” Bomba e Bashës” Të dielën në Kurbin nuk ka zgjedhje! I kam ofruar Ramës të ndryshojmë Kushtetutën

0
124

Jetmir Olldashi

basha ne opinionLSI është kthyer në një strehë maskarenjsh dhe kriminelësh

Lideri i selisë blu ka radikalizuar qëndrimet lidhur me zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën e 21 qershorit. Zoti Basha deklaroi për herë të parë se të dielën në Kurbin nuk do të zhvillohen zgjedhje. Partia Demokratike ka një plan për të mos lejuar zgjedhje me një kandidat. “Të dielën nuk do të ketë zgjedhje. Partia Demokratike nuk do lejojë të ketë zgjedhje. U bëj thirrje qytetarëve kurbinas të mos mërziten, zgjedhjet në Laç do të zhvillohen në një moment të dytë. Ne nuk do lejojmë që të ketë farsë elektorale me një kandidat të vetëm si në kohën e monizmit”. Kryetari i PD-së radikalizoi gjuhën me akuza të forta ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste. “LSI është kthyer në një strehë maskarenjsh dhe streha e kriminelëve. Mbaruan burrat në Krujë që duhet të shkojmë të vendosim kandidat një njeri të arrestuar për trafik droge”. Deklaratat e ashpra u bënë nga studio e emisionit “Opinion” në “TV Klan”. Debati shkoi edhe për ndërtimet te Parku i Liqenit Artificial të Tiranës dhe premtimet që janë bërë për të mos dhënë leje ndërtimi. Lidhur me ndërtimin te Parku i Liqenit zoti Basha tha se “asnjë centimetër e Parkut të Liqenit nuk është prekur, por toka në të cilën është dhënë leja është tokë private. “Ka marrë lejen e digave nga komiteti i digave prej pronarëve dhe ka pasur konsultime me banorët”. Kryetari i opozitës stigmatizoi dhe kandidatin e majtë për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj. “Të gjitha gënjeshtrat e papagallit dhe motrës së papagallit që ishte dje këtu ranë. Edi Rama, Edi Sudja, çdo gjë që e bën e bën për klientelizëm, për ryshfet”. Ndërkohë, zoti Basha shpjegoi dhe bllokimet që qeveria “Rama” i bëri Bashkisë së Tiranës, qoftë nëpërmjet financimeve ashtu dhe Këshillit Bashkiak të dominuar nga e majta. “Këshilli Bashkiak u instrumentalizua politikisht me ardhjen e Edi Ramës si Kryeministër”. Ndërsa ka sfiduar Ramën në një debat publik. “Hajde në debat, nëse faktet nuk janë kështu si i them unë, atëherë unë jap dorëheqjen nga çdo funksion publik. Këta të dy (Rama dhe Meta) janë bërë si Loli me Colin”. Befasisht kryetari i opozitës bëri të ditur se i ka ofruar Edi Ramës të ndryshojnë Kushtetutën për pengesat që mund të ketë për të dekriminalizuar politikën. Ndërkaq, zoti Basha theksoi se ka shpërndarë një udhëzim për komisionarët e PD-së që të mos lejojnë votuesit e shtuar fiktivisht nëpër lista që të votojnë. Ai tha se askush nuk duhet të guxojë të shkelë ligjin, sepse do të mbajë përgjegjësi para ligjit. “Komisionerët tanë do marrin masa që të zbatojnë ligjin dhe të mos votojnë. Zgjedhjet duan t’i prishin këta, zgjedhjet do jenë të qeta dhe qytetare”. Basha u shpreh se vota për numrin 15 do të jetë masive dhe qytetarët do të ndëshkojnë keqqeverisjen dhe arrogancën mosmbajtjen e premtimeve nga e majta. “Qytetarët do të bashkohen jo thjesht se ka keqqeverisje ndërkohë që do votojnë për APPD sepse ne kemi kandidatët më të mirë në çdo bashki të Shqipërisë. Dilni masivisht dhe mbështesni kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë”, – përfundoi fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike duke rrëmbyer dhe duartrokitjet e publikut të pranishëm.

 

Kosova me të përndjekurit: Vlerësim për kurajon tuaj në një kohë të errët dhe pa liri

Respekt maksimal për të përndjekurit politik ka shprehur kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova. “Kam pasur gjithnjë respekt të veçantë për shtresën e të perskutuarve. Gjithnjë kam menduar me vlerësim të madh për kurajon e tyre atëherë kur vendi ndodhej në një periudhë të errët, pa liri, pa dinjitet njerëzor”.

Kandidati i djathtë për bashkinë e Tiranës mori mbështetje të plotë nga shtresa e të përndjekurve. Ai shprehu vizionin e tij dhe mënyrat se si do u qëndroj afër kësaj shtrese fisnike. Zoti Kosova shprehu mbështetje të plotë edhe për memorialë dhe vlerësimin moral të kësaj shtrese. “Do të jeni pjesë e vendimeve që do të marrë Bashkia për strehimin e politika të tjera për lehtësimin e mbështetjen e disa kategorive.

Gjithashtu, jam i vendosur për të manifestuar respektin për ju dhe vuajtjet tuaja, me disa emërtime rrugësh, pikërisht me emra nga shtresa juaj, simbole të rezistencës ndaj regjimit komunist. Kam projekte për të krijuar hapësira e mundësi punësimi për fëmijët e ish të përndjekurve, për të mbështetur me bursa, dhe për të krijuar mundësi për praktika pune”.

 

Berisha shfaq videon: Ja si i falsifikon kartat e identitetit Safet Gjici

Një video ku faktohen provat për manipulimin e zgjedhjeve është bërë publike nga ish-kryeministri Berisha në statusin e tij në Facebook. Në video zhvillohet një bisedë mes dy personave dhe flitet për 70 karta false, të cilat do të përdoren për zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas ish-kryeministrit Berisha, në këtë operacion është i përfshirë kandidati i majtë për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, dhe familjarë të tij. “Në tregun e kartave të identitetit për vota të Safet Gjicit në Kamëz, nën mbrojtjen e firmës së të cilit u vodhën në mes të bulevardit miliona euro. Për më shumë SHIHNI VIDEON! sb”. Akuzat për përdorim kartash identiteti të falsifikuara kanë qenë prezente nga opozita në shumë bashki të vendit. Një përdorim i kartave të identitetit false për emigrantët dhe banorët jo rezident do të ishte një goditje shumë e fortë për standardin e zgjedhjeve.

 

Pollo: Rama si Putini

Deputeti Demokrat Genc Pollo ka akuzuar Kryeministrin Rama si censor të medias së lirë. Kryetari i Komisionit të Medias shfaqi krahasimin mes Kryeministrit Rama dhe liderit Rus Vladimir Putin. “Rama as nuk qortoi satrapin lokal që ka ngulur në Elbasan dhe as nuk heshti që skandali të harrohej. Edi Rama, publikisht, me zë e figurë, e mori në mbrojtje Qazim Sejdinin, duke u dëshmuar sërish se është ai frymëzuesi i shantazhimit të medias dhe rreziku kryesor i lirisë së shprehjes”. Zoti Pollo e akuzoi për kapjen e AMA-s dhe enteve rregullatorë duke prishur pluralitetin dhe lirinë e medias. “Ky qëndrim i Edi Ramës është prova direkte me zë e figurë nga niveli më i lartë se në rang vendi me kapjen e rregullatorit AMA e ndarjen antiligjore te frekuencave numerike, me kërcënime e tatime, me joshje e arrestime, me asfiksime e sekuestrime regjimi censurë Rama-Meta ka futur tashmë në vathë shumicën e mediave në këtë vend. A ka më njeri këtu që nuk e vëren instalimin në progres të putinizmit”? Partia Demokratike, theksoi deputeti i selisë blu, do të mbrojë lirinë e medias dhe të drejtat e çdo gazetari në ketë vend si një gur themeli të demokracisë tonë, gjithashtu ai shprehu falënderime për deklaratën e ambasadës amerikane mbi kërcënimet ndaj medias.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here