NJERIU JOPOLITIK VS NJERIU POLITIK

0
159

Brikena Bogdo

Brikena BogdoDo të fitojë njeriu politik apo ai jopolitik? Këtë do ta tregojë 21 qershori. Por, një gjë është e rëndësishme, që të dyja kampet po përpiqen t’i paraqesin zgjedhjet vendore tek publiku si apolitike. Njëri kamp e pretendon këtë me fjalë dhe retorika, ndërsa tjetri duke vënë realisht një njeri (kandidatin për Tiranën) thuajse apolitik. Me sa duket, këtë e ka kuptuar elektorati, fakt që po reflekton nëpër sondazhet e deritanishme. Njeriu jopolitik po fiton më shumë pikë sesa partia që e kandidon, ndërsa njeriu politik po fiton më pak pikë sesa partia që e kandidon. Zgjedhësit, intuitivisht, e kanë kuptuar që këto zgjedhje nuk duhen trajtuar politikisht. Nga disa analistë “kundërshtarë”, Halim Kosova është quajtur “asi nën mëngë i Berishës”. Gjithmonë është përfolur se Berisha i ka ofruar Kosovës të jetë pjesë e politikës. Por, prej disa mandatesh ai nuk ka pranuar të jetë pjesë dhe e keqpërdorjes së politikës. Ai ishte njeriu, të cilit nuk i duhej politika. Politikës i duhej një njeri me potencial të atij kalibri. Dhe koha po vërteton që në momente të caktuara, politikës i duhet ky njeri, jopolitik, së pari teknicien, menaxhues, bashkëpunues. Në 2005-ën, kur PD-së iu desh të merrte pushtetin, përdori KOP-in dhe sloganin “Me duar të pastra”, paçka se mbeti vetëm slogan, apo jo, dhe jo të gjithë anëtarët e KOP-it i mbijetuan agresivitetit politik. Përsëri, në këto zgjedhje, të cilat po konsiderohen “test politik për PD-në”, këta njerëz jopolitikë, me sloganet e thjeshta, përthithëse, janë gjithmonë goditës për elektoratin. Kosova, aktualisht, ka pranuar të jetë pjesë e një kampi politik, por po kërkon me forcë të konsiderohet teknicien, jo politikan, dhe po e kërkon nga të gjithë, si nga elektorati i tij, si nga elektorati kundërshtar, bashkëpunimin. Kjo po bën që të ndiqet me shumë interes edhe nga kundërshtarët e tij apo të lëkundurit. Këtë model të ri bashkëpunimi midis kampesh realizoi “qytetaria” e Shkodrës Ademi–Bazhdari, të cilat kanë dalë në disa aktivitete së bashku. Nuk ka rëndësi se kush e hodhi idenë e bashkëpunimit dhe kush e pranoi, por rëndësi ka produkti dhe efekti shumë pozitiv, që po krijon në elektorat. Këtë po tenton Kosova, duke i kërkuar bashkëpunim kreut të qeverisë (kjo është një nga armët e forta të tij që po e rrit, në elektorat), por që jo vetëm nuk po merr përgjigje (dhe një përgjigje pozitive do t’i rriste në elektorat si Veliajn ashtu dhe Ramën), por Rama hedh batutën “të ikë, se u duhet “grave”. Me një kundërshtar jopolitik, politika çorientohet në sjellje dhe reagime.

Përse në zgjedhjet lokale teknicieni dhe bashkëpunimi, janë të domosdoshme. Gjatë një prej investigimeve të mia për WC-të e shkollave, konstatova që ende vidhen detergjentet, nuk ka sapunë, nuk ka ujë, dyer, dritare dhe nëpër tualete kishte ende WC të shkulura. Gjatë investigimit për problemin që kishte shkaktuar shqetësime tek fëmijët dhe prindërit, që po u sëmureshin nga veshkat, kur trokisja nëpër zyra, asnjë e tillë nuk më hapej. “Hermetizëm total” për punët e përbashkëta, aty ku çdokush duhet të ketë akses total, për t’u informuar dhe pse jo denoncuar. Në fund të investigimit, i cili është transmetuar në një nga televizionet kombëtare, konkluzioni ishte që, jo vetëm vidhej, por ishte i domosdoshëm bashkëpunimi, pasi fajtor ishin, jo vetëm drejtoria e shkollës, emëruar nga drejtoria arsimore (pushteti qendror), por edhe minibashkitë dhe bashkia qendrore, që hidhte miliona lekë. Rrugët kërkojnë bashkëpunim, pasi vidhen, që në ndërtim, që në shtresat, gjatë punimit, prandaj mbas 6 muajsh mbushen me gropa. Chek and balance, është thelbi i demokracisë. Pa këtë bashkëpunim do të vazhdojë të vidhet ushqimi, nëpër kopshte dhe çerdhe (kur e investigoja, vajit i vinte era peshk, vezët mbanin vula nga firma, që nuk ekzistonin në treg. Tregtarët më deklaronin që nuk i merrnin ato vezë, pasi askush në treg nuk i blinte. Në kopshte gjeje lëngje frutash, me data të kaluara skadence, të cilat, më shumë ishin ujë. Mallrat ushqimore që shkonin nëpër kopshte ishin jashtë standardeve). Na duhet Tirana e bukur turistike, me palma dhe drita, po aq shumë, sa ushqimi nëpër çerdhe dhe kopshte, ku ende vidhet dhe abuzohet. Thjeshtësisht, na duhen edhe këto të thjeshtat, të përditshmet, të përbashkëtat, jashtë politikës qëndrore dhe të madhe. Edhe këto zgjedhje janë për punët e përditshme. Jo vetëm për punët e dukshme, të përbashkëta, por edhe të padukshme, të përbashkëta .

Me kërkesën për bashkëpunim Halim Kosova ul agresivitetin politik dhe këtë e thotë me një diskurs tejet origjinal. “Ala s’më keni pa ju mu”, “Le ta inaugurojë kush të dojë bulevardin, për mu nuk ka asnjë rëndësi”, “Çfarë nuk thuhet nëpër fushata”, “Kërkoj ndjesë qytetare”, “Kërkoj bashkëpunim”. Vetëm një njeri apolitik mund të dalë përtej konfliktualitetit politik, të instaluar në këta 25 vjet. Fjali të Halim Kosovës që po përmbysin krejt diskursin politik, ambientin politik, detyrimisht prioritetet politike. Këto fjali mund të tingëllojnë edhe naive, por një gjë është tashmë krejt e sigurt, e ka çaktivizuar dhe çagresivizuar kundërshtarin politik. Për këtë, u qartësua shumë shpejt kundërshtari, i cili detyrimisht ndryshoi qëndrim dhe taktikë, pasi në vend që të nxirrte qesharak kundërshtarin, po xhironte në boshllëk mediatik, duke i rritur ndjeshëm imazhin palës tjetër. Për herë të parë, u zeruan efektet e fjalëve tallëse dhe thumbuese, ushqimi politik i përditshëm. Paraqitja, me një format krejt të pashkelur nga politikanët shqiptar. T’i imponohesh kundërshtarit qetësisht. Është politikani që nuk kuron formën e fjalisë në dukje, por kuron në thelb përmbajtjen, atë që ka rëndësi reale. Ai po vërteton tezën, që jo gjithmonë shkojnë bashkë fjalët, me punët, ose po vërtetohet shprehja “fjalë pak, punë shumë”. Jemi mësuar të dëgjojmë format-diskurse nga format-politikanë, me fjali të kuruara në detaj, në formë. Deri më tash, ka pasur rëndësi që kundërshtari të thumbohet, tallet, denigrohet, që herë-herë e bëjnë publikun të nënqeshë, dhe po aq shpesh, të qeshë, me humorin e zi.

Aq origjinale dhe përmbysëse janë diskurset e Kosovës, saqë të krijohet ideja që efekti i këtij tip politikani të ri, që po i ofrohet publikut ka shumë më tepër rëndësi sesa efektet dhe fitoret politike të çastit të njërit kamp apo tjetrit. Përmbysje e koncepteve politike. Sado mund të jetë e realizueshme kjo, do mbetet për t’u parë. T‘i ofrosh kundërshtarit bashkëpunim. Teatër apo tendencë e re e mundshme? Së pari, “mundet politika shqiptare të bashkëpunojë?” Së dyti, bashkëpunimi kërkon dy apo më shumë palë. Gjithsesi, aktualisht shohim kampin socialist, shumë të qetë dhe të matur në deklarata, përkundër fillimeve të fushatës, me shumë tallje dhe fjalë shpotitëse. Kjo vetëm ndaj Kosovës.

Politika po del jashtë kornizave stampë, që ia kishin imponuar publiku, pasi po shikon që publiku po joshet së tepërmi, nga ofertat e reja, sidomos nga modelet e reja. Partitë kryesore shndërrojnë imazhet, njëri nxjerr njeriun e punës, të ndershëm, me integritet, tjetri njeriun e ri energjik, por gjithsesi, tejet politik. Të pavarurit, imazhe dhe oferta konkrete te zbatueshme dhe të realizueshme, apo jo. Një gjë ka shumë rëndësi, politikës po i imponohet një sjellje tjetër, diskurs tjetër. Po përmbysen prioritete, po përmbysen epoka. Sa të vërtetë janë? Sa të realizueshme janë? Kur do t’i japë efektet, askush nuk mund ta thotë. Por, monitorimi i Evropës dhe tentativa e politikës shqiptare, për të qenë pjesë e saj, me hir, apo pahir, po fillon të japë efektet.

Deri më tash, kemi parë diskurs agresiv, të imponuar nga politika për t‘u bërë e besueshme, në publik. Ky është mentaliteti shqiptar. Është real ky mentalitet i retorikës agresive, të instaluar nga politikanët shqiptarë dhe e bërë allashqiptarçe? Edhe nëse është, cilës shtresë tenton t‘i flasë? Fakti është, që publiku ka reaguar shumë pozitivisht ndaj figurave, që kanë transmetuar qetësi dhe pozitivitet, cilado qoftë ajo, e djathtë ose e majtë.

Kultura e pakët politike shkakton një mbivlerësim të politikës dhe pushtetit të saj, ose më saktë një avantazh, ose abuzim të saj, duke fituar terren edhe aty ku duhet të ishte domen i qytetarëve. Zgjedhjet për pushtetin lokal janë shndërruar “për qytetarin, pa qytetarin”.Në fakt, zgjedhjet lokale duhet të jenë tipikisht, për qytetarin. Por, ato janë shndërruar në betejë politike dhe përfitim politik, test politik për zgjedhjet e përgjithshme, me premtime tipike, për zgjedhje të përgjithshme, duke i lënë në plan të dytë, kandidatët për kryetar bashkie. Nuk ndodh kjo, në vende të zhvilluara evropiane, ku lokalet e gëzojnë pavarësinë nga pushteti qendror. Nëse një kandidat kërkon mandat, del me logon e tij dhe sheh lloj-lloj karagjozllëqesh. Kandidati për kryetar bashkie del me fshesë në dorë për të treguar që ai premton, të pastrojë qytetin e tij. Dikush premton se do të sjellë erën dhe diellin, por një gjë ka rëndësi, që ata dalin me logon e tyre personale, jo të partive.

Ndërkohë, “shitja dhe blerja e votave”, që ka filluar të përflitet fort, por edhe po del me fakte në media “bërja e kartave false të identitetit, denoncuar nga “Ça thu”, “3000 votuesit në lista fiktive, të denoncuar në Durrës, do të kompromentojë rëndë lojën “fair” politike, duke rrëzuar poshtë të gjitha analizat dhe analistët për njerëz të ndershëm, bashkëpunues apo për efektet e karizmës dhe body language të këtyre kandidatëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here