Kukësi fillon fazën përgatitore, Duro rikthehet te Shkëndija

0
118

 

skuadra e kukesitSkuadra verilindore është nisur drejt Austrisë për të zhvilluar një fazë përgatitore për Europa League

Ish-trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, është rikthyer te Shkëndija e Tetovës, pas sezonit pa trofe te të kuqtë

Lëvizjet e ekipeve të Superligës kanë nisur shpejt dhe skuadrat nuk po humbasin kohë me përgatitjet dhe fazën përgatitore për të qenë sa më të përforcuar në sezonin tjetër. Skuadra e Kukësit është nisur në orët e para të kësaj të marte drejt Austrisë, ku do të qëndrojë për dy javë në kuadër të fazës përgatitore në funksion të pjesëmarrjes në Europa League. Nënkampionët e Shqipërisë kanë humbur të tjerë elementë të rëndësishëm, që kanë pasur një rol kyç në tri sezonet fundit në Superiore. Kështu, portieri Argent Halilaj dhe mesfushori Ylli Hoxha nuk kanë udhëtuar me ekipin, duke shpallur zyrtarisht divorcin me verilindorët. Halilaj pritet të rikthehet te Flamurtari, skuadra e vendlindjes së tij, ndërsa për Hoxhën interesohen dy skuadrat e kryeqytetit, Partizani dhe Tirana. Gjatë qëndrimit në Austri, Kukësi do të drejtohet nga braziliani Marcelo Troisi, i cili pritet të qëndrojë në pankinë edhe në ndeshjet e Europa League. Sipas programit ndeshja e parë miqësore në Austri është planifikuar të luhet, më 18 qershor, në orën 18:30 me Slovan Bratislava Slovakia. Më 20 qershor, në orën 17:00, nënkampionët e Shqipërisë do të provojnë forcat ndaj rumunëve të Botosani. Në ndeshjen e tretë miqësore, Kukësi do të përballet me MTK Budapest Ungam, më 22 qershor. Ndërsa testet me Nefchi Bakunë dhe Universitatea e Craiova Rumania pritet të përmbyllin fazën përgatitore të nënkampionëve të Shqipërisë.

 

Duro rikthehet te Shkëndija e Tetovës

Shpëtim Duro u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i Shkëndijës duke firmosur dhe një kontratë 2-vjeçare me klubin tetovar. 55-vjeçari, që iu bashkua që të hënën skuadrës së tij të re në grumbullimin e saj në Slloveni u shpreh i kënaqur për rikthimin në stolin e kuqezinjve dhe vlerësimin e drejtuesve të klubit për t’ia besuar sërish atij drejtimin e ekipit. “Rikthimi patjetër mendoj që është vlerësim i punës time të bërë para një viti nga drejtuesit dhe pronarët e Shkëndijës, njëkohësisht edhe nga mbështetja që kam pasur këtë kohë nga tifozeria dhe sportdashësit e Shkëndijës. Patjetër që kthehem jo si herën e parë, por me një përgjegjësi më të madhe për të arritur atë objektiv që ka Shkëndija këtë sezon”. Për Duron, Shkëndija mbetet ekip kompetitiv dhe me dy përforcime cilësore skuadra sezonin e ardhshëm do të synojë fitimin e një trofeu mes Kupës dhe Kampionatit. “Qëllimi kryesor, normalisht duhet të jem i sinqertë është që të bëjmë një skuadër shumë të fortë që të jetë kompetitive në kampionat dhe për Kupë. Për arsye sepse Shkëndija nga këto dy sezone nën drejtimin e Ecologut ka qenë një skuadër e suksesshme, duke patur parasysh në dy vite kur drejtohet nga kjo kompani Shkëndija ka arritur të jetë pjesëmarrëse në kupat e Evropës. Por është viti i tretë që patjetër përgjegjësia është më e madhe. Ju thashë edhe futbollistëve se këtu nuk kam ardhur për të punuar, por kam ardhur për të fituar këtë sezon të paktën një trofe që kërkohet me ngulm edhe nga opinioni sportiv, por edhe nga drejtuesit e klubit. Sigurisht që skuadra është e fortë dhe e kompletuar, por normalisht në ditët në vazhdim në qoftë se do të kemi një ose dy futbollist që ta ngrejnë cilësinë e skuadrës do ta mirëprisnim me kënaqësi”. Gjatë ditës gjithashtu Shkëndija rinovoi kontratat dhe me Artim Pollozhani, Muhamed Useini dhe Hristijan Kirovskin që firmosën marrëveshjet e reja me drejtuesit e klubit.

 

Veliu larg Flamurtarit, të fortat nisin përballjen

E ardhmja e mbrojtësit Franc Veliu nuk do të jetë më në Vlorë. Ish-kapiteni kuqezi që duket të ketë mbyllur marrëdhëniet me drejtuesit e klubit po shijon për momentin pushimet duke marrë kohë për të vendosur edhe për të ardhmen e tij. 27-vjeçari është në pritje të një bisede të fundit me administratorin e Flamurtarit Sinan Idrizi, për të mbyllur bashkëpunimin me klubin dhe më pas do të vendosë se ku do të vijojë karrierën e tij. Aktualisht për Veliun është ndezur derbi, pasi Tirana dhe Partizani kërkojnë shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm, teksa nuk mungon edhe një ofertë nga jashtë. Vetë qendërmbrojtësi bën të ditur se vendimin për të ardhmen do ta marrë pasi të mbyllë gjithçka me Flamurtarin, duke siguruar se dëshiron të largohet nga klubi mëmë. Në sezonin e fundit Veliu ka luajtur vetëm 18 ndeshje nga 36 javët e kampionatit, çka tregon për ftohjen e tij me drejtuesit. Pas daljes nga objektivat vendimi i bordit drejtues të Flamurtarit ishte që të aktivizoheshin të rinjtë, duke lënë në stol dhe në tribunë shumë prej titullarëve të fillim sezonit. Veliu është një futbollist polivalent i cili mund të luajë në qendër dhe në krahun e majtë të mbrojtjes. Tirana dhe Partizani po presin për ti dhënë jetë derbit edhe në merkato.

 

 

Taulant Xhaka drejt Fiorentinës

Paulo Sousa merr me vete Taulant Xhakën te Fiorentina. Është ky lajmi i bujshëm që përcjell portali i njohur italian Tuttomercatoweb, i cili në fakt i referohet mediave që qëndrojnë pranë klubit vjollcë. Shumë shpejt 44-vjeçari portugez do të zyrtarizohet si trajneri i ri i Fiorentinës dhe mesa duket Paulo Sousa ka nisur që tani nga puna dhe së bashku me drejtuesit e klubit nga Firence ka piketuar disa lojtarë për të përforcuar skuadrën. Çdo trajner ka futbollistët e tij të preferuar dhe për ish-lojtarin e Interit dhe Juventusit është Taulant Xhaka i pari në listën e dëshirave. Sipas portalit Firenzeviola.it, 24-vjeçari shqiptar do të ishte përforcimi ideal për Fiorentinën në krahun e djathtë të mbrojtjes, pa harruar këtu që Taulant Xhaka është një lojtar polivalent, pasi mund të përshtatet në disa role të ndryshme dhe këtë aftësi të tijën e ka treguar ndër vite fillimisht te Bazeli dhe më pas te kombëtarja kuqezi. Përveç si mbrojtës i djathtë ai mund të luajë edhe si mesfushor shkatërrues, mesfushor krahu dhe mbrojtës qendre. Taulant Xhaka është rritur shumë si futbollist gjatë sezonit të fundit te Bazeli nën drejtimin e Paulo Sousës dhe trajneri portugez dëshiron me çdo kusht ta transferojë atë te Fiorentina. Gjithsesi klubi vjollcë për të bindur Bazelin të lejojë largimin e 24-vjeçarit nuk do ta ketë aspak të thjeshtë. Faqja e specializuar e transferimeve të futbollistëve transfermarkt.de e vlerëson kartonin e Xhakës 2,5 milionë euro, por Bazeli që ka një kontratë me futbollistin deri në vitin 2018 kërkon pothuajse dyfishin e kësaj shume për të ndezur dritën jeshile për largimin e 24-vjeçarit të kombëtares kuqezi. Në këtë sezon me Bazelin Taulant Xhaka zhvilloi në total 40 ndeshje duke shënuar dhe 1 gol, ndërkohë që me Shqipërinë numëron 4 paraqitje që nga viti 2014.

 

United interesohet për yllin e Galatasaray-t, Kajan

Manchester United raportohet se ka përgatitur një ofertë prej 5.5 milionë paundësh për yllin e Galatasaray-t, Samih Kaya. Sipas të përditshmes britanike “The Express”, pasi Valenca ka kërkuar një shumë rreth 35 milionë paundësh për Nicolas Otamendin, Louis van Gaal duket se ka tërhequr interesimin e tij për mbrojtësin argjentinas për shkak të çmimit të lartë të kërkuar nga klubi spanjoll. Trajneri holandez ka një alternativë në mendjen e tij dhe ai është mbrojtësi turk 24-vjeçar, i cili është pjesë e ekipit Galatasaray-t. Kaya duket alternativa më e mirë për Otamendin dhe klubi anglez është i vendosur që ta sjellë atë në “Old Trafford” për një shumë rreth 5.5 milionë funtesh. Për Kayan është interesuar seriozisht edhe Interi.

 

Xhaka, i mërzitur me rolin te Zvicra

Mesfushorit kosovar, Granit Xhaka, nuk i pëlqen të luajë si mesfushor krahu te përfaqësuesja e Zvicrës. Ai kërkon të paraqitet në pozitën e mesit të fushës, siç luan edhe te Borussia Moenchengladbachu. “Problemi është se ka shumë lojtarë për mes të fushës. Unë nuk jam lojtar i krahut. Unë kurrë nuk kam qenë dhe kurrë nuk do të jem i tillë”, – ka thënë Xhaka.

 

Mihajlovic nënshkruan me Milanin, Inzaghi falënderon klubin

Sinisa Mihajlovic është konfirmuar si trajner i ri i Milanit për sezonin e ardhshëm. Klubi italian vetëm një orë më parë shkarkoi nga detyra trajnerin Filippo Inzaghi, dhe nuk ka vonuar konfirmimi i trajnerit të ri. “Sinisa Mihajlovic, i cili ka shkruar kontratë dyvjeçare, do të jetë trajneri i ri i Mianit për sezonin e ardhshëm. Klubi i dëshiron atij punë të palodhshme dhe rezultate më të mira”, – shkruhet në deklaratën e postuar në webfaqen zyrtare të Milanit. Serbi vazhdimisht është lidhur me pozitën e trajnerit të Milanit, që kur u largua nga Sampdoria në fund të sezonit të kaluar. Ai ishte zgjidhja e dytë pas Carlo Ancelottit, i cili megjithatë vendosi të pushojë një vit pasi u shkarkua nga pozita e trajnerit të Real Madridit. Filippo Inzaghi ka pranuar se është i zhgënjyer pas shkarkimit, mirëpo ka thënë se Milani do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Mëngjesin e të martës është konfirmuar se ish-sulmuesi italian është shkarkuar nga posti i trajnerit të rossonerëve dhe vendin e tij e ka zënë serbi Sinisa Mihajlovic. “Kjo kompleton një përvojë të paharrueshme që më ka plotësuar në aspektin profesional dhe personal. E falënderoj Milanin që më dha këtë mundësi të shkëlqyer, bëra më të mirën, me gjithë stafin tim, duke punuar çdo ditë me vullnet, pasion dhe përkushtim. Fatkeqësisht, nuk mjaftoi dhe gjërat nuk shkuan ashtu si shpresuam. Akoma kam hidhërim dhe zhgënjim që nuk mu dha shansi për të vazhduar. Një përqafim dhe një urim nga thellësia e zemrës sime për të gjithë lojtarët që më mbështetën në muajt e fundit, përkundër vështirësive, ata gjithmonë kanë treguar profesionalizëm dhe respekt. Milani do të mbetet gjithmonë në zemrën time, do ta mbështes dhe do të bëjë tifo – gjithmonë”, – është shprehur Pippo duke i falënderuar tifozët që i kanë qëndruar pranë.

 

Godin: I vështirë ndalimi i Messit

Diego Godin thotë se skuadra e Uruguait do të ketë një punë të vështirë për të ndaluar argjentinasin Lionel Messi. Dy skuadrat do të takohen sonte në kuadër të Copa America dhe kapiteni i Atleticos ka lëshuar lëvdata për rivalin e tij në konferencën për shtyp. “Duhet një përpjekje e madhe ekipore për të kontrolluar lojtarët vendimtar, si Messi”, ka deklaruar Godin. “E gjithë skuadra duhet të punojë dhe jo vetëm ata që janë për ta mbuluar atë. Argjentina ka lojtarë të shkëlqyeshëm, prandaj nuk mund të fokusohemi vetëm në Messin”, – ka shtuar uruguaiani.

 

Cikalleshi kalon testet mjekësore te Istanbul Başakşehir

Sokol Cikalleshi ka kaluar me sukses testet mjekësore te skuadra turke Istanbul Başakşehir, ku do të aktivizohet për tre sezonet e ardhshme. Vetëm tre ditë pas miqësores me Francën në “Elbasan Arena”, sulmuesi kuqezi udhëtoi drejt Stambollit për të mbyllur gjithçka me skuadrën e tij të re, që u tregua e gatshme për të paguar rreth 1.8 milionë euro për kartonin e tij. Sipas mediave turke Cikalleshi ka kryer kontrolle të imta, pasi skuadra turke dëshiron të evitojë çdo të papritur, që mund të rrezikojë një investim kaq të madh. 24-vjeçari pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me skuadrën që e mbyll sezon në vendin e katërt në elitën e futbollit turk. Istanbul Başakşehir merr pjesë në Europa League, nga ku do ta nisë nga raundi i tretë paraeliminator. Flitet se nga kontrata me Istanbul Başakşehir sulmuesi shqiptar do të përfitojë rreth 500 mijë euro në sezon.

 

Milani mendon për Arda Turanë

Milani raportohet se ia ka vënë syrin mesfushorit të Atletico Madrid, Arta Turan. Lojtari ka edhe dy vite kontratë me skuadrën spanjolle dhe ka një klauzolë lirimi prej 41 milionë eurosh. Por kjo nuk e pengon Milanin të bëjë plane transferimi për mesfushorin turk, që mund të kërkojë edhe vetë të largohet pas përforcimeve të reja të skuadrës. Veç Turan, Milani ua ka vënë syrin edhe shumë yjeve tjera, si Jackson Martines, Zlatan Ibrahimovic dhe Geoffrey Kondogbia. Rossonerët më herët gjatë ditës konfirmuan shkarkimin e trajnerit Filippo Inzaghi, derisa caktuan Sinisa Mihajlovic si trajner të ri.

 

Interi refuzon Balotellin

Interi raportohet se ka refuzuar një propozim të Liverpulit për të shkëmbyer lojtarët Mario Balotelli dhe Mateo Kovacic. Skuadra angleze është lidhur me një angazhim të mesfushorit kroat dhe besohet se dëshiron të çlirohet nga Balotelli pas një sezoni zhgënjyes të tij me “Redsat”. “Corriere dello Sport” shkruan sot se Liverpuli ka propozuar ta përfshijë Balon në ofertën për Kovacic, por ideja është refuzuar nga Interi. Gazeta shkruan se presidenti i Interit, Erick Thohir, e vlerëson Kovacic me 30 milionë euro, ndërsa oferta e të kuqve është 22.6 milionë me dy milionë tjera në formë të bonuseve.

 

Xhemaili afër nënshkrimit me Xhenoan

Blerim Xhemaili vazhdon të jetë në qendër të spekulimeve për të ardhmen e tij. Mesfushori shqiptar i përfaqësueses së Zvicrës pritet të largohet nga Galatasaray gjatë kësaj vere. Pasi u përmend një rikthim në Itali, Xhemaili u tha se do të rikthehet në Zvicër, me Sion që ishte afër arritjes së një marrëveshje me të. Por sot mediat turke shkruajnë se sezonin e ardhshëm Xhemaili do të luajë për Xhenoan. Sipas tyre,“Gian Piero Gasperini, trajner i Xhenoas, është i paepur ta transferojë Xhemailin këtë verë. Madje mediat shkruajnë se marrëveshja po thuajse është arritur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here