EKSKLUZIVE/ KLSH: Hekurudha ka përdorur 9.5 mln euro subvencion shtetëror jo për biletat, por për paga

0
144

Ervin Kaduku

meta ne hekurudheKontrolli i Lartë i Shtetit ka dorëzuar në shoqërinë aksionare Hekurudha sh.a raportin përfundimtar të Auditimit të ushtruar në Hekurudha Shqiptare SHA për periudhën e veprimtarisë nga 01.11.2011 deri më 31.10.2014. Nga auditimi i zbatimit dhe realizimit të rekomandimeve të KLSH-së nga auditimi i mëparshëm, u konstatuan shkelje dhe dëme të shumta ekonomike ndaj shtetit.

 

Abuzimet me KURUM-in

Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” Sh.a, ka lidhur një akt-marrëveshje me përfitime të njëanshme me kompaninë “Kurum International” Sh.a, për shfrytëzimin e trasesë së Hekurudhës për ndërtimin e një peshoreje, për nevoja të kompanisë pa ndonjë detyrim për “Hekurudhën Shqiptare” Sh.a, duke shkaktuar dëm ekonomik në zbatim të VKM Nr. 529 datë 08.06.2011 “Për dhënien me qira ose emfiteozë të pasurive shtetërore”.

 

Shkeljet me qiratë

Nga auditimi i procedurave për arkëtimin e kontratave të qirasë për periudhën objekt auditimi rezultoi se: Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” Sh.a, nga mos arkëtim i detyrimeve të kontratave të qirave, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 1,506,491 lekë. Nga mos llogaritja dhe faturimi i kamatëvonesave të likuidimit të detyrimeve sipas kushteve të kontratës, buxhetit të Shtetit, i është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 3,444,259 lekë në kundërshtim me pikën 6.3 të nenit 6 të Kontratës së Qirasë.

 

Subvencionet shtetërore

Ndërmarrja “Hekurudha Shqiptare” Sh.a. Durrës është subvencionuar nga Buxheti i Shtetit për ndihmë shtetërore për transportin e udhëtarëve në vitin 2012 në vlerën 440,000,000 lekë, në vitin 2013 në vlerën 440,000,000 lekë dhe në vitin 2014 në vlerën 440,000,000 lekë (deri më 31.10.2014 është në vlerën 370,000,000 lekë). Pra në total në vlerën 1,320,000,000 lekë ose 9.5 milionë euro. Nga auditimi u konstatua se:

-Jo i gjithë subvencioni i akorduar nga buxheti i shtetit, është përdorur për ndihmë shtetërore për transportin e udhëtarëve, në kundërshtim me destinacionin e përcaktuar. Një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi, ka kaluar për aktivitete të tjera të kësaj shoqërie dhe kryesisht për paga, sigurime shoqërore, shpenzime karburanti, shpenzime riparimi etj.

-Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Financës nuk kanë përcaktuar strukturën e shpenzimeve që do të mbulohen nga subvencioni. Njëkohësisht Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave nuk ka të përcaktuar strukturën e shpenzimeve të subvencionit në Këshillin Mbikëqyrës, çka ka krijuar mundësinë që drejtoria e hekurudhës të përcaktojë vetë shpenzimin që mbulohet me subvencion. Konkretisht për paga, sigurime shoqërore, materiale, lëndë djegëse, kosto të biletave, udhëtim dhe dieta, shpenzime telefonike, amortizimi, shpenzime riparimi, taksa e përdorimit të infrastrukturës (taksë e vendosur nga vetë drejtoria, që detyron njësinë e shërbimit të mjeteve lëvizëse, njësinë e biznesit të mallit dhe njësinë e biznesit të udhëtarëve, t’i paguajnë njësisë së biznesit dhe menaxhimit të infrastrukturës, taksë për përdorimin e magjistraleve kryesore dhe dytësore të rrjetit hekurudhor, pra taksë e brendshme për të rritur shpenzimet me qëllim për të përfituar sa më shumë subvencion).

Nga 440,000,000 lekë të subvencionuar nga Buxheti i Shtetit për vitin 2014, vlera 269,625, 817.88 lekë nuk është përdorur për subvencion, por është përdorur për shpenzime të tjera.

 

Abuzimi me vagonët e huaj

Moslikuidimi në kohë i detyrimeve për kohë qëndrimin e vagonëve të huaj, i cili është bërë një problem shqetësues dhe me pasoja për Hekurudhën Shqiptare. Detyrimi që Hekurudha Shqiptare ka ndaj hekurudhave të tjera “Për orë qëndrimet e vagonëve në territorin e Hekurudhës Shqiptare”, deri më datën 31.10.2014 është në vlerën 1,370,057 euro, ose në vlerën 192,534,110 lekë, e konvertuar në lekë me kursin e Bankës së Shqipërisë datë 30.4.2015 (1,370,057 euro x 140.53 lekë = 192,534,110).

 

Paga e drejtorit

Nga auditimi u konstatua se me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr. 9, datë 09.10.2013, është emëruar Administratori i Shoqërisë Genci Alizoti, bazuar në propozimin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, por nuk është përcaktuar paga e tij, në kundërshtim me udhëzimin e Ministrit të METE-s nr. 318, datë 08.04.2009, kreu IV, pika 2.

 

Shkelje financiare

Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” Sh.a, nuk ka hartuar dhe dërguar në organet tatimore pasqyrat financiare brenda datës 31.7.2014, në kundërshtim me Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, duke rënduar koston me penalitet, vendosur nga Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës.

Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” Sh.a transaksionet e brendshme që kryejnë njësitë e saj (kryesisht taksa e infrastrukturës dhe shpenzimet e riparimit) nuk i kryen me fatura tatimore të rregullta, por i kryen me anë të fletë-daljeve të brendshme, në kundërshtim me Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si dhe aktet nën ligjore në funksion të tyre.

Hekurudha Shqiptare Sh.a, nuk e ka paraqitur të plotë në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, amortizimin e llogaritur, por një pjesë të tij e ka paraqitur si pakësim i diferencave të rivlerësimit, të krijuara nga rivlerësimi i aktiveve afatgjata materiale (AAM), duke paraqitur më pak shpenzime, në pasqyrat financiare në vlerën 608.813.041 lekë për vitin ushtrimor 2011, në vlerën 586.241.657 lekë për vitin ushtrimor 2012 dhe në vlerën 574.247.315 lekë për vitin ushtrimor 2013, në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” dhe Standardin Kombëtar të Kontabilitetit nr. 5 “Aktivet afatgjata materiale dhe aktivet afatgjata jomateriale”.

Në katër raste, dokumentacioni teknik i zbatimit të punimeve të ndërtimit nga sipërmarrësit, nuk është i plotë dhe i saktë, një pjesë e punimeve të zërave të punës, nuk janë kryer sipas specifikimeve teknike, si dhe nuk janë kryer fare (pra janë likuiduar pa u kryer punimi), duke krijuar një dëm ekonomik për llogari të buxhetit të shtetit në vlerën 16,397,268 lekë.

Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” Sh.a, nuk ka përfunduar që procesin e regjistrimit të aseteve në ZVRPP përkatëse, përjashtim bën vetëm godina e Drejtorisë së Përgjithshme të “Hekurudhës Shqiptare” Sh.a, dhe ky regjistrim ka qenë i pjesshëm pasi ka përfunduar vetëm për objektin, ndërkohë për truallin është në proces.

 

Abuzimet nuk e lënë turizmin të ngrejë krye

Më 21 maj, ministri Ahmetaj pati edhe një takim me operatorë turistikë shqiptarë, të cilëve iu shprehu bindjen se “viti 2015 është viti më i mirë për turizmin, është më i miri për turistët, është më i miri për mikpritësit që jeni ju, që janë strukturat akomoduese, hotelet apo resortet…” Nuk është dakord me një pikëpamje të tillë Këshilli Botëror i Turizmit, sipas të cilit kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto nga ana e turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit. Le të shpresojmë që ky Këshill të ketë statistika të gabuara dhe jo të “sakta” si ato që përdor zakonisht ministri.

Mbase edhe Forumi Botëror Ekonomik mund të ketë shifra të gabuara që nuk është kaq optimist, sepse sipas raportit të Konkurrueshmërisë Udhëtimeve dhe Turizmit 2015, ai e nxjerr Shqipërinë në vend të fundit në rajon, mes të cilëve Kroacia renditet në vend të 33-të, Mali i Zi në vendin e 67-t-të, Maqedonia (nuk ka det) në vendin e 82-të dhe po para vendit tonë në listë është edhe Serbia (që nuk ka laget nga deti) e cila renditet e 95-ta, ndërkohë që Shqipëria është në vendin e 106 nga 141 Shtete.

Por le të vijmë te shifrat e institucioneve tona zyrtare, të cilat, gjithashtu, nuk paraqesin një situatë kaq të ndritur. Shqipëria për 2014-n pati rreth 400 mijë turistë më shumë se 2013-a, por kjo rritje është gjithsesi më e ulët se rritja progresive që pati vendi nga viti në vit që prej 2010-s e në vazhdim, pa llogaritur vitin 2013, i cili, pas mëse një dekade me rritje, qe i vetmi vit që shënoi ulje në prurjet turistike në vendin tonë. Hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare në periudhën kohore 2005-2014 janë rritur mesatarisht 19.9% në vit, ndërkohë që viti i fundit ka qenë goxha nën këtë mesatare, duke u ndalur në 12.8%. Dhe të mendosh që krahasohet me vitin 2013, vitin absolutisht më negativ të dekadës së fundit. Sepse po të krahasohej me 2012-n, rritja është vetëm 4.5%.

Çfarë po ndodh që ritmi mesatar i rritjes turistike në Shqipëri po has në një rënie të ndjeshme, kur dihet se sipas OBT-së turizmi në nivel botëror do të rritet me 50% në më pak se 20 vite? Pse pikërisht kjo rënie po ndodh pas ardhjes së qeverisë së re? Mos vallë për shkak të dëmit ekonomik prej 92 mln lekësh nga buxheti prej rreth 600 milionësh që i është shkaktuar Shtetit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT)? Nga kjo e fundit pritet që të promovojë turizmin dhe jo t’i përdorë fondet për akomodim Miss-esh nëpër hotele dhe për të mbajtur goma dhe motorë garash në magazinat e saj, çka nuk ka kurrfarë lidhje me promovimin turistik. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar në Prokurori për disa vepra penale drejtuesen e këtij institucioni dhe ka rekomanduar shkarkimin e saj, ndërkohë që për një gjë të tillë nuk ka patur asnjë marrje masash administrative nga eprorët e saj shtetërorë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here