Aksioni policor/ Mori ryshfet për të mbyllur një çështje, pranga gjyqtares e avokatit

0
123

 

Artan Cena

gjyqGjyqtarja Parashqevi Ademi është arrestuar bashkë me Gjovalin Ndokajn, në momentin që kanë marrë lekët nga i pandehuri me inicialet A. P. Denoncimi ishte bërë nga i dëmtuari

Një gjyqtare dhe një avokat në Lezhe janë vënë në pranga në flagrancë, ndërsa shkëmbenin ryshfet për një çështje gjyqësore. Gjyqtarja Parashqevi Ademi mësohet se është në pranga bashke me avokatin Gjovalin Ndokaj. Burime zyrtare nga policia thanë se Ademi dhe Ndokaj i kanë marrë një qytetari shumën prej 200 mijë lekësh për të mbyllur çështjen që ai kishte. Gjyqi kishte nisur pas një denoncimi për një shqetësim nëpërmjet telefonit. Pas hetimeve personi që shqetësonte qytetarin nga Lezha ishte marrë i pandehur. Nga policia bëhet me dije se gjyqtarja Parashqevi Ademi i ka kërkuar 200 mijë lekë që të mos jepte dënimin. Por i pandehuri ka denoncuar rastin duke e çuar në pranga gjyqtaren dhe avokatin.

 

Operacioni i policisë

Korrupsioni ka çuar ne pranga një gjyqtare dhe një avokat ne Kurbin. Policia ka arrestuar ne flagrance paraditen e kësaj të enjteje, gjyqtaren Parashqevi Ademi dhe avokatin Gjovalin Ndokaj. Policia ka bërë të ditur se në kuadër të procedimit penal Nr. 170 të vitit 2015, specialistët e sektorit për Korrupsionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Forcën e posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit bënë arrestimin në flagrancë të dy personave: Parashqevi Ademi, 55 vjeçe, banuese në Shëngjin-Lezhë, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë, e cila u arrestua për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe Gjovalin Ndokaj, 49 vjeç, banues në Lezhë, me profesion avokat pranë Dhomës së Avokatisë Lezhë, i cili u arrestua për veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtareve, prokuroreve dhe funksionareve të tjerë te drejtësisë” kryer në bashkëpunim. Arrestimi i këtyre dy personave është bërë si rezultat i hetimeve të kryera nga Sektori për Korrupsionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, ku ka rezultuar se: Gjovalin Ndokaj me detyrë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Lezhë u kap në flagrancë duke i marrë shtetasit me inicialet A. P. shumën prej 200.000 lekësh nga të cilat 150.000 lekë të reja i ka mbajtur për vete dhe 50.000 lekë të reja ja ka dhënë gjyqtares Parashqevi Ademi, me profesion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë. Gjatë kontrollit personal të ushtruar shtetasit Gjovalin Ndokaj, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia prej 150.000 lekësh të reja.

 

Çështja në KLD

Ky është rasti i dytë i arrestimit të togave të zeza në më pak se 10 ditë, ku më parë u prangos për korrupsion pasiv gjyqtari i Sarandës Rasim Doda i cili sipas akuzës kish kërkuar 80 mijë euro në këmbim të një vendimi civil. Pas arrestimit Ademi dhe Prendi janë nisur drejt Tiranës, ndërsa pritet që brenda 48 orëve Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mblidhet për të dhënë autorizimin e prokurorisë për të vazhduar procedimin penal për korrupsion ndaj gjyqtares. Ademi u prangos në kushtet e flagrancës në qytetin e Lezhës ku sipas policisë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 200 mijë lekët, ndërsa pritet që ajo të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën dhe masën e sigurisë ndaj saj ditën e shtunë.

 

Skandali i barnave, jep dorëheqjen drejtori i Fondit të Sigurimit, Astrit Beci

Skandali me ilaçet e rimbursueshme ka detyruar Drejtorin e Fondit të Kujdesit të Detyrueshme Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci të japë dorëheqjen e parevokueshme. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Fondit thuhet se vendimi vjen për t’i hapur rrugë hetimit. “Në emër të dinjitetit tim personal, në shprehje të përgjegjshmërisë më të lartë institucionale, me dëshirën për t’i hapur plotësisht rrugën çdo hetimi dhe me vullnetin për të ruajtur dhe forcuar emrin e mirë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor: “Deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Fondi, i bindur se krijoj kështu klimën më të mirë institucionale për mbarëvajtjen e reformës në shëndetësi dhe për luftën e domosdoshme kundër korrupsionit.” Heshtjen e tij prej kaq kohësh lidhur me vjedhjen shumë milionëshe në institucionin që drejtonte Beci e ka justifikuar me ruajtjen e sekretit të hetimit. Drejtori i Fondit thotë se ka zbatuar politikën e “zero tolerancës” ndaj korrupsionit, por nuk përmend në asnjë rresht zëvendësdrejtorin Skuara një ndër personat që në raportin antikorrupsionit përmendet si i përfshirë në këtë skandal. “Në lidhje me hetimin penal të kërkuar prej meje si Drejtor i Përgjithshëm për shpërdorimet dhe përfitimet e paligjshme nga skema e rimbursimit të disa subjekteve farmaceutike, i takon institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund politikës “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, që unë kam zbatuar në krye të Fondit. Për arsye të sekretit hetimor kam zgjedhur gjatë kësaj periudhe të mos flas publikisht. Me përfundimin e projekt-raportit auditit kam dërguar pranë Drejtorisë së Tiranës rekomandimet për masat organizative, disiplinore dhe administrative, të cilat mendoj që do të mundësojnë miradministrimin e kësaj drejtorie”. Për vjedhjen e mbi 500 milion lekëve nga fondet publike për ilaçet me rimbusim u arrestuan drejtori i degës së fondit në Tiranë, Pjerin Xhuvani njëkohësisht kryetari LSI-së Elbasan dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, tre punonjës të kësaj degë dhe pesë farmaciste.

 

Shkatërrohet rrjeti i prostitucionit në Cërrik, 4 në pranga

 Katër persona, mes tyre edhe një qytetar turk janë arrestuar në Elbasan për prostitucion. Policia në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata” ka zbuluar një rrjet prostitucioni që ushtronte prej më shumë se 6 muajsh aktivitetin në qytetin e Cërrikut. Burime të Policisë bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë katër persona, njëri prej të cilëve një shtetas turk që jetonte në Elbasan si rezident dhe i punësuar në një kompani turke. Mësohet se janë arrestuar në flagrancë 23- vjeçarja me iniciale S. J., me banim në Cërrik, e cila akuzohet për veprën penale të “prostitucionit”, M. Odabasi, 32 vjeç, banues në Aydin, Turqi, i cili akuzohet për veprën penale të “shfrytëzimit për prostitucion”. Këta të dy janë arrestuar në flagrancë në një dhomë hoteli në qytetin e Cërrikut. Në vijim të këtij operacioni vetëm pak minuta më vonë janë arrestuar edhe tutorët e 23-vjeçares, Ervis Meno, 23 vjeç, dhe Marsel Hima, 27 vjeç që të dy me banim në Cërrik. Ata akuzohen për veprën penale të “shfrytëzim prostitucionit”, si dhe “mbajtje të ambienteve për prostitucion”. Marsel Hima dhe Ervis Meno dyshohen si persona të cilët për një periudhë disamujore shfrytëzonin për prostitucion 23- vjeçaren me incialet S. J., dhe në momentin e arrestimit vetëm pak metra larg hotelit ku edhe u arrestua 23-vjeçarja me shtetasin turk. Policia i sekuestroi nën cilësinë e provës material një thikë, një mjet me të cilën transportonin 23-vjeçaren drejt hotelit në momentin që i gjenin klientë, si dhe tre telefona celularë. E pyetur në Polici nga ekspertë kundër trafiqeve, mësohet se 23- vjeçarja nuk e ka pranuar faktin se ushtronte prostitucion, por se ndodhej në këtë hotel me shtetasin turk pasi prej disa kohësh ishin lidhur bashkë, duke mohuar kështu se punonte si prostitutë. Policia vazhdon hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here