Debatet në KQZ/ Luzi- Shtjefnit: U bëre si drejtore burgu. PD dorëzon sot dosjen e Rroshit

0
147

Gëzim Saliu

lefteria veraNë garë me “zor”, nuk çregjistrohet Biba në Kurbin. PD dorëzon sot dosjen e Roshit të Kavajës

Biba: A e keni kriminel edhe këtë kandidatin e Kurbinit? Kaso: Koalicioni i djathtë nuk ka kriminelë

Edhe pse është dorëhequr pothuajse prej një muaji nga gara për Bashkinë e Kurbinit, KQZ ka rivendosur dje për të tretën herë që Altin Biba do të jetë kandidati i demokratëve në këtë njësi. Duket e çuditshme se si një kandidat që ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme të mund të përfshihet në garë, por është shumica e institucionit më të lartë zgjedhor e përfaqësuar nga anëtarët e propozuar nga e majta dhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, që nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre. Duke pranuar propozimin e mëparshëm të PS-së për të përjashtuar nga gara kandidatin e dytë të zgjedhur nga PD-ja për zëvendësimin e Bibës, Ilir Pjetraj, me arsyetimin e vonesës në regjistrim, KQZ ka vendosur që në garë të jetë kandidati i dorëhequr, në kohën kur ky i fundit ka ritheksuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Nga ana e saj, PD theksoi dje në mbledhje përmes përfaqësuesit të saj ligjor në KQZ, Ivi Kaso, se nuk mund të përfshihet në gara zgjedhore një kandidat i dorëhequr. Kjo, pasi, sipas opozitës, emri i tij figuron vetëm formalisht në fletën e votimit, duke lënë kështu pa përfaqësuar koalicionin e djathtë. “Kjo kërkesë është rrjedhojë e vendimmarrjes suaj dhe e kolegjit zgjedhor që në mënyrë paradoksale nuk pranoi një dorëheqje të parevokueshme, nuk kam dëgjuar të ndodhë, në rastet e dorëheqjeve institucioni nuk mund të diskutojë ligjshmërinë ose jo të dorëheqjes por duhet vetëm të zgjidhë pasojat. Një vendim të vetëm ka dhe nuk është në linjë as me vendimmarrjen që ka marrë KQZ-ja as në vendimmarrjen e kolegjit. Është vendim i kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë”, – u shpreh ai. Ndërkaq, PD ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet në Kurbin duke ftuar të gjithë qytetarët e kësaj bashkie që të mos votojnë në një garë ku, sipas tyre, nuk ka garë.

 

Dosja për Roshin

Debatet për kërkesën e PD-së për çregjistrimin e kandidatit të dorëhequr Altin Biba nga gara për Kurbinin sollën dje një tjetër përplasje në mbledhjen e KQZ-së. Nënkryetari i institucionit më të lartë zgjedhor i propozuar nga PS-aj, Denar Biba, replikoi me përfaqësuesin ligjor të PD-së në KQZ dhe kërkoi të dinte se nëse kërkesa e demokratëve për kandidatin e Kurbinit mund të barazohej me atë të bërë nga forca kryesore e koalicionit të djathtë për kandidatin e Këlcyrës. “Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, e keni kriminel edhe këtë të Kurbinit? Nëse po më jepni argumente të ngjashme me atë të Këlcyrës, realisht do ta mendoj pro jush votën time”, – tha ai. Kjo deklaratë solli reagimin e Kasos, i cili tha se koalicioni që ai përfaqëson nuk ka në përbërje të tij asnjë kandidat të inkriminuar. “Koalicioni që unë përfaqësoj nuk ka kriminelë dhe pikërisht për të gjitha këto arsye ka vendosur një standard, ta bëjmë të qartë të kristaltë: Neve nuk kemi kriminelë!” Në ndërhyrjen e mëtejshme të nënkrteytarit të KQZ-së i cili këmbënguli në barazimin mes rasteve të Këlcyrës dhe atij të Kurbinit, përfaqësuesi ligjor I PD-së tha se ditën e sotme do të dorëzohet në KQZ dosja e kandidatit të së majtës për bashkinë e Kavajës Elvis Roshi. “Po po ja atë të Kavajës, prisni se vjen nesër ajo e Kavajës”, – tha ai në replikë e sipër me Bibën. Partia Demokratike ka denoncuar shpesh kandidatin e Kavajës si një person të kaluar kriminale dhe në dosjen e sotme që do depozitohet në KQZ burimet pranë së djathtës bëjnë të ditur se do të përfshihet edhe vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë, që e ka dënuar Roshin në vitin 2000 me 2 muaj burg për plagosje.

 

Debati Biba – Kaso

Denar Biba: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, e keni kriminel edhe këtë të Kurbinit? Nëse po më jepni argumente të ngjashme me atë të Këlcyrës, realisht do ta mendoj pro jush votën time.

Ivi Kaso: Koalicioni që unë përfaqësoj nuk ka kriminelë dhe pikërisht për të gjitha këto arsye ka vendosur një standard, ta bëjmë të qartë të kristaltë: Neve nuk kemi kriminelë! Nuk kemi dhe nuk duam të kemi kriminelë.

Denar Biba: Po thoni që na keni futur në rrugë të gabuar me rastin e Këlcyrës? I vetmi precedent yni është Këlcyra. Dhe në rastin e Këlcyrës qartësisht e dhamë pëlqimin tonë për shkak të dekriminalizimit. Pyetja është a ndodhemi në të njëjtën situatë

Ivi Kaso: Po, po, ja atë të Kavajës, prisni se vjen nesër ajo e Kavajës.

 

Debat mes femrave në KQZ/ “Divorc me letra” mes Luzit e PD-së. Kryetarja e KQZ-së, Shtjefnit: U bërë si drejtore burgu

Votimi i personave të dënuar solli debate të forta dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përplasja ndodhi mes anëtareve femra të insituticionit më të lartë zgjedhor. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, debatoi me anëtaren e propozuar nga PD, Vera Shtjefni, ku ironizoi fjalimin e gjatë arsyetues të kësaj të fundit për votimin e të burgosurve. Ky debat i radhës i kryetares me anëtarët e KQZ të propozuar nga PD si edhe vendimmarrjet e vazhdueshme në favor të mazhorancës duket se kanë sjellë një “divorc me letra” të Luzit me forcën e opozitës, e cila e propozoi vite më parë në postin e drejtueses së këtij institucioni.

 

Debati Luzi – Shtjefni

Lefteri Luzi: Faleminderit zonja Shtjefni edhe për fjalën e gjatë. I bëre të gjitha edhe detyrën e drejtorit të burgjeve, edhe të KZAZ-së, të gjitha.

Vera Shtjefni: Se sa flas unë nuk ju takon juve të komentoni…

Lefteri Luzi: Ju thoni edhe si duhet të veprojë gjykata, edhe çfarë duhet të bëjë KZAZ. Kodi e ka të përcaktuar çfarë duhet të bëjë KQZ-ja. Ju lutem të jemi të përmbledhur në atë që themi dhe vetëm në atë që i takon KQZ-së. Zgjatemi kot pa fund dhe nuk kemi zgjidhje.

Vera Shtjefni: Arsyetimi ligjor nuk ishte i gjatë…

Lefteri Luzi: Ti bëre edhe gjykatësin edhe drejtorin e Burgjeve edhe KZAZ. Po i heqim të gjitha dhe po ju çojmë juve atje

 

Zgjedhjet në Këlcyrë/ Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e Muhametit: Nuk do të kandidojë në zgjedhje

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesën e kandidatit për bashkinë e Këlcyrës, Gentian Muhameti, i cili kërkoi të vazhdonte të garonte për këtë institucion. Kolegji la në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili kishte pranuar më parë kërkesën e PD-së për të tërhequr nga gara kandidatin Muhameti për shkak të problemeve me procesin e dekriminalizimit. Ky i fundit i hodhi poshtë retendimet e demokratëve dhe e çoi çështjen në Kolegj ku kërkoi rrëzimin e vendimit të KQZ-së. Por ditën e djeshme Kolegji votoi pro qëndrimit të mëparshëm të institucionit më të lartë zgjedhor duke e përjashtuar nga gara Muhametin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here