Amiran Dzanashvili/ Berisha: Mafia bleu votat për PS në zgjedhjet e 2013

0
180

berishaMafia lokale dhe ajo ndërkombëtare bleu votat për llogari të aleancës së majtë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Deklarata e fortë është bërë nga ish-kryeministri Berisha, në një postim në profilin e tij në rrjetin e tij të preferuar “Facebook”. Berisha ka bërë një përmbledhje mbi një çështje për të cilën dhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet. Shtetasi Amiran Dzanashvili, i cili është arrestuar nga policia rumune dhe dyshohet se ka kryer aktivitet të paligjshëm edhe në Shqipëri kryesisht në kazino dhe pastrim parash, ka qenë epiqendra e postimit të ish-kryeministrit Berisha. Ndërsa nuk ka lënë pa përmendur dhe lidhjet e tij me administratën lokale dhe qeverinë shqiptare.

Sipas liderit historik të selisë blu ‘kundër qeverisë së PD-së dhe Sali Berishës nuk u mobilizuan vetëm të gjithë vrasësit, trafikantët, bosët e drogës dhe të prostitucionit, pengmarrësit, përdhunuesit, hajdutët, pra qelbësirat e vendit, por edhe eksponentë kryesor të mafies ndërkombëtare. Njëri prej këtyre bosëve të mafies ndërkombëtare, që flitet se derdhi shuma të mëdha rreth 2 milion euro për Edi Ramën dhe kundër qeverisë së PD-së në zgjedhjet e vitit 2013, është dhe manjati i lojërave të fatit, kazinove, superbosi i një rrjeti të madh prostitucioni, miliarderi Amiran Dzanashvili, që aktualisht është i burgosur në Rumani për veprimtari mafioze, rrjet prostitucioni.

Ish-kryeministri Berisha ka hedhur edhe më parë akuza ndaj koalicionit të majtë si të lidhur me malavitën. Partia Demokratike nga ana e saj ka kërkuar pastrimin e politikës nga elementë të lidhur me krimin. Akuzat kanë vijuar prej më se dy vjetësh duke akuzuar koalicionin e majtë si të lidhur me mafian dhe fenomenin e blerjes së votave. Ka pasur akuza konkrete në Shkodër Lezhë edhe Durrës për deputet të lidhur me aktivitete të paligjshëm të cilët ndikuan në rezultatin e 23 qershorit të 2013. Ndërkaq Berisha vazhdon më tej duke akuzuar direkt Kryeministrin Edi Rama si të lidhur me tentakulat e krimit të organizuar. ‘Me ardhjen në pushtet të Edi Rames, sipas burimeve të policisë kriminale, Amirani duke shfrytëzuar kontributin e tij në fushatën e PS, lidhjen e tij me Ramën dhe “çorapen”, Gazhelin, që kishte financat e PS, shtriu tentakulat e tij në një rrjet të gjerë kazinosh, lojërash fati (me Mark Frrokun), nafte me njerëz shumë të afërt të Ramës dhe sipërmarrje të tjera në Shqipëri.

Berisha e ka mbyllur statusin e tij duke i bërë thirrje prokurorisë ‘të hetojë lidhjet e Amiranit me Edi Ramen dhe njerezit perreth tij, financimin e fushates se PS nga bosi i mafies si dhe rolin e “çorapes” ne veprimtarine kriminale te larjes se parave nga Dzanashvili ne Shqiperi!’

Përfshirja e kandidatëve me precedentë kriminal ka qenë kali i betejës së opozitës prej një viti, duke folur me emra konkret dhe duke kërkuar ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për miratimin e një ligji i cili i ndalon personave me të shkuar kriminale përfshirjen në politik. Ndërkohë që ka pasur akuza dhe denoncime për tentativa për blerje votash edhe në zgjedhjet e radhës të 21 qershorit. Ka pasur akuza për kandidat me të shkuar kriminale dhe foto e lajme të sjella në vëmendje nga opozita për blerje votash nëpërmjet thasëve të miellit, lekëve kesh por edhe deri me një palë xhinse si në Shkodër.

 

Dogjani: Veliaj mashtroi se do të ulte taksat për 95% të popullsisë‏

Veliaj vetëm premtime dhe mashtrime. Kjo ka qenë kryefjala e deklaratës së mbajtur nga Partia Demokratike nëpërmjet deputetit të saj Asllan Dogjani. Selia blu ka hedhur akuza të drejtpërdrejta dhe i ka kërkuar kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj të përgjigjet për premtimet e pambajtura në zgjedhjet e 23 qershorit. Asllan Dogjani e ka quajtur thjesht papagallin e Ramës kandidatin Veliaj, dhe në emër të qytetarëve si dhe forcës së tij politike i ka drejtuar disa pyetje: ‘Pse nuk janë ulur taksat për 95% të popullsisë? Pse shqiptarët ndërkohë që kanë pagat dhe pensionet më të ulëta në Evropë kanë edhe taksat më të rritura në Ballkan?’ Ndërkaq demokratët i janë drejtuar qytetarëve për qëllimet e kandidatit rozë sipas tyre: ‘Z. Veliaj dëshiron të rrisë taksat se mendon që kjo është zgjidhja, ndërsa ne besojmë se ulja e taksave dhe nxitja e biznesit të ndershëm sjell punësim. Deklarata për mediat e selisë blu është mbyllur duke thënë se ‘votuesit meritojnë më shumë se fjalë dhe Erioni nuk mund të ofrojë asgjë veç fjalëve boshe dhe rritjes së taksave’.

Erion Veliaj është kandidati i majtë për kryetar Bashkie të kryeqytetit. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Mirëqenies Sociale, ndërkohë që është akuzuar se uli numrin e përfituesve në skemën e përkrahjes sociale. Çdo ditë që prej nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit, demokratët i kanë bërë pyetje publike z. Erion Veliaj për mosmbajtjen e premtimeve si ministër. Partia Demokratike kandidon në Tiranë mjekun e njohur Halim Kosova, i cili me një fushatë apolitike ka arritur deri më tani të jetë një figurë e pëlqyeshme dhe një kandidat shumë i fortë për kryebashkiak të Tiranës. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se sondazhet e kësaj partie, por edhe ato të pavarura e nxjerrin doktor Kosovën disa pikë përpara rivalit të tij socialist.

 

Voltana Ademi: Turizmi, instrument për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Shkodrës

Kandidatja për kryetare Bashkie e Shkodrës, znj. Voltana Ademi, ka prezantuar programin për “Zhvillimin e turizmit”. Programi u prezantua nën moton “Për Shkodrën e së ardhmes” dhe kishte në fokus evidentimin e problematikave të turizmit dhe vizionin e kandidates për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm.

“Synojmë që industria e turizmit të kthehet në burimin kryesor të rritjes ekonomike të Bashkisë sonë. Nëpërmjet promovimit aktiv të politikave, turizmi do të kthehet në një mjet për integrimin e territoreve më pak të zhvilluara dhe për përmirësimin dhe ruajtjen e zonave të trashëgimisë”, – u shpreh znj. Ademi. Synimi kryesor, sipas saj, do të jetë nxitja e zhvillimit të turizmit të zonës dhe rritja e vlerës së territorit që do të mbulojë Bashkia e Shkodrës si destinacion turistik, duke forcuar identitetin e saj unik kulturor, social, mjedisor e ekonomik dhe burimet njerëzore.

Turizmi i natyrës dhe ai rural ishte në fokusin e znj. Ademi e cila përmendi disa nga polet kryesore ku do të përqendrohet projekti i saj për promovim, mbrojtje, krijim infrastrukture siç është Parku Kombëtar i Thethit, liqeni i Shkodrës, lumi Buna, liqeni i Vaut të Dejës etj.

Velipoja si një destinacion potencial turistik bregdetar kishte një hapësirë të rëndësishme në prezantimin e kandidates Ademi. Ajo tha se do të punojë në drejtim të një pozicionimi strategjik të ardhshëm, planifikim urban të kujdesshëm për ndërtimet e reja dhe një orientim drejt një profili të për ofrimin e shërbimeve ndaj vizitorëve etj.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të operatorëve turistikë, prodhues artizanalë, biznesmenë lokalesh, restorantesh, hotelesh apo hostelesh në vende turistike nga zona të ndryshme të Shkodrës. Ata shprehen shqetësimet dhe problemet që hasin në lidhje turizmin dhe dhanë sugjerimet e tyre për të përmirësuar kushtet për një zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here