Rrëzimi i avionit MH17: Kremlini me gjasë falsifikoi pamjet satelitore

0
135

Hetime mbi rrëzimin e avionit MH17Manipulime si në filma me agjentë? Rusia bën përgjegjëse Ukrainën për rrëzimin e avionit të shoqërisë malajziane, MH17. Por sipas një analize të pavarur: Pamjet satelitore u manipuluan.

Qeveria ruse sipas të gjitha gjasave ka manipuluar pamjet satelitore që lidhen me rrëzimin e avionit MH17 në 17 korrik 2014 në lindje të Ukrainës, me qëllim që të provonte fajin e qeverisë ukrainase. Në këtë përfundim vjen një analizë e një grupi investigativ gazetarësh. “Analiza forensike” ka nxjerrë “qartë dhe pa dyshim” se pamjet satelitore kanë datë të falsifikuar dhe u ndryshuan me programin Software Adope Photoshop CS25, thuhet në këtë raport që citohet nga mediat gjermane, Zeit Online dhe Spiegel Online.

Grupi investigativ “Bellingcat” ka marrë nën vëzhgim dy pamje satelitore të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, të cilat paraqiteshin si prova nga pala ruse se aviacioni ukrainas në ditën e rrëzimit kishte qenë aktiv në rajon. Qeveria ruse i publikoi pamjet më 21 korrik 2014, në një konferencë shtypi në Moskë, pak ditë pas rrëzimit të avionit.

Raketahedhës i zhvendosur në mënyrë dixhitale?

Sipas të dhënave ruse në një fotografi të bërë ditën e rrëzimit duket se së paku një raketahedhës vetëlëvizës i tipit Buk i forcave ukrainase nuk ndodhej më në bazën ushtarake të Donjeckut. Pamja e dytë satelitore provon, sipas rusëve, se dy raketahedhës dhe një automjet tjetër ushtarak ukrainas ndodheshin në jug të fshatit Zaroshinskoje. “Këto aparatura komplekse janë në gjendje të godasin objektiva në distancë 35 kilometra dhe lartësi 22 kilometra”, – u tha në konferencën e shtypit. Sipas tyre raketahedhësit ndodheshin në afërsi të fluturimit të MH17.

Por hulumtimet e grupit investigativ Bellingcat kanë provuar se fotografitë e paraqitura nga rusët janë bërë qartazi para ditës së rrëzimit të avionit. Pamja e parë satelitore është bërë nga 1-18 qershor 2014, dhe e dytë para 15 korrikut, njofton Spiegel Online. Ky rezultat del pas krahasimit me pamjet satelitore të hapura për publikun në të njëjtën hapësirë kohore -si p.sh. ato të Google Earth. Veç kësaj pamjet janë ndryshuar më pas: Raketahedhësit e tipit Buk janë hequr nga një foto, dhe janë shtuar në tjetrën, shkruan Zeit Online.

Avioni Boeing 777 i Malaysia Airlines me numrin MH17 u rrëzuar më 17 korrik 2014 në lindjen e Ukrainës, në një rajon luftimesh. 298 vetë humbën jetën, 193 holandezë, katër gjermanë. Avioni ndodhej në itinerarin e fluturimit nga Amsterdami në Kuala Lumpur. Në lartësitë mbi 10.000 metra avioni u godit me shumë gjasa nga një raketë.

Holanda është ngarkuar me hetimet mbi shkakun e rrëzimit dhe ato penale. Sipas një raporti të parë avioni është goditur nga jashtë, këtë e tregojnë vrimat e shumta në pjesë të tij. Këtë verë pritet një raport se kush është fajtor për rrëzimin e tij. Qeveria ukrainase dhe disa qeveri evropiane fajësojnë Rusisë si bashkëpërgjegjëse, pasi ajo u ka ofruar sisteme raketash kryengritësve në lindje. Rusia dhe separatistët e hedhin poshtë këtë akuzë dhe fajësojnë palën ukrainase.

298 të vdekur nga rrëzimi i avionit të Malaysia Airlines

Të gjithë pasagjerët 280 gjithsej dhe 15 antarët e ekipazhit kanë gjetur vdekjen, citon agjencia ruse e lajmeve Interfax Anton Gerashtçenkon, një këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Ai bën përgjegjës separatistët pro-rusë për këtë akt. Avioni Boeing 777 fluturonte në lartësinë 10.000 metra kur u godit nga një predhë e tipit Buk dhe u rrëzua në Shahtjorsk, rreth 60 km në perëndim të kufirit rus. Ky rajon kontrollohet prej separatistëve ukrainas.

Ky sistem komandimi armatimesh i zhvilluar në vitet 1980 nga ushtarakët sovjetikë mund të godasë objektiva në lartësinë deri në 25.000 metra. Kryengritësit ukrainas i hodhën poshtë menjëherë akuzën për pjesëmarrjen në veprime të tilla dhe deklaruan, se ata nuk posedojnë armë të këtij sistemi, për të qëlluar avionë në një lartësi të tillë. Separatistët akuzojnë nga ana e tyre forcat e armatosura ukrainase e kanë qëlluar avionin.

Forcat e para të ndihmës kanë mbërritur në vendin e fatkeqësisë. Avioni Boeing fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Shoqëria ajrore Malaysia Airlines konfirmoi, se kish humbur kontaktin me avionin MH17. Pozicioni i fundit që dihej kishte qenë mbi Ukrainë.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko krijoi një komision hetimor, në të cilin janë ftuar të marrin pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë, ndër ta edhe nga Holanda e Malajzia.

Holanda prej nga ishte numri më i madh i pasagjerëve (154) shpalli ditë zie kombëtare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme në Berlin në bord ishin edhe katër nënshtetas gjermanë dhe 27 australianë.

Lufthansa nuk fluturon më mbi hapësirën në lindje të Ukrainës

Duke reguar ndaj rastit, për të cilin dyshohet se avioni mund të jetë qëlluar, disa shoqëri të mëdha ajrore i kanë ndryshuar itineraret e tyre, ndër to edhe Lufthansa gjermane. “Ne për një afat të pacaktuar nuk do të fluturojmë më mbi hapësirën në lindje të Ukrainës”, – njoftoi zëdhënësi i Lufthansa-s Andreas Bartels. Rregulli vlen, derisa të sqarohet rasti dhe kjo hapësirë të klasifikohet si e sigurtë.

Për udhëheqjen ukrainase në Kiev ky “është rasti i tretë tragjik gjatë ditëve të fundit”, siç u shpreh Poroshenko. Ai dënoi edhe një herë sulmin ndaj avionit luftarak dhe të një avioni transporti “nga territori shtetëror rus”. Rusia i ka hedhur poshtë me vendosmëri të gjitha akuzat për përgjegjësit e aviacionit të saj ushtarak.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here