Muaji i fundit i Greqisë në Eurozonë?

0
114

Bernd Riegert

Bernd RiegertGreqia rrezikon seriozisht daljen nga Eurozona. Ndërkohë që Tsipras filozofon në media mbi teori komplotesh, partnerët ndërkombëtarë presin premtime të qarta për reforma. Athina duhet të veprojë, mendon Bernd Riegert.

Qershori mund të jetë muaji i fundit i Greqisë në Eurozonë, po qe se koalicioni i majtë me radikalët e djathtë nuk bën ndonjë lëvizje përpara për ta zhbllokuar gjendjen e krijuar. Kërcënimi për vështirësi në pagesat që i duhen bërë FMN-së shoqërohet nga një kakofoni zërash që nga njëra anë paralajmërojnë falimentimin, nga ana tjetër flasin për një sukses të sekondës së fundit në negociata. Vështirë të përgjithësosh e po kaq të vështirë e ka edhe trupa radikale që qeveris në Greqi. Në vend që t’i çojë përpara negociatat me propozime konkrete, të llogaritura mirë, kreu i qeverisë greke, Aleksis Tsipras vazhdon me fajësime. Ai flet për një komplot neoliberal në BE që e rëndon Greqinë me kërkesa absurde, dhe do ta bëjë shembull.

Por absurde janë tezat ideologjike që Tsipras ofron në gazetën franceze “Le Monde”. Ai ankohet se fajin e kanë evropianët e këqij dhe FMN-ja. Le të kujtojmë se më 20 shkurt Greqia bëri të ditur se brenda pak ditësh do të ofrohet një listë e qartë me reforma, që do të mundësonte pagesat e tjera në prill. Kjo listë nuk është gati. Qeveria greke ka ofruar vetëm një listë me reforma në administratën tatimore dhe të TVSH-së. Këto propozime synojnë zgjerimin e bazës së tatimit dhe të ardhura më të larta nga tatimet. Ky vërtet mund të cilësohet si fillimi, por propozimet nuk mjaftojnë aspak.

 

Tsipras më mirë të veprojë e jo të ankohet

Ministri fatkeq Janis Varoufakis ka humbur shumë kohë me show-n personal. Tani ditët po ikin. Më 30 qershor mbaron afati për dhënien e ndihmave të tjera Greqisë. Deri në mesin e qershorit duhet të kemi një ujdi me kreditorët, për të mundësuar teknikisht pagesat. Krahas kësaj duhet edhe miratimi i ministrave të Financave dhe disa parlamenteve në Eurozonë. Parlamenti grek duhet së paku të miratojë disa ligje për reformat e parashikuara, por kjo do të jetë e vështirë për shkak të rezistencës së krahut radikal majtist brenda Syrizas.

Por çfarë bën Aleksis Tsipras? Në vend që të ndjekë procedurën e qartë në Eurozonë, ai po kthehet në shërbim telefonik. Gati çdo ditë ai telefonon me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande, me synimin e “zgjidhjes politike” në nivele të larta. Megjithëse shumë herë në samite është bërë e qartë se nuk mungon vullneti politik për të mbajtur Greqinë në Eurozonë. Ajo që mungon janë premtimet e qarta të Athinës për plotësimin e kushteve për kredi të tjera. Sigurisht duhet biseduar për kursin e rimëkëmbjes së mëtejshme të Greqisë, por ajo që duhet të dijë Aleksis Tsipras është të zgjidhë krizën urgjente financiare të Greqisë, që mund ta hedhë vendin brenda disa javësh jashtë Eurozonës.

 

Besimi i shkatërruar

Tsipras mund të takohet sa herë të dojë me Merkelin, por vendimet i merr eurogrupi, 19 anëtarë të tij, madje njëzëri. Fajin për këtë situatë të krijuar e mban në një masë të madhe trupa qeverisëse në Athinë, që me sa duket nuk mundet ose nuk di më mirë se kaq. Me pasoja: Ekonomia greke nga shkurt ka rënë rishtazi në recesion. Shtimet buxhetore janë kthyer në deficite tanimë, besimi i investitorëve është rrënuar, prenotimet e turistëve kanë rënë. Për të kryer pagesat e nevojshme, qeveria greke po merr ku mundet fonde- tek sigurimet publike, universitete dhe spitalet. Bankat greke marrin vetëm serum nga Banka Qendrore Evropiane, ndërkohë që grekët vazhdojnë të tërheqin kursimet e t’i çojnë jashtë. Kështu nuk vazhdohet më.

Greqia dhe Europa kanë nevojë tani për vendime të guximshme nga Athina. Ose qeveria e Athinës duhet t’i hapë vendin një qeverie tjetër. Deri më tani Syriza ka dështuar. Edhe sikur të arrihet në minutën e fundit qëndrimi i mëtejshëm i Greqisë në Eurozonë, është e paqartë se ç’do të bëhet më tej. Besimi tek qeveria greke si nga ana e evropianëve ashtu edhe investitorëve ka pësuar kaq goditje, sa do të jetë e vështirë rikuperimi. Kush do ta negociojë nga korriku paketën e tretë të nevojshme të ndihmës për Greqinë?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here