Ndryshimi/ Invalidët si do merret pagesa,  kriteret e reja

0
143

Rruga që duhet të ndiqet për të marrë pensionin. Procedura e re

Invalidët si do merret pagesaKëshilli i Ministrave ka miratuar dje rregullat e reja për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar.  “Këshilli i Ministrave vendosi: Ngritjen e komisioneve eprore mjekësore të caktimit të aftësisë për punë (më poshtë Komisioni Epror), si struktura kolegjiale mjekësore dhe ligjore, të cilat funksionojnë për shqyrtimin e ankesave të personave të interesuar lidhur me vendimet e marra nga komisionet e nivelit të parë për vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe të aftësive për punë, në zbatim të dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Për shqyrtimin në afat të ankesave, të ngrihen 10 komisione eprore, nga të cilat 6 komisione ushtrojnë aktivitetin dhe funksionin e tyre pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe 4 komisione ushtrojnë aktivitetin dhe funksionin e tyre pranë Shërbimit Social Shtetëror. Anëtari i Komisionit Epror, pas zgjedhjes në detyrë dhe përpara fillimit të ushtrimit të detyrës, betohet në një ceremoni publike, të organizuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë. Anëtarët e komisioneve eprore, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në komision, nuk mund të jenë pjesë e vendimmarrjes së drejtimit të të sëmurëve, invalidëve dhe personave me aftësi të kufizuara në KMCAP-të e të dyja niveleve’ , -thuhet në vendimin e qeverisë.

 

KMCAP

Kryetari i KMCAP-së Epror ka për detyrë të organizojë dhe të drejtojë mbledhjen e këtij komisioni, krahas detyrave dhe përgjegjësive të tjera të ngjashme me ato të anëtarëve të KMCAP-së Epror, të cilët: Nuk angazhohen në detyrat e përditshme të ushtrimit të profesionit të tyre, si dhe punojnë me kohë të plotë gjatë ditëve që janë të mbledhur në Komision, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore/Shërbimit Social Shtetëror. Mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e konfidencialitetit mbi të dhënat personale të ankimuesve, për të cilat ata kanë marrë dijeni gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, mbi procesin e vlerësimit paraprak dhe të marrjes së vendimit, si dhe për votën pro ose kundër gjatë marrjes së vendimit për përcaktimin e aftësisë për punë/aftësisë së kufizuar. Shpërblehen sipas parashikimeve të vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”.

 

Anëtarët

Anëtarët e komisioneve eprore ushtrojnë funksionet e tyre për: -shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të të sëmurëve, invalidëve apo personave me aftësi të kufizuara, që ankimojnë vendimet e KMCAP-ve të nivelit të parë

– studimin dhe vlerësimin para dhe gjatë zhvillimit të seancës të relacionit të hartuar nga relatori, mjek i ekspertizës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore/Shërbimit Social Shtetëror, duke shqyrtuar dokumentacionin mjekësor dhe ligjor të dosjes, duke kryer vizita të drejtpërdrejta të ankimuesit dhe, në raste të caktuara, edhe duke kërkuar ekzaminime të specializuara, përveç atyre të përmendura në dosje

– caktimin e aftësisë për punë dhe të shkallës së invaliditetit, në bazë të gjendjes shëndetësore të ankuesit dhe të kritereve mjekësore, të përcaktuara e të miratuara për nivelin e aftësisë për punë apo të aftësive shëndetësore të kufizuara, dhe marrjen e vendimit

– kryerjen e studimeve mbi gjendjen dhe ecurinë e invaliditetit/aftësisë së kufizuar, drejtimet dhe zgjidhjet për përmirësimin e treguesve.

 

Aplikimi

Procedura e ankimit kryhet, si më poshtë vijon:

Ankimi në Komisionin Epror bëhet me shkrim, sipas formularit tip dhe dorëzohet pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore/agjencive rajonale të sigurimeve shoqërore/drejtorive rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore/Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dërgon në Institutin e Sigurimeve Shoqërore/Shërbimin Social Shtetëror dosjen e të sëmurit, të invalidit ose personit me aftësi të kufizuar, së bashku me një relacion të hollësishëm, ku argumentohet vendimi i marrë nga KMCAP-ja e nivelit të parë. Administrata e Institutit të Sigurimeve Shoqërore/Shërbimit Social Shtetëror njofton anëtarët e KMCAP-së Epror dhe ankimuesit, 7 ditë përpara zhvillimit të seancës së Komisionit Epror. Mjeku i ekspertizës mjekësore/punonjësi social pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore/Shërbimit Social Shtetëror, në rolin e relatorit, studion dokumentacionin e dosjes, procedurat e zbatuara në KMCAP-në e nivelit të parë, dokumentacionin e vlerësuar nga ky Komision, pretendimet e parashtruara nga ankimuesi dhe përgatit një relacion, ku, ndër të tjera, shprehet edhe për referencën e gjendjes shëndetësore të ankimuesit, sipas kritereve mjekësore orientuese për përcaktimin e aftësisë për punë/aftësisë së kufizuar.

 

Seanca

Seanca mujore e mbledhjes së Komisionit zhvillohet, si më poshtë vijon: Vetëm në rastet kur janë mbledhur jo më pak se 20 dosje ankimuesish. Në çdo rast, komisionimi i ankimuesve duhet të bëhet brenda 2 muajve nga data e paraqitjes së dokumenteve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore/Shërbimin Social Shtetëror. Zhvillohet edhe me 4 anëtarë, por, në asnjë rast, nuk mund të zhvillohet në mungesë të kryetarit. Kur ka barazi në votim, në përfundim vendos vota e kryetarit. Në rast se provohet mungesa me arsye e më shumë se një anëtari, atëherë njoftohet për pjesëmarrje në mbledhje zëvendësuesi respektiv, i përcaktuar për çdo Komision Epror. Kriteret dhe procedura e miratimit të anëtarëve zëvendësues është e njëjtë me kriteret dhe procedurën e anëtarëve të miratuar. Zhvillohet në ditën e caktuar nga Komisioni Epror i cili tërhiqet për të marrë vendim, pa praninë e personit. Vendimet e Komisionit Epror merren me shumicë të thjeshtë votash. Anëtarët e Komisionit kanë të drejtë të argumentojnë votën e tyre pro ose kundër. Në vendimin e Komisionit Epror përcaktohen:

– diagnoza me kodin përkatës të sëmundjes

– shkalla e humbjes së aftësisë për punë/aftësisë së kufizuar

– shkaku i invaliditetit, si: sëmundje e përgjithshme, aksident në punë ose sëmundje profesionale

– koha e fillimit të invaliditetit/aftësisë së kufizuar

– periudha e përfitimit dhe afati i rikontrollit

-kushtet dhe karakteri i punës që duhet të kryejë invalidi/personi me aftësi të kufizuara

– masat që duhen marrë për riaftësimin e plotë fizik, si dhe drejtimet për riaftësimin profesional të invalidit/personit me aftësi të kufizuara.

 

Vendimi i Komisionit Epror arkivohet në dosjen përkatëse dhe i njoftohet me shkrim edhe ankimuesit, brenda një afati 8-ditor. Nëse ankimuesit nuk paraqiten për komisionim 2 herë radhazi dhe refuzojnë të kryejnë ekzaminimet e kërkuara apo mjekimin e rekomanduar, Komisioni Epror merr vendim “pa invaliditet/pa aftësi të kufizuar”, dhe dosja i kthehet Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore/Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Në këtë rast dosja konsiderohet e mbyllur  dhe  për  rihapjen e saj  do të ndiqet  procedura  si  për  rastet  që  paraqiten për komisionim për herë të parë. Komisioni Epror nuk mund të marrë në rishqyrtim rastet për të cilat ai është shprehur një herë, në rastet kur ankimuesi ka të njëjtën gjendje shëndetësore apo aftësi të kufizuar.

 

 Rritet me 2.000 L trajtimi financiar i  familjarëve të Dëshmorëve të Kombit

Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin nr. 151, datë 25.04.2002 të Këshillit të Ministrave “Për statusin “Dëshmor i Atdheut”, të ndryshuar, që përcakton procedurën që duhet ndjekur për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe trajtimin financiar për familjarët e dëshmorëve. Ky ndryshim konsiston në rregullimin e masës së trajtimit financiar për familjarët e dëshmorëve të atdheut, numrin e të trajtuarve, si dhe përmirësimin dhe lehtësimin e procedurës për përfitimin e këtij statusi. Më konkretisht, Qeveria vendosi rritjen e trajtimit financiar mujor të familjarëve të dëshmorëve të atdheut nga 5.000 (pesë mijë) lekë në 7.000 (shtatë mijë) lekë, bazuar në kërkesat e vazhdueshme që kanë ardhur në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes nga familjarët dhe nga organizatat e ndryshme të Dëshmorëve të Atdheut. Nga ky vendim përfitojnë 359 familjarë të dëshmorëve, me një shumë prej 30.156.000 lekësh. Këshilli i Ministrave bëri gjithashtu rregullime për përbërjen e Komisionit Qendror për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe në përmirësimin e rregullave për mbledhjen dhe funksionimin e tij, ku është shtuar detyrimi i Komisionit Qendror që përveç emrit të familjarit që përfiton trajtimin financiar të dërgojë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore edhe një kopje origjinale të vendimit të marrë për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here