“Arratisja”/ Policia mendon se ishte në kërkim dhe ndalon Stresin, e liron pas 2 orësh

0
158

Artan Cena

Policia mendon se ishte në kërkim dhe ndalon StresinMesditën e djeshme oficerët e komisariatit numër 4 kanë shoqëruar Arkimed Lushajn, duke mos e ditur se emri i tij ishte fshirë nga lista e personave të kërkuar

 

E shoqëroi dhe më pas e la të lirë, brenda dy orësh. Policia e Tiranës ka lënë të lirë këngëtarin Arkimed Lushaj, njohur gjerësisht si Stresi. Lushaj u ndalua pranë një qendre votimi në afërsi të shkollës “Partizani” në kryeqytet. Policia bëri ndalimin dhe më pas e shoqëroi drejt komisariatit numër 4, për të verifikuar nëse ai ishte një person në kërkim. Nga verifikimi rezultoi se ndaj Lushajt ishte anuluar urdhri i ndalimit dhe ai u la menjëherë i lirë, dy orë pasi kishte shkuar në ambientet e policisë. Gjatë kësaj kohe Stresi bëri edhe një status në Facebook, ku ka ironizuar edhe oficerët e policisë. Pak kohë më parë, Lushaj u largua nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të cilën u morën dhe masa disiplinore ndaj disa policëve.

 

Shoqërimi i Lushajt

Pas disa muajsh në arrati policia e Tiranës ndaloi duke shoqëruar me pranga këngëtarin “Stresi” me emrin e vërtetë Arkimed Lushaj. Ai u vu në pranga mesditën e djeshme para qendrës së votimit në shkollën Partizani në kryeqytet. Ishte e paqartë arsyeja e shoqërimit të këngëtarit “Stresi” në komisariat, por më pas gjithçka u sqarua dhe Stresi u la i lirë. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim nga policia pasi ishte arratisur nga ambientet e komisariatit numër 3 ku ishte ndaluar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Mesa duket çështja ndaj “Stresi-t” është pushuar duke mos qenë më në listën e personave të shpallur në kërkim, por ishte i çuditshëm fakti se pse Arkimed Lushaj u shoqëruar në polici. Një ditë pas arratisjes nga ambientet e Komisariatit të policisë nr. 3, në Tiranë, në datën 31 janar të këtij viti, Arkimed Lushaj ka shkruar për ndjekësit e tij në rrjetet sociale Instagram dhe “Facebook” një pjesë nga fjalimi i Çarli Çaplin nga filmi “Diktatori i madh”. Me anë të këtij statusi duket se Stresit u bën thirrje fansave të tij të mos dëshpërohen pasi diktatorët do të vdesin dhe fuqia që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit. “Atyre që mund të më dëgjojnë, i them: mos u dëshpëroni. Mjerimi që tash është mbi ne nuk është asgjë tjetër veçse kalimi i lakmisë hidhërimit të njerëzve që i frikësohen progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët do të vdesin, dhe fuqia që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit. Dhe për derisa njerëzit vdesin, liria kurrë nuk do të shuhet”, shkroi këngëtari në “Facebook” e Instagram.

 

Arratisja e Stresit

Arratisja e Arkimed Lushajt, i njohur ndryshe si “Stresi” u ka kushtuar vendin e punës 7 efektivëve të komisariatit numër 3 ndërsa për 8 të tjerë janë marrë masa më të lehta ndëshkimore, ku bëhet e ditur se 3 efektivë janë ulur në detyrë, ndërsa 5 policë të tjerë janë pezulluar pa të drejtë page për 10 ditë. Arkimed Lushaj i njohur me emrin e artit “Stresi” ishte shpallur në kërkim nga policia prej 31 janarit të këtij viti, kur është arratisur nga ambientet e komisariatit numër 3 në Tiranë, ku ishte shoqëruar për drejtim të mjetit pa patentë dhe në gjendje të dehur. Lushaj u kap në orët e para të së shtunës në kryeqytet nga efektivët e policisë rrugore. Ai u izolua në ambientet e komisariatit nga ku u arratis, duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë. Ngjarja angazhoi Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, e cila nisi hetimet për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e efektivëve të policisë në momentin e arratisjes së këngëtarit.

 

Elbasan, i hyri në banesë dhe ngacmon të renë seksualisht

Një burrë në Elbasan, ka hyrë me forcë në banesën e një gruaje dhe e ka ngacmuar seksualisht atë. Sipas policisë, 44-vjeçari me inicialet A. D., me banim në fshatin Selitë të Elbasanit, mësohet se ka hyrë me forcë në banesën e 38-vjeçares S.H. dhe e ka ngacmuar seksualisht. Ka qenë denoncimi i të dëmtuarës ai që ka vënë në lëvizje policinë, e cila po punon për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të 44-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për ndjekje të mëtejshme për veprën penale “vepra të turpshme”.

 

Garanci false për të kaluar kufiri, një në pranga e një në kërkim

Një në pranga dhe një tjetër në kërkim, pasi akuzohen se kishin nxjerrë disa garanci false për disa persona që të kalonin kufirin. Policia e Korçës ka bërë të ditur se gjatë pasdites së djeshme në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i Klodjan Nasufit, 34 vjeç, banues në Gjergjan, Elbasan si dhe u shpall në kërkim një personi tjetër. Arrestimi i tij u bë pasi, ju ka nxjerrë disa personave, nga qyteti i Elbasanit, garanci të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, për të kaluar në shtetin grek. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “falsifikimi i vulave i stampave ose i formularëve”.

 

Durrës, aksidentohet i riu me makinë, me vete i gjendet një pistoletë

Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, një 30-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Durrësit për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, 30 vjeçari, Elvis Popa, banues në Durrës, ndërsa drejtonte mjetin në vendin e rreth-rrotullimit në Plepa, ka dal jashtë rruge, ku gjatë kontrollit fizik në çantën që mbante në krahë, iu gjet një armë zjarri tip pistoletë. I riu nën prangat e efektiveve të Durrësit, u shoqërua për në ambientet e komisariatit. Materialet në ngarkim të 30-vjeçarit, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës  për veprime të mëtejshme për veprën penale, mbi të rëndon akuza e“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

 

I riu i mbyll gojën gruas në tentativë të vjedhur të moshuarin

Efektivët e Durrësit kanë ndaluar 21-vjeçarin Ervis Qoli nga Durrësi, pasi ka tentuar të vjedhë me dhunë një të moshuar. Nën kërcënimin e thikës, 21-vjeçari ka tentuar të vjedhë me dhunë duke e rrëzuar në tokë 63-vjeçarin N. K., dhe gjithashtu i ka mbyllur gojën bashkëshortes së tij, 55-vjeçares H. K., banues në fshatin Rrashbull. E gjithë ngjarja ka ndodhur tek tregu i shumicës së fruta-perimeve në Nish-Tulla. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale  “Vjedhja me dhunë e mbetur në tentativë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here