Debati në KQZ/ PDIU përjashtohet nga numërimi, ambasadori Lu “rikthen Luzin në identitet”

0
113

 

 

Gëzim Saliu

Lu ne KQZPas takimit me Lu-në, Luzi “rikthehet” sërish me të djathtët, voton kundër anëtarëve të mazhorancës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje me shumicë votash që anëtari i tretë i grupeve të numërimit të votave t’i përkasë LSI-së dhe ai i katërt PR-së, sipas koalicioneve politike në këto zgjedhje. Kjo pikë diskutimi hasi debate të mëdha në mbledhje, pasi të majtët kërkuan që të hidhej shorti mes PDIU-së dhe PR-së për numëruesin e katërt, duke e konsideruar partinë e Idrizit si një forcë politike të dalë nga e djathta në vitin 2013. Ndërsa opozita theksoi se shorti duhej të hidhej mes LSI-së dhe PDIU-së, si dy forca të koalicionit të majtë, pasi numëruesi i katërt duhej t’i takojë forcës së dytë të koalicionit të djathtë që është Partia Republikane. Pas disa orësh debate, KQZ miratoi propozimin e kryetares Lefterie Luzi, i cili parashikon që anëtari i tretë t’i përkasë LSI dhe ai i katërt PR-së.

 

Debati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përjashtoi dje nga shorti për zgjedhjen e anëtarit të e 3-të e 4-të të Grupeve të Numërimit të Votave PDIU-në. Me votat e anëtarëve të propozuar nga e djathta si edhe atë të kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi, u vendos që anëtari i katërt t’i takojë PR-së dhe jo të hidhej me short mes forcës së drejtuar nga Idrizi me atë të kryesuar nga Mediu. Por deri në marrjen e këtij vendimi, debatet në mbledhjen e Komisionit ishin të tensionuara. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, deklaroi se anëtari 3 shkon te partia e dytë e shumicës, anëtari 4 te partia e dytë e opozitës. “PDIU, siç është përcaktuar në njërin nga këto variant, duke qenë në koalicion me PS e LSI nuk mund të jetë pjesë dhe garant i votave të koalicionit kundërshtar, për këtë arsye kërkojmë që shorti të mos hidhet mes PR e PDIU por siç është e udhës që parashikon ligji mes LSI e PDIU”, – tha ai. Po ashtu përfaqësuesi i Partisë Republikane në KQZ, Arjan Madhi, tha se duhet të vendoset për konkurrueshmërinë, duke shtuar se KQZ duhet të garantojë besueshmërinë në proces. Ai solli si shembull vendimin e KQZ-së në vitin 2009 për numëruesin e PDK-së. “Duhet të vendoset për konkurrueshmërinë. Jemi këtu të garantojmë besueshmërinë në proces. Kolegji në 2009 vendosi të kishte numërues PDK. PDK ishte parti e djathtë, por jo në koalicion me PD”, – tha Madhi. Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i PS-së Gjonçaj tha se PDIU ka dalë nga zgjedhjet si parti në opozitë dhe shorti duhet të hidhet mes PR e PDIU-së. Pas debateve mes palëve, kryetarja e KQZ Lefterie Luzi propozoi që anëtari i tretë në grupet e numërimit të propozohet nga LSI dhe i katërti nga PR. Kjo, sipas argumentit të Luzit, duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe balancimit politik të koalicioneve në këto zgjedhje, pasi sipas saj PDIU tashmë është në koalicion me të majtën. Ndërkaq PDIU theksoi dje se do ta dërgojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor pasi sipas saj ai është antiligjor.

 

Pse erdhi përplasja për grupet e numërimit

Në çdo tryezë të numërimit të votave, një anëtar i takon PS-së, një PD­së, dy anëtarët e tjerë caktohen një nga partia e dytë në mazhorancë dhe partia e dytë në opozitë, me kushtin që këto parti të kenë mbi 2 mandate deputetësh. Për këtë çështje, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, dhe nënkryetari Denar Biba kanë kërkuar nga Parlamenti renditjen e partive sipas lëvizjeve të fundit. Për këtë argument, Kuvendi u ka dërguar dy shkresa, në të cilat udhëzon që KQZ ta cilësojë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si pjesë e opozitës, duke u bazuar në rezultatet e vitit 2013, në këtë mënyrë shorti për anëtarin e katërt do të hidhet mes PR-së dhe PDIU-së, ndërkohë që anëtari i tretë do t’i kalojë automatikisht LSI­së, pasi në koalicionin e mazhorancës nuk ka parti të tjera që gëzojnë mbi dy mandate deputetësh. Me këtë konfigurim në çdo tryezë të numërimit të votave, mazhoranca do të ketë 3 numërues, ndërsa opozita që përfaqësohet nga Partia Demokratike do të këtë vetëm 1 anëtar. Por me vendimin e djeshëm të KQZ-së, numëruesi i tretë do ti takojë LSI-së e numëruesi i katërt do t’i takojë PR-së si forcë e dytë e koalicionit të djathtë.

 

Debati në KQZ

Ivi Kaso (përfaqësuesi ligjor i PD-së): PDIU, siç është përcaktuar në njërin nga këto variante, duke qenë në koalicion me PS e LSI nuk mund të jetë pjesë dhe garant i votave të koalicionit kundërshtar, për këtë arsye kërkojmë që shorti të mos hidhet mes PR e PDIU por siç është e udhës që parashikon ligji mes LSI e PDIU. Ndryshe i vini flakën zgjedhjeve.

Arjan Madhi (përfaqësuesi i PR-së): Duhet të vendoset për konkurrueshmërinë. Jemi këtu të garantojmë besueshmërinë në proces. Kolegji në 2009 vendosi të kishte numërues PDK. PDK ishte parti e djathtë, por jo në koalicion me PD.

Genci Gjonçaj (përfaqësuesi ligjor i PS-së): PDIU ka dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2013-ës si parti në opozitë dhe shorti duhet të hidhet mes PR-së e PDIU-së.

Lefterie Luzi (kryetarja e KQZ-së): Duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe balancimit politik të koalicioneve në këto zgjedhje propozoj që anëtari i tretë në grupet e numërimit të propozohet nga LSI dhe i katërti nga PR-ja.

 

Vizita e ambasadorit amerikan/ Lu, anëtarëve të KQZ-së: Pastrimi i politikës nga individët me rekorde kriminale, i rëndësishëm

Ambasadori amerikan Donald Lu zhvilloi dje një takim me kryetaren Lefterie Luzi dhe anëtarët e KQZ-së ku burimet pranë këtij institucioni bënë të ditur se kryediplomati i SHBA-së ka theksuar se pastrimi i politikës nga individët me rekorde kriminale është një proces me rëndësi të madhe për demokracinë në Shqipëri dhe për anëtarësimin e vendit në BE. Po ashtu, mësohet se ambasadori amerikan gjatë këtij takimi ka vlerësuar vendimmarrjen e deritanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e të gjitha institucioneve zgjedhore, nga KQV-të tek KQZ-ja e deri tek Kolegji Zgjedhor, për të zbatuar ligjin në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Gjithashtu, Lu nënvizoi rolin jetik të KQZ-së për të ruajtur demokracinë shqiptare dhe bëri një paraqitje të mbështetjes së qeverisë së SHBA për vëzhgimin vendas dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve. Takimi i kryediplomatit amerikan në vend erdhi dy ditë pasi Ambasada e SHBA-së përshëndeti vendimin e liderit të opozitës, Lulzim Basha, për tërheqjen e kandidatit të PD-së për Këlcyrën, Gentian Muhameti. Ndërkaq, KQZ vendosi më parë të mos regjistronte Ilir Pjetrajn si kandidat të PD-së në Kurbin dhe nga ana tjetër të mos pranojë dorëheqjen e Altin Bibës për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Kurbinit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here