Në Konispol me kandidatin e PDIU-së/ Fundi i fushatës nxeh mazhorancën, Rama: Mallkuar ata që sjellin përçarje, turp për këta qorra!

0
123

Gëzim Saliu

Edi-Rama-KonispolBeqiri i PDIU-së u zgjodh se ishte ortodoks? Kryeministri rëndon gjuhën dhe mallkon kundërshtarët: Saldatriçja e Malos s’ngre pensionet, Konispolit nuk i duhet një saldator pa shkollë

Java e fundit e fushatës duket se ka rënduar tonet e liderëve politikë të mazhorancës, të cilët tashmë, krahas ironive dhe batutave ndaj kandidatëve të së djathtës, nuk ngurrojnë edhe të mallkojnë. Në një takim elektoral në Konispol, ku në emër të mazhorancës kandidon për këtë Bashki Shuaip Beqiri i propozuar nga PDIU-së, Kryeministri Rama tha dje se ditët e fundit zëra dashakeqës po orvaten të krijojnë përçarje fetare në këtë qytet. Duke komentuar deklaratat e kundërshtarëve politikë sipas së cilave në këtë zonë është kandiduar Beqiri vetëm pasi është ortodoks, Rama nuk ngurroi t’i mallkonte ata për atë që ai e cilësoi si “frymë e përçarjes”. “Kush janë këta që predikojnë këtu historira me ortodoksëri e Çamëri? Historira që janë të turpshme. Nuk mund ta kthejnë në një bashkësi njerëzish të përçarë dhe në sherr me njëri-tjetrin. Nuk mund të bëhet toka kur të hyjë kjo përçarje. T’i vijë turp dhe të mallkuar qofshin gjithë ata që i japin frymë kësaj politike barbare që në Shqipëri nuk mund të mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës. T’i vijë turp të gjithë këtyre qorrave që në vend se të shohin të ardhmen e tyre duan t’i vënë flakën tokës ku rriten fëmijët e tyre dhe duan ta bëjnë tokë të djegur dhe të pamundur për fëmijët e tyre nesër, për nipat dhe mbesat nesër!”, – tha Rama. Më tej, ai theksoi se këto skandale kërkojnë një përgjigje të rreptë nga qytetarët e Kionispolit, të cilët sipas tij, duhet të japin një votë të bashkuar përtej flamujve dhe partive politike. “Dhe këtu nuk mund të lejojmë askënd që të vë mina që të vrasë ëndrrat e fëmijëve të kësaj toke, se kush jemi ne e si e kuptojmë ne bashkëjetesën mjafton të shikoni reformën historike territoriale”, – u shpreh Rama.

 

Akuza PD-së

Nga ana tjetër në takimin elektoral në Konispol nuk kanë munguar as sulmet e Kryeministrit ndaj kandidatit të opozitës për këtë bashki. “Partia e Malos thotë votoni 21 qershorin tua bëjmë pensionet si në Evropë, të ulim taksat më shumë se tërë bota. Ta zëmë se do votoni për Malon, me saldatriçe do bëni ju këto?! Me saldatriçen e Malos do çojë pensionet në kupë të qiellit. Si mundet që ju thonë zgjidhni një saldator pa shkollë që t’ju bëjë Konispolin me punë e dinjitet. me kë tallen Dimë që ka budallenj por kaq shumë sa të vënë saldatorin në qafë e të presin më 23 qershor të rriten pensionet nuk ka. Merrjani miellin, merrjani birrat vetëm saldatriçen mos ja merrni se i duhet për punë pas zgjedhjeve. Pijani të gjithë fuqitë e birrës që ka nxjerrë Malua në Konispol vetëm saldatriçen jo”, – deklaroi ai. Ndërkaq sipas kryeministri respekti i qeverisë ndaj minoriteteve duket tek bashkitë e krijuara të Dropullit, Finiqit dhe Pustecit, të cilat janë theksoi Rama, dëshmitarë të një mentaliteti evropian, jo me fjalë, por me vepra. Një tjetër takim i kreut të qeverisë ishte në Sarandë ku prezantoi projektin për kthimin e një rezidence qeveritare në eko-kampus, që do të përfshijë ndërtimin e çerdheve, kopshteve, shkollë 9-vjeçare e të mesme, terrene sportive, fusha të lojërave me dorë, amfiteatër, palestra, pishina dhe të tjera. Po ashtu Rama premtoi një fazë tjetër ndërhyrjesh në të gjithë bregun e Jonit, ku përfshihet edhe Saranda. “Duam që të zgjidhim me shpejtësi problemin e kanalizimeve në të gjithë bregun, problemin e ujit të pijshëm në të gjithë bregun, dhe padyshim të ecim me shpejtësi për të ndërtuar modele urbanizimi të një cilësie krejt tjetër”, – u shpreh Kryeministri.

 

Në Roskovec/ Milo: Shteti të zbatojë kontratën me qytetarët

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, zhvilloi dje një takim në Roskovec, me anëtarët dhe simpatizantët e forcës që drejton ku bëri të ditur alternativën që ajo përfaqëson në politikën shqiptare. Ndërkaq, aleati i të majtëve theksoi se shteti duhet të garantojë respektimin e kontratës me qytetarët. “Ne kërkojmë që në emër të ligjit, në emër të zbatimit të tij, të rikthehet vëmendja dhe të zbatohet kontrata, jo vetëm kontrata shtetërore por edhe kontrata qytetare sepse më e rëndësishme është kontrata me qytetarët se sa kontrata me ligjin n.q.s ligji nuk zbatohet. Ne mbështesim qytetarët e kësaj zone, të bashkisë së Roskovecit, për një trajtim serioz, për një dëmshpërblim deri në fund, të të gjitha dëmeve që iu janë krijuar qytetarëve, nga qeverisja dhe shfrytëzimi i papërgjegjshëm i zonës naftëmbajtëse këtu”, – tha Milo.

 

Rama në takimin përmbyllës Himarë/ Goro: Dyert e zyrës do jenë gjithnjë hapur për çështje të mëdha e të vogla

Kryeministri Edi Rama përmbylli dje fushatën në Himarë ku theksoi se zgjedhja më e mirë për këtë bashkim është Gjergji Goro. Ndërkaq, kandidati i koalicionit të majtë për këtë njësi theksoi se në rast fitoreje do të mbante të hapura dyert e bashkisë për të gjithë. “Nëse do te jem unë i përzgjedhuri juaj, ju siguroj se dyert e zyrës time do te jene gjithnjë hapur, për çështje te madhe e te vogla, për te rinjtë e për pensionistet, për burrat, gratë, dhe fëmijët, njëlloj për te gjithë e gjithmonë për ata qe besojnë se unë jam Drejtimi i Duhur. Ndaj te shkojmë ne drejtimin e duhur, duke votuar për familjen dhe te ardhmen e fëmijëve tanë!”- deklaroi ai.

 

Në Farkë/ Veliaj: Trajtim të barabartë për të gjithë, programi ynë zgjidh hallet e qytetarëve

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një takim elektoral në Farkë, ku tha se është i angazhuar për një trajtim të barabartë të banorëve të Tiranës. “Angazhimi ynë që të keni një trajtim të barabartë. Ndërsa deri dje qeveria i ndante njerëzit, qeveria jonë e re, bashkia jonë e re i trajton të gjithë njerëzit njësoj. Ne zgjodhëm që të mos bënim një fushatë me urrejtje e me baltë, zgjodhëm të bënim një fushatë ku programi ynë zgjidh hallet e qytetarëve. Ne program për çdo njësi, sepse ne besojmë që njerëzit nuk duan të dëgjojnë më sherre, shpifje, njerëzit duan zgjidhje konkrete, për vaditjen, bujqësinë, për ujin, për kopshtet, për shkollën, për transportin. Këto janë temat e fushatës sonë. Ata shfrytëzuan 30 ditë fushatën duke shpifur e sharë, ne e shpenzuam duke u marrë me probleme konkrete. Fushata jonë fituese, koalicioni jonë do të fitojë jo sepse jemi më shumë por sepse kemi idetë më të mira”, – u shpreh ai. Sipas tij, koalicioni i majtë është koalicioni më i emancipuar duke sjellë si shembull kushtin për pjesëmarrjen e grave në garë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here