Kush po e “vjel” Albpetrolin?

0

Ervin Kaduku

nafte–  ­Ndërmarrja është katandisur në një pus korrupsioni, ku hedhin kovat njerëz të veshur me pushtet për të vjedhur fondet publike. Tatimeve u detyrohet gati 4 miliardë lekë, përmbaruesit privatë kërkojnë sekuestro…

Ndërkohë që sytë e opinionit publik në Shqipëri janë përqendruar në skandalet e njërës nga kompanitë koncesionare të huaja që operojnë në fushën e naftës dhe gazit – Bankers Petroleum – askush nuk e di se Albpetroli po kthehet në një ndër ndërmarrjet më problematike për shtetin shqiptar, që, në mënyrë paradoksale, është edhe pronari i saj me të drejta të plota.

Sipas burimeve nga Tatimet, kjo ndërmarrje, që ka të drejta ekskluziviteti në përdorimin e nëntokës shqiptare për nxjerrjen e hidrokarbureve, vetë apo nëpërmjet kompanive kontraktore, ka grumbulluar një shifër marramendëse borxhesh dhe detyrimesh ndaj administratës fiskale, që vërtitet në nivelin e afro 4 miliardë lekëve, saktësisht 388 milionë lekë!

Si qëndron puna? Ku shkoi krenaria e ndërmarrjeve shtetërore shqiptare, e cila nuk ka pasur probleme të kësaj natyre ndër vite, duke qenë se sa vjen e po shtohet sasia e naftës që nxirret nga nëntoka shqiptare? Kjo është e vështirë të zbulohet pa një hetim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës nga ana e disa organeve të shtetit: Tatimeve, Prokurorisë dhe Ministrisë së Financave.

Por, kjo ndërmarrje nuk ka problem vetëm me shtetin. Kohët e fundit atë, herë pas here, e kanë goditur urdhra sekuestrimi dhe vendime ekzekutimi të lëshuara nga gjykatat, duke dëshmuar kështu se situata nga drejtuesit e rinj është lënë të dalë duarsh. Me qëllim apo pa qëllim? Kjo mbetet të zbulohet pikërisht nga një hetim i plotë dhe i paanshëm.

 

Përmbarimi

Ja disa nga këto masa që po merren në vijimësi ndaj Albpetrolit. Le të fillojmë nga më të rejat …

 

26 maj 2015

Depozitimi i urdhrave Nr.1260 Prot., Nr.917/1 Dosje, datë 11.05.2015 lëshuar nga Shoqëria Përmbarimore Gjyqësore Private “TDR GROUP” sh.p.k, ku është urdhëruar: Vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqeria “ALBPETROL” sh.a, pajisur me NUIS (NIPT) – J82916500U

 

29 prill 2015

Depozitim i urdhrave Nr.1045 Prot., Nr.899/1 Dosje dhe Nr.1053 Prot., Nr.900/1 Dosje, datë 17.04.2015 lëshuar nga Shoqëria Përmbarimore Gjyqësore Private “TDR GROUP” sh.p.k, ku është urdhëruar: Vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqeria “ALBPETROL” sh.a, pajisur me NUIS (NIPT) – J82916500U

 

23 prill 2015

Depozitim i urdhrit nr. 831 prot, 1047 regj, datë 20.04.2015, lëshuar nga Zyra Përmbarimore “Ardael” sh.p.k, ku është urdhëruar: Vendosja e masës së sekuestros konservative mbi kapitalin e debitorit, shoqërisë “Albpetrol ” sh.a, me NUIS (NIPT) J82916500U, me administrator z. Endri Puka, me seli ne Patos, Fier, per shkak se kjo shoqëri rezulton debitore ndaj shoqerise “Genti ” sh.p.k.

Çfarë ka ndodhur në këtë kompani pas ardhjes së administratorëve të caktuar nga qeveria socialiste? Madje, edhe më parë gjatë këtij viti ka pasur dy goditje të tjera nga ana e përmbaruesve private Alimadhi dhe Prestige Bailiff për Albpetrolin, por duket se kompania është detyruar të paguajë detyrimet dhe përmbaruesit janë tërhequr, pasi kanë arritur objektivin e tyre.

Po, a mund të shpjegohet se përse Tatimet nuk përdorin forcën e shtetit, shumëfish më të madhe se ajo e një studioje përmbarimore private, për të vënë dorë mbi keqadministrimin e dukshëm të pasurisë nëntokësore dhe fondeve gjigante “mbitokësore” të një “dinozauri” hidrokarbur si Albpetroli? Çfarë i pengon? Ndoshta ditët që vijojnë përfaqësuesit e ndërmarrjes dhe të shtetit do të marrin guximin të japin një shpjegim …

 

E përkëdhelura e shtetit

Por, ndërkohë që t’i heqin veshin apo ta heqin fare administratën e Albpetrolit, që drejton në këtë mënyrë skandaloze, duke krijuar detyrime ndaj shtetit e privatit, qeveria në të kundërt po i krijon kushte edhe më të favorshme Albpetrolit që të shpërdorojë më tej pasuritë e shqiptarëve.

“Albpetrol” sh.a. do të marrë në para vlerën korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së Albpetrolit që i takon në bazë të zbatimit të marrëveshjeve hidrokarbure, të lidhura me kontraktorët, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese të naftës e të gazit”, sipas një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjisë. Deri tani, kjo merrej “në natyrë”.

Udhëzimi thotë se pasi bien dakord për sa më sipër, palët hartojnë një marrëveshje për rregullat dhe procedurat e marrjes, në para, të vlerës korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol”, sh.a. Konvertimi në para i sasisë së prodhimit të gjykuar dhe pjesës së prodhimit të “Albpetrol” sh.a, bëhet mbi bazën e çmimit referues. Çmimi referues do të përllogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të ponderuar të naftës bruto, të shitur nga kontraktori, gjatë muajit kalendarik përkatës, gjatë të cilit kontraktorit i lind detyrimi ndaj “Albpetrol” sh.a. për shlyerjen, në para, të prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol”, sh.a. dhe në varësi të vendit të lëvrimit të sasisë së naftës që shitet nga kontraktori.

 

Privatizimi

Pse vijon shteti ta mbajë fort këtë ndërmarrje? Privatizimi do të ishte një zgjidhje ideale, por natyrisht jo një privatizim si ai, që tentoi të bënte Rezart Taçi, që shënoi dështimin më kompleks që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, me më shumë shkaqe, aktorë e faktorë të implikuar se në çdo rast tjetër.

Të mos harrojmë se ka qenë opozita e majtë, tashmë në pushtet, që ndikoi seriozisht në dështimin e procesit, kur deklaronte vazhdimisht se do ta zhbënte privatizimin e “Albpetrol”-it, e kështu u krijua një mjedis më i pasigurt për investitorin, që duke konsideruar se ishte edhe prag zgjedhjesh elektorale, rriste trysninë në maksimum te blerësi.

Aktualisht, u bënë dy vjet që qeveria “Rama” ka ardhur në pushtet, janë bërë edhe deklarata se Albpetroli është ndër të parat ndërmarrje shtetërore që listohen për t’u shitur tek private, por gjithçka ka mbetur në letër.

Ndërkohë, “ujqërit e vjetër” të veshur me pushtet shtetëror, vijojnë ta vjelin Albpetrolin për interesat e tyre.

Deri kur?…

 

Ekspertiza: Bankers ka shfrytëzuar nëntokën jashtë kritereve

Kompania naftënxjerrëse kanadeze “Bankers Petroleum” do të hetohet edhe për dëmet e shkaktuara në nëntokën e Marinzës në Rrethin e Fierit, konkretisht në atë të pusit P29A, që do të klasifikohet si dëm i shkaktuar shtetit shqiptar. Kjo, pasi nga inspektimi gjeologjik që u krye pas shpërthimit të fontanës së pusit të sipërcituar më datë 1 prill të këtij viti, është konkluduar se nëntoka e Marinzës në këtë zonë është shfrytëzuar jashtë kritereve, duke shkatërruar shtresat në thellësi deri në dy mijë metra. Nga burime të gazetës mësohet se raporti i ekspertëve të gjeologjisë tashmë është depozituar në Prokurorinë e Fierit, e cila po heton për të gjitha dëmet e shkaktuara, shkaqet që kanë çuar në shpërthimin e fontanave dhe të dëmeve të shkaktuara si në banesat e qindra banorëve e në tokat e tyre, ashtu edhe në shtresat nëntokësore. Burimet saktësojnë se në raport thuhet se procesi i nxjerrjes së naftës gjatë viteve të fundit në këtë zonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtresat nëntokësore, duke i bërë ato të paqëndrueshme. Sipas ekspertëve, shpimet horizontale kanë devijuar disa herë nga këndet në të cilat duhej të kryheshin, duke sjellë pasoja të rënda për nëntokën. Ndërkohë, ekspertët mësohet të kenë ngritur dyshimet se dëmet e shkaktuara në shtresat nëntokësore që arrijnë deri në dy mijë metra thellësi mund ta bëjnë edhe terrenin sipërfaqësor të paqëndrueshëm në të ardhmen. Kjo, paqëndrueshmëri mund të sjellë edhe pamundësinë e banimit apo të shfrytëzimit të tokave bujqësore në zonën e Marinzës, duke i kthyer aty në të rrezikshme dhe të pavlera, pohojnë burimet. Ato shtojnë se prokuroria është duke e vlerësuar raportin e gjeologëve dhe pritet që së shpejti të kërkojë kryerjen e një ekspertimi të dëmit të shkaktuar në nëntokën e Marinzës, që është prekur nga pusi P29A ku shpërtheu fontana e gazit. Ndërkohë, mësohet se dëmi do të klasifikohet si dëm i shkaktuar shtetit, pasi nëntoka nuk u përket banorëve të zonës, por vetë shtetit shqiptar. Si dëme shkaktuar shtetit pritet të klasifikohen edhe shkatërrimet e shkaktuara nga shpërthimet e fontanave të gazit në rrugët automobilistike, në kanale apo në sipërfaqe toke e banesa që nuk u përkasin banorëve. Hetimi i Prokurorisë së Fierit është shtrirë edhe në ndotjen e shkaktuar si pasojë e çlirimit të gazit dhe dëmeve shëndetësore të qindra banorëve. Gjithashtu, organi i akuzës ka nisur edhe hetimin për veprimtarinë financiare të kompanisë “Bankers Petroleum”. Kjo e fundit dyshohet se mund t’u jetë shmangur detyrimeve të tatimfitimit për vitet e fundit, duke deklaruar se është duke shlyer ende investimet e kryera. Prokuroria e Fierit ka nisur procedim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Bankers Petroleum” dhe gjashtë drejtuesve e teknikëve të dy kompanive të tjera nënkontraktuese, që të gjithë me shtetësi të huaj, të cilët kanë kryer e menaxhuar punimet e shpimit të pusit P29A në Marinëz të Fierit, ku më datë 1 prill shpërtheu fontana e gazit, e cila dëmtoi qindra banesa e sipërfaqe të mëdha të terrenit sipërfaqësor e nëntokësor.

 

 

Bien paratë e fushatës, 2015-ta ndër “më të varfrat”

Kompanitë që prej vitesh merren me prodhimin e produkteve për fushatë (printime, outdoor) bien pothuajse të gjitha dakord se fushata zgjedhore nuk është nga më të shtrenjtat që është realizuar, përkundrazi.

Madje kjo konfirmohet edhe nga agjencitë e printimit, të cilat kanë pohuar se shpenzimet janë 20-30% më të ulëta se në fushatat e tjera, kryesisht nga dy partitë e mëdha PD dhe PS.

Ndryshe nga partitë e mëdha, porositë e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë pësuar rritje, sidomos për flamujt. Bizneset e printimit pohojnë se në çdo zgjedhje, porositë nga LSI vijnë në rritje, si në postera dhe në flamuj. Flamujt janë prodhuar në Kinë dhe porositur muaj më parë. Pjesa më e madhe e flamujve është blerë nga LSI dhe kjo reflektohet kudo nëpër Shqipëri ku shihet se Lëvizja Socialiste për Integrim dominon ambientet jo vetëm me flamuj, por edhe me reklama e banera.

Ndërkohë, burimet nga shtabet elektorale pranë partive pohojnë se financimet po sigurohen më së shumti nga vetë kandidatët. Burimet e fondeve janë nga më të ndryshmet, nga miq, shokë dhe dashamirës dhe simpatizantë. Stafet pohojnë se, fushata ka koston më të shtrenjtë në Tiranë për dy arsye. Qiratë e zyrave elektorale janë më të larta dhe gjithashtu spotet televizive për kandidatët që jepen në televizionet kombëtare zënë mbi 30-50% të fondeve që i dedikohen kryeqytetit për fushatë. Në rrethe, situata vjen më e lirë në këto aspekte. Qiratë e zyrave kanë vlera modeste dhe në të shumtën e rasteve, lëshohen falas nga simpatizantë të ndryshëm. Gjithashtu, televizionet lokale marrin tarifa të lira për spotet e kandidatëve në krahasim me TV kombëtare që janë në Tiranë. Në rrethe, duket se kushtojnë më shumë posterat, banerat dhe flamujt, pasi siç vihet re, janë me më shumicë se në kryeqytet. Grosistët e importit të letrës pohojnë se kjo fushatë nuk ka sjellë importe më të mëdha të letrës në krahasim me të tjerat. Por këtë vit ka edhe një arsye tjetër themelore që çon në shpenzime më të pakta. Ndarja e re administrative ka tkurrur njësitë nga mbi 320 në vetëm 61. Për rrjedhojë, më pak kandidatë në fushatë do të thotë më pak postera dhe banera dhe sigurisht, më pak takime.

Orientimi drejt mediave sociale, pa kosto dhe me arritje të gjerë, sidomos tek të rinjtë, është një tjetër faktor që po merr rëndësi të madhe në këtë fushatë, duke ndikuar në uljen e shpenzimeve për banera e outdoor.

 

Kamza

Kamza vlerësohet si një nga fushatat më të shtrenjta për sipërfaqen në të cilën zhvillohet gara. Kompania që ka kryer prodhimin e posterave për një nga kandidatët pohon se sasia e printuar është 4.500 m2 për një kosto prej 20 mijë eurosh. Pothuajse të njëjtën sipërfaqe ka printuar dhe konkurrenti tjetër. Burime po nga e njëjta kompani pohojnë se për kandidatët e Tiranës ata kanë printuar nga 500 m2 për secilin, shumë më pak se për konkurrentët e Kamzës.

Në Kamëz po zhvillohet një garë e fortë ndërmjet kandidatit të LSI, Safet Gjici dhe atij të PD-së, Xhelal Mziu. Në total, kjo kompani ka printuar për fushatë rreth 12 mijë m2. Kandidatët në përgjithësi janë të rregullt me pagesat. Një tjetër operator tregu, po ndër më të mëdhenjtë, pohon se sasia e printuar prej tyre ka qenë rreth 6.000 m2. (Monitor)

 

 

Produktet bujqësore, importojmë 7 herë më shumë se eksportet

Importet e produkteve bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale gjatë 3­mujorit të parë të vitit janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar vlerën e 20.9 miliardë lekëve nga 19.1 miliardë. Vlera e importeve është rreth 7­fish më e lartë se eksportet që për këtë periudhë kanë arritur në 3.6 miliardë lekë. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, peshën më të madhe në importe e zë agroindustria me rreth, 12.4 miliardë lekë, ku produktet që marrim në masë më të madhe nga jashtë janë plehrat kimikë, puro e cigare, ushqim kafshësh, grupi bukë, torta, kek, vaj luledielli, miell etj. Po ashtu edhe produktet bujqësore arrijnë në një shifër të konsiderueshme importesh, prej 6.4 miliadrë lekë, edhe pse Shqipëria ka mundësinë që ti kultivojë vetë ato dhe të përmbushë kërkesën konsumatore me produkte vendase. Kjo ndodh për shkak të mungesës së investime në sera me ngrohje e dhoma frigoriferike për ruajtjen e produkteve, duke bërë që të prodhohet vetëm në stinën e verës dhe gjatë dimrit qytetarët të blejnë produkte importi me çmime të kripura. Peshën më të madhe në këtë kategori e zë importi i grurit me rreth 2 miliardë lekë, i ndjekur nga frutat me 1.3 miliardë lekë dhe më pas produktet e tjera. Ndërsa importi i produkteve blegtorale arrin në 2.1 miliardë lekë për 3 muajt e parë të vitit 2015.

 

OSHEE rrit 34% arkëtimet, ul 5.6% humbjet krahasuar me majin 2014

Arkëtimet në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në muajin maj arritën në 4.9 miliardë lekë, ose 34% më shumë se maji i vitit 2014 (afro 10 milionë dollarë më tepër). Si 5-mujor, në total janë realizuar 34 miliardë lekë arkëtime ose 53% më tepër se periudha janar-maj 2014 (plus 130 milionë dollarë), njoftoi dje OSHEE.

Ndërkohë, në muajin maj 2015, niveli i humbjeve zbriti në 31.2%, nga 36.8% që ishin në majin e vitit 2014 (5.6% më pak humbje).

Sakaq, kontrollet dhe ndërprerjet kanë vijuar, me 58.336 kontrolle dhe 36.681 ndërprerje.

 

Lini nje pergjigje