Zgjimi nga narkoza pas goditjes së 23 qershorit 2013

0
139

Nga  Dr. Enver Bytyçi

Nga  Dr. Enver BytyçiKa disa ditë që pyes disa miq të mi, të cilët kanë votuar më 2013-ën alternativën e majtë, nëse janë ende të të njëjtit pozicion ose jo për votën e 21 qershorit. E dini cila është përgjigja që kam marrë? “Çfarë? Kush tha se unë kam votuar më 23 qershor 2013 të majtën? Nuk është e vërtetë”. Aso kohe me krenari më thoshin se ne votuam kundër të djathtës, pasiqë ishin të zhgënjyer e të tilla arsyetime, të cilat nuk ia vlen t’i analizosh.

Por kjo kategori votuesish vuri re se nga shiu ranë breshër. Madje në një lloj breshëri, si ai i Memaliajt para disa ditësh, që theu xhamat e makinave. Nga breshëri ku ramë ne, të majtë e të djathtë, secili prej nesh ka marrë goditje në kokë. Goditja është ende shpartalluese, sa disa kanë harruar se për kë kanë votuar më 2013 dhe disave ende nuk u ka dalë narkoza për të mësuar se nga se u ka ardhur kjo goditje e rëndë që shkaktoi breshëri dyvjeçar i dyshes Rama-Meta. Breshër e rrufe në qiell të pastër ishte e gjithë politika që u ndoq në këto dy vite te koalicionit të majtë në pushtet.

Një kategori tjetër votuesish duket se është zgjuar, por nuk është kthjelluar dhe akoma nuk beson nga shoku që ka pësuar se pas shiut e breshërit gjithnjë si rregull duhet të ketë diell. Se kështu është objektivisht jeta njerëzore. Pas shiut bie breshër dhe pas breshërit del dielli. Pas trishtimit do të vijë gëzimi. Pas dështimit vjen suksesi. Pas dëshprimit vjen shpresa. Duhet twë jesh i mallkuar prej Zotit që të ndodh e kundërta. Opozita shqiptare në këtë fushatë zgjedhjesh elektorale u përpoq që të kthjellojë kohën e zymtë dy vjeçare të qeverisjes socialiste, si dhe të japë shpresë se edhe koha e vrenjtur e vitit të fundit të qeverisjes së saj nuk do të kthehet më.

Në veçanti kandidati i Tiranës, Halim Kosova, dha mesazhe të qarta në këtë drejtim. Ai këto mesazhe i pati dhënë edhe në ato gjashtë muaj të të qenit në krye të ministrisë së Shëndetësisë. Atëherë me vepra dhe sot me programin e tij Dr. Kosova ka dëshmuar se është ndryshe, se mund të sjellë shpresën e se mund të zgjasë ditët me diell në kryeqytet. Kështu ka ndodhur me shumicën e kandidatëve të opozitës si dhe me programin optimist kombëtar të shpallur nga zoti Basha.

Shqiptarët për gati dy muaj u ballafaquan kështu me dy alternative, me dy modele dhe dy doktrina të ndryshme. Por që të jemi më konkret, po përpiqem të specifikoj se:

  1. Alternativa e mazhorancës u shfaq si alternativë e presionit. “Votoni kandidatët socialistë, sepse ata do të kenë mbështetjen time me fonde”, u shpreh kryeministri në çdo miting. Madje shkoi më tej, kur thoshte se: “Pse do t’i votoni ata të SHQUP-it. Ata premtojnë, po ku do t’i marrin paratë që t’i mbajnë premtimet?” Presioni ishte i qartë: Nëse votoni opozitarët nuk do ketë investime, pa investime nuk do të ketë zhvillim. Dhe si për të dhënë shembullin, Rama i adresoi fondet e këtij viti në Durrës dhe disa qytete të tjera, duke bllokuar projektet e Tiranës, e cila u drejtua nga kundërshtari i tij politik. Kjo ka krijuar konfuzion te votuesit, por Halim Kosova ka mundur që ta shpërndajë mjergullën e krijuar. Ka qartësuar se ai nuk është një politikan i mirëfilltë dhe se nuk do të lejojë konfrontimin politik në dëm të qytetarëve. Megjithatë presioni i Ramës dhe Metës në këtë aspekt, do të jetë ndikues. Ky lloj presioni, kaq i drejtpërdrejtë ishte një risi në në këto zgjedhje në dallim me të gjitha zgjedhjet lokale të zhvilluara në historinë post diktature të këtij vendi. Ky ka qenë krimi më i madh elektoral, krim që nuk ndodh as në Rusi , Kasakistan e Bjellorusi.

Për të përballuar këtë presion,  Basha u përpoq të japë një alternativë nacionale, ujen e taksave, të çmimit të energjisë elektrike e të karburanteve .. Qëllimi ishte t’u kujtonte shqiptarëve se pushteti lokal do të ishte nën trysninë e presionin e Ramës për fonde e investime vetëm në dyvjeçarin e parë. Pas dy vitesh alternativa e djathtë do të fitonte e për pasojë demokracia do të vihej në funksionim në mënyrë moderne.

  1. Edhe modelet që u shfaqën ishin të ndryshme nga njëri tjetri. Të majtët floën për shtet ligjor, ndërsa të djathtët për shtet të së drejtës. Të djathtët nuk u morën aq shumë me kundërshtarët, të majtët u morën me biografinë e secilit prej kandidatëve. Madje vetë kreu i mazhorancës nuk mungoi nga Kukësi deri në Konispol të merrej jo vetëm me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, por edhe me kandidatët demokratë për kryetarë bashkie, me qëllim denigrimin e tyre. Ndërkohë mbrojti me fanatizëm kandidatët e tij të implikuar në krime. Modeli i demokratëve ishte distancimi nga krimi, modeli i mazhorancës së Ramës dhe Metës ishte marrja në mbrojtje e krimeve të tyre.

Kjo do të thotë se më 21 qershor votohen dy modele të ndryshme. A do të pranojmë ne qytetarët shqiptarë të qeverisemi nga kriminelë, trafikantë e banditë, apo do të bëjmë spastrimin e klasës politike dhe administratorëve tanë, duke e orientuar vendin drejt standardeve euro-atlantike?!

  1. Më 21 qershor votojmë dhe doktrina të ndryshme të qeverisjes. Opozita ka paraqitur doktrinën e lirisë së individit si model të ndërtimit të shtetit të së drejtës, të ekonomisë së tregut dhe iniciativës së lirë. Kjo është konkretizuar me alternativën e uljes së taksave dhe rritjes së pagave e pensioneve. Mazhoranca e Ramës dhe Metës vazhdon t’i japë përparësi prezencës së shtetit në dëm të lirisë së qytetarit, duke cënuar ekuilibrin e brishtë e të domozdoshëm midis këtyre dy elementëve bazë që përbëjnë gjithashtu ekuilibrin nacional. Që këtej mund të thuhet se Rama e Meta kanë si doktrinë çekulibrimin politik, ekonomik, social në këtë vend, ndërkohë që harmonia midis dy anëve të të njëjtës medalje, lirisë së individit dhe shtetit të së drejtës është çelësi i zhvillimit, përparimit dhe progresit të Shqipërisë. Politika e taksave të ulëta dhe çmimeve të ulëta krijon kushtet objektive për të parandaluar informalitetin në ekonomi. Dhe shtet ligjor, aq më pak shtet të së drejtës ,nuk mund të ketë në një vend ku informaliteti rritet vazhdimisht në proporcion me rritjen e taksave dhe të çmimeve. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh çdo ditë në vendtin tonë, ndërkohë që shembuj të tillë janë të pafund.Edhe në këtë rast, vota duhet të jetë për ekulibrin dhe jo për vazhdimin e marrëzisë së qeverisjes së majtë, e cila justifikon dhunën e terrorin në emër të shtetit ligjor, siç ndodhte dikur në kohën e diktaturës komuniste.

Prandaj dhe më 21 qershor përgjegjësia e votës është historike. Do të ndahemi nga praktikat e një qeverisje autoritare dhe me shenja të qarta presioni të mpleksur me një sjellje arrogante kriminelësh, apo do të votojmë për errësirën dhe mënxyrën që kalon vendi aktualisht?! Nuk është vështirë të shohësh, të përceptosh, të llogaritësh në familjen tëndë se sa paguan më shumë për energjinë elektrike dhe gjithçka tjetër. Nuk është vështirë pastaj të mendosh, të gjykosh, të arsyetosh. E më në fund nuk do të jetë vështirë që të marrësh një vendim, më së pari për të dhënë kontribut me votën tënde dhe së dyti për të votuar  alternativën më të mirë. Le të shpresojmë se një deklaratë e Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan do t’i japë fund logjikës së dhunës në zgjedhje dhe se ky proces do të shkojë  së paku këtu e tutje pa incidente dhe në mënyrë të rregullt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here