Të gjitha rrugët të çojnë në… Vorë

0
144

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim MehmetiI nisur si një debat për një poster të kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, në qendër të Vorës, u duk se shumë shpejt gjithçka do të harrohej. Por nuk ndodhi kështu. Kryetari i Parlamentit, duke shfaqur hapur cinizmin e tij politik, e ktheu Vorën në një nga pikat më të preferuara të shfaqjes së tij në fushatën për zgjedhjet vendore. Duke i hedhur benzinë zjarrit, Meta shkoi edhe më tej, kur deklaroi: “Kundërshtarët e mi më akuzojnë se unë vij shpesh në Vorë. Po ç’faj kam unë- shtoi Meta- kur për të shkuar kudo në Shqipëri duhet të kalosh nga Vora”. Pra e njëjtë me një parullë të dikurshme, tani Meta, për fushatën zgjedhore si asnjëherë tjetër, ka në qendër të vëmendjes Vorën, pasi të gjitha rrugët e Shqipërisë kryqëzohen në Vorë. Debati i Vorës, nisi aty ku mbaroi dhe rifilloi aty ku nisi: Në parlament. Meta, L. Rama, Mediu, Bitri, Patozi, u mbërthyen në replika të forta, jo për arsimin, shëndetësinë, rrogën e mësuesve, kontrata e paligjëruara për mësuesit e mjekut, dhunën ndaj administratës, administrata publike e korruptuar dhe vënë në shërbim të pushtetit e jo të shtetit, krimin e organizuar, drejtësinë e njollosur prej skandalit, etj.. Sherri deri në kërcënim force të tipit “ta ndreq unë kurrizin kur të kalosh nga lagjja ime”, u bë për një çështje më madhore se të gjithë ato që p[përmendëm më lart…: për Vorën. Krye parlamentari, kishte merak Vorën dhe të heq qafe Fiqon, sepse vetë Meta e Sallaku e duan më shumë Vorën se Fiqo, Patozi e Mediu. Luan Rama, si një “komentues i hollë”, i politikës, gjeti rastin të sulmojë Mediun me Gërdecin. Në fjalorin e tij të “pasur” e plot “edukatë”, nuk u shmangën dot shprehjet popullore të fushatës, “blerje gjaku”, “shkelje të gjakut me këmbë”, “gjakderdhje e pandëshkuar” e kështu me radhë. Po Mediu dhe Rama i LSI, ç’patën? Mediu i PR, akuzoi se banditët e LSI, po ushtronin presion mbi elektoratin në Vorë. Kaq i mjaftoi Ramës së LSI, të shfaqi arsenalin e tij të “arsyetimit gjakftohtë” me terma vrastarë, për të akuzuar veprime vrastare. Më tej u zgjua prej gjumit, një trim tjetër i LSI, Bitri, që të tregonte forcën e tij, i ndikuar edhe prej faktit se gjykata i le dorë të lirë deputetëve të lajnë hesapet vetë, pa u ndëshkuar, kërkoi të vendosi dinjitetin e nëpërkëmbur të LSI. Dhe ku pa? Në parlament, për qytetin më të rëndësishëm të Shqipërisë e mbase edhe më gjerë, Vorën. Opozita nga ana e saj përmes Mediut dhe Patozit, çështjen e Vorës, e kthen në çështje parlamentare prej së paku dy javësh. Patozi ka denoncuar më se njëherë, pabarazinë e garës për kryetar bashkie të këtij qyteti, përfshi edhe një foto sa një pallat e krye parlamentarit Meta, të vendosur në qendër të qytetit fatlum Vorë, për garë të pabarabartë, për presion ndaj votuesve, etj. Mediu u dëgjua se fundmi t’i bashkohej zërit të Patozit, ndoshta më shumë për shkaqe parimore, sesa cenim të interesit të PR. Duke u gjendur përballë fakteve të Patozit dhe prej denoncimit shtesë për banditë ndaj Mediut, duket se kupola e LSI e humbi toruan, apo siç kanë qejf ata ta quajnë “qetësinë dhe dashurinë”

Po duket se ethet e garës për Vorën kanë mbërthyer jo pak edhe PS. Kryeministri Rama deklaroi në krye të fushatës se do të “ndërtojmë 40 shkolla në aksin Tiranë-Vorë-Durrës”. Të njëjtin premtim na i përsëriti pak ditë më parë Vangjush (Gjushi) Dako, në një emision televiziv. Gjushi deklasoi se “në kuadër të projektit të kryeministrit për aksin Tiranë-Durrës-Vorë, në bashkinë e re Durrës do të ndërtohen 12 shkolla të reja”. Veliaj ka premtuar 10 shkolla të reja në Tiranë. Duke u nisur nga një aritmetikë e thjeshtë, i bie që nga 40 shkollat që do të ndërtohen në aksin Tiranë-Durrës-Vorë, po të heqim 22, që do të ndërtohen në Tiranë dhe Durrës, mbeten 18 shkolla, për t’u ndërtuar vetëm në Vorë. Ja pra që Vora është më e rëndësishme se Tirana dhe Durrësi. Sipas kësaj llogarie, del se Vora ka shumë më tepër banorë se Tirana dhe Durrësi, e madje mund të themi se është ose do të dyfishohet në numër popullsie, sipas projeksionit të kryeministrit në katër vitet e ardhme. Kjo nuk është lojë fjalësh, as ironi, as shaka e tallje. Ky është një projekt që do të investohet prej qeverisë shqiptare me paret tona, për ndërtimin e shkollave, kaq të domosdoshme në qytetet e mëdha, por që duket se qyteti më i madh, i cili, ka nevojat më emergjente për shkolla të reja, plot 18 të tilla, është Vora. Dikush mund të ngrihet e të thotë se kjo është thjesht një propagandë. Unë vetë do ta besoja me gjithë shpirt, por më bren në vazhdimësi pyetja: Pse të gjithë kanë merak Vorën. Përse të jetë kaq shumë interes, Meta, Rama i PS dhe LSI, Patozi e Mediu të opozitës? Mos vallë në Durrës, Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Shkodër, Korçë e gjetiu, punët janë fjollë dhe na mbetet të marrim si shembull Vorën. Apo mos ndoshta njerëzit do të shkëputen prej këtyre qyteteve e do të shijojnë parajsën Vorë, pas zgjedhjeve? Kjo është dilema ime më e madhe, por ndoshta edhe çelësi magjik i zgjidhjes së problemeve që ka vendi për qeverinë. Njerëzit në vend që të kërkojnë avenirin e tyre në Gjermani, Francë, Belgjikë e gjetiu, do ta gjejnë atë në Vorë. Njerëzit do të shohin parajsën mbi tokë, pas 21 qershorit dhe Meta, Rama i dyfishtë në LSI e PS, do të jenë aty për të shijuar bashkë me popullin të mirat e saj. Patozi, Mediu dhe gjithë opozita, kanë mundësi të shpërngulin gjithçka në Vorë, që do të bëhet kryeqendra e punësimit, arsimit, shëndetësisë, e padyshim edhe elitës politike, që mund të zë fill prej këtij qyteti. Askush mos të qeshi e ta marri me shaka, këtë konkluzion. Pozita e ka përnjëmend, përderisa opozita vetë, rend pas Vorës. Tani nuk ka më rëndësi reforma urgjente e drejtësisë, përderisa Gjykata e Lartë, urdhëron deputetët të rrihen me grushta sa herë t’ju dojë qejfi se nuk i dënon kush. Tani nuk ka më rëndësi, as reforma për territorin, që do të bëhet kur të fitojnë agallarët, që kanë mbytur me flamuj, banditë e pare të pista qytet ku kandidojnë. As arsimi dhe mësuesi që nëpërkëmbet prej një qeverie dhe një ministreje, pa vizion e profesion. Nuk ka më rëndësi, që shqiptarët denden me ilaçe të skaduara dhe mashtrimi me rimbursimin e tyre kap shifra marramendëse. Tani rëndësi merr Vora. Spitalet që rënkojnë, shkollat gjysmë të rrëzuara, maturantë të hallakatur në rrugë, njerëz që ikin nga sytë këmbët, vetëm të shpëtojnë prej mjerimit nuk kanë rëndësi. Fiqo dhe Sallkau, kanë më shumë rëndësi. Prej zgjedhjes së tyre do të varet e ardhmja e këtij vendi. Prej Vorës nis zhvillimi e prej Vorës, do të përhapet si fanar ndriçues në Shqipëri, Kosovë e Ballkan. Ka mundësi që një fije rreze nga ky ndriçim, të bie edhe mbi portat e Branderburgut. Fabula e Vorës, do të jetë e pranishme për aq kohë, sa siç thotë Kanti: “Përtacia dhe burracakëria janë shkaqet se përse një pjesë kaq e madhe e njerëzve, pasi natyra i ka shpallur prej kohësh të lirë nga drejtimi i huaj, mbeten prapë se prapë me kënaqësi foshnjë gjatë tërë jetës dhe përse bëhet kaq e lehtë për të tjerët që të hiqen si kujdestarët e tyre. Është kaq e rehatshme të jesh foshnjë. Unë s’e kam të domosdoshme ta vë mendjen në punë, kur vetëm mund të paguajë të tjerë; të tjerët do ta marrin përsipër punën e mërzitshme por mua”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here