Bujqësia shqiptare parcelizohet më tej, dështon programi rilindas

0
159

Ervin Kaduku

te emigrosh ne itali per bujqesineQeveria shqiptare vazhdon të gëzohet me 4-5 maune që vijnë në ditë nga Evropa për të marrë domate a tranguj në Lushnjë, por madhësia mesatare e fermës ra më 2014 në 1.16 ha sipërfaqe, nga 1.17 që ishte në vitin 2012, sipas INSTAT-it

Pavarësisht se ka një program për zhvillimin e bujqësisë, ka edhe ligjin përkatës për mundësimin e krijimit të fermave të mëdha në sipërfaqe, qeveria shqiptare vazhdon të gëzohet me 4-5 maune që vijnë në ditë nga Evropa për të marrë domate a tranguj në Lushnjë. Sikurse janë të një mendjeje të gjithë specialistët e sektorit, pa ferma me sipërfaqe të mëdha nuk mund të ketë bujqësi moderne. Parcelizimi është shkatërrimi i bujqësisë, duke e lënë atë në nivelin e oborreve, që mund të prodhojnë vetëm për konsum familjar, por kurrsesi për treg.

Pavarësisht nga sukseset që po trumbetohen në eksportin e sivjetshëm të produkteve të freskëta bujqësore, që koncentrohen në një zonë të vetme, ku është klima dhe toka pjellore, por jo puna e investimet e njerëzve ato që rritin prodhimin, bujqësia shqiptare po lihet në një stad mesjetar. Kjo, së pari për shkak të çoroditjes së përhershme dhe të pazgjidhshme të pronësisë mbi tokën. Por, ka edhe një pengesë tjetër madhore.

Madhësia mesatare e fermës ra më 2014 në 1,16 ha sipërfaqe nga 1.17 që ishte në vitin 2012, sipas të dhënave të INSTAT-it për statistikat e bujqësisë me 2014. Në vitin 2014 vihet re një rritje e numrit të fermave me 0,4% krahasuar me një vit më parë, e shoqëruar kjo me rënie të madhësisë mesatare të fermës me 0,6%.

Kush ka udhëtuar nëpër Shqipëri ka parë parcelat e ngushta të tokës, një të mbjellë me grurë dhe një me domate, diku 100 metra me perime dhe ngjitur një parcele djerrë. E gjithë kjo sepse vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave në një mesatare të përgjithshme nuk i kalon të 1.16 hektarët. Akoma me keq sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët.

Si rrjedhojë edhe industria përpunuese në të cilën është investuar shumë këto vitet e fundit është vënë në vështirësi për shkak të prodhimit të çorganizuar. Një prodhues vere e ka të mbijetojë, kur në 4 hektarë tokë ka katër variete rrushi.

E gjithë kjo tragjedi pa kthim që bujqësia po përjeton sot e ka fillesën në vitin 1991 kur nëpërmjet ligjit 7051 u bënë pronarë personat dhe familjet që ndodheshin të regjistruara në fshat sipas ndasisë së sipërfaqes për frymë. Toka u dha në përdorim fillimisht për tri vite, si masë nxitëse për të përmirësuar jetesën e familjeve që jetonin në fshat të zhytura në varfëri të thellë në momentin e ndryshimit të regjimit. Por vite më pas në pjesën dërrmuese të vendit qeveritë nuk mundën më të shpronësonin përfituesit me 7051 për shkak të konfliktit social që mund të krijohej.

 

Problematika

Ujitja, parcelizimi i fermës e siguria ushqimore janë pengesat që bujqësia shqiptare ende nuk i ka kapërcyer. Puna e kufizuar e bërë në këtë drejtim bën që specialistët e fushës të përsërisin atë çfarë kanë sugjeruar edhe disa vite më parë, kur flitej se si duhet zhvilluar bujqësia shqiptare. Të mos ndryshojnë politikat e mbështetjes është një këshillë e shtuar nga përvoja.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë sektorin e bujqësisë, si dhe atë të arsimit apo shëndetësisë, kur flitet për politikat e zhvillimit. Një sektor që kërkon investim afatgjatë, linear e të qëndrueshëm për të siguruar rezultatet e duhura në ekonomi. E kundërta ndodh me politikat afatshkurtra, që për fat të keq po vërehet të ndryshojnë nga një qeverisje në tjetrën.

Në debatin e hapur prej vitesh mbi zhvillimin e sektorit të bujqësisë, vihet në dukje se ka ndryshuar shumë pak në sugjerimet e specialistëve të fushës, e kjo do të thotë se është bërë pak në këtë drejtim.

Problemet e mbetura “barrë” për fermerët ndër vite janë ujitja, parcelizimi i tokës, shkalla e ulët e mekanizmit, të cilat ose duhen korrigjuar njëherësh, ose mbeten si paketë e pashmangshme, pasi shkojnë zinxhir. Prof. Abdyl Sinani thotë që niveli i prodhimit shkon përkrah madhësisë së fermës dhe kjo e fundit është e lidhur automatikisht me nivelin e ujitjes dhe atë të mekanizimit të bujqësisë. “Dhurata” e mbetur që nga ekonomia e centralizuar, po mban peng bujqësinë e cila gjithsesi, me shumë përpjekje, po bën hapa të rëndë në rrugën e saj të zhvillimit.

Duhet pranuar që prodhimi bujqësor është rritur në vend e kjo shihet si në tregun e hapur, edhe në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë. Frutat e perimet e prodhuara në vend kanë dalë nga sezoni i tyre i prodhimit duke u gjendur në tregun vendas edhe në stinën e dimrit, duke sjellë edhe një çmim shitje më të ulët se prodhimet e importit.

Sipas presidentit të Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, në këtë drejtim kanë ndihmuar si shtimi i magazinave të ruajtjes edhe moti i ngrohtë gjatë dimrit (fenomen i vënë re ky jo vetëm në vitin e fundit).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi gjithëvjetor ka shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 5% në dhjetëvjeçarin e fundit.

Por, në gati një çerek shekulli ekonomi e lirë, bujqësia vazhdon të marrë shumë më pak se sa jep në buxhetin e shtetit. Ndërsa ka një kontribut prej rreth 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, dhe përmes sigurimit të prodhimit për konsum vetjak, apo të ardhurave nga shitjet, zë me punë gjysmën e popullsisë në vend, bujqësia ka një zë të ulët në investimet e buxhetit të shtetit. Fondet publike për këtë sektor kanë qenë ndër vite mes 2-3% të buxhetit.

E për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, ekspertët e bujqësisë bëjnë krahasimin pikërisht me këtë sektor. “Të marrësh shumë e të japësh pak në bujqësi, është njësoj si ta shfrytëzosh tokën për t’i marrë prodhimin e ta varfërosh atë duke mos e plehëruar e pasuruar me minerale”, thotë Fetah Sula, specialist i bujqësisë.

 

 

Qeveria s’ka para për investime, por buxheti furnizon partitë politike

Edhe pse jemi në një vit elektoral, ku sipas eksperiencave të mëparshme duhet të kishim një “bum” investimesh publike, duket se qeveria e ka “rrudhur” dorën këtë vit. Investimet publike kanë një rol të rëndësishëm për vënien në lëvizje të sipërmarrjes private, nëpërmjet projekteve të ndryshme, por edhe për gjithë ekonominë e vendit, pasi efekti është zinxhir në shumë sektorë. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit për periudhën Janar­ Maj arritën në 161.2 miliardë lekë, ose 34% e parashikimit vjetor, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, shpenzimet rezultuan thuajse në të njëjtin nivel. Shpenzimet korrente rezultojnë në masën 131 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale rezultojnë në vlerën e 17.1 miliardë lekë, ose 25% e planifikimit vjetor. Duket se krijimi i shumë detyrimeve të prapambetura në vite ndaj biznesit që kishte kryer punë dhe shërbime publike, ka bërë që qeveria të jetë e rezervuar me fondet publike. Gjithashtu për të patur një kontroll më të rreptë të financave publike, tashmë është miratuar në buxhetin afatmesëm se të gjitha projektet e reja që do të hapen do të planifikohen në buxhetet afatmesme 3 vjeçare, çka ul mundësinë e hapjes së projekteve pa patur gjithë financimin e plotë. Edhe gjatë vitit të kaluar për qeverinë pati kritika si nga opozita edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare për nivelin e ulët të investimeve publike. Për këtë muajin e fundit të vitit, Ministria e Financave për të plotësuar planin e investimeve publike miratoi një instrument financiar si letër­kreditë, për të cilat pati dhe mjaft debate.

Ndërkohë që nuk ka para për investime, paratë që paguajnë shqiptarët për taksa furnizojnë partitë politike. Zgjedhjet për 2015 i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 65 milionë lekë të reja, prej të cilave koalicioni i mazhorancës ka marrë më shumë se katërfishin e koalicionit të djathtë. Kështu koalicioni i majtë në total ka marrë 47.540.448 lekë ndërsa koalicioni i djathë ka marrë 13.503.607 lekë. Për partitë e tjera të cilat nuk ishin të përfshirë në koalicione janë dhënë 3.955.543 lekë.

Të gjitha këto lekë i marrin partitë si paradhënie dhe në fund të zgjedhjeve, do ti nënshtrohen auditimit nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve për të justifikuar shpenzimin e tyre. Një e treta e këtyre fondeve ka shkuar për partitë jashtë parlamentare dhe gati 2/3 e tyre për partitë parlamentare. Praktikisht 44,353,728 lekë shkojnë për 6 partitë parlamentare, ndërsa 20,646,272 lekë shkojnë për 55 të tjera jo parlamentare.

 

Kalimi i pronës në bregdet, si mund të përfitohet

Personat që disponojnë truall apo godina në bregdet do të përfitojnë 10 për qind zbritje të vlerës së truallit në rast se paguajnë faturën e detyrimit brenda një muaji. Nga ana tjetër, nëse nuk respektohet ky afat, atëherë ata do të duhet të paguajnë përqindje më lartë të detyrimit për çdo muaj vonesë. Këto ndryshime janë reflektuar tashmë në vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Vendimi i ndryshuar është botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon se për rastet e privatizimit të truallit shtetëror në zonat turistike, çmimi reduktohet në masën 10 për qind nëse detyrimi paguhet njëherësh. E në rastet kur pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit nuk kryhet brenda afatit, atëherë detyrimi rritet me 10 për qind çdo muaj, por pa kaluar vlerën e përgjithshme të truallit që privatizohet. Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës turistike është i përcaktuar në hartën e vlerës së tokës. Shlyerja e detyrimit për truallin që kalon në pronësi private do të mund të bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimeve. Ky ndryshim vjen në një kohë kur në mbarë vendin po zhvillohet një proces intensiv i legalizimit të ndërtimeve informale. Paralelisht me procesin e legalizimit të ndërtimeve informale në zonat rurale, qeveria po zhvillon një proces legalizimi edhe për zonat turistike, duke iu dhënë zgjidhje edhe problematikës së hasur me pronësinë në fshatrat turistike. Nga ky proces pritet të legalizohen mijëra apartamente të ndërtuara kryesisht në zonat e Velipojës, të Gjirit të Lalzit dhe pjesa masive në plazhet e Golemit dhe të Malit të Robit.

 

 

Ulet niveli i kredive të këqija bankare

Shkalla e kredive me probleme për muajin prill zbriti në 22.4%, niveli më i ulët që nga viti 2012. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme u ulën më tej prej nivelit 22.8% që ishte regjistruar në fund të muajit mars. Ulja graduale e kredive me probleme po ndikohet nga disa faktorë. Kreditimi më i kujdesshëm në vitet e fundit ka bërë që të shfaqen më pak kredi të reja problematike. Nga ana tjetër, kthimi i rritjes pozitive të kreditimit gjithashtu po ndikon që raporti i kredive me probleme ndaj totalit të ulet. Një ndikim të konsiderueshëm vlerësohet të kenë dhënë edhe masat administrative për ekzekutimin e kolateralit dhe për fshirjen e kredive të humbura, ashtu si edhe masat e Bankës Qendrore për të lehtësuar ristrukturimin e kredive. Ulja e kredive me probleme po ndikon pozitivisht në rezultatet financiare të bankave. Për katërmujorin, fitimi i sistemit bankar arriti në 6.5 miliardë lekëve, nga 5.9 miliardë lekë që kishte qenë për tremujorin. Krahasuar me katërmujorin e vitit 2014, fitimi i sistemit bankar paraqitet në rritje me 48%. Kthimi nga kapitali për sistemin bankar ishte 20.8%, duke u rikthyer në nivele të ngjashme me ato të parakrizës.

 

 

Ulet importi i cigareve; më shumë evazion apo pimë më pak duhan?

Niveli i importit të cigares në vendin tonë gjatë periudhës 5-mujore të këtij viti ka rënë. Sipas statistikave paraprake nga Drejtoria e Doganave, gjatë kësaj periudhe janë importuar rreth 78.8 tonë më pak se planifikimi në fillim të vitit. Tashmë referuar shifrave, natyrshëm lind pyetja, ka rënie konsumi apo është rritur kontrabanda e këtij artikulli?

Sipas analizave të krerëve të doganave, politikat qeveritare për uljen e duhanpirjes kanë dhënë rezultat, por një alternativë tjetër është edhe ajo e rritjes së prodhimit vendas të duhanit. Duhani dhe cigaret janë produkti që kontrabandohet më së shumti në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe kjo tashmë është e vërtetuar në shumë studime edhe nga strukturat hetimore. Rënia e importit të cigareve ka shkuar në proporcion të drejtë me rritjen e akcizës për këtë produkt. Në vitin 2019 akciza për cigaret u rrit me 10 për paketë, duke e çuar në total nivelin e taksimit në 50 lekë nga 40 që ishte më parë. Ndërsa në Janar të vitit që shkoi akciza e cigareve u rrit me 20 lekë për paketë, duke e rritur në total nivelin e 70 lekëve për paketë. Shumë ekspertë të ekonomisë mendojnë se niveli i lartë i taksimit ka çuar në një rritje të madhe të kontrabandës në këtë produkt, më shumë sesa efektet e rënies së konsumit.

Sipas një studimi të bërë nga JTI për vendet e Ballkanit, rezulton se për vitin 2014 mbledhja e akcizës së duhanit në rajonin e tejkalon 2.3 miliardë euro, ndërsa kontrabanda e këtij artikulli kap 15% të konsumit total në treg. Po sipas këtij studimi, gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm lufta ndaj informalitetit në rajon çka ka dhënë dhe rezultatet e para ku niveli i konfiskimeve të duhanit kontrabandë janë 9 herë më e lartë se e tërë 2014. Kryesisht rezultatet pozitive paraqesin përpjekjet e autoriteteve kroate dhe serbe, ndërsa shenja alarmuese që vjen nën presion në rritje të tregtisë ilegale, sipas këtij studimi, janë Shqipëria dhe Kosova. Rritja “agresive” e akcizës në këto vende ka rezultuar në përballueshmërinë e çmimit të cigareve. Kështu konsumatorët kërkojnë alternativa kostokursim, korrelacion që ua jep direkt tregtia e paligjshme. Sipas vlerësimeve të brendshme të JTI-së, pjesa ilegale e duhanit (i grirë, cigare) shkon deri 20%. Ky është një vlerësim i kësaj kompanie bazuar në treguesit dhe të dhënat e saj, pasi nuk ka asnjë institucion që e mat këtë në Shqipëri. Kështu konsumi total mesatar në Shqipëri vlerësohet rreth 3.5 miliard cigare, bazuar në importet mesatare të disa viteve, përqindjes së konsumatorëve dhe numrit të cigareve në ditë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here