E drejta e pakufizuar e mafies dhe liria e dhunuar e qytetarit

0
126

Enver Bytyçi

Enver BytyçiShqipërinë dhe rajonin i sundon pushteti i mafies. Kjo është një e dhënë, të cilën na e ka komunikuar me kohë Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry, që do të thotë se nuk është një dukuri e panjohur. Por ajo që shohim në praktikë, duhet të na bëjë të mendojmë thellë e të nxjerrim mësime.

Kur një vend e sundon mafia (me vullnetin “e lirë” të qytetarëve), atëherë ajo krijon strukturat e veta legale, me të cilat shkruan ligje e rregulla, të cilat nuk mbrojnë qytetarin, por mbrojnë mafien. Në këto struktura shkrihen të gjitha mjetet e kontrollit. Të kontrollit të politikës që nuk është inkuadruar në grupet mafioze. Të kontrollit të biznesit që nuk bashkëpunon me mafien. Të kontrollit të statistikave që nuk përputhen me shpëlarjen e trurit të qytetarëve. Të kontrollit të medieve dhe uzurpimit të saj, madje deri te emërimet e stafit të drejtimit dhe menaxhimit mediatik. Me kontrollin e rrjeteve sociale dhe ngritjen e ushtrisë së anonimëve për komente, gazeta online, me qëllim lënien në minorancë të papërfillshme të medies investigative e kritike. Të kontrollit të mendimit dhe të supervizionit. Pra, mafia në pushtet është gjithçka, bën edhe biznesmenin, edhe aksionerin, edhe arkën e shtetit, edhe arkën e biznesit, edhe policin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe politikanin, edhe kriminelin e vrasësin, edhe opinionbërësin, edhe komentatorin, edhe të diturin, edhe budallain, bën atë që nuk mund ta bëjnë në këso forme as diktatorët më të zëshëm të njerëzimit.

Nëse monitorojmë vetëm një ditë atë që ndodh në këtë vend, ose në Maqedoni, Kosovë e vende të tjera të rajonit tonë, përfshirë Greqinë e Turqinë, atëherë nuk e ka askush të vështirë të kuptojë dhe qëmtojë se mafia e sundon jetën tonë të përditshme. Ajo kujdeset sa cm3 ajër duhet të thithim, sa gram bukë duhet të konsumojmë, sa mililitra ujë duhet të pimë, sa km rrugë duhet të bëjmë më këmbë e sa me automjet, sa me transport urban e sa me transport privat, sa me tren e sa me autobusë. Me çfarë duhet të udhëtojë qytetari, me autobus apo me furgonë, më këmbë apo në biçikletë. Mafia vendos për çmimet e mallrave, të cilat i blejmë në treg. P.sh. sa do të paguajmë për bukën, për energjinë elektrike, për karburantin, sa do jetë akciza e sa taksat e tjera. Dhe mafia kurrë nuk na llogarit ne që paguajmë, jemi apo nuk jemi në gjendje ta mbyllim muajin, mafia të fut në burg nëse nuk paguan një faturë të vetme, të shkarkon nga puna, ta nxin jetën, të bën të flasësh në rrugë me veten tënde, të bën të ulësh kokën para fëmijëve të tu. Madje nganjëherë edhe me çmimin e marrjes përsipër të fajit, me arsyetimin absurd “pse unë jam kaq i paaftë. Se mafia e ka këtë zotësi, i ka këto mekanizma, të të rrahë, të të dhunojë e të të mos lejë të qash.

Nëse biznesi i mafies ka ndër mend të zbatojë ndonjë projekt autobusësh, atëherë mafia i ndalon qytetarët të udhëtojnë me furgonë dhe e kundërta. Nëse duhet ndërruar monopoli i kontrollit të kazinove, atëherë shpik një aksion të tipit “Çmenduria” dhe bën kalimin nga një mafioz te mafiozi tjetër, ndoshta të tipit Zdakashvili. Nëse një i ndershëm bashkëpunon rastësisht me njerëz si Zdakashvili, atëherë mediat do ta denigrojnë me ditë, me javë e me vite, ndoshta do ta shtyjnë drejt vetëvrasjes. Nëse do të bashkëpunojë një ministër mafioz, apo gruaja e tij, atëherë mafia në pushtet i shtrëngon dhëmbët kujtdo që mund të flasë ose blen heshtjen me parimin se kjo harrohet shpejt. Nëse një i ndershëm ndërton një vilë, mafia në pushtet do ta denoncojë papra, para buke e mbas buke, në mëngjes, në drekë e në darkë. Fotografia e kësaj vile do ta shëtit botën. Nëse mafia në pushtet ndërton vila me paratë e krimit, korrupsionit dhe gjakut, atëherë ajo ia mbyll gojën çdo televizioni e radioje, çdo gazete e reviste, gjithkujt që ka mision shoqërinë e lirë prej mafies e diktaturës. Nëse mafien e shqetëson ngjyra e pallatit përballë, urdhëron menjëherë ndryshimin e fasadës. Nëse përballë shtëpisë së tij ia prishin imazhin e pamjes disa hije njerëzish që punojnë, ose sillen në hallet e tyre, atëherë ai urdhëron policinë që këta njerëz të “vizitojnë: dhomat e paraburgimit.

Mafia në pushtet punon me pseudonime, njësoj si edhe spiunët. Me pseudonime i kalojnë mafiozët pushtetarë aksionet nga një kompani te tjetra. Po me pseudonime udhëtojnë drejt metropoleve evropiane e më gjerë, ku kanë ndërtuar rrjeti n e trafikut. Kur mbërrijnë në këto metropole nuk e fshehin fytyrën, sepse nuk kanë as mundësi ta bëjnë këtë, se ata janë njerëz që i njeh gjithkush, kryeministra, kryetarë parlamenti, ministra, deputetë, zëdhënës, drejtorë kabinetesh, këshilltarë. Pa patur frikë bëjnë pazaret në restorantet e mafiozëve trafikantë, ku ata ushqehen apo hotelet ku qëndrojnë dhe po aty ndajnë fitimet. Pastaj mafia në pushtet kujdeset që mafiozët e vegjël të stacionohen kudo në rrjetin e veprimtarisë mafioze, në banka, përmes të cilave pastrohen paratë, në zyrat e tenderimit, ku favorizohen gjithashtu mafiozët, në sportelet e shërbimit, nga ku duhet të kalojnë paratë e bizneset e pista.

Në rajonin tonë “kopsht “ mafiozësh, bizneset e mafias në pushtet këmbehen midis shtetarëve mafiozë. Edhe “paqja” e përkohshme që duket se përjeton rajoni, ka në themel bashkëpunimin e mafies së pushtetit në shpërndarjen dhe këmbimin e biznesit. Një bos i mafies politike të Tiranës ka partner bosin e mafies politike të Prishtinës, Shkupit a Beogradit. Dhe anasjelltas kjo formulë vlen për të gjithë bosët rajonalë të mafies politike e shtetbërëse. Për këtë arsye mafia politike shtetërore e rajonit i koordinon punët e veta, madje aq mirë sa qytetarëve t’u duket se këta janë si Feniksi që kanë zbritur nga qielli. Por sa duket se merren vesh për të bërë paqen, kurdisin incidente, kriza dhe ngjarje, si ajo e Kumanovës. Në atë ngjarje kanë gisht të katër kupolat e mafies ballkanike e përtej saj, ajo e Beogradit, e Shkupit, e Prishtinës dhe e Tiranës.

Se mafia politike, sidomos kur vjen në pushtet, nga njëra anë punon që të ruajë standardin e varfërisë te qytetarët, nga ana tjetër sajon ngjarje, incidente dhe konflikte të vogla, me të cilat tërheq vëmendjen nga problemet e varfërisë, kjo mund të provohet çdo ditë. Se mafia në pushtet e rajonit tonë punon me skenarë për ruajtjen e pozitave të saj, këtë mund ta vëmë re lehtë nga spekulimet me reklamat dhe çoroditjet që krijon me idenë nacionaliste. Ndërkohë mafies në pushtet i duhet varfëria, sepse ndryshe nuk ka sesi tua blejë votën varfanjakëve. Varfëria i duhet mafies në pushtet ose në politikë, sepse ndryshe nuk mundet të tërheqë bashkëpunëtorë në trafiqe. Me anën e varfërisë ajo sundon më lehtë, manipulon më lehtë, mashtron më lehtë. Nuk asnjë vështirësi ta mashtrosh të uriturin.

Mafia është mashtrim, është manipulim, është vetë djalli. E djalli gjithmonë ka aftësinë ta mundë engjëllin, ta fundosë atë e ta zhdukë nga faqja e dheut. Madje mafia në pushtet ka aftësinë që engjëllin ta shesë te njerëzit për djall dhe anasjelltas, djallin për engjëll. Mafia të blen, mafia të shet, ajo të jep lëmoshë, por edhe të vret. Si lëmosha, si frika nga vrasja e likuidimi e bëjnë shoqërinë civile, medien, të heshtin, si mali “që s’bëzan”. Mafia bën presion edhe kur i bën karshillëk fukarait me dasma në kështjella me paratë e shtetit, të taksapaguesve. Mafia nuk jep llogari, mafia sundon plebenjtë e vet.

Mafia në pushtet nuk ka parime, nuk i përmbahet ligjit të traditës e as ligjit të respektit për njerëzit, nuk pyet për ligjet e shtetit, edhe pse vetë i harton dhe miraton, nuk njeh familjen, nuk njeh e nuk nderon as fëmijën, madje as fëmijët, pjellën e vet. Mafia vret ditën për diell, sidomos kur vrasësi mafioz mbrohet nga uniformat e shtetit mafioz. Vret kryesisht ata që nuk i qëndrojnë paktit të ndarjes së pasurive e të parave, por vret dhe ata që ndodhen në vendin dhe kohën e gabuar. Vret me papunësi e varfëri, më shumë se me plumba e tritol. Dhe nuk trembet nga askush. Madje as nga ndërkombëtarët, sepse është e lidhur me segmente mafioze të institucioneve ndërkombëtare. Si e tillë ajo financon gjithçka e gjithkënd që i shërben asaj. Financon p.sh. njerëz të tipit Stefan Fyle, a ku e di unë se kë tjetër. Financon komisione e komisionerë të shumtë, financon artikuj në gazetat dhe revistat prestigjioze, të cilat në të shumtën e rasteve nuk e kanë idenë se me kë kanë të bëjnë. Mafia financon komisionerë e kryekomisionerë zgjedhjesh, financon kundërshtarët politikë, madje udhëheq trafikun e politikanëve deputetë, kryetarë bashkish, pastaj blen miell, e ua jep varfanjakëve për një votë. Për vota shpërndan xhinse, orë, ajfonë e ajpedë, laptopë e bluza. Gjithçka që i tërheq sidomos të rinjtë.

Në fakt rreziku më i madh është rekrutimi I të rinjve dhe të rejave, me të cilët mafia në pushtet, manipulon aq lehtë. Mjafton sponsorizimi i një mbrëmjeje në një pab ose disko dhe me kaq fiton simpatinë e tyre. Mjafton një fundjavë e këndshme në një pikë turistike dhe rekrutimi del i suksesshëm. Një premtim për punë në këmbim të 100 votave dhe me kaq ushtria e mashtruarve naivë shtohet në progresion gjeometrik. Mafia shqiptare në veçanti di t’i bëjë këto më mirë sesa mafia në Kosovë e në Maqedoni, sepse asnjë prej vendeve të rajonit nuk e ka eksperiencën e saj të trashëguar nga përvoja e sigurimit të shtetit. Mafia blen sondazhe, edhe kur bëhen përmes “kompanive ndërkombëtare”. Dhe i blen sondazhet për të bërë trysni ndaj votuesve, në dhunim të votës së lirë. Liria dhe mafia janë të papajtueshme. Liria e mafies në pushtet nuk ndalon te liria e individit. Mafia, kur drejton shtetin është e lirë vetëm të seleksionojë qytetarët që qeveris, në të vetët e në të huaj. Ata të rrethit mafioz mund të ndërtojnë hotele në breg të detit, madje brenda në det, të huajt nëse ndërtojnë një kasolle ose hangar përfundojnë në burgje. Me arrogancën e vet ndaj shumicës, mafia kërkon të mbulojë aktivitetin kriminal të vetin e të fshehë imoralitetin e saj.

Sigurimi i shtetit është burimi i të gjithë veprimtarisë mafioze në këto 25 vite në Shqipëri, por me një ndikim e ndërlidhje të hershme edhe me mafien politike të Kosovës e Maqedonisë. Është e tmerrshme që rrënjët ë së keqes thellohen vazhdimisht në këtë vend. Dhe do të thellohen sa kohë që imoraliteti na shitet për moral, hajdutëria na shitet për zotësi, korrupsioni na serviret si e mirë e shoqërisë, ndërtimet me para të pista na shiten si përparim, sa kohë që pragmatizmi sundon mbi idealizmin dhe etja për pushtet e pasuri bëhet motiv iI vetëm i qeverisjes.

Jemi ne, qytetarët e këtij vendi, të cilët duhet ta ndryshojmë këtë situatë! NATO, BE, SHBA na ndihmojnë, por nuk janë ato që mund të na çlirojnë nga sundimi i mafies! Nëse Maqedoninë po e ndihmojnë evropianët dhe amerikanët të çlirohet nga mafia në pushtet, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera zor se do të marrin gjithë atë investim ndërkombëtar për këtë. Vota është instrumenti kryesor, me të cilën ne mund të çlirohemi nga modeli autoritar i qeverisjes, sepse modeli i qeverisjes mafioze është arbitrariteti dhe arroganca, pasi vetëm ky lloj modeli e merr atë në mbrojtje dhe i jep jetë pushtetit të mafies.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here