Prezanton programin/ Kosova: 25 mijë vende pune, 30% ulje taksave lokale. Ftoj Ramën për kafe që të nisim nga puna

0
130

Gëzim Saliu

halim kosova“Tirana duhet të jetë larg konfliktit politik, duke zgjedhur menaxherin dhe jo një politikan nën urdhra partiakë”

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, prezantoi dje programin e tij për qeverisjen e Tiranës, ku theksoi se në katër vite synon të hapë 25 mijë vende të reja pune si edhe të ulë me 30% taksat lokale. Duke iu referuar kundërshtarit politik, Kosova theksoi se kryeqyteti ka më shumë nevojë për një menaxher sesa një individ të vendosur nën urdhrat partiakë. “Unë nuk po kandidoj për karrierë politike, por për kryetar Bashkie në Tiranë me qëllimin për të ulur taksat për familjet dhe biznesin; të përmirësoj higjienën e qytetit; të përmirësoj kushtet në sistemin arsimor; të shtroj rrugë e trotuare; të kujdesem për shtresat në nevojë. Këtij qyteti i duhet më shumë një menaxher sesa një politikan, që ju e keni parë se japin leje ndërtimi për të përforcuar pozicionet brenda partisë, që mund ta shkatërrojnë qytetin shumë më lehtë për hir të konsolidimit të karrierës në parti apo politikë. Jashtë modestisë, dua t’ju them diçka: unë e kam bërë menaxherin gjithë këto vite, ndoshta më shumë se kushdo. Menaxheri, më shumë se eksperienca, është talent që lind dhe nuk bëhet me urdhër. Aq më tepër kur urdhri është partiak”, – tha ai.

 

Programi

Në prezantimin e programit, Kosova tha se plani i tij përfshin ulje deri në limitin e lejuar ligjor 30% të taksave lokale si edhe përdorim me efiçencë dhe efektivitet të çdo të ardhure nga taksat në funksion të investimeve dhe zhvillimit të qytetit. “Përdorimi me efektivitet i fondeve publike dhe sigurimi 15 mln euro si fond garancie për nisjen e bizneseve të të rinjve, të grave, fermerëve, bizneseve artizane dhe sociale në Tiranë; reduktim i procedurave bashkiake për nisjen e një biznesi; reduktim i taksave dhe krijimi i mbi 24 mijë vendeve të reja pune në 4 vite nga investimet dhe politikat ekonomike e fiskale të Bashkisë së Tiranës. 10 mijë persona të tjerë, kryesisht të rinj, punësohen përmes praktikave, trajnimeve dhe ndërmjetësimit bashkiak”, – theksoi kandidati i PD-së.

 

Thirrja për Ramën

Në fund të takimit, Kosova i kërkoi Kryeministrit Edi Rama të pinin bashkë një kafe për ta nisur mbarë, siç tha ai, punën për Tiranën. “Me të vërtetë e ka ai, kur thotë se kush është socialist do ta përkrah e kush është demokrat jo? Po pse, çifligu i kujt është Shqipëria? Ai do ta kondicionojë votën e të gjithëve? E kam merak ta pi këtë kafe e ta sqaroj nga afër se nuk e dua publike. E ka për shaka fushate, siç ishte mjekësia falas apo shumë gjëra të tjera që një pjesë i kanë ngrënë apo vërtet e ka mendësi? Kështu që do t’ia kërkoj përditë këtë kafe, kur ta ketë mundësinë, kur të dojë, me një konditë, që kafen e paguaj unë, por ama shpjegimin do ma japë ai. Po ju them atë që ju e dëgjoni në shtëpi: Unë nuk jam politikan tipik, por ndoshta për këtë keni nevojë ju”, – përfundoi kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës.

 

Te njësia 3/ Veliaj: Këta e kanë Bashkinë dhe flasin për të ardhmen. Mazhoranca në drejtimin e duhur

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi dje një takim në njësinë 3 ku identifikoi gjithsej 310 probleme konkrete për këtë zonë. “Menjëherë t’i përveshim mëngët dhe të fillojmë punën, se Tirana ka katër vjet që pret të fillojë puna. Miqtë e mi, ne kemi një vit e gjysmë me qeverinë e re, unë jam shumë i ndërgjegjshëm, Lindita është shumë e ndërgjegjshme, që ambicia është shumë më e lartë se gjërat që kemi arritur deri më tani, por një gjë ua them me siguri të plotë, ne jemi në drejtimin e duhur”, – u shpreh Veliaj. Më tej, duke iu referuar kundërshtarëve politikë, kandidati i majtë pohoi se aktualisht bashkia drejtohet nga të djathtët dhe ata sipas Veliajt nuk kanë pse bëjnë premtime për të ardhmen kur mund t’i realizojnë ato momentalisht. “Thoshte që do bëjmë namin në sport, do dyfishojmë sportistët elitar, por unë bëj një pyetje, po ju pse do dyfishoni sportistët e Tiranës? Ju paguani këta që keni. Nuk e di nëse e keni dëgjuar Refik Halilin, presidentin e KF Tirana, tha në katër vjet Bashkia më ka dhënë 3 milionë e 600 mijë lekë të vjetra. Sot, futbollistët e Tiranës, kanë katër vjet pa paguar sigurimet shoqërore, e çfarë ekipi është ky?”, – u shpreh Veliaj.

 

 

Në Vlorë/ Basha: U vodhën 5 mln USD nga ilaçet. Deromemaj: Kompensim energjie nga 3500 lekë për 6000 familje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha dje nga Vlora se mazhoranca e majtë e sheh këtë Bashki vetëm për përfitim personal ndërsa qytetarët janë të zhytur në varfëri dhe mjerim. Në një takim ku u prezantua programi i kandidatit Deromemaj, Basha theksoi se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë. “Nuk kanë se çfarë bilanci të prezantojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima edhe kur guxojnë siç guxuan sot të vijnë e të flasin për spitalin psikiatrik, të gjithë e dimë, filloi të ndërtohej në kohën kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, dr. Halim Kosova, harron të thotë kryesoren. Programet investigative me kamera të fshehta treguan se si merrej 500 mijë lekë ryshfet për një KEMP”, – tha ai. Ndërsa kryedemokrati po fliste një zonjë nga salla ka marrë fjalën për të treguar se si ajo e kishte të pamundur të kuronte djalin e saj të sëmurë rëndë. “Po më vdes djali, 25 vjeç, nuk kam çfarë t’i bëj më. Punoj për 150 mijë lekë, nuk ma shtrojnë në spital, as nuk i japin as raport, as KEMP. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Jemi të zhgënjyer që të gjithë nga Edi Rama”, – tha ajo. Në përgjigje të këtij denoncimi, Basha tha: “Realiteti është ky por nga ana tjetër 5 milionë dollarë i kanë vjedhur nga fondi i kompensimit për insulinën dhe për sëmundjet e rënda. Lekët e të sëmurëve i kanë vjedhur. Deri këtu ka shkuar pashpirtësia”. Ndërkohë kandidati për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj, prezantoi platformën e tij për zhvillimin e Vlorës ku tha se varfëria ka arritur kulmin dhe për këtë një vëmendje të veçantë do i kushtohet shtresave në nevojë. “Para ca ditësh takova një grua e cila kishte shitur gjysmë litri gjak dhe këto lekë i kishte marrë e i kishte çuar për të paguar energjinë elektrike sepse kishte frikë të shkonte në burg. Ne do të bëjmë të mundur një fond rimbursimi për energjinë elektrike me vlerë 3500 lekë për familje. Janë 6000 familje që do i kushtojnë buxhetit të administratës së Bashkisë nesër jo më shumë nga 21-22 milionë lekë të reja”, – theksoi Deromemaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here