T’i përgjigjesh tmerrit të fëmijës me terror kolektiv

1
116

Nga Ndriçim Mehmeti

Nga Ndriçim Mehmeti Lajmi i mësuesit plak të Divjakës, i cili ngacmonte seksualisht nxënësen e tij, ktheu për pak kohë vëmendjen e medias dhe opinionit të gjerë te problemi i harruar i arsimit. Për pak kohë mendova se më së fundi, dikush do të dalë t’i kërkojë një falje publike familjes së vajzës. Dikush do të ishte në Divjakë, duke trokitur tek dera e vajzës. Po nuk ndodhi kështu. Patëm një deklaratë mjerane të njëfarë drejtori që e njihte mësuesin për burrin më të mirë të shkollës e një deklaratë të MAS.

 

Cili ishte në të vërtetë thelbi i deklaratës së MAS?

Deklarimi i fajit kolektiv mbi mësuesit e një shkolle dhe drejtuesve, duke “harruar” se ne jemi një shoqëri që udhëhiqet nga gabime, faje, krime, krenari, nder, dinjitet dhe përgjegjësi personale. MAS deklaroi: “Toleranca jonë do të jetë zero, në mënyrë që të shkulim me rrënjë fenomene të tilla kriminale, duke shpërbërë edhe stafin pedagogjik që ka mbyllur sytë dhe ka lejuar ngjarje të tilla”. Në një deklaratë me katër reshta, MAS largon veten e saj nga përgjegjësia, ia hedh atë tërësisht shkollës dhe tregon plot mburrje masat që do të marrë. Cilat janë ato? Nuk e teproj kur them se ngjasojnë me parullat e diktaturave të tilla, si: “Terrorit të bardhë do t’i përgjigjemi me terrorin e kuq”, ose “Terrorit komunist do t’i përgjigjemi me atë nazist”. Ç’do të bënte mësuesja-ministre, po t’i ndodhte një ngjarje e tillë në kohën që drejtonte një gjimnaz? Do të pranonte që të shkrihej gjithë stafi pedagogjik? Pa dyshim që jo. Ministrja Nikolla është nxituar të bëjë rolin e të fortit, duke shkelur parimet profesionale, duke nëpërkëmbur dinjitetin e mësuesve të shkollës. Është në të drejtën e ministres Nikolla që meqenëse i ka zgjedhur dhe do t’i zgjedhë vetë drejtuesit e shkollës, t’i pushojë dhe t’i emërojë ata sa herë e sheh të nevojshme. Por është tërësisht abuzive, e njëjtë me masat në periudhën më të errët të diktuarës, të fajësosh kolektivisht një staf mësuesish për një ngjarje të kolegut të tyre. Sipas deklaratës, lihet të kuptohet se “kolektivi nuk ka bërë sa duhet për ta edukuar Demir Hoxhën”. “Kolektivi i mësuesve e madje edhe pastruesit duhet të bënin ç’është e mundur ta edukonin mësuesin në gjirin e tyre dhe të mos lejonin të tilla veprime të mësuesit”. Mund të shkohet edhe më tej, që drejtori dhe nëndrejtori të dënohen “për mungesë vigjilence”. Po mirë këta se janë drejtues, po mësuesi i klasës së 9-të, ç’lidhje ka me veprimin e kolegut të tij?

A është e zonja MAS, që përmes mekanizmave që i vë në dispozicion ligji, të provojë se veprimet e mësuesi Hoxha kishin miratimin në heshtje të stafit mësimor për veprimet e tij? Pa dyshim që jo. Tani çështja është në dorë të prokurorisë dhe policisë, kështu që MAS, sado që të ngrejë një komision investigimi, nuk do të bëjë gjë tjetër vetëm se do t’i mbivendoset me punën e saj një organi tjetër që ka detyrimin ligjor për t’u marrë me këtë punë. Pastaj MAS nuk është se është kujtuar të marrë masa të tilla, në ngjarje të të njëjtit lloj e në mos më të rënda. Një nxënëse u qëllua në kokë nga një nxënës në Vlorë. MAS nuk e shpërndau stafin mësimor të asaj shkolle, ndonëse nxënësi kishte javë që vinte me kobure në brez në shkollë. MAS deklaroi se do të ofronte shërbim pisko-social për nxënësen e abuzuar dhe për nxënësit e tjerë të shkollës. Natyrisht që kjo duhet bërë, por jo me fushatë, jo kur kujtohemi nga një ngjarje që ndodh aty-këtu, por të kemi një shërbim të përhershëm, efikas dhe profesionist për gjithë arsimin parauniversitar.

 

A duhet nxjerrë mësim MAS dhe shkollat nga kjo ngjarje, apo t’ia le fajin vetëm stafit të shkollës në Divjakë?

Natyrisht që po. Si fillim duhet mbajtur premtimi i dhënë prej gati dy vjetësh për forcimin e shërbimit psiko-social për të parandaluar fenomene të tilla, të cilat, janë të përhapura edhe në vende të tjera. Duke marrë si shembull përvojën e tyre, MAS, drejtoritë arsimore rajonale, zyrat arsimore, shkollat, mësuesit, prindërit, që të gjithë duhen të bashkërendojnë punën për tu bërë barrierë e fenomeneve të tilla. Përpara se të ngrejë një grup investigimi, çka më duket një term policesk, sesa i fushës së arsimit, MAS mund të bëjë një gjë shumë të thjeshtë: T’i kërkoj Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, që në përputhje me nenin 44, 45, 46, 47 dhe 48 të Dispozitave Normative të Arsimit Parauniversitar, të verifikojë nëse: A ka pasur dijeni rreth ngjarjes në Divjakë drejtuesi i Njësisë së Shërbimit Psiko-Social në ZA Lushnjë? A ka pasur ky i fundit raportim me shkrim ose verbal nga punonjësit e tij, për raste të abuzimit të nxënësve prej mësuesve përfshi edhe rastin në fjalë? Por përpara se të bëj këtë, ISHA, duket t’i kërkoj znj. Nikolla, nëse në zbatim të Nenit 44 DN, ministri i arsimit ka përmbushur detyrën e tij, duke miratuar: Manualin e Shërbimit Psiko-Social; Udhëzuesin e Inspektimit dhe të Vetëvlerësimit të Shërbimit Psiko-Social; Kriteret e kualifikimit të psikologëve/punonjësve socialë. Më pas mund të shtrijë punën në ZA Lushnjë. Por duket se diçka nuk shkon, përderisa MAS, hidhet në një sulm mbi mësuesit dhe stafin e shkollës, duke terrorizuar të gjithë masën e mësuesve në të gjithë vendin. MAS nuk duhet të bëj deklarata bombastike por të rishoh edhe njëherë sa efektiv është shërbimi psiko-social dhe sa i përgjigjet ai nevojave të shkollës. Si mundet të përmirësohet ky shërbim, në funksion të fenomeneve të bulizmit, pedofilisë, marrëdhënieve seksuale mësues-nxënës, nxënës-nxënës, abuzimet që kryhen nga prindërit mbi fëmijët e tyre etj.

Kjo nuk kërkon ndonjë strategji të madhe, por thjesht zbatim të normativa dhe akteve nënligjore, të cilat tashmë janë të miratuara.

Natyrisht që i gjithë opinioni politik, pozitë dhe opozitë së bashku, duhet të ulen, për të mundësuar fonde më të mëdha për arsimin, pasi është e pamundur që një psikolog të jetë efektiv për 1900-2300 nxënës. Parlamenti, qeveria, MAS, dhe shoqëria, duhet të mbështesin mësuesit në krijimin e profilit të prindit të dytë, dhe jo t’i vendos përballë një faji kolektiv dhe dënimi kolektiv gjithashtu. Çfarë mesazhi përcjell MAS, duke shpërbërë të gjithë stafin e një shkolle? Jep shembullin më të keq sesi mësuesja-ministre, trajton kolegët e saj, duke i futur në një kallëp e për më tepër duke i bërë bashkëpunëtor në një krim, pa i lënë mundësinë atyre të provojnë të kundërtën. Përse MAS, nuk na thotë se cilat qenë reformat që ka ndërmarrë ky institucion, për përmirësimin e shërbimit psiko-social? Përse nuk na shpjegon pse ky shërbim është thuajse i paralizuar dhe pse ministrja Nikolla, ka punësuar një këshilltare të posaçme pikërisht për këtë shërbim?

Por Ministria e Arsimit, nuk e ka fare seriozisht çështjen e shërbimit psiko-social. Ajo më shumë merakoset, për punësimin e militantëve të partive qeverisëse në shkollë. Me një gur MAS vrau dy zogj: I dha dërrmën mësuesve të shkollës “Hysen Malko” dhe njëkohësisht, i “dha një grusht të fuqishëm” fenomeneve kriminale sipas saj. Nikolla pret që populli t’i thotë “Aferim se na hoqe qafe ca mësues kriminelë”?

Po mirëqenia e nxënëses, familjes së saj, të ardhmes që ato do të kenë, çfarë vendi zënë në agjendën e MAS. Natyrisht rolin më të vogël. Me siguri që mendojnë se: bashkë me verën do kaloj edhe halli i vajzës”. Tani vëmendja është përqendruar më shumë të fitojmë zgjedhjet sesa tek e ardhmja e një fëmije që ka marrë goditjen të dyfishtë nga: Një kriminel, që nuk meriton të quhet njeri pale më mësues dhe nga shteti që kishte për detyrë ta mbronte.

Po me mësuesit çdo të bëhet? Ata këtej e tutje janë të destinuar të pushohen nga puna, edhe nëse larg qoftë bie zjarri në shkollë dhe ata janë në gjumë. Kështu që MAS, mund të propozojë krijimin e Byrosë Informuese të Mësuesve në shkolla, me qëllim mbledhjen informacionit për secilin prej tyre. Deri atëherë, mbase do të jetë nënshkruar edhe Kontrata Kolektive e Punës, prej sindikatave shpirtmadhe të mësuesve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Shume sakte e bukur ke shkruar, por kush te degjon. ,Ata ne Mas e kane mendjen kudo, ne tendera, ne krijimin e informacionit per cdo mesues, prind e nxenes por jo aty ku duhet.

    Ne informacionin per mesuesin kane perjashtuar:
    – dosjen penale, drejtimet seksuale, shendetin e tjere.
    Pra nes eke qene i denuar per dhune seksuale, krim a tj nuk ka rendesi per MAS, nese ke probleme seksi ose ke patur me pare perseri nuk ka megjitheqe raste si ky i Divjakes, Liza e Lushnjes se afermi por r me pare ka patur , shendeti nese je i moshuar te qendrosh fshtrave se semundjet vijne me kalimin e moshes, nese sa ke mbaruar shkollen emerohesh menjehere ne qytet, sigurisht pasi ke dhene xixat(eurot).
    vetem keto te permendesh e kupton se ne MAS behet cdo gje por per mesimin nuk punon askush.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here