Memorandumi me 12 kërkesa/Mos përçani! Shqiptarët kërcënojnë Porta e Lartë 

0
165

Memorandumi me 12 kërkesaSpeciale/ Prag pavarësie, Komiteti Shqiptar i Jugut i drejtohet Portës së Lartë me 12 kërkesa shkruar në revistën parisiene

Disa muaj në prag të pavarësisë, shqiptarët nisin organizimin për çlirimin e vendit. Edhe pse nën Perandorinë Osmane, duke dëshmuar me shekuj besnikërinë ndaj saj, shqiptarët po ndienin rrezikun e copëtimin, po ashtu një nga kërkesat më të ngutshme u bë hapja e shkollave dhe përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet zyrtare. Këto kërkesa emergjente dhe mjaft kërkesa të tjera edhe politike detyruan një grup shqiptarësh, që në krye kishin Ismail Qemalin, të hartonin një memorandum me 12 kërkesa, i cili u botua në një nga revistat e Parisit. Kjo është e përfshirë në dokumentet që ka lënë si dëshmi Mustafa Kruja, të përmbledhura në librin “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, një tjetër botim skrupuloz i Eugjen Merlikës, nga arkivi vetjak me dokumente të Krujës. Dokumentet janë te renditura në tre grupe, që i referohen tri periudhave e ngjarjeve të ndryshme. Grupi i parë është më i bollshmi dhe paraqet dokumente të periudhës 1908 – 1914, i dyti me materiale të botuara në një libër artizanal në Romë më 1919 me titull “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes” dhe i treti titullohet “Përshpagimet shqiptare” dhe është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit në dosjen e Mustafa Krujës, dokumente të vitit 1941.

Grupi i parë i dokumenteve historikë, i përkasin një periudhe tashmë të largët, viteve 1908 – 1914, rreth njëqind vite të shkuara, një periudhë tepër e rëndësishme e qenies sonë si komb, para e mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të të parit shtet shqiptar. Janë materiale të marra nga një botim i posaçëm i revistës Leka të vitit 1942, në kuadrin e 30-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Materialet përbëhen nga letra, telegrame, qarkore, thirrje, peticione, kërkesa të ndryshme që mbajnë firmat e gjithë protagonistëve t’atyre viteve e ngjarjeve të tyre. Nëpërmjet tyre lexuesi do të njihet me historinë e vërtetë t’asaj kohe shumë të trazuar, do të gjejë radiografinë e një realiteti, për të cilin ka mësuar shumë pak gjëra në shkollë. Do të ketë parasysh kuadrin e Shqipërisë së njëqind viteve më parë, problemet dramatike që përballonte çdo ditë në jetën e saj, shkëmbinjtë e stërmëdhenj që duhet të kapërcente në rrugën e saj, mundin titanik t’atyre bijve që u munduan t’i venë themelet.

“Përparësi e synimeve t’atdhetarëve e intelektualëve shqiptarë të kohës ishte bashkimi i përpjekjeve për të përcaktuar bazat e një gjuhe, që do t’ishte instrumenti kryesor i arsimimit të popullit e i forcimit të vetëdijes kombëtare të tij, kur prirjet autonomiste shfaqeshin me forcë. Në këtë drejtim punonin shoqëritë e Bashkimit, të krijuara pothuaj në të gjitha qytetet e mëdha, por edhe organet e shtypit shqiptar jashtë e brënda Vëndit. Më 1908 këto përpjekje arritën fazën e tyre kulmore me Kongresin e Manastirit, që caktoi, me shumicë dërmuese, shkronjat latine si të vetmet për të shkruar gjuhën shqipe”. Nga letrat lexuesi njihet me përpjekjet e fëmijëve e të rinjve krutanë për të mësuar leximin dhe shkrimin e gjuhës së tyre. Dëshira e zelli ishin shumë të mëdhenj por, fatkeqësisht, mjetet ishin shumë të pakta, pothuaj të paqena. Mungonin librat, abetaret, klasat, deri edhe vetë mësuesit. Megjithatë vullneti i kapërcente të gjitha mangësitë e të rinjtë arrinin të lexonin me ëndje gazetën “Liria” që Mithat Frashëri botonte në Selanik. Pikërisht n’atë vullnet të hekurt, n’atë dëshirë për të nxënë lindëte Shqipëria e ardhme. Ajo lindëte në luftë me shumë prej bijve të saj që, fatkeqësisht, proçesit tejet të rëndësishëm të përparimit të kombit i kundërvinin idetë e tyre konservatore dhe mosbesimin në aftësitë shtetformuese të popullit të tyre. Kështu veglorohej (strumentalizohej) padija e një pjese të mirë të popullit për të “…çue mbë kâmbë fëmijët e shkollës fillore edhe ata të “Ruzhdijes” kundra gjuhës shqipe e klubit shqiptar “Bashkimi” tue shamë e poshtnuem mësuesit”. “Kanë kaluar njëqind vite që atëhere, e fakte të tilla edhe sot na bëjnë të skuqemi, por edhe të shtojmë nderimin për ata të pakët pionierë të përparimit, që vunë gurët e parë n’atë rrugë të vështirë.”

***

9 korrik 1912

Esad pashë Toptani, nga Stambolli, Bashkis së Krús. Telegrafë zyrtare. Tyrqisht.

Kërkon lajme mbi kryengritjen.

 

Stamboll – Parlament, 26 qershuer mbrâmje 328 N. 690, fjalë 19

Kryesís së Bashkís  Krú

Lajme të këqija po vijnë prej andej. Pres pa durim lajme të sakta.

Esad

Deputet i Durrsit

 

10 -11 korrik 1912

Ali Kosturi Hasan Rizás. Koncept telegrafe qeveritare. Tyrqisht. Kryengritsit gjuejnë karakollin e Priskës së Madhe; afër Shjakut shihen kryengritës; hani i Shllazit digjet.

 

27/28 qershuer 328

Valíut e Kumandarit

Shkodër

 

Nja 50 kryengritës kanë shtí mbrâmë disa pushkë mbë karakollin e Priskës së Madhe në kazá të Tiranës. Në breg t’Erzenit, afër Shjakut, janë pamë nja 40 vetë t’armatisun. Hanin e Shllazit e kanë djegun.

Alí – Fehmí

 

 

11 korrik 1912

Hasan Rizaja Ali Kosturit. Telegrafë qeveritare. Tyrqisht. Urdhnohet dënimi për vdekësí mbas art. 171 të Kodit penal, i atyne ushtarakve qi kanë grabitun.

 

Shkodër, 28 qershuer, 328, mbrậmje, ora 8,30, N. 6796/95

Ali – Fehmi Efendiut, Kumandar i Regj. të Gjindarmërìs  Krú

 

Ndënprefekti i Krús bận me ditun se aty qênka vramë nji grue e plaçkitun do gjậ. Vëzhgoni se cila pjesë e ushtrís e ka bâmë këtë punë dhe lajmomni menjiherë. Tue qênë mbandej se simbas nyjës 171 të kodit penal kush mbsŷn, qoftë me armë a pa armë, për me thye shtëpí a dyqan apo për me shtrëngue tjetrin me qëllim plaçke në bashkpunim me tjerë, ai dënohet me vdekë, formoni pa tjetër nji gjykatore ushtarake prej kuj t’a shihni me udhë edhe po pat gjamun me të vërtetë nji punë e këtilë të më dërgohet me të shpejtë për vërtetim akti i gjykimit të guximtarvet.

Hasan Riza

Kumandar i Divizjonit

 21 korrik 1912

 

Imz. Nikoll Kaçorri, nga Durrsi, Avdí Bé Toptanit në Skuraj. Letër private. Shqip. Mbi qëndrimin e Timz. Serreqit e lajme tjera.

 

Durrës, 21/8 korrik 1912/ 1912/ 1328

Shum të Ndritçmit Zotniì   Abdì bej Toptanit,

Sot mora letrën e Zotnisë Ate me 3 në Korrik, letër tjetër deri sot marr nuk kam e prandej s’un kam çue leter perse së disha se si me e çue.

Sa për Argipeshkvin e Shkodërs edhe une po bindem qi deri më sot se kaa majtun fjalen qi pat fol jo mue vetem por edhe shum shokvet’on. Persëri kam me i shkrue por po kam frikë se Austria e ndalon, politikën e të cillës më duket se nuk e merr vesht se asht kundra Shqypnisë.

Sa për ndihma do të mundohem saa ma shpejt me mëledh sa të mundem.

Këtu po ju mylli letrat të Ded Gjonit qi asht Sali Nivica, prej të cillave do të kuptoni gjendjen e Toskenisë.

Dervish Hima me ca djelm qi patne hik prej mejtepeve të Selanikut e të Stamollës prej Korfusit doli në Toskëri për me baa kryengritje. Ismail Qemali me Gurakuqin ka nji jav se gjindet në Korfus por se çka ban nuk e dii.

Gjithkun, në Monastir, në Selanik, në Stamoll, n’Izmir, n’Adene, n’Aleppo, në Damasko, n’Ercerum prej asqerit shum po diftohen kundra Gjemietit Selanikut. Këto po i rrëfein gjith gazetat e Europës ene të Turqisë.

Mas gazetave Kossova po nizet gjithnji ma fort e kryengritia po shtohet për dit e për dit po bahen lufta të rrepta e kryengritësit për ditë po fitoin.

Ene ndër këto ana lypset të bahen veprime të forta sikurse ajo e bregut të Matës, qi t’a marri vesht mirë Europa se gjith Shqypnija po lufton trimënisht për të drejtat e veta.

Die erdhi telegraf se Italia bombardisi përsërii Çanakalaan. Tofik pasha u ba Sadriasem.

Flitet se nji komision do të vijë në Shqypnii prej Stamollit e lypset me hap syyt mos të rehet halia çorre e mos të na fusë të damen e të vramen shoq me shoq.

Ene Jemeni pa pra po lufton e deri sot po fiton sikurse po flasin gazetat.

Ato gjanlì qi kien veshun në Durrës mas emrit u çveshën ene armët jau muren.

Ju falem shum me shnet e Perendia ju dhasht fuqii.

Kunora

  1. S. E shuma e gazetave dalin zot e e thrrasin të dreit kryengritiet e kerkimet e Shqyptarvet, e ndër disa të tiera edhë do gazeta t’Austrisë.

 

25 korrik 1912

Parsija e Tiranës Esad Pashë Toptanit, deputetit të Durrsit, në Stamboll. Kopje telegrafe zyrtare. Tyrqisht. Tirana e kënaqun nga Kabineti i ri liridashës, prej të cilit pret sendërtimin e të drejtavet e të kërkesavet “t’arsyeshme”.

 

Fort të ndershmit deputet të Durrsit Esad Pashës 

Këzëll – Toprak

Emnimi i Gazí Ahmet – Muhtar Pashës për Sadrazem dhe formimi i kabinetit nga mâ të mëdhajt burra Shteti qi ka mbretnija e qi në sŷ të kombit kanë fitue nji vênd të naltë nderimi të pacenueshëm, janë për né garantí t’asaj lirije të vërtetë qi kemi lakmue e të sigurimit t’onë t’ardhshëm. Shqiptarët, qi kanë dhânë kaqë prova për besnikín e tyne ndaj khalifatin e naltë dhe mbretnín othomane, mund të presin prej nji qeverije të këtilë qi t’i marrë para sysh me kujdes të drejtat dhe kërkesat e arsyeshme të tyne. Lutemi pra qi t’i a paraqitni Sadrazem Pashës bashkë me urimet t’ona të sinqerta sa po Ju shkruejmë, si edhe me e botue këtê dhe me anën e shtypit.

 

Me 12 korrik 328             

N’emën të popullit

Zeber Haxhi, kryetar i Bashkís; Ismail Ndroqi, myderris; Hysní Dalliu, myderris; Xhemal Pazari, myderris; Sheh Abdyrrahman; Murat be Toptani; Masar be Qorraliu; Xhemal agë Beshiri; Myslim agë Beshiri; Muharrem agë Karrapici; Reshit Petrela; Jusuf Elezi; Salih Daut; Hasan Bakiu; Beqir Luga; Hajdar Hidri; Mehmet – Ali Fërtuzi; Fan Koja; Ali-Hulusí; Hasan Sula; Mahmut Daja.

 

 28 korrik 1912

Sadrazemi Valiut të Shkodrës. Telegrafë qeveritare. Tyrqisht. Lajmon nisjen e nji misioni për Kosovë për t’u marrë vesht me kryengritësit, e prandej i kshillon këta të ruhen prej veprimesh antiligjore.

 

Dërguem Valiut e Kumandarit të Shkodrës prej Sadrazemit më 15 korrik 1328

Kumanda e të gjashtëtit Trup Ushtrijak ka lajmue Ministrin e Luftës se në jugë t’atij vilajeti e mun në breg të Mates ndërmjet kazás së Krús e Leshes, kryengritësit kanë mbsŷmë ushtarët e Mbretit, kanë djegun ndërtesa të Shtetit e kanë bậmë sa të liga tjera. Po merret vesht se ndalimi i ndjekjeve e i veprimeve kundra sish u a ka shtue guximin dhe prandej kanë fillue t’i teprojnë të mbsŷmet e lëvizjet. Sikurse Ju kemi lajmue edhe mậ parë, ậsht vêndosun qi, tue u dhậnë fund ndjekjeve, të ndreqen prej anës së qeverís shpít e rrenueme gjatë veprimevet ushtarake; të sqyrtohen e të zgjidhen simbas ligjës ato veprime antiligjore qi, simbas ankimeve të bậme e të përtrime, paskan gjamun në rasën e zgjedhjeve; të dërgohet nji misjon i përbậmë prej njerzish të shquem për me hetue mir’e mirë në vênd se ç’farë sendesh tjera meritojnë me u marrë para sŷsh nga ankimet e bậme si edhe nevojat e vërteta të vêndit; edhe në bazë të këtyne hetimeve qi do të bậhen të pranohen ato sende qi janë për t’u pranue simbas bindjes qi ka me formue Qeverija. Mbasi pra misjoni i përmêndun ậsht nisun për Kosovë, porositni kryengritësit në mënyrë të preme qi të hjekin dorë e të ruhen nga të mbsŷmet e të ngallitunat dhe përgjithsisht nga çdo vepër qi prish qetín e s’pajtohet me ligjët. Lajmonani përfundimin.

Shënim: Ky urdhën i kryeministrís i kumtohet Prefekturës së Durrsit prej Valiut me 18 dhe Ndënprefekturës së Krús prej Prefektit të Durrsit me 23 korrik.

 

1 gusht 1912

Komiteti i Kryengritjes së Jugës, nga Fieri, Komitetit të Krús, me anën e Bashkís. Letër zyrtare. Tyrqisht. Kërkesat në 12 pika i u telegrafuen Stambollit.

 

Fier, 19 korrik 328, mbramje, ora 4,30, N.1066, fjalë 30-zyrtare.

Kryesís së Bashkís  Krú

 

Deklaratën me 12 nyja i a kumtuem kryeministrís telegrafisht. Sod do t’a përsëdytim.

Pleqsija e Kumitës së Jugës

Izet Zavalani,

Bektash Cakrani

Pandeli Cale

Jusuf – Zija

 

Gusht 1912

Komiteti i Kryengritjes së Jugës, nga Fieri, Qeverís Tyrke. Memorandum. Tyrqisht. Të 12 pikat me nji parathậnë qi i ligjon.

Ka gjashtë shekuj qi Shqiptarët po derdhin gjakun trimnisht e me besnikí të plotë nëpër kufijt e tokvet othomane për madhnín e ksaj mbretnije. Shqiptarët qenë të parët qi u ngritën e kërkuen ndërimin e regjimit për me e shpëtue kët’atdhè të shênjtë në kohën mậ kritike të rrezikut të coptimit prej të huejvet. Me gjithë këtê e dijnë të gjithë se ç’farë politike e dậmshme u ndoq në këto vjetët e fundit kundrejt sish. Pasojat e ksaj politike janë për fushë. Gjithashtu nuk ậsht nevoja t’a thomi se drejt ç’farë gremine të mëndershme janë tue e rrokullisun sod atdheun t’onë të përbashkët ato të liga qi nji ditë ka për t’i përmêndun historija me urresë e neverí dhe ato vepra të gabueme të disa të parodve qi nuk dihet se si e kah na duelën, të cilët kanë marrë në dorë fuqít e Shtetit ndën maskën e bashkimit të popujvet të ksaj mbretnije e të regjimit kushtetuer.

Arsyeja e donte qi t’u ndërrohej rrjedha tragjike disa punve, të cilat tepër të turpshme dukeshin para qytetnís e njerzís së ksaj kohe, politikës së Shtetit t’i epej nji drejtim i mbarë e i pajtueshëm me Kushtetín. Bota shqiptare ậsht tronditun këto katër vjetët e fundit prej duhís së kryengritjeve; se Shqiptarët kanë pamë të drejtat e shênjta të tyne të shkeluna e kanë dashun t’i pruejnë e t’i përdorin siç duhet. Arsyeja e lypte qi t’u vëzhgojshin e t’u studjojshin shkaqet e faktorët e këtij trazimi të madh edhe të veprohej me nji politikë t’urtë e të drejtë.por jo. Kështu nuk u bậ. Të parodvet u a kishte verbue sŷt lakmija e sundimit. E shtuen dhe e shtrënguen mậ tepër despotizmën e tyne. Deshën me na ndalue mësimin e gjuhës s’onë kombtare, me na mbyllun shkollat, me vûmë shtete rrethimi e me ndjekun e mërgue patrijotët e njerzit e ndershëm…dhe mậ në fund, si ndër gjithë popujt tjerë të mbretnís, edhe ndër né deshën të trazohen me mënyrat mậ të rậndat në lirín e zgjedhjeve, qi ậsht nji ndër të drejtat t’ona mậ të shênjtat. Të gjitha këto i bậnë. Burgjet kumbuen nga gjậma e njerëzve të pafajshëm ndën dajakun e tyne. Intelektualët i bậnë reakcjonarë. I poshtnuen, u pështynë në fytyrë tue thậnë se kishin ngrậnë pare prej të huejsh. Kurse këta të mjerë kurrnji faj tjetër s’kishin veçse lypshin të drejtë, drejtín e lirín qi u kishte njohun e sigurue Kushtetija. Historija pa dyshim do t’i përmêndë nji ditë me mallkim ata njerëz qi i shtrënguen Shqiptarët me zgjedhun rrugën e kryengritjes tue shkaktue gjakderdhje ndërmjet vllazënve të nji besimi e të nji atdheu; ata Shqiptarë qi e kishin për nderë me lậnë kryet me mija me nji urdhën të mbretit të tyne, qi ishin të lidhun me khalifatin e me kunorën e mbretnís së tyne në mënyrën mậ të bindshme e të pazgidhshme. Po, për t’i mallkue ka historija ata njerëz. Veçse, para se me mbërrîmë n’atë pikë deshprimi sa me i a lậnë njerzit dhe punët vetëm gjykimit të drejtë të historís edhe me pritun me duer n’ijë, detyra e jonë ậsht me i ngjitun dorën atdheut t’onë të dashun qi ka mbërrîmë tashmậ shi në buzë të homnerës. Prandej tue e quejtun qi s’i ka hije fisnikís as nderës s’onë kombtare, qi s’pajtohet me trimnin dhe traditat t’ona historike, me të cilat na mburremi, të lậnët e të drejtavet e të shortevet t’ona kombtare me u shkelun e përbuzun padrejtisht prej disa të parodve qi nuk u njihet xhedi e rrậnja, të drejta, këto, të dhậna jo veç prej Kushtetís së Mbretnís por edhe prej vetë Natyrës e prej qytetnís së soçme; tue pamë se s’ậsht e mundun mậ me i durue grushtat e padamë e gjithë poshtnim të sjellun vetëm kundra kombsís e nderës s’onë; po i paraqesim Qeverís kërkesat t’ona të rendueme këtu posht, tue shpresue qi ksi shtegu përgjegja s’ka me qênë nji premtim i errët e i pasendërtuem; dhe qi të mos ndodhë edhe nji herë kështu na e quejmë për detyrë të shênjtë me marrë të tậna masat qi lyp rasa. E qe, tashti, kërkesat t’ona :

  1. Lirí të plotë për me u mësue e këndue gjuha shqipe, me themelue shkolla botore e private në Shqipní me këtë gjuhë e me të tậna të drejtat qi kanë shkollat e Shtetit.
  2. Të njihet kombsija shqiptare me të tậna të drejtat qi gzojnë kombet tjera të Mbretnís.
  3. Masa sigurimi për mos me ndodhun mậ mbas këndej në Shqipní asnji pun’e vepër antikushtetore as prej organevet qêndrore as prej arhivet lokale, mos me u dhunue fenat e praktikueme në vênd as doket e zakonet e vjetra, të gjitha këto të garantueme prej Statutit dhe të shugurueme prej përdorimit.
  4. Mos të pengohet lirija e popullit shqiptar në zgjedhjen e deputetënvet dhe numri i këtyne të jetë në përpjestim me popullin.
  5. Shqipnija të qeveriset mbas systemës shqêndralizatore.
  6. Valijt dhe krenët tjerë t’administratës të zgjidhen nga mậ të mirët e të zotnit qi ka Shteti e të parapëlqehen ata qi njohin nevojat e zakonet e vêndit. Nëpunsit tjerë t’administratës civile, të financavet, të gjyqevet të jenë shqiptarë e të pajuem me cilsít e nevojshme për ato nëpunsí; gjindarmërija dhe policija e të tậnë ata nëpunës qi kanë të bậjnë me zgjedhjet t’emnohen nga vêndsit mậ t’aftit.
  7. T’emnohet nji mbiqyrës i përgjithshëm për nji perjudhë disa vjeç si përfaqësues i Madhnís së tij Mbretit qi të kujdesohet për zbatimin e plotë të masave të reja të vêndosuna, të kontrollojë veprimin e valijvet e të nëpunësvet tjerë si edhe të ketë kujdes të rrậnjosunit e qetís e të pajtimit ndërmjet elementavet të ndryshëm qi banojnë në vilajetet.
  8. Gjuha shqipe të njihet si gjuhë zyrtare në Shqipní. Në mënyrë qi populli me arhit lokale edhe ndër gjyqe të ketë të drejtë të përdorë këtë gjuhë.
  9. Të gjithë Shqiptarët të detyrohen me shërbimin ushtarak, tue krye këtë shërbim ndër zona lokale kur gjinden në kohë paqe dhe ata qi banojnë gjatë kufinit me Shtetet balkanike t’a bậjnë ndër viset e veta, në mënyrë qi kufini të forcohet kso dore edhe mậ tepër. Ushtarët do të jenë të lirë me praktikue atë besim e fé qi të kenë, me mbajtun ato zakone qi u kanë lậnë të parët.
  10. Përveç t’ardhunave të postelegrafës, të pijevet qi me kohë kanë qênë damë e lanë për do shpenzime e pagesa të posaçme, të tậna t’ardhunat e Shqipnís të prishen për nevojat e vêndit tue u damun nji pjesë e tyne bashkë me taksat e rrugës me “pjesën arsimore” dhe me tre përqind taksë të shtueme të doganës për ndërtim udhësh, për nevoja tjera lokale e për shkolla botore të vêndit.
  11. Kshillat e përgjithme të vilajetevet të kenë të drejtë e kompetencë me vërtetue e kontrollue bugjetin e qarkut të vet si dhe shpenzimet e bậme.
  12. Të caktohen t’ardhunat qi mund të sigurojnë kapitalin e nevojshëm për ndërtimin e shtëpive të djeguna; të formohet nji komision i përziem dhe i pavarëm qi të kujdesohet për banimin e atyne qi u janë djegun shtëpit e për ndërtimin e shtëpivet të djeguna; armët e konfiskueme t’u kthehen të zotënve, tue u shtruem këta ndën rregulla të posaçme.

(Leka( IX, 5, 1937, f.202) e ka botue këtë dokument prej nji riviste tyrko-frëngjisht qi nxirshin në Paris disa Tyrq kundrështarë të Xhemijetit: “Mécheroutiette” “ Constitutionnel Ottoman” (sic), 4-e année, N.34 Septembre 1912-Paris. Por ai tekst ậsht vetëm pjesa introduktive e dokumentit t’onë, pa 12 pikat qi përbậjnë palcën e tij. Veç ksaj, as ajo pjesë nuk ậsht e plotë, ậsht nji përmbledhje besnike e origjinalit, por jo përkthimi i tij. Sa për 12 pikat, këto janë të kopjueme prej Librit të kuq të Malsorvet. Hiq pikat 1, 3, 4 të L.K.., tjerave as rendi s’u ậsht ndërrue. Pika e parë e L. K.. ậsht e treta në dokumentin e Jugës e pa asnji ndryshim posë formës së përkthimit; me sa këtu ậsht vûmë në krye pika e katërt e L. K.., qi u përket shkollavet, me mungesë të perjudhës së fundit për shkollat e kishtarís së krishtenë. Pika e tretë e L. K.. ậsht e katërta në kërkesat e Jugës, edhe kjo pa ndryshim. Prej pikave qi s’u ậsht ndërrue as vêndi janë krejt të njậjta 2, 7, 9, 11, e 12. Tjerat kanë ca ndryshime të vogla. Këto: dokumenti i Jugës tyrqisht pikën e pestë e ka të përmbledhun vetëm në systemën shqêndralizatore si parim, pa ato hollsí qi shohim ke L. K.. Ky i fundit ka nji harresë (omission) në përkthimin e fjalís së mbrapme të pikës 6, tue thanë “Xhandarët e agjentët e policies ashtu edhè nëpunësit tjerë të zgjidhen…” në vênd qi teksti tyrqisht në dokumentin e Jugës ka “….edhe nëpunsit tjerë qi kanë të bậjnë me zgjedhjen e deputetënve…” Qi gabimi ậsht në përkthimin e pikës së L. K. kuptohet prej faktit qi po ajo pikë edhe ke L. K. flet mậ parë për nëpunsit përgjithsisht e në fund vjen e flet në frazën e mbrapme për ata qi i përkasin nji rase të veçantë siç ậsht ajo e zgjedhjeve të deputetënvet. Kjo pikë kërkon qi ata nëpunës, qofshin gjindarmë, polica apo tjerë, të cilët në nji mënyrë apo në nji tjetër mund t’a influencojnë apo kanë në dorë t’a shtrêmbnojnë vullnetin e popullit në zgjedhjet, jo vetëm duhet të jenë shqiptarë, por edhe vêndas, siç e gjejmë këtu ke dokumenti i ynë. Në pikën 7 teksti i Jugës kërkon qi gjuha shqipe të njihet për gjuhë zyrtare në Shqipní e nuk bận fjalë aspak për gjuhë tyrqishte, kurse L. K. thotë “për krah me tyrqishten”. Këtu besoj se gjindemi përpara nji shkurtimi, por me shumë rậndsí, në dokumentin e Jugës. Në pikën 10 dokumenti i Jugës – flasim natyrisht, gjithnjí për kopjen qi kemi – e ka lậnë krejt përjashta perjudhën e fundit të L. K.. qi u përket pyjevet. Ndryshime tjera s’kemi gjetun ndërmjet dy dokumentavet. Dokumenti i Jugës sigurisht ậsht i hartuem prej Ismail – Kemalit, sikurse edhe Librin e Kuq të malsorvet po ai e ka pasë hartue së bashku me Luigj Gurakuqin.)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here