Debati/ Pallati 6-katësh, Bashkia: Nuk ishte monument kulture, ja dokumenti

0
145

bashkiaKumbaro: Është prishur gjatë natës. Ndalen punimet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka akuzuar dje Bashkinë e Tiranës për prishjen e një monumenti kulture, për të ndërtuar pallat. “Kjo leje është krejtësisht e paligjshme dhe nuk duhej të ishte dhënë pas këtij vendimi. Dhe, ashtu siç thotë populli ‘punët e liga bëhen natën’, ky objekt është prishur gjatë natës, në kundërshtim me ligjin. Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës kanë reaguar menjëherë. Kemi çuar kallëzimin në polici, i kemi çuar shkresë edhe Bashkisë së Tiranës, si dhe kemi njoftuar Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili dje ka kryer aktin e pezullimit”, – u shpreh ministrja Kumbaro, gjatë një denoncimi në rrugën “Asim Zeneli”. i menjëhershëm ishte reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila publikoi dokumentet kur vet Ministria e Kulturës kishte dhënë përgjigje se nuk ishte një monument kulture. “Ethet e fushatës mashtruese të kandidatit të mirëqenies personale kanë zënë gjithë qeverinë. E fundit në radhë ishte Ministria e Kulturës sot. Bashkia e Tiranës sqaron opinionin publik se e gjithë vendimmarrja e Bashkisë së Tiranës është në përputhje me ligjet e vendit”, – thuhet në një reagim të bashkisë. “Eshtë bërë inspektimi dhe është mbajtur procesverbali në vend, nga i cili rezulton se është prishur pothuajse gjysma e vilës gjatë natës me 15.6.2015. Në mënyrë urgjente nga institucionet përgjegjëse u janë dërguar brenda datës 16.6.2015 dy shkresa Bashkisë së Tiranës dhe IKMT për shkelje të ligjit te trashëgimisë nga Bashkia e Tiranës, si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për të denoncuar këtë akt të kundërligjshëm në dëm të trashëgimisë kulturore. Leja zhvillimore e datës 6 tetor 2014 dhe vendimi përkatës i kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë në shkelje me vendimin e KKR-s të sipërpërmendur dhe me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore i cili shprehet qartësisht ne nenin 12 se ndalohet çdo ndërhyrje ne objektet ne mbrojte si monument kulture. Drejtoria Rajonale ka kryer tashmë denoncimin në polici dhe ka bërë njoftimin në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. IMK nga ana e saj ka nisur gjithashtu shkresë në Bashkinë e Tiranës ku kërkohet informacion për: Lejen Zhvillimore të Ndërtimit, nr. 8771/10 të datës 6.10.2014 për strukturën banim dhe shërbime 4 dhe 6 kate me 2 kate parkim nëntokë. Lejen e prishjes së objektit. Ndërkohë IKMT-ja nga data 16.6.2015 ka kryer pezullimin e veprimeve të mëtejshme dhe ka njoftuar subjektin e ndërtimit për pezullim”, -thuhet në një njoftim të Ministrisë së Kulturës.

 

Dokumentet

Bashkia Tiranë, shpjegon se ka marrë në dorëzim kërkesën me nr. prot. 8771, datë 16.6.2014, për leje zhvillimore ndërtimi për “strukturën banimi dhe shërbime 4 dhe 6 kat me 2 kat parkim nëntokë”, në rrugën “Asim Zeneli”, në pronë të një shoqërie private, me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor. Një nga dokumentet e administruar në dosjen ligjore ka qenë edhe shkresa me nr. prot. 722/1, datë 28.5.2014 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës firmosur nga drejtoresha e përgjithshme znj. Arta Dollani në të cilën citohet… në pronën me nr. pasurie 2/128 nuk ndodhen objekte me status “monument kulture”, “zonë historike” dhe as sipërfaqe me status “zonë arkeologjike”ose “zonë e mbrojtur”… “Pas shqyrtimit të dokumentacionit, brenda afatit të përcaktuar nga legjislacioni për planifikimin e territorit në fuqi në atë kohë, është marrë vendim nr. 8771/7, datë 30.7.2014 për: Miratimin e lejes zhvillimore të ndërtimit për strukturën banim dhe shërbime 4 dhe 6 kat me 2 kat parkim në tokë, në rrugën “Asim Zeneli”, bashkëlidhur plani i vendosjes së zonës së zhvillimit. Bashkia Tiranë është njohur me vendimin e KKR vetëm në gusht të vitit 2014, kur ka ardhur shkresa me nr. prot. 157 datë 19.8.2014, protokolluar në Bashkinë e Tiranës me nr. prot. 11500, datë 20. 8.2014 për vënie në dijeni të vendimit nr. 35, dt. 15.7.2014 të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Pra, ministria përkatëse ka njoftuar mbi një muaj më vonë për një vendimmarrje të tillë, në një kohë kur vendimi për miratimin e lejes ishte marrë konform legjislacionit në fuqi dhe konfirmimit nga IMK për atë sipërfaqe prone. Në vijim, duke qenë se subjekti i ka plotësuar të gjitha kushtet e tjera të përcaktuara në vendim, është bërë zbardhja e Formularit të lejes zhvillimore me nr. 8771/10, datë 6.10.2014 për subjektin, por ky formular është dhënë me kondicione të veçanta konkretisht pika 10 ku citohet: Në vijim të shkresës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dt. 19.8.2014 (protokolluar pranë Bashkisë së Tiranës më 20.8.2014), “Vënie në dijeni të vendimit nr. 35, datë 15.7.2014 “Për miratimin e propozimit për shpalljen në mbrojtje paraprake të disa objekteve në qytetin e Tiranës” si dhe mbështetur në nenin 26 të ligjit nr. 9048, dt. 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”(i ndryshuar) ndalohet çdo lloj ndërhyrje në gjendjen fizike të objektit ekzistues për një periudhë 6 mujore (nga data e vendimit si më sipër të KKR) deri në përcaktimin e statusit të mëtejshëm të tij nga IMK”, – thekson Bashkia e Tiranës.

 Pra, nga ana e Bashkisë është zbatuar çdo kusht ligjor për miratimin e kësaj leje dhe është vënë në dijeni subjekti për vendimin e KKR.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here