Atdheu i UFO-ve

0
125

Atdheu i UFO-vePas Luftës së Dytë Botërore, simpatizanti i nazistëve, Ernst Zëndel, arriti deri në atë pikë sa të deklaronte se Hitleri dhe një grup njerëzish të besuar ia dolën t‘u shpëtonin forcave aleate përmes një anijeje për të hyrë më pas në brendësi të Tokës përmes zgavrës hyrëse në Polin e Jugut. Që aty shkencëtarët nazistë nisën ideimin e një plani për të pushtuar planetin falë disa mjeteve fluturues revolucionarë, të rrumbullakët e pa krahë: disqet fluturuese. Edhe sot e kësaj dite, disa janë të bindur se UFO-t nuk fshihen në thellësi të hapësirave qiellore, por në zemër të Tokës. Ata që e ushqyen më shumë këtë ide qenë shkrimtarët Riçard Shaver dhe botuesi i tij, Rei Palmer, bashkëthemelues i revistës amerikane “Fate”, e cila i dedikohet tërësisht aktiviteteve paranormale. Shaver këmbëngulte se jo vetëm që UFO-t qenë mjetet e transportit të atyre që banonin në brendësi të planetit, por se edhe kishte arritur ta vizitonte personalisht atë botë, sigurisht, fshehtazi banorëve. Sipas tij, aty banonte një popull mizor i quajtur “deru”, pasardhës të banorëve të Atlantidës, e humbur nën thellësi të Tokës pas një kataklizmi nukleare. Shaver rrëfeu më pas se banorët e kishin kapur dhe e kishin burgosur, por se, mes shumë të tjerash, i kishin mësuar edhe teorinë e relativitetit. Sipas tij, e gjitha kjo ndodhte përpara se Ainshtaini ta bënte publike (mëkati i vetëm është se shkrimtari i tregoi këto pasi Ainshtaini ia kishte treguar gjithë botës teorinë e relativitetit). Pika më e lartë e pretendimit të Palmerit, në mbështetje të historisë fantastik të Shaverit, mbërriti në vitin 1970, me publikimin e një fotoje të zgavrës në fjalë. Bëhej fjalë për një mozaik fotografish të bërë nga një satelit për llogari të Administratës së Shkencave Ambientale të Ministrisë së Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku vërehej një njollë e zezë në Polin e Veriut. “Edhe sa foto të tjera duhen për të mësuar si qëndron e vërteta”, pyeti me ironi Palmer. Por në të vërtetë, njolla e zezë i detyrohej faktit të thjeshtë se fotot qenë bërë në mes të dimrit, kur Poli gjendet gjatë 24 orëve të ditës i zhytur në errësirën më të thellë.

 

Ideja e botëve të fshehura

Ideja e botëve të fshehura nën sipërfaqen e Tokës haset te shumë besime fetare. Legjendat e budistëve tibetianë tregonin për Agarthën, një mbretëri e populluar nga qenie të urta e të iluminuara, e pozicionuar diku në Azinë Qendrore. Asiro-babilonasit tregonin se si Gilgameshi kishte mësuar për ekzistencën e një bote të nëndheshme nga fantazma e një miku të vdekur. Homeri e Platoni imagjinuan labirinte të panumërt që shtriheshin drejt qendrës së Tokës, ku gjendej edhe Zoti, tamam në “kërthizën” e Tokës. Egjiptianët e lashtë besonin në një mbretëri ferri të nëndheshme, e më vonë të krishterët e imagjinuan ferrin në mënyrë pak a shumë të ngjashme. Dante e përshkroi në Komedinë Hyjnore si një hapësirë e nëndheshme e përbërë nga nëntë rrathë. Por duhet të vinte viti 600 që të bëhej edhe përpjekja e parë shkencore për përcaktimin e asaj që fshihej në brendësi të Tokës. I çuditur nga anomalitë që tregonte busulla (shmangie në raport me Veriun për shkak të fenomeneve si magnetizmi i shkëmbinjve) astronomi britanik Edmond Hallei, i njohur më shumë për kometën që pagëzoi me emrin e vet, hodhi idenë se Toka qe formuar nga kore me një qendër të vetme, secila me një atmosferë të vetën që nga ana e tyre kishin edhe polet magnetike: anomalitë e regjistruara nga busulla shkaktoheshin nga shpejtësitë e ndryshme të rrotullimit të secilës prej shtresave. Matematikani zviceran Euleri e hodhi poshtë idenë e shtresave me të njëjtën qendër, për ta zëvendësuar me atë të një Dielli qendror në gjendje të ndriçonte, të ngrohte e t‘i garantonte jetën një qytetërimi të zhvilluar në brendësi të saj. Ndërsa kolegu i tij britanik, Sër Xhon Lesli, qe i bindur se në brendësi të Tokës ekzistonin dy diej.

 

Çfarë nxehtësie në Pol!

Ishin Uilliam Rid dhe Marshall B. Gardner studiuesit e parë që do të qenë të aftë të mbanin ndezur edhe gjatë viteve ‘900 shpresën për të vërtetuar konkavitetin e Tokës. Që të dy ishin të bindur se shumë anomali nuk mund të shpjegoheshin ndryshe. Për shembull, disa eksplorues kishin treguar se temperaturat dukeshin sikur rriteshin në Polin e Veriut. Eksploruesi norvegjez Fridtjof Nansen deklaroi se në Qarkun Arktik bënte aq nxehtë sa qe e pamundur të flije. Të tjerë flisnin për akull me ngjyrë të kuqe, të gjelbër, të verdhë e të zezë. Dhe zbulimi i një mamuthi të ngrirë në Siberi u vërejt si prova përfundimtare. Për Ridin dhe Gardnerin të gjithë këta elementë bënin të mendohej se eksploruesit i qenë afruar, madje kishin hyrë, pa e kuptuar në zgavrën polare. Bora kishte marrë ngjyra të tilla për shkak të pjalmit që vinte nga brendësia, ndërsa ajo e zeza kishte marrë këtë ngjyrë për shkak të gazrave të lëshuar nga ndonjë vullkan. Më tej, mamuthët nuk qenë zhdukur, siç besohej nga të gjithë, por se kishin gjetur në brendësi ambientin e përshtatshëm për të jetuar. Sa për mamuthin e gjetur të ngrirë, që të dy mendonin se kishte guxuar të dilte jashtë dhe kishte ngrirë. Një peshkatar norvegjez, Olaf Jansen, arriti deri në atë pikë sa tha që bashkë me të birin kishte arritur me barkë në kontinentin e brendshëm dhe se kishin qëndruar aty plot dy vjet, nën kujdesin dhe mikpritjen e popullsisë së brendshme, e përbërë nga qenie gjigande shumë të zhvilluara që në çastin e largimit i kishin mbushur me ar. Vetëm se Janseni vdiq gjatë udhëtimit dhe i biri që rrëfeu historinë u mbyll në një çmendinë. Vetëm në fillim të viteve 1900, Jansen vendosi t‘ia rrëfejë historinë Uilliam Xhorxh Emersonit, i cili u bazua tek ajo për të shkruar librin “Zoti prej tymi”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here