Çfarë na premtojnë kandidatët për ndalimin e dhunës urbane?

0
144

 

Nga akademik Artan Fuga

Artan FugaArtan Fuga

  1. Dhuna urbane dhe arsyetime të ndryshme rreth saj

Kohët e fundit opinioni publik me të drejtë është shfaqur më i shqetësuar për rastet e dhunës në zona urbane, sidomos në Tiranë, por edhe në qytete të tjerë të rëndësishëm të vendit. Nuk është se shfaqjet e dhunës janë gjë e re, as karakterizojnë vetëm qytetet shqiptare. Por, sidoqoftë shpeshtësia e dhunës, format e saj, ashpërsia që e karakterizon këtë dhunë në disa raste, dhe përballja me aktivitet të rritur policor, janë elemente që përbëjnë karakteristika të çastit aktual.

Nuk është thjesht tronditja që vjen nga rrëfimet e ekzekutuesve me pagesë, sepse sado ngjethëse, ato përbëjnë tipologji të veçuara dhe shumë të veçanta, por edhe shpeshtësia e larjes së hesapeve me shpërthime tritoli, dhuna që merr jetë brenda familjes, raste sherresh të ndryshme me ose pa pasoja fizike, që me thënë të drejtën janë të shpeshtë, kanosje, prej të cilave shtetas të ndryshëm pohojnë se ndruhen edhe të kërkojnë të drejtat e tyre qytetare, fjalor i dhunshëm që ndihet në zonat urbane masivisht, si edhe raste mërish që janë burim latent dhunash të ardhshme.

Është e qartë se prej vitesh kemi një indeks vrasjesh kriminale nga më të lartat në botë dhe për rrethana nga më të ndryshmet.

Sigurisht që debatohet për faktin e kësaj dhune urbane, sidomos, dhe ka analiza herë pas here shumë të mira. Por, në raste të shumta edhe shpjegime që mua personalisht nuk më bindin.

Ndaj dhunës urbane mendja shkon te forca dhe aftësia e policisë për ta përballuar. Sigurisht, nuk ka asnjë gabim. Qytetarët presin nga policia, e cila prandaj paguhet, që të ruajë rendin dhe sigurinë qytetare. Prandaj edhe duhet mbështetur moralisht dhe nderuar punonjësi i policisë që shpesh rrezikon jetën e vet që vlen mbi çdo pagë. Megjithatë, është e pamundur të thuhet se dhuna urbane mund të përballohet dhe të qetësohet, të mbizotërohet thjesht nga veprimet policore sado dhe sido që të jenë ato. Sikurse theksohet nga personalitete të shkencave sociale ndërkombëtare, edhe duke bërë krahasime përvojash të ndryshme, nuk mund të vihet pas çdo qytetari një polic.

Ka edhe një version tjetër që e politizon praninë e dhunës në qytet. Sikurse po ndodh tani krahët e ndryshme të politikës gjejnë burime dhune te njeri tjetri. Sigurisht edhe politika ka përgjegjësinë e vet, por nuk është se shpjegohet dot dhuna për faj të thjeshtë të këtij apo atij politikani, ish pushtetari, apo pushtetari aktual. Politizimi i dyanshëm i pranisë së dhunës krijon kaos në shpjegimet që mund t’i jepen asaj, aq më tepër pengon një analizë më të thellë, që sigurisht e implikon politikën, edhe politikën, por në një kuptim tjetër shumë më të thellë, sesa që kjo trajtohet në tribunat kuvendore, si përgjegjësi e njëanshme apo e sipërfaqshme aktesh të veçuara. Por, si kudo, edhe te ne, nuk përjashtohen lidhje edhe direkte që mund të kenë jetë midis segmenteve të ndryshme të politikës dhe segmenteve të kriminalizuara.

Situata shqetësuese ka qenë e tillë sa ka pasur raste, sidomos në rrjetet sociale, që dukurinë e dhunës, nga trishtimi, ta shpjegojnë me natyrën e dhunshme të kulturës shqiptare, apo të shqiptarit si psikologji e profilizuar kolektive. Sigurisht janë shpjegime radikale të tipit antropologjik që nuk mund të provohen, as të hidhen poshtë, prandaj nuk janë shkencore dhe konsiderohen pa baza. Po aq sa i dhunshëm çdo tip etnopsikologjik i caktuar mund të jetë, tregon në raste të tjera edhe ndjenja solidariteti dhe humanizmi të pashoq. Aq më shumë që nuk mund të inkriminohet një komb i tërë.

Po ashtu, ka përpjekje për të numëruar pa fund shkaqe që e bëjnë qytetin e dhunshëm, dhe në fakt arsye shpjeguese vërtet mund të gjenden pa fund. Por, ndërkaq, metodologjikisht kjo nuk sjell asnjë shpjegim, sepse pa fund arsye në fakt çojnë paradoksalisht në një kaos kuptimor dhe nuk arrijnë të gjejnë bazat e integruara të dukurive të dhunshme urbane.

 

  1. Qyteti i dhunshëm si gjendje mendore kolektive agresive

Na duhet të mbështetemi te arritjet e shkencave sociale për të arsyetuar metodologjikisht edhe për dhunën urbane te ne që ka edhe elementet e saj specifikë.

Nisur këtej nuk mund të mos mbajmë parasysh një përgjithësim që na vjen nga autorë në zë të «Shkollës së Çikagos», përmbledhur qysh para një shekulli, nisur nga përvoja e qyteteve amerikane të asaj kohe, por jo vetëm, të rikonfirmuar nga autorë të sotëm, që qyteti përpara sesa të jetë një hapësirë materiale, marrëdhëniesh fizike, është një gjendje mendore kolektive. Pra, banorët e tij kanë një psikologji kolektive, kanë kultura të ndryshme që përbëjnë një mozaik kulturor të caktuar, kanë tërësinë e normave morale, të forta ose të dobësuara që përcaktojnë sjelljen e banorëve në jetën e tyre të përditshme, pra edhe aktet e dhunës që ndodhin.

Asnjë rrethanë e jashtme nuk e shpjegon dot sjelljen e dhunshme të një individi ose grupi shoqëror, sepse filozofikisht as nuk diskutohet se çdo akt njerëzor përpara sesa të përcaktohet nga rrethana të jashtme, orientohet nga mendja, jeta psikologjike e ndërgjegjshme ose e pandërgjegjshme, nga etika, nga pasionet, nga idealet njerëzore. Dikush i varfër mund të bëhet i dhunshëm, por mund edhe të mbetet paqësor për t’u marrë shembull në jetën e vet familjare dhe qytetare.

 

  1. Çfarë po ndodh me ndërgjegjen kolektive urbane?

Le të shohim pak nga kjo anë çfarë ka ndodhur me dinamikat e ndërgjegjes sonë urbane që na kanë dhënë një nivel kriminaliteti shumë të rritur.

Pa dashur të jemi shterues dhe pa pretenduar të gjejmë «sekrete», po përpiqemi t’i qëndrojmë disa arsyetimeve që qarkullojnë në sociologjinë urbane dhe duke i specifikuar në kushtet tona.

  1. Dobësia e «kapitalit human». Ky është një koncept që së fundi e ka përpunuar së tepërmi edhe nobelisti Stiglitz, financier i njohur, duke bërë krahasime të shumë qendrave urbane të botës mbarë. Me «kapital human» ai nënkupton besimin e njeriut te njeriu, besimin e njeriut te vlera e së drejtës, te respekti i normave etike dhe të jetesës urbane. Ideja e tij është se atje ku njeriu nuk i beson më njeriut, ku njeriu nuk ka më besim te drejtësia e sjelljes shoqërore, pra te shoqëria, atje ku i duket me ose pa të drejtë se i bëjnë padrejtësira të ndryshme, ndodhin dy dukuri thelbësore. Kostoja e transaksioneve të marrëdhënieve njerëzore rritet shumë sepse askush nuk ka besim te kurrkushi, dhe gjithkushi në këto raste, mundohet të marrë masa mbrojtëse shumë të kushtueshme në kohë, mund, energji, madje edhe në shpenzime financiare. Së dyti, të gjithë duke paragjykuar të gjithë, kanë një prirje që bëhet më e veçantë te disa që të mos zbatojnë asnjë rregull shoqëror sepse prezumojnë që kështu bëjnë të gjithë. Kaosi normativ dhe shkelja e normave të jetës qytetare bëhet rregulli i saj. Ndjenja e asaj që ke pësuar padrejtësi dhe shtuar me ndjenjën se kjo padrejtësi nuk ka se ku ankimohet shton dozat e frustrimit psikologjik dhe të urrejtjes ndaj modelit shoqëror, ndaj rregullave, pastaj ndaj të tjerëve dhe mbi të gjitha dobëson respektin për vetë njeriun tjetër duke e konsideruar si shkak të kësaj padrejtësie.

Nuk ka diskutim që dhuna e verbër bëhet kështu shpesh shprehja e kësaj ndjenje padrejtësie që mbivendoset dhe nuk kurohet, brenda një realiteti shoqëror që nuk kujdes shumë për drejtësinë sociale dhe atë juridike.

Le të shohim vetëm shpërndarjen e pasurive dhe të pronës në këto vite tranzicioni, si edhe shpërndarjen e shanseve për tendera, privatizime, koncesione, marrje trojesh, për të parë se ka pasur padrejtësira që vazhdojnë sepse nuk janë respektuar aspak shanset e barabarta për t’u nisur në iniciativën ekonomike. Ish dyqanet i morën ish shitësit, me çfarë të drejte? Ish tokat e familjeve në troje bujqësore i morën vetëm ish anëtarët e kooperativave bujqësore, me çfarë të drejte? Ish ndërmarrjet socialiste i privatizuan ish drejtuesit, me çfarë të drejte? Ish pronarët e qyteteve morën mjaft prona, kurse ata me prona në zonat rurale s’kanë marrë dhe s’po duket se do të marrin kurrgjë, me çfarë të drejte?

Kapitali human është dobësuar dhe shumë individë jetojnë me psikozën dhe ndjehen të vjedhur. Kjo jep agresivitet dhe tension social latent që bëhet shtrat i lindjes edhe të dukurive të dhunshme.

  1. Përjashtimi social është gjithashtu një gjendje mendore, veç shoqërore, që i jep ankth dhe stres ndërgjegjes kolektive dhe individuale qytetare, dhe pastaj sjell ngacmime të rrezikshme dhe në pavetëdijen instiktive të njeriut. Ka shtresa të tëra të shoqërisë që ndihen të përjashtuara nga ndarja e pasurive kombëtare dhe me ankthin e jetesës së pasigurt. Pasiguria psikologjike është një nga shkaqet thelbësore që ka prodhuar kulturën e dhunës te popuj të ndryshëm.

Ankthi për mbijetesë i shkakton individit frikë dhe para kësaj gjendjeje të vështirë psikologjike, ka syresh që hidhen në botën e krimit me ndërgjegjen se gjoja kështu janë duke kompensuar padrejtësinë që u është bërë. Kjo rrugë inkriminimi pastaj gradualisht çon edhe drejt akteve të dhunës që rriten bashkë me rrezikshmërinë e akteve përkatëse.

Dhjetëra mijëra familje urbane janë të varura thjesht nga ndonjë ndihmë shumë e dobët ekonomike administrative, nga pensione qesharake, apo nga të ardhura të brishta. Dhe të mendosh se në vendin tonë në këta njëzet vite si në planin kombëtar ashtu edhe në planin lokal janë shpërndarë pasuri kombëtare me tonelata ari. Si nuk mendohet për të dhënë aksione për qytetarët në një bursë, a thua mirë burimet materiale, por edhe shanset për t’u paraqitur në bursë janë pronë private ! A thua se edhe ajri, toka, deti, nuk i takon nga pak të gjithë shqiptarëve, por vetëm atyre që privatizojnë duke abuzuar me shanse të pabarabarta të fituara me rrugë të padrejtë !

Ankthi i mbijetesës, lufta për të siguruar shkallën e parë të nivelit të «Piramidës së Maslowt», mjetet e ekzistencës fizike bazë, e bën njeriun të tregohet agresiv, për një vend pune, për një leje ndërtimi, për një rrogë, për një vend roje në administratë, të përfshihet nga lufta për mbijetesë ku secili konsiderohet i kërcënuar me likuidim social gradual, e për rrjedhojë kundërsulmon me ndërgjegjen e vetëmbrojtjes në kushte rreziku.

  1. Vlerat morale tentojnë të kthehen në opinione relative, pa asnjë bazë të sigurt legjitimimi. Gjithçka është e drejtë dhe e padrejtë njëkohësisht në mendjen e një pjese të konsiderueshme të popullsisë.

Ekziston Zoti? Ku e di unë, ca thonë «po», e ca thonë «jo»? A duhet ndenjur në Atdhe, apo emigruar? Ku e di unë, ca thonë kështu e ca thonë ashtu? A duhet tradhëtuar gruaja? Ku e di unë, ca thonë kështu e ca thonë ashtu. A ta pranoj dhuratën korruptive? Ku e di unë ca thonë ashtu e ca thonë kështu. A t’ia marr pronën me të padrejtë të tjerëve? Ku e di unë ca thonë «jo» e ca thonë «po», pra ta legalizojmë, puna është a falas apo jo falas. Vjedhja institucionalizohet, ndonëse ende jo vrasja e tjetrit. Por, atë që e fillojnë institucionet e vazhdojnë individët e stresuar dhe me instinkte pulsionale dhune të forta. Mos harrojmë se rinisë i vlon gjaku dhe vetëm mendja dhe morali e mban në vijë e rresht. Por, kur ndërgjegjja kolektive është në krizë, pulsionet e shkatërrimit shpërthejnë.

Dikur rininë e lodhte puna e detyruar dhe energjitë shtereshin atje. Ishte e dhunuar dhe nuk kishte aq fuqi të dhunonte. Kurse tani pa punë, energjitë tanatosiake shpërthejnë sepse ato diku do të transformohen.

Vlerat i vendos në diskutim politika, media, mësuesit nuk japin dot përgjigje, prindërit nuk dinë sa çfarë vlerash të edukojnë, por se mos po i pyet kush aq shumë ! Mbi-uni moral kolektiv i psikikës urbane është në krizë dhe për këtë nuk arrin ta kontrollojë impulsin e shkatërrimit që del vetiu nga psikologjia njerëzore si akt agresiv ndaj tjetrit. Agresiviteti ndaj tjetrit bëhet paradoksalisht parakusht për sigurinë e mbijetesës personale. Tmerr.

E gjitha kjo kur shtresa të tëra rinore të margjinalizuara, larg shkollimit, dalin edhe jashtë kontrollit të kulturës. Nuk ka më pa kulturë në përgjithësi sesa institucionet e kulturës te ne. Një pjesë të braktisura, një pjesë të ndyra materialisht dhe në kalbëzim, të tjera false, të tjera pa respektin që duhet, e të tjera të fshehura pas ciklopëve prej betoni si vepra kriminale. Kultura nuk e kupton misionin e kulturës, por kujton se është fasadë, elitarizëm prej gjasme, projekt për të fituar parà, vepër e privatit që nuk kupton se tregu dhe kultura janë antagonistë me njeri tjetrin. Kulturë që nuk kupton se kultura është mjet integrimi social i individit përndryshe ai mund të kthehet në një monstër urbane, në një serial killer urban. Njeriu dhe jeta e tjetrit është një vlerë kulturore, pra pa kulturë sigurisht gjithkush mund të kthehet në vrasës apo qenie e dhunshme.

  1. Transformimet politike si pjesë e sistemit politik bëhen kudo me kujdes, dhe pa ekseset që kanë karakterizuar ndryshimet politike te ne. Duhet kujdes sepse politika nuk mund te ndahet radikalisht më dysh sepse është formë e administrimit të shtetit që garanton rendin publik, qetësinë qytetare, kontrollin mbi elementët e dhunshëm, mbron pronën dhe jetën qytetare. Politika vepron në rrugë paqësore dhe e vendos ligjin pa pasur gjithmonë nevojë për akte simbolike të bazuar në «lëndë luftarake». Duhet paqtuar shembulli që jep politika ndaj individëve që marrin fletë e ushtrojnë akte dhune.

Individi vepron nëpërmjet imitimit.

Nuk duhet trembur polici, nëpunësi, përfaqësuesi i pushtetit lokal, administratori i së mirës publike duke i krijuar një paqëndrueshmëri sociale. Kjo është ideja e ruajtësit të së mirës publike që nuk e ndjen veten të përkohshëm e as në shërbim të partive politike. Mirë tani jam drejtor, përgjegjës, polic, por kur të iki partia ime nga pushteti do të iki edhe unë dhe do të jem i pambrojtur para atyre që do të kem shtrënguar të respektojnë rregullat. Politizimi e bën nëpunësin tolerant ndaj dhunës, ta lëshojë pushtetin që i duhet për të mbrojtur qytetarin, ai largohet, mbyllet në vetvete, dhe në këto kushte rrezikon të marrin hov individët që mendojnë se u ka ardhur sahati për të vepruar, hakmarrë, larë hesapet. E gjitha kjo sepse nëpunësi publik ndjehet i trembur. Nuk është fjala për sot, por edhe për dje, për nesër nëse nuk merren masat.

  1. Anomia urbane, shkruan Dyrkhemi dekada më parë. Pra një përzierjeje e shpejtë dhe masive e popullsive urbane bën që opinioni publik të jetë i dobët, individi të mos ketë më turp para vëzhgimit të tjetrit si forca që e kontrollon sjelljen e tij. Është syri i tjetrit që stabilizon sjelljen tonë, përndryshe njeriu «çmendet», kur syri i opinionit publik nuk k asnjë pushtet mbi sjelljen e tij dhe humbet natyrën e vet rregulluese.
  2. Si përfundim

Dhuna urbane te ne do të jetë një dukuri afatgjatë. Ajo duhet të përballet jo vetëm me forcën e ruajtësve të rendit, por edhe me atë të gjithë shoqërisë. Ndërkohë prania e saj vjen sepse në reformat dhe politikat nuk mbahet parasysh edhe përmasa sociologjike dhe psikologjike e tyre në përputhje me qenien njerëzore. Flitet për ekonomi, për financë, për ligje, por asnjëherë nuk trajtohet përmasa psikologjike dhe sociologjike e tyre. E kur ndodh kështu qenia njerëzore në individët më të dobët të saj shfaq edhe impulse dhune. Pa u emancipuar kjo anë e administrimit shoqëror, gjendja nuk ka shpresë të përmirësohet. Pra, shoqëria kërkon aplikimin e arritjeve të dijeve në shkencat sociale dhe humane, dhe jo të ecet me intuitë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here