Standard.al

Kriza/ Arka e shtetit po boshatiset, qeveria shet asetet shtetërore

0
Ervin Kaduku
 
qeveria shet asetet shtetërore–   Arka e shtetit po boshatiset me shpejtësi nga ristrukturime fasadash, mbjellje palmash apo ndërtime të “kunjave” urbane
 
Për të mbushur sadopak arkën e shtetit, të boshatisur për kryerjen e ristrukturimeve të fasadave, nga mbjelljet e palmave apo ndërtimet e “kunjave” urbane, qeveria ka shpallur një plan të ri për të shitur aksionet e ndërmarrjeve shtetërore, që janë në process falimenti apo shërbejnë për të dhënë ambjente me qira për biznese të tjera private.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka përfshirë në procesin e falimentit dhe të likuidimit 10 ndërmarrje të reja në industrinë e joushqimore. Duke synuar maksimizimin e vlerave të aseteve të mbetura, me shpenzime sa më të vogla, po ndiqet me përparësi përshpejtimi i procedurave të shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve, kryesisht në industrinë joushqimore njoftojnë burimet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Shoqëritë dhe ndërmarrjet në likuidim që janë në varësi administrative të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, sipas statusit të tyre juridik janë Shoqëri aksionere. Ja lista e tyre:
 
1.Kombinati Energjetik sh.a. Elbasan
 2.Prodhim Mobilje sh.a. Tiranë
 3. Ndërmarrja e Prodhim Veshjeve sh.a. Durrës (ka kaluar në ruajtje dhe administrim Ndërmarrjen Goma Durrës)
 4.Prodhim Këpuca sh.a. Korçë (ka kaluar në ruajtje dhe administrim Trikotazhi sh.a. Korçë dhe Fabrika e Çorapeve Korçë – ndërmarrje në likuidim)
5.Beratex sh.a. Berat
 6.Prodhim Kabllo sh.a. Shkodër (Shoqëri në likuidim)
 7.Uzina e Superfosfatit Laç – sh.a. në likuidim, e cila vitin 2014 ka marrë në administrim asetet e ish “Superfosfati Laç” (ndërmarrje në likuidim)

 8. N.P. Çelikut Elbasan (Ndërmarrje në likuidim)
 9.Uzina nr. 12 dhe Co Elbasan – ndërmarrje në likuidim sipas VKM 418, date 9.7.1998 dhe VKM nr. 113,date 18.3.1999
 10.Uzina e Plehrave Azotike Fier – ndërmarrje në likuidim sipas VKM 269, datë 8.6.1999 “Për falimentimin dhe likuidimin e Uzinës së Plehrave Azotike Fier dhe trajtimin e punonjësve që shkurtohen”
 
Ndërkohë, është miratuar që në muajin korrik 2014 edhe kërkesa e ministrisë së Ekonomisë për privatizimin e paketës shtetërore për “Prodhim Këpuca”, “Trikotazh” Korçë, “Beratex” sh.a Berat dhe me tej, edhe për “Prodhim Mobilje” sh.a Tiranë dhe “NPV” sh.a Durrës.
Burimet zyrtare në ninistrinë e Energjisë pohojnë se me përparësi po ndiqet administrimi, ruajtja dhe monitorimi në “Uzinën e Plehrave Azotike” Fier i dy landfilleve, një në ish Sodën PVC dhe tjetri në Azotik, ku janë depozituar mbetje të rrezikshme.
Ndërsa për objektet e ish Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, që administrohen prej tre njësive (NPÇ-së, “Kombinati Energjetik” sh.a dhe “Uzinës 12” Ni-Co) si dhe Uzina e Plehrave Azotike Fier, janë lokalizuar disa territore të lira duke u ofruar si mundësi shprehje interesi për investime në fushën e industries, meqenëse disponojnë një infrastrukturë pjesore.
“NPV” sh.a Durrës, Beratex sh.a, “Prodhim Mobilje” sh.a Tiranë dhe NPÇ Elbasan funksionojnë në saje të dhënies së ambienteve të tyre me qira, kryesisht me aktivitet prodhues.
 
Aeroportet
Ndërkohë, po nxitohet për shpallje të interesit për investime në dy aeroporte, edhe pse situata e fluturimeve civile është bllokuar edhe për 10 vite të tjera nga vendimi i qeverisë Nano që i dha të drejtë kompanisë koncesionare të Rinasit të mbajë ekskluzivitetin e vendosjes së tyre. Edhe pse qeveria shqiptare nuk e ka shpallur zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me koncesionarin e Aeroportit Ndërkombëtare të Rinasit për ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare në aeroportet e tjera të vendit, Agjencia e Nxitjes së Investimeve të Huaja (AIDA) fton investitorët e huaj të zhvillojnë dy aeroporte të reja në Shqipëri. Në dokumentin “Albania Calls 2015”, agjencia e investimeve të huaja ka ftuar të interesuarit për të vënë në funksion Aeroportin e Kukësit dhe atë të Sarandës, në të cilin nuk janë zhvilluar fluturime që nga pavarësia e vendit. Ja të dhënat që ka dhënë AIDA për investitorët:
 
“Aeroporti i Kukësit”
Aeroporti Kukës ndodhet në Pjesa veriore e Shqipërisë, funksionon vetëm për ulje emergjente.
  • Ndodhet në jug të Kukësit, tek “Fusha e Meteorit”
  • Distanca 3 km nga qyteti i Kukësit
  • Distanca 45 km nga Prizreni, Kosovë
  • Distanca 120 km nga Prishtina Kosova
 
“Aeroporti Saranda”
Aeroporti i Sarandës ndodhet në Pjesën jugore të Shqipërisë, funksionon për ulje emergjente (Fusha e Vrionit). Pas pavarësisë së Shqipërisë, aerodromi i Sarandës nuk është përdoru më dhe ka një infrastrukturë tërësisht të vjetër. Aerodromi është i rrethuar nga toka bujqësore, të cilat janë pronë e shtetit.
  • Distanca 3 km në lindje të qytetit të Sarandës
  • Distanca 6 km nga rruga nacionale
  • Distanca 20 km mbi nivelin e detit.
  • Dimensionet në terren janë 780 x 70 m.
  • Gjatësia në ulje: 1800 m

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.