Kritika/ Një vizion për gjenetikën e shprishur!

0

Josif Papagjoni

Loading...

Josif PapagjoniShumë studentë, rishtarët dhe ëndërrimtarët e përjetshëm të artit të ftojnë në shfaqjet e tyre gati me përdëllim. Herë shkoj, por shumë herë nuk shkoj, sepse koha është e pakët. Edhe dy ditë më parë më mori në telefon dikush: Jam një ish-studentja juaj, më tha, Luli Hoxha quhem, sot kam shfaqjen time “Shembja e shtëpisë Asher”, dramë e Edgar Allan Poe, në Teatrin Kombëtar, do dëshiroja të vinit!” Po, iu përgjigja, do të vij…

…Përballë syrit të spektatorit një mur pasqyre ku ti shikoje vetveten. Në shfaqje këto pasqyra “lëvizën”, u kompozuan ndryshe, krijuan mjedise veprimi. Pasqyra është shembëllim, një reflektim dhe kthim mbrapsht në po të njëjtën distancë, përmasë e formë, pra edhe i yti. Kot këto pasqyra nuk ishin. Atëherë cili qe mendimi i regjisores, çfarë deshte të na kumtonte, apo thjesht një dëshirë për të qenë e veçantë?!Mendja ime shpejt e dekodoi atë, menjëherë i deja bulëzonte shi te përballja me vetveten, por dhe te iluzioni që na rrethon, sepse shëmbëlltyra në rrafshin e një pasqyre e tillë është: iluzion optik. Sakaq pasqyra të jep edhe idenë e dytësit, alteregos, asaj që ti e sheh e tjetër kush jo, pra të ndër dijes, të këqyrjes dhe bisedës me veten, të misterit, të të fshehtës. Nga kjo optike, teksa ndiqja shfaqjen e Luli Hoxhës, metafora m’u duk më se e motivuar.

Drama ishte një përsiatje në motive psikanalitike, ku karakteri i dashurisë së vëllait ndaj motrës, nga i shënjtëruar, është shndërruar në eros, pranë incest. Po pse? Të fajshëm apo të pafajshëm janë ata? Robër të një rrethane vetmie dhe tradite të kredhur në zvetënim apo ndjekës të urdhrave të pa refuzueshëm të instinktit të mallkuar, të triumfit të epshit në një strukturë gjenetike të shprishur? Autori rreket të sjellë një premisë të humbur në traditën endogame të familjes Asher me martesat brenda fisit, ku “pastërtia” e gjakut bojar, fisnik ruante kodet gjenetike pa e përzier racën me shkallë të ulta të shoqërisë, një koncept ky i trashëguar qysh nga i ashtuquajturi “gjaku blu” mes faraonësh e mbretërish, ku kurora mbahej brenda familjes;madje në traditën e martesave të perandorisë 1000 vjeçare ausburgase, por dhe asaj romake, ka pasur plot raste lidhjesh motër-vëlla. Por shoqëria, falë edhe dijes, shkencës, i ka tejkaluar raste të tilla duke njohur pasojat e monstruoziteteve dhe sëmundjeve në trashëgimtarët e mundshëm. Mua tekste të tilla shfajësimesh të incestit përgjithësisht nuk më pëlqejnë, i konsideroj pjesë të snobizmit letrar, ose-ose përligjje të një shoqërie të zvetënuar, në dekadencë, të tejngopur, të çoroditur, që merret me vetvete ngjer në skaj dhe në vend që dukurinë ta këqyr si atipike, tepri, deformim psikik apo e shkaktuar nga një rrethanë që vjen nga jashtë (p.sh. Ibseni me “Hijet”), e sheh si diçka të thelbit të njeriut, e shfajëson, madje e poetizon. Rodrig dhe Madlen, motër e vëlla të dashuruar në bulbtëbulbit, poetizohen, historia e tyre të dhemb, shumë melankoli e trishtim ka në gjithçka vjen prej kësaj. Shqipëria dhe shqiptarët kanë problem jetike, problem të mëdha ekzistenciale, problem qytetërimi dhe dokesh, problem antropologjike për t’u shkëputur nga pjesa e vrazhdët, primitiviste, nga anakronitë sociale e mentale, nga konfliktet pronësore, mungesa e tolerancës, deformimet historike etj. Një tekst i sforcuar, nën një tis melankolie e mallëngjimi, me shumë trishtim dhe dhimbje, ndoshta mund të shërbejë për të ngushëlluar shpirtrat vanitozë dhe të tejngopur diku në vendet e Evropës Veriore, se sa kokën dhe barkun e zbrazët të shqiptarëve. Në fund të fundit: çfarë do t’i thotë njeriut të sotëm ky tekst? Shfajësoni incestin, mëshirojini ata që e bëjnë, sepse sado që i papranueshëm moralisht, gjithsesi ai është poetik, është përdëllimtar, është human?

Në të vërtetë unë desha t’i shkruaja këto dy radhë jo për tekstin, por enkas për regjisoren e re Luli Hoxha. Doja të thosha dy fjalë inkurajuese për të, në hapat e pare të saj, në shpresat e para. Jo se regjia ishte një “mrekulli”, por ajo kishte gjetje. Kishte aromë. Le ta fillojmë qysh nga më e dukshmja dhe e përhershmja: Pasqyrat. Ato u funksionalizuan, krijuan një zgjidhje skenografike, here ofronin imazhe të përthyera, të mbivendosura, që të kujtonin filmin, pikturën, here shndërroheshin në libra e bibliotekë, në mur të forte kështjellor e arkivol, në sallon, në dhomë gjumi. Mizanskena e Lulit ishte e thjeshtë por kishte imazh, vizion. Unë do të kujtoja, bie fjala, atë tavolinë mbuluar me të kuqe (pasioni) ku çifti vëlla-motër rrinin shtrirë, dhe nga dy krahët, falë pasqyrave, shëmbëlltyra e tyre erotike ngjasonte si një pikturë. Dua të kujtoj uljen nga lart të një morie veshjesh e fustanesh, të mosha vetë ndryshme, që të kujtonin, mbase, jetën e kësaj vajze qysh nga fëmijëria në atë shtëpitë zymtë, ku përpëlitej fill e vetme me të vëllanë e ku poshtë këmbë vetë tyre qe një bodrum me kufoma e eshtra të vdekurish. Vdekje-jetë, bekim-mallkim, shëndet-sëmundje, parfum erotik-erë kufomash të pakallura. Regjisorja me tonin e vendosur në interpretimin e aktorëve solli sa mundi jetën e trishtë, të zymtë, të vetmuar, në një shtëpi-kështjellë, në një mjedis-moçal, ku klithmat e zogjve dhe drita e zbehtë e diellit mbytej nga avujt e lagështirës, helmishtes dhe sëmundjes. E mbi këtë helmishtë, mbi këta avuj sëmundjesh që kishin pushtuar shpirtrat dhe trupat e Rodrigut dhe Madlenës, gjithsesi përligjej një dashuri që pikonte dhimbje, falë kjo edhe një koraleje fort të bukur që shoqëronte fillim-mbarim shfaqjen. Regjisorja kishte përdorur edhe ritualin fjalësor duke përsëritur disa dialogë në çaste turbullire mendore ose si theksa emocionalë për gjendjet e ndera shpirtërore të personazheve. Të tre aktorët, Gjergji Mena, Luli Hoxha dhe Laert Vasili luajtën mirë, mendje një, por ky i fundit, Laerti, dalloi posaçërisht për disa vrullime shpirtërore prekëse mbushur përplot emocion, jo aq erotike se sa të një zemre që vuante humbjen e njeriut të tij më të shtrenjtë, humbjen e dritës, fikjen e vetë jetës dhe kuptimit të saj. E gjetur mire ishte edhe finalja, një vdekje që rilind, teksa Rodriges ngrihet ngadalë nga sheshi (balta, varri, vdekja) dhe përqafohet me Madlenën e vdekur, e cila ka ardhur sakaq nga thellësia e skenës (vdekja, reminishenca, kujtesa) dhe të dy së toku humbasin në terrin e fundskenës (ndoshta përfalja, mëshira, parajsa, bashkimi i dy shpirtrave të munguar e nëpërvujtni).

Përtej këtyre që thashë në këtë shënim të shkurtër për shfaqjen dua të shtoj edhe dy fjalë urimi për regjisoren e re Luli Hoxha: Regjisura është art udhëheqës në teatër, është drita e tij, nordi i tij, andaj do desha që emrin tend ta hasja në të tjera afishe dhe në vepra të tjera shumë më të thella e më serioze…

Loading...

Lini nje pergjigje