Pas videoregjistrimit/ Rama ngre moralin e Sejdinit: Në Elbasan, fitorja më e thellë e një kandidati të ASHE-së

0
118

Gëzim Saliu

elbasani rama per qaziminKryeministri “huazon” në Elbasan takimin e LSI-së në Lezhë, realizon format special

Rama pranon: Papunësia dhe varfëria në shumë familje shqiptare po kullon gjak

Aleanca për Shqipërinë Evropiane mbylli dje fushatën elektorale në Elbasan përmes një mitingu të organizuar në një format special dhe modern. Duke “huazuar” pak nga takimi i LSI-së dhe Viktor Tushajt në Lezhë, Kryeministri Rama dhe organizatorët e takimit të zhvilluara në hapësirën para stadiumit “Elbasan Arena” përcollën një pamje krejt ndryshe të tubimeve elektorale. Ndërkaq, në fjalën e tij kreu i qeverisë duke marrë shkas edhe nga publikimi i videoregjistrimit të kryebashkiakut aktual të Elbasanit me gazetarët, deklaroi se në këtë Bashki do jetë fitorja më e thellë e koalicionit të majtë në këto zgjedhje. “E dyta herë që jam në Elbasan me shi, jam i bindur që Qazim Sejdinin e pret bereqet i madh. Në Elbasan do jetë fitorja më e thellë e një kandidati për ASHE-në. Dua të them vetëm dy-tri gjëra, vetëm për të mos prishur gjithë këto fustane dhe flokë të bukura të rregulluara dhe nuk po i qaj hallin as vetes dhe as burrave që s’kanë flokë”, – tha Rama në nisje të fjalës së tij në takimin e Elbasanit.

 

Takimi

Në takimin e zhvilluar ku të gjithë të pranishmit ishin të ulur në karrige, thuajse rreth 4 mijë të tilla, Kryeministri tha se ishte i vetëdijshëm për korrupsionin që ekziston në administratë. “Jam i vetëdijshëm se ka shumë probleme në ballafaqimin me shtetin që shumë njerëz marrin shërbime me arrogancë dhe vazhdojnë të ndalohen nga dora e ndryrë e korrupsionit. Ka nga ata që shohin fytyrën e korrupsionit, dhe jo fytyrën e qeshur të administratës. Administrata jonë vazhdon të jetë ende larg. Duhet të ndjejmë peshën e jashtëzakonshme të besimit që na dhatë dy vite më parë”, – tha Rama. Më tej pasi pohoi se në 18 muaj qeverisje të së majtës ka ende disa plagë që shqiptarët i vuajnë, kreu i qeverisë theksoi se kandidati i opozitës nuk sjell asnjë risi për Elbasanin. “Mund të shkurtoi fjalën që kam për PD. Ju e keni provuar atë që ka Qazimi përballë. Ndaj s’keni pse e provoni për herë të dytë. Për ne po bëhet një referendum për Qazim Sejdinin. Ça do bëjmë s’do e themi. Nuk duam të krijojmë idenë se ne jemi në këtë fushatë që të nxjerrim gjoksin. Nuk dua të krijojmë idenë se Shqipëria e sotme është ajo e ëndrrave. Sot ka ende shumë njerëz që janë të papunë dhe që nuk zgjidhen sot pa akthin se si do t’ja dalin ditës dhe të shtrojën tavolinën e bukës. Fakti se papunësia dhe varfëria në shumë familje shqiptare po kullojnë gjak”, – tha Rama. Ndërkohë vetë kandidati i majtë Qazim Sejdini përmendi disa nga arritjet dhe investimet në qytetin e Elbasanit në 8 vjet të qeverisjes së tij. “Përmirësuam infrastrukturën. I dhamë pamjen evropiane qytetit tonë. U kujdesëm për të rinjtë dhe ambientet sportive. Përveç stadiumit, ndërtuam edhe 4 kënde sportive. Kemi investuar në gjelbërim duke shtuar lulishtet. Një sektor i rëndësishëm që i dhamë drejtimin e duhur është turizmi”, – tha Sejdini.

 

Rama në Devoll: Si mund të votohet kandidati i “Internet Explorer”?!

Kryeministri Rama mbylli dje fushatën në Devoll ku tha se PD është katandisur në një trupë cirku që vjen vërdallë nëpër Shqipëri. Në këtë takim, Rama ironizoi kandidatin e djathtë të Devollit Bledjon Nallbati i cili ndër të tjera në CV e tij të publikuar kur jepte aftësitë e tij shkruante se di të përdorë edhe “Internet Explorer”, që është një browser. “Ja të zëmë se u çmendën devollinjtë dhe do votojnë Internet Explorer-in, me se me Internet Explorer do i ulë taksat?! Apo nga Internet Explorer do t’jua sjellë naftën më të lirë se llallën në pikat e karburantit. Hajde PD hajde. Hajde internet explorer. Fatkeqësi e madhe. Ju keni të drejtë të qeshni por ne të gjithë duhet të qajmë në kor për PD sepse një forcë e lindur si forca e madhe e shpresës, si pasuri kombëtare ku janë inspiruar aq shumë ëndrra është katandisur në një trup cirku që vjen vërdallë nëpër Shqipëri. Ju siguroj se edhe Suden të kishte në krye do kishte më dinjitet në fushatë. Se Sudja thoshte më jep një të të jap dy, këta thonë më zgjidh një unë t’i zgjidhë të gjitha”.

 

Ironitë e Kryeministrit për kandidatët e PD-së të zgjedhjeve vendore

Për Bledjon Nallbatin, kandidati i PD-së në Devoll: “Internet Explorer”

Për Kreshnik Bozhon, kandidati i PD-se në Sarandë: “Borizan”

Për Ismail Murtajn, kandidati i PD në Konispol: “Saldator pa shkollë”

Për Genc Deromemajn, kandidatin i PD-së në Vlorë: “Jurist te Kristali”

Për Hamdi Pashën, kandidatin i PD-së në Krujë: “Kandidati kishte diplomë të shkollës së lartë, s’kishte dëftesë të fillores”

 

Videoregjistrimi i Sejdinit/ Ambasada e SHBA-së: Shoqëria e lirë s’ka vend për kërcënime ndaj gazetarëve

Videoregjistrimi ku shfaqej kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, që shantazhonte gazetarët solli dje reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Përmes një shënimi të Twitter, Ambasada dënoi çdo lloj kërcënimi apo kanosje kundër gazetarëve. “Kur shtypi është i lirë, demokracia është më e fortë. Një shoqëri e lirë s’ka vend për kërcënime apo kanosje të çdo lloji kundër gazetarëve”, – thuhet në Twitterin e Ambasadës. Përveç rastit të Qazim Sejdinit, reagimi i ambasadës së SHBA-së, lidhej edhe me kërcënimin e ISIS ndaj gazetares së Gazetës Shqiptare, Aurora Koromani.

 

Sejdini: Biseda ka dalë nga konteksti real, po shfrytëzohet politikisht

Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini reagoi dje pas çështjes së videoregjistrimit ku e cilësoi të fundit si një bisedë informate me gazetaren që u shfrytëzua politikisht në kuadër të fushatës elektorale. “Biseda e sinqertë dhe informale është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar. Kam shkëmbyer mendime dhe kam dëgjuar shqetësimet e gazetarëve gjatë atij takimi, dhe më vjen keq, që, pasi i dëgjova shqetësimet e tyre, ajo copëz bisedë konstatimi po shfrytëzohet politikisht dhe ka dalë nga konteksti real i deklaruar në atë takim i vitit të kaluar”, – tha ai. Më tej, Sejdini theksoi se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk ka shantazhuar gazetarët apo botuesit e medieve “për të emëruar apo shkarkuar ndonjë prej tyre, pasi në tetë vite drejtim në Bashkinë e Elbasanit, kam krijuar me ta, një raport të shkëlqyer komunikimi e bashkëpunimi. Ndjej keqardhje, që janë mediat tashmë, që nëpërmjet asaj copëze bisede të shkëputur nga konteksti i saj i vërtet, po përdoren për qëllime politike, duke ndërhyrë ditën e fundit në fushatën zgjedhore. Përdorimi i këtij fakti tre ditë përpara zgjedhjeve, nga ana e opozitës dhe mediave të lidhura me të, flet qartë për përpjekjet e dëshpëruara të kandidatit rival dhe mbështetësve të tij në qytetin e Elbasanit, për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore, dhe ky, është shantazhi real”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here