Masakra te “Zogu i Parë”/ Zbardhen udhëtimet e vëllezërve Doçi  në Holandë, Letizia shmang Kamorrën

0
170

 

Artan Cena

Zbardhen udhëtimet e vëllezërve Doçi  në Holandë, Letizia shmang KamorrënMarkeljan dhe Klevis Doçi e kanë ndjekur Durim Sulkun për disa muaj në Holandë. Italiani, Salvatore Letizia po tenton që të mos e përfshijë Kamorrën në vrasjen e trefishtë në Tiranë

 Salvatore Letizia, italiani i arrestuar për vrasjen e Mentor Lufit dhe Gerti Goxhajt, po tenton të shmangë hetimet që e lidhin masakrën në bulevard me një hakmarrje të organizatës mafioze “Kamorra” për prishjen e pazareve të drogës. Ndërkaq janë zbardhur edhe hyrje-daljet e Markeljan Doçit, personi të dyshuar si autori i vrasjes së Durim (Ilirjan) Sulkut në 6 prill të këtij viti në Roterdam të Holandës.

 

Lëvizjet e Doçit

Zbardhen hyrje-daljet e Markeljan Doçit gjatë vitit 2015-të, i cili sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda bashkë me vëllanë e tij Klejvi është autori i dyshuar i vrasjes së Durim Sulës në Holandë. Sipas grupit hetimor, dy vëllezërit Doçi e kanë ndjekur 33-vjeçarin në Holandë për një muaj më radhë, derisa e ekzekutuan mbrëmjen e 6 prillit. Nga të dhënat rezulton se Markeljan Doçi, 23 vjeç ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit të Rinasit në datë 28 shkurt, ku ka udhëtuar fillimisht drejt Italisë dhe më pas ka mbërritur në Holandë. Ditën e vrasjes së Durim Sulës në Roterdam të Holandës, sipas grupit hetimor, ka dyshime të arsyeshme se Markeljan Doçi dhe vëllai i tij kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e 33-vjeçarit. Nga të dhënat e policisë rezulton se, Markeljan dhe Klejvis Doçi janë kthyer në Shqipëri katër ditë pas vrasjes së vëllait të Besnik Sulkut dhe konkretisht kanë mbërritur në Rinas më datën 10 prill ora 15:53 me një avion “Jet” nga Brukseli. Sipas të njëjtave burime, Durim Sula ose siç njihet ndryshe me emrin Ilirjan Sulku ka kryer atentatin ndaj Mentor Lufit ngjarje kjo e ndodhur në 19 dhjetor 2014, ku Sulku ka hyrë në Shqipëri me një pasaportë bullgare me emrin Borislav Dimitrov. Nga ana tjetër në ambientet e burgut 302, Salvatore Letizia iu ka shprehur oficerëve të policisë gjyqësore frikën për ndonjë hakmarrje të mundshme nga grupi i Mentor Doçit.

 

Dëshmia e Letizias

Salvatore Letizia, italiani i arrestuar për vrasjen e Mentor Lufit dhe Gerti Goxhajt, po tenton të shmangë hetimet që e lidhin me organizatës mafioze “Kamorra” për prishjen e pazareve të drogës. I pyetur nga prokurorët shqiptarë, por edhe nga hetuesit italianë të ardhur me urgjencë në Tiranë, ai ka pohuar se në Shqipëri kishte ardhur për të marrë pjesë në të 40-at e Durim Sulkut, i vrarë në 6 prill në Holandë. Letizia ka pretenduar se me vëllezërit Besnik e Durim Sulku ka pasur një njohje 20-vjeçare, ndaj e kishte detyrim që të ishte në këtë ceremoni. Por i pyetur mbi praninë ne vendin e krimit, ai ka thënë se kishte një armë në dorë, por ka qëlluar vetëm në ajër. Në fakt, burime të Prokurorisë, sqarojnë se një kamera sigurie e një biznesi, e ka të fiksuar momentin kur ai qëllon, madje edhe kur i bie kapelja në tokë, ç’ka e identifikon atë plotësisht. Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se Salvatore Letizia i është bashkuar atentatit për të zbatuar urdhrin e ardhur përtej Adriatikut nga bosët e Kamorras, pasi Besnik Sulku nuk kishte dorëzuar një sasi prej 1 milionë euro për 20 kile kokainë të marrë nga mafia e të shitur nga grupi i tij. Prokurorët ndërkohë kanë zbuluar edhe një qeskë të vogël mbushur me kokainë, e cila ishte lidhur me çelësin e motorit që ishte fshehur nga dy atentatorët për t’u arratisur pas krimit. Në këtë mënyrë, skenari i vrasjeve që u finalizua me masakrën e Bulevardit, duket se përfshin në organizatë më të madhe kriminale, me fije të tjera që shtrohen në Itali, Shqipëri e Holandë e që merrej prej kohësh në trafikun e drogave të forta, të kontrolluar nga mafia napolitane duke shfrytëzuar grupet shqiptare.

 

 Do të dërgohej në Greqi, 3 korçarë prangosen me 1.8 kg kokainë

 Kapet 1. 873 kilogramë kokainë dhe në pranga janë vënë tre persona. Operacioni i koduar “Udhëtimi 2” është zhvilluar dje nga Policia e Korçës. Burimet zyrtare thanë se arrestimi i tre trafikantëve ishte bërë pas disa javë hetimesh. Gjatë këtij aksioni policor janë vënë në pranga: Arben N. Shquti, 51 vjeç, Vangjel J. Zguri, 42 vjeç dhe Renaldo M. Thoma, 34 vjeç, të tre banues në Korçë. Gjatë këtij aksioni është sekuestruar edhe 1 kg e 873.6 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Arrestimi i këtyre personave është bërë në lagjen 2 të qytetit të Korçës, gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW” me targa AA 255 DL, në pronësi të Renaldo Thomajt. Gjatë kontrollit të banesave të të arrestuarve është gjetur një sasi prej 1kg e 873.6 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë të cilën do ta trafikonin në Greqi. Në përfundim të operacionit në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1 kg e 873.6 gramë lëndë narkotike kokainë, 1550 Euro, 23.500 lekë, 5 automjete, 17 aparate telefonik celularë. Po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Renda, në Tiranë për hetime të mëtejshme për “Trafikim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë.

 

 

Nis gjyqi për “tezen” e kokainës, Tufina pjesë e grupit të baronit të drogës

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka nisur me shtyrje seancën gjyqësore ndaj të pandehurës Valentina Tufina e njohur mes grupeve të trafikut të drogës si “tezja”. E arrestuar në Kosovë ku kishte shkuar për të kontrolluar cilësinë e drogës që do vinte në Shqipëri, ajo vazhdon të qëndroi e izoluar në burgjet e Kosovës në pritje të ekstradimit në Shqipëri. Ndërkohë në sallën e gjyqit u paraqit vetëm avokati mbrojtës, pasi edhe prokurori i çështjes mungoi duke bërë që seanca të shtyhet. Valentina Tufina u akuzua si pjesë e rrjeti të trafikut të drogës që drejtohej nga Gëzim Çelaj i shpallur në kërkim, vëllai i tij Kujtim Çelaj dhe korrieri Realt Hysolli. Tre këta të fundit po procedohen me gjykim të shkurtuar ndërsa për të pandehurën është veçuar dosja. Prokurorët thonë se të pandehurve gjatë operacionit, iu sekuestruan 7 kg kokainë, mbi 22 kg heroinë dhe 207 kg marijuanë. Ndërkohë në Kosovë u sekuestruan rreth 50 kilogramë droga të forta, si dhe një laborator për përpunimin e prodhimin e lëndës narkotike.

 

Të tjera para për fasada, 642 mijë euro për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit

Pas shpalljes së tenderit për rikonstruksion të ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, me një vlerë më shumë se 1 milion euro, tani edhe ndërtesa e dikasterit të Lindita Nikollës parashikohet të “gëlltitë” disa qindra miliona lekë. Në Buletinin e Prokurimit Publik është shpallur fituesi i tenderit përkatës, ku është kompania “4 A-M sh.p.k”, me adresë në rrugën “Musa Agolli” në kryeqytet. Procedura e prokurimit ka qenë procedurë e hapur, me objekt rikonstruksioni i godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Siç bëhet e ditur në buletin, afati i përfundimit është 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Ministria mësohet se e ka njoftuar Ardit Metaliajn, administrator i “4 AM” sh.p.k, se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 90.601.000 (nëntëdhjetë milionë e gjashtëqind e një mijë lekë) pa TVSH, është identifikuar si oferta e suksesshme. Pra, për të rikonstruktuar godinën, do të shpenzohen më shumë se 640 mijë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here