Hajde i dashur çoma shpirtin atje lart

0
167

Rita Petro

11412278_10153357433170768_2668578483422199556_nA u besojmë ne impulseve dhe reaksioneve të brendshme kimike që mbizotërojnë në jetën tonë? A e lëmë jetën tonë në momente të caktuara të udhëhiqet prej tyre? Ishte pranverë kur poetja Rita Petro nisi të shkruante librin “Vrima”, që nuk është as prozë, as poemë, as poezi… duke perceptuar kërkimin se qeniet e lira janë të destinuara të rrezikojnë për të arritur deri te lumturia. Një pjesë e këtyre vargjeve janë shndërruar dhe në një balet-teatër, të cilat i sjellim të shkëputura më poshtë

 

SIRENA

Unë kam lindur sirenë

Shumë kohë më parë

E dashuruar me Princin e Detit

Që ditën kur hapa sytë…

Ai ka një bisht marramendës

Me luspa verbuese

Të argjendta e të florinjta

Kurora e tij është gdhendur

Me guaska

Zbukuruar me korale e perla

E hipnotizuar prej tij

S’mbaj mend sa gjatë

Ashtu jetova

Deri atë mëngjes

Kur u zgjova me vegimin tënd

Që në një jetë tjetër

Dikur e kisha parë…

 

 

Mbi shkëmb të detit qëndroje

Ti aq çuditërisht i bukur

Me lëkurën e bardhë

E të lëmuar

Mes krahëve të hapura

Një shigjetë

Në harkun e tendosur

Mes këmbëve të hapura

Një zambak

Mrekullisht i çelur,

Asnjë bimë e lartë uji

Nuk krahasohej me të

Për nga hijeshia

Gati sa nuk u çmenda

Nga dhimbja e mesit

Kur bishti

M’u nda në dy pjesë

Që u shndërruan në këmbë

E mes këmbëve

Një lule gojëhapur mbiu.

Shigjetari im i bukur

Më godite ende

Pa lëshuar harkun…

 

Tani këmbët më çojnë vetë te ti

E ditë pas dite

Çmendurohemi nga dashuria

Unë një sirenë

Me një këmbë në shkëmb

E një këmbë në det

Ti një shigjetar

Aq i bukur e bujar

Që në heshtje më le

Me Princin e detit

Ndonjë natë të fle…

 

Vëllai im i bukur

Aq shumë më dhemb

Pse i dënuar je

Të mbetesh në breg…

 

LULE “MË PREK” ËSHTË KJO E IMJA

Hajde këtu

I dashuri im

Preki me gishtërinjtë e tu të butë

Petalet ngjyrë rozë të lules sime

Unë nuk e kam LULE MOS MË PREK

Sapo i ndiejnë majat e gishtërinjve

Petalet që rrinë të mbyllura gjatë natës,

Nisin e hapen.

E kur ti afron flegrat e hundës

Ato çlirojnë

Një aromë të mrekullueshme

Brendësie

E kur ti do ta shijosh me majën e gjuhës

Petalet e hapura

Të ftojnë të hysh në zemër

Të LULES sime.

 

NË FERR

Vëllai im

Afrohu këtu te kjo vrimë

Dhe shiko sipër

Ja ja ku duken yjet

Një dy tre katër pesë gjashtë shtatë tetë nëntë

Dhjetë…….njëmijë……..njëmilion…….njëmiliard………infinit

Infinit pa një…

Pse?

Se një yll po bie poshtë

Ja e shikon

Thuaj shpejt një dëshirë

 

Kur të lind prap

Dua të jem Sirenë

 

Po ti vëllai im?

Dua të jem Shigjetar

Ha ha ha

Mos u tall

Thuaj shpejt një dëshirë tjetër!

Kërko të lindësh Princ i Detit

***

MALLKIMI I PARË

Zoti im, ATI im

Cili është ai mashkull

Aq i bukur

Që po vjen te unë

Sytë shigjeta-tinëzare

Drejt në zemër

M’i ka ngulur?

Kur më prek

Me duart aq të buta

Lëkurën ma puçrron…

Pse kur më puth në qafë

Drithëroj e tëra

Njomem atje poshtë?

Buzët më hapen

E kërkojnë buzët e tij

Gjuha e tij e lëngësht

Gjuhën time do?

E kur kaq butësisht

Më përqafon

Ndiej në bark

Të ngjeshur

Mikun e tij të fortë!

 

Qepe gojën, boll

Mjaft me këto dokrra

Ai është vëllai yt

E kjo që mendon

Është blasfemi!

Në ferr do të digjesh

Nëse shkon me të

Kurrë më për gratë

S’do kem mëshirë

E në jetë të jetëve

Do të vuajnë

Mallkimin tim!

 

Në djall vafsh ti, o Atë

Bashkë me vullnetin tënd!

Vëllai im

Unë dua të kryej incest me ty!

 

PARAJSA

E lirëëëëëë

E lirëëëë

E lirë

Për t’u futur në një zotërim tjetër

Në ato toka që i ka punuar dikush tjetër

Ja ku janë

Paska burime me ujë të kulluar

Zogj që këndojnë në kor

Ylbere që kryqëzohen me njëri-tjetrin

Lëndina mbushur bar e lule

Oh ja ku qenka parajsa tokësore

Pse më gënjyen për parajsën qiellore?

Ja ku qenka

Përtej atij gardhi me tela

me tela me gjemba

ZONË E NDALUAR

ZONA E DASHURISË

 

Dhe…?

Çfarë bëre pastaj? E kapërceve gardhin?

Ç’pyetje koti! Edhe tela me korrent po të ishin, do ta kapërceja…

I lejoj gjembat të më ngulen në trup

Më shijon ajo dhimbje

Dhe gjaku që bulçet prej tyre

Tashmë jam në ZONËN E NDALUAR TË DASHURISË

 

 

U NGRITËN NGA GJUMI PËRBINDËSHAT

U ngritën nga gjumi

Dy përbindëshat

Që jetojnë

Në kurmin tonë.

Ky dimër kish zgjatur

Më shumë se tre muaj

Mbase dhe tre shekuj

Kush e mban mend!

I shpërthyen

Zgavrat

Brenda trupave tanë

Një mëngjes

Teksa nuhatën

Aromat ndjellëse

Të natyrës

Çmendur në pllenim…

 

Të unët për ushqim,

Të unët për ndërzim

Hungërinë

E iu sulën njëri-tjetrit

Xixa

Sytë iu shkreptinë

U kapërthyen e u rrotulluan

Mbi barin e njomë

I shtypën

Lulet e milingonat

Aty pranë

U lëpinë

Derisa pështyma iu tha

U gërvishtën me thonj

Pa u shqyer

E pa nxjerrë asnjë pikë gjak

Grahën e grahën

Sa mundën

Ulëritën

Deri në ekstazë…

 

Dhe ashtu të nginjur

U rikthyen

Brenda trupave tanë.

 

NDRICIM FLAKE

Gjoja pa dashje

Hodhe një fije shkrepëseje të ndezur

Brenda në trupin tim

E tani ajo ka përpirë gjithçka

Si në një pyll me drurë të thatë…

E ndiej flakën

Që fillon e spërdridhet

Në thellësi të errësirës

Ku mitra e tulatur

Nis e zgjohet nga drita…

Nxehtësia e flaka

Më bubulojnë në sy

Buzët fryhen e çahen

Prej bymimit

Po digjem e tëra

Në një zjarr ferri

 

Kështu thua paska qenë

Mallkimi i Zotit

Të shkrihem në ekstazë

Nga dëshirimi për ty

Që ende s’je IMI…?!

 

***

Si mund të flesh në këtë natë magjike?!

Përtej xhamit të dritares

Janë çmendur yjet

Xixëllojnë e fërfëllijnë

Në të mijtën e sekondës

U çmend nata prej tyre

U çmenda dhe unë

Në shtratin përballë dritares

Yjet e saj zgjuan yjet që flinin

Në errësirën e shpirtit tim

I ndiej gjithandej nëpër trup

Më djegin më shpojnë

Nuk gjej qetësi

Veç rrotullohen

Shtriqem

Fërkohem

Në çarçafin e mëndafshtë

Për pak freski…

 

Zgjohu

Vëllai im

I dashuri im

Hapi e shndërroji sytë e tu

Në xixëllima

Ani pse mund të dukesh si vampir

I dashuroj vampirët

Mënyrën e tyre

Se si t’i futin dhëmbët në qafë

E gjaku bulçon prej saj

Mbase është një ëndërr budallaqe

Kjo e imja

Por është e vërtetë

 

E vërtetë si lakuriqi i natës që më avitet pranë

E bukur si nata e bardhë

E frikshme si gjaku mbi çarçaf

Madhështore si qielli mbi ne…

 

Vëllai im

Fiki të gjithë abazhurët

Hapi perdet e rënda e futi në unaza

Që hëna e yjet të hyjnë brenda

Vëre gjilpërën mbi pllakë

E lëre muzikën të fillojë…

 

Shëëëëëët!

Jimmy po këndon:

 

Come on baby light my fire…

 

Hajde i dashur

Çoma shpirtin atje lart

Në barkun e qiellit

Ku Ati ynë ka derdhur spermën e tij

Për të lindur bijtë- yje

Planetet-bija

E shikon ku ka ngrirë lëngu i tij i bardhë

Dhe ka krijuar

Rrugën e Qumështit?

Atje dua të jem

Botën tonë të vockël

Rrumbullake e budallaqe ta shoh nga lart

Unë dhe ti jemi bij të Zotit

Na lejohet të bëjmë çdo gjë

Madje dhe të urinojmë mbi të.

 

Të dashurosh apo jo?

Kjo është çështja…

Të durosh ditët që zvarriten në këmbët e tua

Apo të kapësh yllin që bie fluturimthi?

E di më i sigurt je shumëkëmbësh mbi tokë

I lumtur je tek hap krahët e fluturon

Ndonëse një vrimë e zezë

Ka hapur gojën

Aty poshtë…

 

Sa për veten time

E di

Jam i atij soji

Që kurrë nuk heq dorë

Që dhe në errësirën më të thellë

E gjej një yll

E në qoftë i shuar

Me frymën time e ndez

Dhe kur ai dobët xixëllon

E mbaj atë flakë gjallë

Brenda në gojë.

 

BETEJA

Vëllai im

I dashuri im

Ne jemi në një luftë

Për jetë a vdekje

Në një betejë ku ka

Fitimtarë

Dhe asnjë humbës

Unë shpinën vras

Kur më shtrin përdhe

E përleshesh mbi mua

Ti gjunjët gjakos

Se do të hysh thellë

Shumë thellë

Brenda meje

Aty është një botë krejt tjetër

Aq bujare për mikun tënd

Që ndihet në faj

Për fortësinë e tij

Jo… Jo vëllai im

S’ka vend për tërheqje…

 

E ndihej në thellësi

Se si lëviz shpata jote

Kur ti bie hero

Në sheshin e luftës

Shtrihesh mbi mua

Gjatë e gjerë

E mezi merr frymë

Luftëtari im

Heroi im

I bukuri im

Oh shpatë e artë e vëllait tim

Nën ty po vdes

Dhe unë në të njëjtin çast

Si Gjergj Elez Alia

Dhe motra e tij

 

Ndërsa nën shpinën time

Rrënjë lëshon

Një lis e një bli.

 

E DORËZOJ TRUPIN TIM…

Ia dorëzoj trupin tim erërave

Që fryjnë e futen mes poreve

E përmes vrimave

Ku janë e s’janë

I përshkojnë ato tejpërtej

Me fishkëllimën e tyre drithëruese

Ia dorëzoj trupin tim ujërave

Të lumenjve e oqeaneve blu

I lejoj ato të rrjedhin e gurgullojnë

Lugjeve… kodrinave

Duke shkumëzuar

Tek futen thellë në guvë

Ia dorëzoj trupin tim

Fushave e lëndinave

Dhe i lejoj lulet e majat e barërave

Ta përkëdhelin e gicilojnë

Mbi e nën lëkurë…

 

Dhe në fund fare

Ta dorëzoj trupin tim

Ty

Bëj ç’të duash me të

Perversi im i vogël

Me penis të madh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here