Konferenca për territorialen/ Titujt e pronësisë, jo më në hipoteka, Rama: Krijojmë rajonet, prefekturat si Franca e Napoleonit

0
116

Gëzim Saliu

Konferenca për territorialen edi ramaKryeministri paralajmëron masa për bizneset në rrugët kombëtare: Duhet qasje e re në planifikim

Reforma administrative-territoriale do të shoqërohet me ndryshime të tjera që parashikojnë krijimin e rajoneve si edhe një model të ri të funksionimit të prefekturave të vendit. Ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, që bëri të ditur dje këtë fakt duke folur në konferencën për reformën administrative, ku theksoi se është e domosdoshme një qasje e re e planifikimit të territorit. Por krahas këtyre ndryshimeve, Kryeministri bëri të ditur edhe rishikimin e titujve të pronësisë, të cilët, sipas tij, nuk do të merren më përsipër nga hipotekat. “Na duhet patjetër të shikojmë titujt e pronësisë. Jemi në kushtet kur një pjesë të madhe të tokës bujqësore e kemi pa tituj pronësie. E kemi mbushur me konflikte dhe askush nuk përgjigjet, në kuptimin që askush nuk jep dot zgjidhje. Hipotekat nuk e bëjnë dot këtë punë. Nuk është e mundur që me zyrat e hipotekave të zgjidhet problemi i titujve të pronësisë. Këtë përgjegjësi duhet patjetër ta ndajmë me bashkitë dhe t’u japim mundësi bashkive që të kenë pjesën e tyre të përgjegjësisë lidhur me kadastrat dhe të kenë pjesën e tyre të kompetencës lidhur me regjistrimin e titujve të pronësisë të tokës bujqësore”, – tha ai.

 

Rajonet dhe prefekturat

Sipas kreut të qeverisë, duhet ndryshim në politikëbërje sa u takon qarqeve, ku këto të fundit, theksoi Rama, janë thjesht “struktura absurde kushtetuese”. “Qarqet janë struktura absurde kushtetuese që duhet të qëndrojnë aty. Por na duhet të shkojmë me shpejtësi drejt një forme të re organizimi jo administrativ, por politikëbërjes. Na duhet të ndërtojmë disa rajone të menaxhimit publik, ku të garantojnë ndërveprim mes bashkive kufitare e qeverisë dhe investimet që lidhen me sipërfaqet që i kalojnë kufijtë e një bashkie dhe me mbështetjen e qeverisë të jenë të dakorduara në nivelin e një menaxhimi rajonal”, – theksoi ai. Po ashtu, Kryeministri shprehu kritika të forta edhe ndaj prefekturave, të cilat, sipas tij, më së paku duhen reformuar rrënjësisht. Edi Rama: “Kemi nevojë të rishikojmë prefekturat. Në Shqipëri janë institucione që në rastin më të mirë nuk duhet të jenë në rastin më të keq duhet të ndryshojnë tërësisht në formë e përmbajtje. Nuk jemi Franca e Napoleonit që të kemi patjetër prefektura, pavarësisht se kur i kemi bërë kemi qenë napoleonianë në qasje”, – tha Rama.

 

Qasja e re ndaj territorit

Ndërkaq, në konferencë, kreu i qeverisë bëri të ditur se do merren masa ndaj bizneseve dhe ndërtimeve anash rrugëve kombëtare duke theksuar se vendi do të orientohet drejt një qasje të re ndaj territorit. “Jemi shteti i vetëm në Evropë që në rrugët kombëtare kemi magazine e gjithfarëlloj ngrehinash nga të dyja anët çka i ka zhvleftësuar dhe një pjesë të madhe të rrugëve i bën të pacertifikueshme nga BE-ja për standardet. Na duhet qasje e re në planifikim dhe ndërveprim institucional”, – tha ai. Nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi në fjalën e tij se për herë të parë nuk ka fryrje të shpenzimeve të buxhetit të shtetit gjatë periudhës së fushatës elektorale, duke kujtuar se qeveria e tij vazhdon të paguajë dëmet e shkaktuara nga borxhi i marrë nga qeveria e kaluar. “Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, të cilët duhet ta themi ne sepse po s’e thamë askush s’ka për të na e njohur ne si arritje. Në kuadër të aplikimit të kësaj reforme qeveria do të marrë një fond prej 1.2 miliardë dollarë në 5 vitet e ardhshme”.

 

Ishte premtuar pas administratives/ Qeveria “harron” premtimin, decentralizimi miratohet në vjeshtë dhe nis zbatimin në 2016-ën

Premtimi i mazhorancës së majtë, sipas së cilës procesi i decentralizimit do të niste sapo të mbyllej reforma administrative, nuk është mbajtur. Kur kanë kaluar më shumë se një vit nga miratimi i reformës territoriale në parlament, ende nuk ka një ligj për decentralizimin e ndërsa ekzekutivi bëri të ditur dje se kjo gjë mund të ndodhë në vjeshtë. “Ligji i ri i decentralizimit do të miratohet sesionin e vjeshtës për të bërë të mundur zbatimin e paketës së parë të decentralizimit që do të nisë në 2016-ën”, – tha ministri për Pushtetin Vendor Bledi Çuçi. Më tej ministri theksoi se dikasteri që ai drejton ka hartuar edhe manualin e decentralizimit. “Kemi punuar në mënyrë që, që ditën e parë të punës kryetarët e administratave të bashkive të mos panikohen për shkak të befasive që mund t’u ofrojë situata e krijuar nga shkrirja e 373 bashkive në 61, por të jenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë me hapa konkretë, duke i asistuar deri në detaje. Ne po bëjmë vulat e bashkive të reja dhe bashkimet e buxheteve për t’ua vënë në dispozicion të tyre, që ta votojnë. Po bëjmë gati edhe templetet e vendimeve të mbledhjeve të para të këshillave, që ata duhet të marrin për t’i paraprirë procesit të ri”, – deklaron Çuçi, i cili shtoi se decentralizimi i plotë do të jetë gradual.

 

Në Fier/ Rama: PD kërkon budallenj në Shqipëri që t’i bindë se vota është për taksat më të ulëta në botë

Kryeministri Edi Rama u ndal dje në një takim elektoral në qytetin e Fierit nga ku e cilësoi fushatën e Partisë Demokratike si të trishtueshme. Sipas tij, PD po u tregon qytetarëve përralla nga e kaluara pasi theksoi ai, premtimet e saj nuk lidhen me zgjedhjet vendore. “Ju e shihni këtë fushatë në dy pamjet e veta. Njëra është e fushatës sonë ndërsa pamja tjetër është pamja e trishtueshme e fushatës së PD e cila këmbëngul të vazhdojë të tregojë një përrallë nga e kaluara që shqiptarët e ndëshkuan me 1 milion vota në 23 qershor në 2013 dhe ka dal në Shqipëri duke kërkuar budallenj që ti bind se në 21 qershor është vota për të pasur taksat më të ulëta në botë për ti marrë dritat thuajse qyl.”-u shpreh Rama. Më tej duke u u kërkuar qytetarëve fierakë të votojnë kandidatin e ASHE për Bashkinë e këtij qyteti, Rama tha se do të ketë më shumë projekte e investime në shërbim të tyre. “Nuk është në pyetje këtu në bashkinë e re të Fierit fitorja, por është e rëndësishme që besimi juaj të investohet masivisht me votë. PD ka llafet të enjtet nga foltorja e Kuvendet, ndërsa ne kemi punë çdo ditë për të ndarë me ju sfidat e transformimit që sapo ka filluar”, – tha Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here