Hysaj dhe Lenjani/ Kuqezinjtë, të motivuar para sfidës

0
101

 

Kuqezinjtë, të motivuar para sfidësDy nga shtyllat kryesore të kombëtares gjatë këtyre eliminatoreve janë shprehur se i gjithë grupi i lojtarëve po jep më të mirën për të pasur një përfaqësim sa më të mirë në sfidën ndaj “gjelave”

Teksa miqësorja ndaj Francës afrohet edhe emocionet për sfidën në “Elbasan Arena” bëhen më të forta. Jo për faktin se luhen pikë apo fati i evropianit, por sepse luhet ndaj një skuadre të madhe. Gianni De Biasi kishte lajmëruar që sfida me Francën nuk duhet konsideruar si një miqësore, por një përballje e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Nuk ka se si të mendojnë ndryshe futbollistët të cilët përveç impenjimit në seancat stërvitore e tregojnë edhe në konferencat për shtyp. Elseid Hysaj dhe Ermir Lenjani përcjellin mesazhin e tyre për një sfidë që është po aq e rëndësishme sa ato të të gjithë edicionit. Ndeshje e rëndësishme dhe do të hyjmë në fushë sikur të jetë një sfidë kualifikuese” ka thënë Hysaj. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Lenjani që premton spektakël. “Luajmë për të dhënë maksimumin me kombëtaren dhe këtë do e shohim në fushë”. Mungesat në këtë sfidë miqësore janë të shumta, dhe shihen si një problem për kuqezinjtë. Mbrojtësi i Empolit, Elseid Hysaj qetëson të gjithë me sigurinë e treguar në fjalët e tij. “Nuk përbëjnë problem mungesat. Kushdo që luan do të tentojë të bindë trajnerin për forcën e tij”. Për Lenjanin kjo është një përballje e veçantë duke qenë se sfida e luajtur në Rene më 14 Nëntor të vitit të kaluar i dha mundësinë që të luante më pas për skuadrën e këtij qyteti. Pavarësisht oscilacioneve në këto 6 muaj, 26-vjecari thekson se nuk ka asgjë për të treguar. “Motivim i madh në këtë ndeshje por unë nuk kam asgjë për të treguar sepse ata i dinë vlerat e mia”. Numri 3 i Kombëtares Shqiptare tregon dhe për pritshmëritë që vijnë nga Franca për këtë duel si dhe tregon bisedën me shokun e tij të ekipit tek Renë, Paul – Georges Ntep, i cili është i grumbulluar nga trajneri Didier Deschamp. “Kam folur me Ntep dhe ata janë të interesuar për këtë ndeshje. I kam thënë që aty është një atmosferë që do ju habisë”. Sezoni i mirë i zhvilluar me Empolin ka bërë që Elseid Hysaj të përfundojë në listën e dëshirave për skuadrat më të mëdha të Italisë. Juventus, Inter, Milan, Lazio dhe së fundmi Napoli janë emrat e shfaqura në media të interesuara për shërbimet e shkodranit. Vetë 21-vjeçari shpjegon situatën në merkato duke zbuluar ndoshta se ku mund të jetë e ardhmja e tij “Jam i kënaqur të dëgjoj për emrat e mëdhenj që interesohen për mua, por s’ka asgjë konkrete. Napoli më ka kërkuar edhe vjet dhe tani që mori Sarrin si trajner besoj se do më kërkojë sërish. Unë do kisha kënaqësi të punoja sërish me të”.

 

Franca e mobilizuar, nuk pranohet disfata

Franca vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen me Shqipërinë në qendrën e saj stërvitore në Clairefontaine. Pas ditës së parë, trajneri Didier Deschamps rriti ngarkesën fizike për futbollistët gjatë ditës së dytë ndërsa i kushtoi vëmendje dhe ushtrimeve taktike dhe atyre me top duke zhvilluar madje dhe një ndeshje të shkurtër kontrolli me lojtarët që kishte në dispozicion. Maxime Gonalons pritet të jetë një prej lojtarëve që do të luajnë titullar ndaj Shqipërisë. Mesfushori i Lionit i pyetur për sfidën e së shtunës në “Elbasan Arena” theksoi se Franca do të bëjë maksimumin për të fituar dhe për të bërë një lojë të mirë, pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Belgjikës: “Me Belgjikën nuk luajtëm mirë dhe tashmë ndaj Shqipërisë duhet të tregojmë të gjithë forcën tonë për të përmirësuar dhe imazhin e krijuar pas humbjes së “Saint Denis”. Trajneri kërkon që skuadra të reagojë dhe besojmë se do t’i përgjigjemi thirrjes së tij”. Për Gonalons, që deri tani ka luajtur vetëm 6 ndeshje me Kombëtaren Franceze është një kënaqësi që të luajë për Gjelat në ndeshjen me Shqipërinë. “Për mua është një nder që jam grumbulluar nga Deschamps. Besimin që më ka dhënë trajneri do të përpiqem ta përligj maksimalisht. Nuk është e lehtë të gjesh hapësira në këtë kombëtare ndaj sa herë që krijohet mundësia duhet të japësh maksimumin për skuadrën”. Deschamps do të ketë të gatshëm për ndeshjen me Shqipërinë dhe Pogba e Evra, që nuk ishin në ndeshjen me Belgjikën për shkak të finales se Champions. Franca do të udhëtojë drejt Tiranës këtë të enjte dhe do të zhvillohet dy seanca stërvitore, të enjten në orën 18:00 dhe të premten në orën 17:30.

 

De Biasi merr pasaportën

Trajneri i përfaqësuesit tonë, Gianni De Biasi, dy ditë para ndeshjes miqësore me Francën është pajisur me pasaportë shqiptare. Trajneri i kuqezinjve ka marrë sot në duar pasaportën shqiptare. Këtë e ka publikuar ne profilin e tij Facebook, italiani shkruan “Sot më kanë dorëzuar pasaportën shqiptare”.

 

Fejzullahu dhe Taku, dy risitë e kuqezinjve

Në fakt në grupin e lojtarëve të përfshirë nga tekniku kuqezi bënin pjesë shumë element të rikthyer si Sadiku, Lilaj apo Arapi, por që gjithsesi më shumë tërhoqën vëmendjen dy debutuesit. Taku ka zhvilluar një sezon të mirë me ngjyrat e Tiranës, megjithëse skuadra në fund nuk i arriti objektivat, kurse Fejzullahu rezultoi një nga pedinat kryesore të ish-trajnerit të Partizanit Shpëtim Duro. Por cilët janë dy prurjet e reja të ekipit tonë kombëtar, një rrugëtim i ndryshëm, i cili i dërgoi tek shqiponja dy krenare. Afrim Taku është lindur dhe rritur me fanellën e Tiranës, ka kaluar në të gjitha sistemet zinxhir të këtij klubi për të debutuar më pas me skuadrën e parë në vitin 2008, por që vlerat e para i tregoi gjatë sezonit 2010-2011 kur në stolin e bardhebluve ishte spanjolli Julian Rubio. 25 vjeçari është konsideruar gjithnjë si një lojtar me jo pak aftësi, megjithëse nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e përfaqësueseve të moshave. Ai deri më tani ka zhvilluar 111 takime me skuadrën e Tiranës duke shënuar 4 gola. Një nga cilësitë kryesore që Taku posedon është aftësia për t’u përshtatur në role të ndryshme, ku mbulon me sukses si pjesën e mesfushës, por po ashtu edhe atë të mbrojtësit të djathtë. Nuk kishte shpërblim më të mirë për sezonin e zhvilluar nga numri 26 i Tiranës se sa ftesa e Gianni de Biasit. Ndërkohë që Arbnor Fejzullahu po ashtu si Taku ka bërë diferencën për skuadrën e tij dhe gjithashtu është përshtatur në shumë role tek të kuqtë, në ndryshim nga kolegu i tij, Fejzullahu nuk është rritur tek Partizani. 22 vjeçari i lindur në Luginën e Preshëvës hapat e para si futbollist i ka hedhur tek klubi kosovar i Tërmoçit. Debutimin si profesionist e kreu pikërisht tek klubi ku u rrit si futbollist e më pas në vitin 2011 u largua nga Kosova për t’iu ashkuar Besës së Kavajës, ndërkohë që njëkohësisht vendosi të përfaqësonte Shqipërinë në kombëtaret e moshave, megjithëse ftesa e Serbisë nuk mungojë. Ai zhvilloi 3 vite të shkëlqyera me fanellën e Besës duke qenë një nga lojtarët kryesor të skuadrës dhe ishte i pranishëm në fushë në 70 raste. Aventura me kavajasit u ndërpre kur trokiti Partizani në fillim të sezonit që sapo lamë pas, duke përfituar aftësitë e Fejzullahut. Me demat 22 vjeçari ka zhvilluar 33 ndeshje duke qenë shpesh herë vendimtar me lojën e tij dhe e ka merituar plotësisht një vend në skuadrën tonë përfaqësuese.

 

Atalanta vihet pas Lilës

Paraqitjet e mira të Andi Lilës siç duket janë vlerësuar dhe tani Atalanta është klubi që ka shfaqur interesim për të. Në sezonin që lamë pas, ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Parmës. Aftësitë e tij në mbrojtje, por edhe angazhimi i tij i madh në fazën sulmuese që i solli dy gola, kanë bindur përfundimisht Atalantan që ta transferojë shqiptarin, njofton koha.net. Sipas ekspertit të merkatos, Gianluca Di Marzio, Lila pritet që së shpejti të arrijë në Bergamo për të zyrtarizuar kalimin te Atalanta.

 

 

Riberi: Dëmtimi në nyje, katastrofë

Superylli i Bayern Munich-ut, Franck Ribery, ka thënë se lëndimi i nyjës së këmbës ka qenë një katastrofë e vërtetë për të. Francezi ka qëndruar jashtë fushave të gjelbra që nga marsi, për shkak të një problemi të vazhdueshëm me nyjën e këmbës, mirëpo është duke u përpjekur që të rikthehet në stërvitje me 1 korrik. “Ky lëndim ka qenë një katastrofë. Faktikisht unë kam gjithçka që dikush mund të ëndërrojë në jetë, por unë nuk jam i lirë. Gjithmonë mendoj për këmbën time”, – ka thënë fillimisht Ribery. “Unë dua të vrapoj, dua të punoj dhe dua të luaj, duhet të ushtroj që të jem i lumtur. Duhet të jem i gatshëm dhe 100% i rikuperuar me 1 korrik. A do të ndodhë kjo apo jo, unë nuk e di. Por, do të provoj gjithçka”, – thënë bavarezi.

 

West Ham nënshkruan me Obiang

Skuadra e West Hamit e ka kompletuar transferimin e mesfushorit të Sampdorias, Pedro Obiang. Mesfushori shtatlartë është përforcimi i parë i trajnerit të ri të skuadrës, Slaven Bilic, dhe Goal raporton se ky transferimi i ka kushtuar klubit rreth 6.9 milionë euro. Obiang bëri 36 paraqitje në të gjitha garat për Sampdorian në edicionin e kaluar duke shënuar tre gola dhe tani ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me skuadrën angleze. “Jam shumë i lumtur me transferimin. Kemi qenë në negociata për një kohë të gjatë dhe më në fund më erdhi rasti që të vijë këtu”, – ka deklaruar Obiang.

 

Dybala: Nuk i shoh shifrat

Përforcimi ri i Juventusit, Paulo Dybala, ka thënë se ai nuk është duke menduar për çmimin e tij prej 40 milionë eurove. Argjentinasi i talentuar është transferuar te Juventusi për 32 milionë euro, mirëpo kjo shumë mund të rritet edhe për tetë milionë tjera prej bonuseve, që e bëjnë atë përforcimin më të shtrenjtë të klubit prej ardhjes së Gianluigi Buffonit në vitin 2001. “Nuk po mendoj për këtë”, – ka thënë Dybala fillimisht, duke iu referuar çmimit të tij. “Dua ta shijoj këtë moment sa të jetë e mundur. Ishte ëndërr e imja që të bëhem i suksesshëm në Evropë dhe këtë e kam arritur. Është e qartë se ky është vetëm fillimi. Unë dua të përmirësohem shumë dhe ta tregoj vlerën time”, – ka shtuar argjentinasi.

 

Anderson nuk e braktis Lazion

Mesfushori brazilian, Felipe Anderson, ka deklaruar se nuk do të largohet nga Lazio këtë verë. m22-vjeçari ishte një ndër yjet e Lazios edicionin e kaluar duke shënuar 10 gola dhe duke asistuar shtatë tjerë, teksa tërhoqi interesimin e Manchester Unitedit dhe PSG-së. Sidoqoftë, ai nuk dëshiron të largohet nga klubi. “Sezoni ardhshëm? Krejt çfarë di është se do të jem duke luajtur për Lazion”, – ka thënë fillimisht Anderson. “Së fundmi e kam rinovuar kontratën edhe për pesë vite tjera. Unë mendoj vetëm për këtë fanellë dhe asgjë tjetër. Nuk di për oferta, e ardhmja ime është te Lazio”, – ka shtuar ai.

 

Marchisio: Finalja, mësim i mirë

Fantazisti Marchisio është shprehur se arritja në finale të Ligës së Kampionëve duhet t’i shërbejë Juventusit si një pikë starti në skenën evropiane. Bardhezinjtë pësuan me rezultat 3-1 nga Barcelona, mirëpo vet kualifikimi në finale është një arritje e madhe për ta, pasi që shumëkush priste eliminimin që në çerekfinale. “Në finale luajnë vetëm dy skuadra, kur arrin në çerekfinale tashmë përballesh me skuadra të vështira, nuk është lehtë. Për Realin është konsideruar si sezon i dështuar, por ata arritën në gjysmëfinale. Për ne kjo duhet të jetë pika nismëtare. Tashmë Juventusi duhet të qëndrojë në gjashtë apo tetë skuadrat më të mira në Evropë çdo vit. Finalja është e vështirë për t’u arritur, madje edhe për Barcelonën”, – ka thënë mesfushori.

 

Alvesh: Messi më bindi të qëndroj

Dani Alvesh ka thënë se Lionel Messi ishte njeriu që luajti rol kryesor për vendimin e brazilianit të qëndronte te Barcelona. Ishte pritur që mbrojtësi të largohej nga “Camp Nou” si lojtar i lirë këtë verë, pasi i skadonte kontrata, mirëpo në momentet e fundit ai vendosi që ta zgjasë qëndrimin te katalanasit. Ai ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare me opsionin për ta vazhduar edhe për një sezon të tretë. “Messi më tha: Dani, qëndro, ku do të ndihesh më mirë se këtu? Shumë kohë më parë kemi biseduar se sa mirë po kalojmë te ky klub. Kishim gjëra të mrekullueshme në këtë qytet, mot fantastik dhe të gjitha këto kanë ndikuar në vendimet tona”, – ka thënë Alves.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here