Në Kukës/ Sheshi i mitingut gjysmë i zbrazur, Rama: Votoni Hasanin për të shpëtuar PD-në, ngelën 30 veta

0

Gëzim Saliu

rama me hasanin dhe yllinMeta: Në 21 qershor votoni me qetësi dhe dashuri, ftoj deputetin Noka të bashkëpunojmë dhe t’i lëmë sherret në Parlament

Nga qyteti i Kukësit, ku në garën për zgjedhjet vendore në emër të së majtës kandidon kreu aktual i Bashkisë, Hasan Halilaj, i cili mandatin katër vite më parë e ka marrë nën siglën e PD-së, Kryeministri Rama tha dje se modeli i këtij të fundit është i duhuri për drejtimin e kësaj njësie. Në sheshin e gjysmë të zbrazur ku u zhvillua mitingu, kreu i qeverisë së bashku me Kryeparlamentarin Meta vlerësuan Halilajn, duke theksuar se largimi i tij nga PD erdhi sipas tyre për shkak se refuzoi “pazaret për ujin e pijshëm”. “Unë jam shumë krenar që në bashkëpunim me bashkinë e Kukësit dhe kryetarin që e kam njohur vonë por kam respekt të posaçëm, kemi arritur të adresojmë në kohë rekord problemet që ishin në sytë e të gjithëve problemin e ujit të pijshëm për të cilin u pataksa kur mora vesh pse Kukësi mbeti pa ujë. Hasan Halili zgjodhi Kukësin dhe braktisi PD”, – tha ai, megjithëse më parë në garat e kaluara për zgjedhjet vendore nuk kanë munguar akuzat e Kryeministrit aktuale dhe kreut të opozitës së asaj kohe ndaj kryebashkiakut aktual që kandidon tashmë nën siglën e LSI-së.

 

Takimi

Në takimin elektoral, Kryeministri premtoi se do të realizojë 3 kërkesat për këta banorë, kërkesa të cilat, sipas tij, janë bërë edhe në kohën e demokratëve. “3 gjëra ka kërkuar Kukësi dhe kryetari i Bashkisë suaj nga qeveria në Tiranë, ujin e pijshëm, zgjidhjen e problemit të patates në Shishtavec, një pikë prodhuese fantastike për zonën verilindore, ku kalben patatet mbi dhe po ashtu edhe rrugën që lidh atë pikë me tregun. Asnjëra nga ato nuk u bë. Rruga e Shishtavecit është drejt përfundimit, ne nuk kemi shkuar për të prerë shirita me daulle, do shkojmë shpjet për të lidhur pikën më intensive me tregun përmes një rruge të re, të standardeve europiane që ne e çuam në zgjidhje. Në vjeshtë do ta kemi gati”. Më tej ashtu si në çdo takim elektoral, Rama iu referua opozitës, ku tha se është në një zbrazje të vazhdueshme.“Zgjedhja e 21 qershorit është e qartë për njerëzit që shikojnë me sytë e tyre dhe jo me ato të SHQUP, që dëgjojnë me veshët e tyre dhe jo me ato të SHQUP, që është në zbrazje të pandalshme. PD ka mbetur me 30 vetë numërojnë njëri-tjetrin se çdo dy javë iu ikën ndonjë”, – u shpreh ai. Ndërkaq, duke u ndalur tek projektet konkrete për Kukësin, kreu i ekzekutivit theksoi se të dielën në sheshin qendror të qytetit do të ngrihet projekti që do ta kthejë hapësirën në kujtesë historike. “Do jenë bashkë Skënderbeu dhe kujtesa e atij momenti që e vuri Kukësin në qendër të historisë evropiane, që u bë dhoma e parë e mikpritjes së kosovarëve, që u shpërngulën nën thundrën e Millosheviçit. Ky do jetë sheshi i historisë dhe nxitje për ëndrrat e të rinjve dhe të rejave”, – deklaroi Rama. Ndërkaq Kreu i Kuvendit njëherësh kryetar i LSI-së Ilir Meta, deklaroi se mazhoranca do bëjë të pamundur që të “shfaroset” varfëria në qytetin e Kukësit. Nisur nga debatet e shumta me deputetin demokrat të Kukësi Flamur Noka, Meta e ftoi dje atë që të jetë pjesë e projekteve që do të jetësohen. “Ua kam thënë të rinjve nga Kukësi se do punojmë fortë që ky qytet mos të jetë vetëm vendlindja juaj, por e ardhmja juaj. Për të realizuar projektet do ftojmë dhe deputetin Flamur Noka, sepse do punojmë për të gjithë. Në 21 qershor votohet për Kukësin dhe jo për partinë e sherrin në parlament çdo të enjte”, – deklaroi Meta. Po ashtu kreu i LSI e cilësoi alternativën e opozitës si shpif e shaj, gjë e cila sipas tij nuk sjell as ujë të pijshëm për Kukësin. “Të votojmë për një Kukës që ecën më shpejt në Drejtimin e Duhur, që ofron punësim dhe shërbime. Ju ftoj të vazhdojmë fushatën në mënyrë të kulturuar dhe larg çdo tensionit të panevojshëm, që nuk është në traditën tuaj. Ndaj ju ftoj që të shkoni të votoni me Qetësi dhe Dashuri në 21 qershor”.

 

Për Shkodrën/ Rama: Bashkia më vonoi 3 javë çelësat e stadiumit. Reagimi: Shkresa erdhi 31 ditë me vonesë

Bashkia e Shkodrës reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama dy ditë më parë në këtë qytet, ku sipas së cilave ky institucion i drejtuar prej demokratëve vonoi me tri javë çelësat për derën e stadiumit ku nisën punimet për rikonstruksionin. “Më datë 1 prill, nëpërmjet mediave vihemi në dijeni për miratimin e lejes të rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”. Shkresa e Ministrisë së Zhvillimit Urban, që përcjell vendimin e datës 1 prill, është hartuar me datën 30 prill 2015 dhe ka mbërritur dorazi në bashkinë Shkodër, ditën e shtunë me datë 2 maj, një ditë përpara se Kryeministri të bënte me 3 maj “Shoun e radhës”, atë të inaugurimit të punimeve të rikonstruksionit së stadiumit”- theksoi Bashkia në reagimin e saj. Në takimin elektoral në Shkodër Rama tha se,: “E vetmja gjë që mbaj mend dhe kam frikë se do ta mbaj mend gjatë nga bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës është se na u desh tre javë për të marrë çelësin e stadiumit për të filluar punën. Imagjinojeni vetë nëse duhen tre javë vetëm për të dorëzuar një çelës, sa u duhen këtyre për të dorëzuar një projekt”.

 

Mbyll fushatën në njësinë 1 dhe 2/ Veliaj: Hipotekojmë 400 pallate, njerëzit s’janë budallenj, nuk i japin më PD-së edhe 4 vite

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Erion Veliaj, ka mbyllur mbrëmjen e djeshme fushatën elektorale për njësitë 1 dhe 2 të kryeqytetit, ku tha se Bashkia e re do të marrë përsipër hipotekimin e 400 pallateve në mënyrë që asnjë qytetarë të mos mbetet pa gëzuar shtëpinë e tij. “Ne do të shkojmë në drejtimin e duhur. Nuk kthehemi mbrapsht. Për ata qytetarë që kërkojnë të hipotekojnë shtëpitë e tyre, bashkia jonë e re do të marrë përsipër hipotekimin e 400 pallateve, që të sigurohemi që asnjë qytetar nuk mbetet pa pronë dhe asnjë qytetar të mos ngelet pa gëzuar pronën e tij. Miqtë e mi, këta thonë se pas katër vitesh mësuan se si mblidhen plehrat. Këta pretendojnë se pas katër vitesh mësuan si shtrohen rrugët. Këta mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe do t’u japin edhe 4 vite të tjera. Por, katër vite ishin mjaftueshëm. Ata mendojnë se njerëzit do t’i votojnë po të tregojnë barsaleta, nëse bëjnë gallatë, nëse tregojnë histori pa lidhje me nevojat e Tiranës”.

 

Në Palasë/ Goro: Transformim të sheshit dhe çdo rruge, shndërrojmë fshatin në qendër të turizmit elitar

Turi i takimeve elektorale të kandidatit të ASHE-së për Bashkinë Himarë, Gjergji Goro, vazhdoi dje në Palasë, ku u premtuar transformimi i çdo rruge dhe sheshi të këtij fshati. Furnizimi me ujë te pijshëm ne investimin me te ri qe është kryer ne Ujësjellësin e këtij fshati, ai me energji elektrike ku linja e re 220 KV kalon aq shume pranë Palases, ishin elementet që evidentoi Kandidati i koalicionit të majtë. “Palasa i ka te gjitha mundësitë për te qene qendër e zhvillimit te turizmit. Shtëpitë e Palasës kane qene gjithmonë shtëpi pritëse turistesh dhe ne do te përpiqemi me punën dhe modelin tone t’i rikthejmë ato ne një biznes te mirëfilltë zhvillimi ashtu siç ndodh ne Evrope. Me modelin e Kudhësit do te vazhdojmë shume shpejt ne dy qendra fshatrash te tjera, ku projektet janë gati midis tyre edhe Palasa. Investime këto qe do ta ndryshojnë Palasën rrënjësisht dhe do te sjellin zhvillim te pakrahasuar kurrë me pare”, – tha ai duke shtuar se,: do ta shndërrojnë këtë fshat ne qendrën me te madhe te turizmit elitar. Atë qe kërkojnë sot turistet nga mbare bota”.

 

 

Lini nje pergjigje