Nga Sarajeva/ Papa Francesku: Kurrë më luftë!

0
149

Alba Kepi

Kurrë më luftë!Në mëngjesin e së shtunës, pas një ore e gjysmë udhëtim, avioni papal A 320 i Alitalia-s mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës. Ka nisur kështu vizita e shumëpritur e Papa Francescos në Bosnjë-Hercegovinë. “Kam ardhur si një pelegrin i paqes dhe i dialogut, 18 vjet pas vizitës historike të Papa Gjon Palit II, kryer as dy vjet nga firma e Traktatit të Dejtonit”, – u shpreh kreu i Selisë së Shenjtë në takimin me autoritetet e larta boshnjake. “Jam i nderuar të shoh progreset e kryera, për të cilat duhet falënderuar Zoti e vullneti i mirë i mjaft personave. Por është e rëndësishme të mos kënaqemi me aq sa është realizuar deri më sot, por të kërkohet të kryhen hapa të nevojshëm për të forcuar besimin e për të rritur mirënjohjen e stimën e ndërsjellë”.

 

Në fjalën e tij Papa Francesco ka nënvizuar faktin se Bosnja-Hercegovina është pjesë integruese e Evropës, sukseset e këtij vendi, dramat e tij, meritojnë plotësisht të jenë pjesë e historisë së sukseseve të dramave evropiane, e janë në të njëjtën kohë një paralajmërim për të kryer çdo përpjekje që proceset e nisura të paqes të behën gjithnjë e më të forta e të pakthyeshme. “Në procesin e paqes, u shpreh Papa Francesco, është e rëndësishme afrimi e bashkëpunimi me komunitetet ndërkombëtare, e në veçanti me Bashkimin Evropian. Në këtë proces kemi të gjithë nevojë të kundërshtojmë suksesshëm përpjekjet e kujtdo që gjen tek çdo diferencë, rastin e pretekstin për një dhunë gjithnjë e më brutale. Por njëkohësisht të gjithë duhet të njohim vlerat themelore të komunitetit njerëzor”. Siç e ka bërë tashmë zakon gjatë udhëtimeve, në bashkëbisedimin me gazetarët që e shoqërojnë në bordin e avionin, Papa Francesco u shpreh se e kryen këtë udhëtim në emër të paqes e të bashkëjetesës mes boshnjakëve e të gjitha etnive të pranishme në këtë vend. “Sarajeva, – theksoi ai, – konsiderohet si Jeruzalemi i Perëndimit, është një qytet me kultura etnike shumë të ndryshme, është një qytet që ka vuajtur shumë historikisht, e që ndodhet në një rrugëtim të mirë paqeje”. Ndërsa kapërcente kufirin italian, sipas protokollit zyrtar Papa Francesco i nisi Presidentit të Republikës Italiane Sergo Mattarella, përshëndetjet miqësore për një progres të mirëfilltë shpirtëror, social e civil. Vizita në Bosnjë- Hercegovinë është udhëtimi i tetë ndërkombëtar i Papa Francescos, e vizita e tretë e një Papa në këtë vend, pas Papa Gjon Palit II më 1997, dy vjet pas përfundimit të një lufte që shkaktoi mbi 100 mijë të vdekur e më 2003 në ceremoninë e hyjnizimin të Ivan Merz. Axhenda e qëndrimit të Papa Francescos në Sarajevë përfshiu gjatë evente të rëndësishme si takimi me autoritetet e larta të vendit, mesha e paqes në stadiumin Koshevo, dreka me gjashtë peshkopët e Arqipeshkisë Apostolike të vendit, takimin me klerin katolik boshnjak në katedralen “Zemra e Shenjtë”, bombarduar gjatë luftë, takimi ekumenik e ndërfetar me Qendrën Studentore Ndërkombëtare Françeskane, dhe takimi me të rinj e të reja në Qendrën Shën Gjon II, e cila është në ndërtim e sipër.

 

“Kurrë më luftë”

“Kurrë më luftë!” Kjo qe thirrja e lëshuar nga Papa Francesco, gjatë meshës, në stadiumin Koshevo të Sarajevës. “Luftë, – tha ia, – nënkupton fëmijë, gra e të moshuar në kampe refugjatësh, nënkupton izolim i sforcuar, shtëpi, rrugë, fabrika të shkatërruar, nënkupton mbi të gjitha shumë jetë të ndërprera. E këtë gjë ju boshnjakë e dini mirë, ka qenë eksperiencë e jetës tuaj, sa vuajtje, sa shkatërrim, sa dhimbje!” Një këmbanë 320 kilëshe ka mbërritur enkas për këtë event në stadiumin e Koshevës, me stemën e Papa Francescos e simbolin e Shoqërisë së Jezusit. Mesha e Papa Francescos në stadiumin e Sarajevës u krye në të njëjti vend ku më 12 prill të 1997 Papa Gjon Pali II prononcoi fjalët: “Kurrë më luftë, kurrë më intolerancë e urrejtje. Instinkti i hakmarrjes duhet t’i lë vend forcë çliruese të faljes, që i jep fund nacionalizmit e kontradiktave etnike”. E me këto fjalë e nisi fjalimin e tij po në këtë stadium Papa Francesco, e dënoi cilindo që spekulon me diversitetin e kulturave e etnive, nxit luftën vetëm për të shitur armë. “Të ndërtosh paqe, u shpreh Papa Francesco, është një punë artizanale, kërkon pasion, eksperiencë, durim e këmbëngulje. Është një punë që duhet kryer ditë pas dite, hap pas hapi pa u lodhur kurrë. Lum kush mbjell paqe me aktivitetin e tyre të përditshëm, me sjellje e gjeste shërbime, vëllazërie, dialogu e mëshire”. Po si ndërtohet paqja? “Përgjigjen e gjen tek fjalët e profetit të Isakut, theksoi Papa Francesco, paqja është drejtësi. E ndërtimi i paqes varet vetëm nga ju!” Të pranishëm në këtë meshë dhe ish luftëtarë e invalid të luftës në Bosnjë-Hercegovinë 1992-1997, të cilëve Papa Francesco i kujtoi se sot jetojmë një lloj Lufte të tretë Botërore, e copëzuar, të cilën e nxisin dhe e krijojnë qëllimisht, për përfitime ekonomike.

 

Presidenti boshnjak Ivanic: Shpresojmë të jemi sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian

Në fjalimin e tij përshëndetës e mirëseardhës ndaj vizitës së Papa Francescos në Bosnjë-Hercegovinë, Malladin Ivanic, anëtari mysliman e kryetari i radhës i Presidencës tripartiake të këtij vendi shprehu rëndësinë mediatike globale të kësaj vizite, por që kësaj here ndryshe ssa më parë mbart me vete një mesazh mjaft pozitiv. “Shenjtëri, – u shpreh ai, – presim mbështetjen tuaj të sinqertë e të plotë në rrugecjen tonë evropiane. Shpresojmë që dyert e Bashkimit Evropian të hapen për të gjitha vendet e Evropës juglindore, me reformat e domosdoshme në fushën e integrimit ne dëshirojmë të bëhemi anëtarë me të drejta e detyrime të plota”. Më 21 prill 2015, Këshilli i Evropës ka adoptuar vendimin relativ ndaj përfundimit të paktit të asocim-stabilizimit për Bosnje-Hercegovinën. Ky pakt ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2015 e parashikon një zonë të lirë shkëmbimi ekonomik mes vendeve të Bashkimit Evropian e këtij vendi, individualizon objektiva politik e ekonomik për një bashkëpunim rajonal, si dhe krijon bazën për aktivizimin e procesit të adezimit. Ky vendim synon të stimuloj pozitivisht reformat social ekonomike, në fushën e së drejtës, e në sektorë të tjerë, të domosdoshme për integrimin evropian të këtij vendi.

 

Shtatorja e Nënë Terezës në Sarajevë

Më datën 4 qershor, dy ditë para vizitës së Papa Francescos në Sarajevë, në sheshin e lagjes “Marin Dvor” të këtij qyteti, para katedrales së Shën Jozefit u përurua shtatorja e të lumes shqiptare, Nënë Tereza. Ideja e realizmit të këtij projekti është punë e ish ambasadorit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë e aktualisht këshilltar i Presidentit të Shqipërisë për çështjet e Ballkanit, z. Flamur Gashi. Kjo skulpturë është vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnika, që më artin e tij ka mundur të përcjellë me figurën e Nënë Terezës, mesazhin universal të paqes mes kombësive, popujve e feve. Të pranishëm në këtë ceremoni qenë personalitete të larta të klerit katolik të Sarajevës. Sipas kardinalit boshnjak Vinko Puljic, “shtatorja e Nënë Terezës është mishërimi domethënës i dorës së shtrirë vëllazërore në shenjë dashurie e shërbimi ndaj personave në nevojë. Ajo na mëson e tregon forcën e respektit e dashurisë për njëri-tjetrin, si vlera që nuk duhen humbur kurrë”. Kardinali Vinko Puljic është në krye të Kishës së Sarajevës qysh prej 25 vitesh. Për Radio Vatikanin ndaj vizitës së Papa Francescos në qytetin e tij ai u shpreh se “Sarajeva është e harruar nga të gjithë. Mjaftoi lajmi i vizitës së Pap Francescos për ta kujtuar. Sarajeva ime e harruar prej kohësh do ta rigjej shpresën”.

 

Historia e Kishës Katolike në Bosnjë-Hercegovinë

Kisha Katolike në territorin e Sarajevës e të Bosnjë-Hercegovinës i ka rrënjët në periudhën postapostolike. Misionarët e parë erdhën nga qytetet e afërta të Dalmacisë e të Panonisë. Dëshmi për këtë janë gjetjet arkeologjike si kisha, bazilika e varreza, në Duvno, Mostar, Bihaç, Moshunj, Zenica, Mogorjelo, Klobuk, Cim, Potoci, si edhe në Sarajevë e rrethina.

 

Shën Cirili e Metodi

Emigracioni i gotëve, hunëve dhe sllavëve shkaktoi shkatërrime të mëdha në qytetet e vendet e e krishtera të kultit. Pas ngulimit të sllavëve dhe të kroatëve – këta të fundit vinin nga jugu – fillon një proces i ngadaltë kristianizimi, që zgjati disa shekuj. Misionarët vinin nga qytetet romake e kroate (jug) dhe nga Panonia (veri). Dishepujt e shenjtorëve Ciril e Metod patën një rol vendimtar në ungjillëzimin e atyre trojeve, duke përdorur gjuhën sllave në liturgji. Në atë periudhë (shekulli IX) datojnë gjetjet e kishës në stilin pre-romanik, kushtuar shën Shtjefnit në Vrutci, afër burimit të lumit Bosna.

 

Mesjeta

Kisha lokale, që nuk kishte kontakte të mjaftueshme me qendrat e afërta të krishtera, zhvillon me kohë disa karakteristika tipike të vetat. Këto ndryshime, me rëndësi më tepër politike se sa fetare, shkaktojnë dyshime në hierarkinë fetare e politike: nuk vonon akuza për herezi e vijojnë proceset e fushatat ushtarake, që përfundojnë me ndarjen e Kishës vendase në Kishë Latine dhe në Kishë të Boshnjakëve të krishterë (Bosnanski krstjani), nën udhëheqjen e një ipeshkvi, që quhej “djed”. Ky dualitet fetar është fatal për të ardhmen e Kishës në vend. “Kisha Boshnjake” lidhet me lëvizjet heterodokse të përhapura në Evropë dhe mbahet pranë nga mbretërit e Bosnjës për kontributin që pati dhënë në arritjen e pavarësisë kombëtare, ndërsa “Kisha Latine” merr gjithnjë e më tepër pamjen e një Kishë perëndimore të reformuar. Pas presioneve të “të krishterëve boshnjakë” e pas shkatërrimeve të tartarëve (1242), ipeshkvi latin e lë Bosnjën për t’u vendosur në Djakovo të Sllavonisë. Mbërritja e etërve domenikanë, pasuar nga françeskanët (1291) e mbushin këtë boshllëk në shërbimin baritor. Puna e dishepujve të Varfanjakut të Asizit është e çmuar, pasi arrijnë të fitojnë besimin e qeveritarëve e të mbledhin rreth vetes besimtarët katolikë, duke i kthyer shumë prej “të krishterëve boshnjakë” në katolicizëm. Në shekullin XV, Kisha lokale zhvillohet aq shumë, sa bëhet i nevojshëm themelimi i një dioqeze të re në Visoko, për t’iu përgjigjur kërkesave të besimtarëve katolikë. Por, ky lulëzim në Kishën Katolike ndërpritet për shkak të sulmeve e pastaj, të pushtimit otoman, në vitin 1463.

 

Pushtimi otoman

Fitorja otomane lë shenja, që shihen edhe sot, në indin fetar, etnik, politik e shoqëror të vendit. Pavarësisht nga koncesioni i autoriteteve otomane, që i mbronte pjesërisht françeskanët dhe bashkësinë katolike, që u ishte besuar atyre (Edikti Perandorak i Sulltanit Muhamet II), kjo njohje nuk u garanton të krishterëve as sigurinë, as të drejta të barabarta me të tjerët. Fillon kështu, emigracioni në masë nga Bosnja drejt Kroacisë, Austrisë dhe Hungarisë, ndërsa besimtarët e tjerë kthehen në myslimanë. Otomanët i popullojnë zonat e braktisura me ngulime ortodokse, duke hedhur kështu bazat e strukturës demografike të Bosnjës së sotme. Në Vrhbosna, seli e ipeshkvit, ndërtohej një saraj e qyteti zhvillohet përreth selisë së re të pushtetit, duke marrë emrin “Sarajevë”. Në fund të shekullit XV, mbi rrënojat e katedrales së shën Pjetrit ndërtohet një teqe e qyteti islamizohet me plan nga qeveritari i atëhershëm Gazi Husrev Bej (1521-1541). Në vitin 1600, ipeshkvi Baliçeviç, gjatë një vizite baritore, gjen në Sarajevë 200 familje katolike, një famullitar dhe një kishë famullitare, kushtuar shën Marisë Virgjër. Në vitin 1656, mbi kishën bie zjarri e digjet; rindërtohet më vonë, por numri i familjeve katolike zvogëlohet më tej e në vitin 1672, qyteti ka 100 besimtarë. Ipeshkvi i Bosnjës, që akoma e kishte selinë në Gjakovo (Osijek), nuk mund të hyjë më në vend, atëherë, Selia e Shënjtë, në vitin 1735, emëron një Vikar apostolik. Duhet pritur viti 1768, që meshtarët të lejohen të qëndrojnë sërish në qytet. Françeskanët ndërtojnë një kapelë e numri i katolikëve fillon të rritet. Në vitin 1850, Sarajeva deklarohet kryeqytet i Bosnjës e ipeshkvi transferohet në vitin 1879.

 

Administrimi austriak (1878-1918)

Me fundin e pushtetit otoman në Bosnjë, Austria ngarkohet nga Kongresi i Kombeve Evropiane i Vjenës të merret me vendin. Duke qenë Austria vend katolik, kjo periudhë i jep mundësinë Kishës lokale të organizojë strukturat. Papa Leoni XIII publikon, më 5 korrik 1881, bulën “Ex hac Augusta”, duke krijuar kështu provincën e re kishtare të Bosnjë-Hercegovinës, me kryedioqezën e Vrhbosna/Sarajevës, seli e kryeipeshkvit, dhe me dioqezat sufragane të Banja Lukës e të Mostarit. Vijon një periudhë veprimtarie intensive e Kisha pajiset me struktura kishtare dhe edukative, duke u angazhuar për emancipimin e fshatarëve, viktima shekullore të sistemit bujqësor feudal.

 

Periudha ndërmjet dy konflikteve botërore (1918-1941)

Lufta I Botërore i jep fund administrimit austriak dhe rajoni kalon si pjesë përbërëse e kombit të ri të “Sllavëve të Jugut”, me emrin Mbretëria e Jugosllavisë. Pavarësisht se pakicë e lënë mënjanë, bashkësia katolike e Bosnjë-Hercegovinës ka shumë veprimtari në fushën e edukimit (shtyp katolik, shkolla, shoqata dhe institute).

 

Pas Luftës II Botërore

Sistemi i ri shoqëror në fuqi sjell ndarjen e qartë ndërmjet shtetit dhe Kishës. Kësaj së fundit i kërkohet të heqë dorë nga impenjimi i saj shoqëror: shkollat, institutet edukative dhe bamirëse i dorëzohen shtetit. Në vitin 1966, nënshkruhet një Protokoll Diplomatik ndërmjet qeverisë së Jugosllavisë dhe Selisë së Shenjtë, i cili, përveç marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, mundëson edhe lidhje më elastike ndërmjet kryeipeshkvit Çekada dhe autoriteteve lokale. Kjo bën të rihapet seminari teologjik në vitin 1969 e, më pas, një shkollë teologjie në vitin 1975.

 

Konflikti (1991-1995)

Bosnjë-Hercegovina në përgjithësi, e Sarajeva në veçanti, kanë paguar një çmim shumë të lartë. Në kryeqytet, besimtarët katolikë kaluan nga 530.000 në 125.000 vetë; 3 etër françeskanë u vranë, të shumta qenë dëmet materiale. Në përgjithësi, humbjet e Kishës Katolike në Bosnjë-Hercegovinë mund të përmblidhen si vijon: 99 kisha të shkatërruara, 127 të tjera të dëmtuara; 6 manastire e kuvende të shkatërruara, 21 të dëmtuara; 23 qendra famullitare të shkatërruara, 60 të dëmtuara. Numri i katolikëve të detyruar të braktisin shtëpitë vlerësohet në 450.000 vetë; një murgeshë e 9 meshtarë janë vrarë. Ndër çastet më domethënëse të rindërtimit moral e kulturor të kryeqytetit boshnjak, rihapja, me Akt solemn Akademik, i Institutit Teologjik të Seminarit françeskan në Nedjarici, një nga zonat e Sarajevës, më të shkatërruara nga lufta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here