ngjarjen e ndodhur. “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të qytetit Bulqizë, ku automjeti i qendrës së votimit nr. 1067,që po transportonte materialet zgjedhore për në VNV, u bllokua nga një grup simpatizantësh me disa mjete, me pretekstin se janë prekur kutit e votimit ju informojmë se: Në përfundim të veprimeve të kryera nga Polica, sot më datë 22.6.2015, ora 17:00, Specialistët e Sektorit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër kanë bërë ndalimin e shtetasve: Vebi T. Gjini, 51 vjeç, banues në fshatin Gjuras, rrethi Bulqizë dhe Rrushdi Xh. Sula, 46 vjeç, banues në fshatin Gjuras, rrethi Bulqizë. Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal. Këta persona dyshohen se në cilësinë e kryetarit dhe sekretarit të komisionit të qendrës së votimit numër 1067, ndodhur në fshatin Gjuras, rrethi Bulqizë, në bashkëpunim mes tyre, në kundërshtim me ligjin zgjedhor, kanë transportuar materialet zgjedhore, nga qendra e votimit për në KZAZ-Bulqizë me një automjet privat, të paautorizuar nga KZAZ-Bulqizë. Dosja me materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme”, – thuhet në reagimin e Policisë së Dibrës të shpërndarë në orët e mbrëmjes së djeshme.

 

Policia: Zgjedhjet, të qeta, nuk kishte incidente të rënda

 Zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe kanë kaluar pa incidente. Ky është raporti i Policisë së Shtetit pas përfundimit të votimit në të gjitha qendrat. Në deklaratën për shtyp të ditës së djeshme, uniformat blu thanë se “në territorin e vendit gjatë procesit të votimit, nuk është regjistruar asnjë ngjarje kriminale”. Më tej në deklaratë thuhet se policia është duke ndjekur me profesionalizëm procesin zgjedhor dhe se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë. Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit vazhdojnë punën në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, udhëzimin e KQZ-së dhe planit të masave të Policisë së Shtetit “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike pas periudhës zgjedhore në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”. Në këtë fazë të procesit, puna e strukturave të Policisë së Shtetit është përqendruar në drejtim të: garantimit të rendit e sigurisë publike pranë dhe përreth Vendeve të Numërimit të Votave, proces i cili ka filluar nga ora 18.00’ e ditës së djeshme dhe do të vazhdojë deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ-ve. ndërhyrjes e marrjes së masave për vendosjen e rregullit dhe të rendit në ambientet e VNV-ve sipas vendimeve përkatëse të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor. si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktualisht nga shërbimet e Policisë së Shtetit vazhdon sigurimi i 90 Vendeve të Numërimit të Votave në shkallë vendi. Gjatë këtij procesi nuk është evidentuar asnjë problem sa i përket rendit dhe sigurisë publike. Situata paraqitet e qetë në të gjithë vendin. Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit maksimal për menaxhimin me sukses të fazës përfundimtare të detyrave në kuadër të procesit zgjedhor, kanë punuar me intensitet në drejtim të përmbushjes së detyrave institucionale për garantimin e rendit e të sigurisë në të gjithë territorin e vendit. Në sajë të këtij angazhimi dhe përkushtimi, gjatë gjithë ditëve të këtij procesi, është bërë e mundur që jo vetëm të përmbushen me sukses detyrat në kuadër të procesit zgjedhor, por dhe të mbahet në kontroll situata për sa i përket rendit në të gjithë territorin e vendit, dhe të garantohet siguri në parametra optimale. Strukturat e Policisë së Shtetit do të vazhdojnë të përmbushin me profesionalizëm dhe korrektësi detyrat që u ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor dhe në funksion të sigurimit të rendit publik dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here