INTERVISTA/ FMN: Rritja e Shqipërisë? Ekonomia po ecën nën parashikimet tona

0

–  Sipas përfaqësuesit në Tiranë Jens Reinke, niveli i të ardhurave për 2015-ën ka qenë zhgënjyes. Kjo presupozon që qeveria të marrë hapa vendimtarë për të rimëkëmbur nivelin e të ardhurave

Rritja e ShqipërisëNdonëse në daljen e fundit publike, misioni i FMN-së këmbënguli që rritja ekonomike në 2015 do të arrijë të jetë në objektivin e qeverisë prej 3%, në një intervistë të posaçme për Monitor, Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri pranon se rritja do të jetë më e ulët sesa pritej. “Ne vazhdojmë të shohim një rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare dhe normat vjetore të zgjerimit po rriten, edhe pse në njëfarë mënyre më ngadalë sesa ne prisnim në fillimin e programit”, – pohon ai.

Ai thotë ndër të tjera se FMN e këshillon qeverinë shqiptare të përmirësojë qëndrueshmërinë e borxhit përmes rritjes së nivelit të të ardhurave, përmirësimit të menaxhimit të borxhit dhe përshtatjes së politikave që do të forcojnë tregjet e brendshme financiare.

Shqipëria po merr hua në shuma të konsiderueshme nga FMN dhe Banka Botërore, që shtrihen në afatin e mesëm, ndërkohë që planifikon përveç riqarkullimit të eurobondit, të marrë dhe 200 milionë euro të tjera shtesë. Sa do ta ndikojnë nivelin e borxhit këto hua?

Programi ekonomik i qeverisë shqiptare ka si referencë nivelin e borxhit publik ndaj PBB-së, dhe ky nivel pritet që të bjerë gjatë viteve në vijim. Deri tani, një pjesë e madhe e financimit është siguruar nga tregu i brendshëm, përmes bonove të thesarit afatshkurtër, të cilat kanë norma interesi relativisht të larta. Financimi i huaj i marrë nga emetimi i Eurobond-eve dhe huaja e mbështetur nga Banka Botërore janë një mundësi për të përmirësuar menaxhimin e borxhit, për të ulur koston e huamarrjes dhe për të reduktuar rrezikun e qarkullimit (rollover).

Sipas vlerësimeve tuaja, sa do të ndikojë rritja e borxhit në përshpejtimin e rritjes ekonomike në afatin e mesëm (nëse mund ta jepni me pikë përqindjeje për secilën) dhe si, sa eficient do të jetë përdorimi i saj (nëse mund ta ndani sipas sektorëve)?

Planet financiare të jashtme të qeverisë janë një mundësi për të zëvendësuar huamarrjet afatshkurtra, të kushtueshme me huan afatgjatë dhe me interesa më të ulëta. Ky zëvendësim, në vetvete, nuk e rrit nivelin e borxhit. Ne po këshillojmë qeverinë të vazhdojë zbatimin e politikave fiskale, në përputhje me programin e saj ekonomik afatmesëm, i cili ka në themel limitet e borxhit publik. Kosto më e ulët e interesave do të krijojë hapësirë fiskale për të shpenzuar në fusha më produktive, përfshirë projektet kapitale, ndërsa huamarrja afatgjatë do të përmirësojë elasticitetin e ekonomisë ndaj goditjeve ekonomike. Huamarrja më e ulët e brendshme nga qeveria mund të çlirojë burimet në sektorin bankar, që së bashku me masat e tjera, mund të mbështesin rritje më të fortë të kredisë në sektorin privat dhe si rrjedhojë, një ekonomi më të fortë.

 

Që borxhi publik total të arrijë të bjerë në 62% të PBB-së në 2018, sipas kuadrit makroekonomik e fiskal 2016-2018, sa duhet të jetë rritja ekonomike mesatare vjetore? Po në rast se rritja do rezultojë nën parashikim dhe qeveria nuk do të arrijë t’u përmbahet objektivave të borxhit, cila do të jetë sjellja e FMN-së? Çfarë hapësirash të tjera kanë mbetur për konsolidimin fiskal?

Ne vazhdojmë të shohim një rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare dhe normat vjetore të zgjerimit po rriten, edhe pse në njëfarë mënyre më ngadalë sesa ne prisnim në fillimin e programit. Konsolidimi fiskal po vazhdon dhe ndërsa objektivat e saktë janë gjithnjë në diskutim, programi mbetet në rrugën e duhur. Të ardhurat fiskale në raport me PBB-në janë shumë më të ulëta në Shqipëri sesa në vendet e tjera evropiane. Rritja e nivelit të të ardhurave, në mënyrë të preferueshme duke zgjeruar bazën e taksapaguesve dhe duke ulur informalitetin, mbetet për rrjedhojë një objektiv i rëndësishëm.

Sipas vlerësimeve tuaja, kur parashikoni që financat të dalin me suficit primar, që do të mundësonte fillimin e uljes së qëndrueshme të borxhit??

Me një rritje mjaftueshëm të fortë ekonomike, Shqipëria mund të mos ketë nevojë që të ketë një suficit parësor. Për sa kohë që borxhi publik rritet më ngadalë se PBB nominale, norma e borxhit ndaj PBB-së do të bjerë. Një rritje më e fortë ekonomike, e nxitur nga reformat e vazhdueshme strukturore, do ta bëjë më të lehtë që të arrihet ky objektiv.

Nisur nga ecuria e të ardhurave buxhetore në katër muajt e vitit, sidomos atyre tatimore e doganore, që janë dukshëm nën planin, a prisni të kemi rishikim të buxhetit. Sa ndikon kjo performancë e dobët në objektivin e konsolidimit fiskal, uljes së borxhit dhe pritshmërive për rritje ekonomike 3% këtë vit. A i qëndroni akoma kësaj pritshmërie për rritjen?

Së fundmi u realizua rishikimi i katërt i programit ekonomik të mbështetur nga FMN dhe performanca, në bazë të këtij programi, ka qenë përgjithësisht e fortë. Gjithsesi, është e vërtetë që niveli i të ardhurave për 2015-n ka qenë zhgënjyes. Ne e kemi këshilluar qeverinë që të vlerësojë arsyet dhe kemi ofruar mbështetjen tonë për këtë çështje. Ne do të diskutojmë me qeverinë për përgjigjen e përshtatshme ndaj kësaj rënieje, me fokus në fuqizimin e bazës së taksapaguesve dhe mbledhjen e të ardhurave në dogana. Ne nuk presim që rënia e të ardhurave të jetë strukturore, d.m.th që të jetë e përhershme, dhe si rrjedhojë nuk presim ndryshime domethënëse në pritshmëritë afatmesme. Megjithatë, kjo supozon se qeveria do të marrë hapa vendimtarë për të rimëkëmbur nivelin e të ardhurave.

Sipas vlerësimeve tuaja, për Shqipërinë, cili është niveli tavan i borxhit (në raport me PBB), mbi të cilin ai fillon e bëhet i paqëndrueshëm? (Ka pasur një konsensus të përgjithshëm që për vendet në zhvillim ai është në nivelin e 60% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri e ka kaluar 70%, deri në ç’nivel është i qëndrueshëm)?

 

Qëndrueshmëria e borxhit publik është e përcaktuar nga një sërë faktorësh, përfshirë nivelin relativ ndaj PBB-së, por gjithashtu cilësinë e menaxhimit të borxhit, natyrën dhe thellësinë e tregjeve financiare, instrumentet e borxhit dhe nivelin dhe elasticitetin e të ardhurave fiskale. Nuk është e mundur të identifikohet një kufi specifik në të cilin borxhi bëhet i paqëndrueshëm, por nivelet më të larta në përgjithësi kanë më shumë rreziqe makroekonomike sesa nivelet më të ulëta. Për rrjedhojë, konsolidimi fiskal mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës makroekonomike të Shqipërisë. Ne gjithashtu e këshillojmë qeverinë shqiptare të përmirësojë qëndrueshmërinë e borxhit përmes rritjes së nivelit të të ardhurave, përmirësimit të menaxhimit të borxhit dhe përshtatjet së politikave që do të forcojnë tregjet e brendshme financiare.

(marrë nga Monitor)

 

 

Lini nje pergjigje