Bonot në minimum/ Shqiptarët në 20 muaj kanë tërhequr 24 milionë euro kursime nga bankat 

0
127

Ervin Kaduku

Shqiptarët në 20 muaj kanë tërhequr 24 milionë euro kursime nga bankat – Në një muaj janë marrë nga institucionet bankare 24 milionë euro kursime në valutë të huaj

– Interesat e bonove të thesarit, tjetër minimum historik

Një shenjë shumë negative për ekonominë dhe në përgjithësi për familjet shqiptare: tashmë që prej 20 muajsh, shqiptarët vetëm tërheqin e tërheqin paratë e depozituara dikur nëpër banka, duke bërë që shuma e tyre e përgjithshme, e kursyer nga individët, të ulet vazhdimisht. Në fakt, ndonëse me ritme të ulëta, depozitat në total kanë shënuar një trend rritës gjatë muajve të parë të këtij viti, pas rënies së fortë të janarit, të udhëhequr si nga leku ashtu dhe nga euro. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në prill 2015 arriti në 978.7 miliardë lekë, duke u rritur lehtë me 1.4 miliardë lekë në raport me një muaj më parë.

Megjithatë, në raport me dhjetorin 2014, depozitat janë 1.6 miliardë lekë më të ulëta, si rrjedhojë e rënies së fortë që shënuan në janar, një tendencë kjo që është përgjithësisht ciklike, pas shtimit të kursimeve në dhjetor nga prurjet e emigrantëve.

Në lekë, rritja ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të depozitave pa afat të sektorëve të tjerë jo rezidentë (kryesisht individë), që janë shtuar me 2.8 miliardë lekë.

Në të kundërt, depozitat me afat të individëve kanë vijuar tkurrjen për 20 muaj radhazi, duke reflektuar uljen e normave të interesit të depozitave në lekë, që aktualisht janë në nivele rekord historike prej 1-2%.

Në valutë, rritja është udhëhequr nga rritja e depozitave pa afat të bizneseve, që janë zgjeruar me 3.7 miliardë lekë.

Edhe në valutë kursimet e individëve kanë rënë për të tetin muaj radhazi, duke zbritur me 3.3 miliardë lekë në prill, në raport me muajin e mëparshëm.

Kjo është një katastrofë e dukshme, rezultat i pashmangshëm i shtrëngimit të rripit nga reformat fiskale qeveritare, që kanë rritur barrën e taksave, pikërisht në kohën kur gjithë ekonomia botërore po ndjek rrugën e kundërt, atë të lehtësimit për të krijuar kushte që subjektet dhe individët të kenë më shumë mundësi për të përballuar situatën e vështirë shumëvjeçare.

 

Letrat me vlerë

Interesat e bonove të thesarit cekën një tjetër minimum historik teksa bankat, institucionet e tjera financiare dhe individët duken të gatshëm t’i japin borxh qeverisë edhe kundrejt përfitimeve minimale. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, interesi i bonove me afat maturimi njëvjeçar zbriti në 3.39 për qind, ndërsa ai i bonove 3-mujore ra për herë të parë në 2.9 për qind, një minimum historik i pashënuar më parë. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se vala e re e rënies së interesave shkaktohet nga dy faktorë. Sipas tyre, së pari tregu është duke përcjellë lehtësimin e politikës monetare, ndërsa shkaku i dytë është tërheqja e qeverisë nga borxhi i brendshëm dhe financimi i deficitit me kredi nga jashtë.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë parashikon se interesat e letrave me vlerë do të vazhdojnë të bien edhe gjatë muajve në vijim.

Sipas saj, kërkesa e paktë e qeverisë për borxh të brendshëm dhe likuiditeti me tepricë i bankave, do të bëjnë presion që interesat të bien në minimume të reja, një situatë që godet atë që kursejnë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, qytetarët që kanë kursime në bankë, fituan nga interesat 5.1 miliardë lekë më pak se sa në tremujorin e parë të vitit 2013.

Ulja dramatike e interesave në të gjithë instrumentet financiare është rezultat i politikës agresive të Bankës së Shqipërisë, e cila kërkon të dekurajojë kursimet dhe të inkurajojë më shumë konsum apo investime në ekonomi.

 

Kredia

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, edhe kredia bankare po vjen gjithnjë e më shumë drejt rënies. Portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 556.2 miliardë lekë, rreth 600 milionë lekë më pak krahasuar me marsin. Për katër muajt e parë të këtij viti, kredia vijoi të shfaqë një ecuri të dobët, çka është pjesërisht edhe një karakteristikë sezonale. Krahasuar me fundin e vitit 2014, kredia për ekonominë është më e ulët me rreth 3.5 miliardë lekë.

Edhe kredia për individët është shfaqur në rënie të lehtë krahasuar me muajin mars.

 

 

Biznesi: Të ulet urgjentisht barra tatimore

Konfindustria, përmes një deklarate për media, shprehu shqetësimin për rënien e të ardhurave buxhetore nga doganat dhe tatimet për muajin prill 2015 krahasuar me vitin 2014. Ajo këshillon Ekzekutivin shqiptar dhe vendimmarrjen politike në përgjithësi të vlerësojnë me përgjegjshmëri domosdoshmërinë e ndryshimit të politikave fiskale për vitin 2016, me kahje drejt uljes së barrës tatimore dhe taksave në nivele konkurruese të paktën me vendet e rajonit.

Konfindustria shpreh shqetësimin e saj lidhur me vazhdimësinë e kahut rënës së të ardhurave buxhetore nga doganat dhe tatimet edhe për muajin prill 2015 krahasuar me planifikimin dhe vitin pararendës. Gjithashtu, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, si zëri kryesor i të ardhurave buxhetore, shënojnë rënie krahasimore për gjithë 4 mujorin e parë të vitit financiar në vazhdim. Konfindustria vlerëson se problematikat me rënien e vazhdueshme të të ardhurave nga taksat e tatimet shoqëruar me rritjen e pamjaftueshme të PBB, tregojnë për rendimentin e ulët fiskal të ekonomisë. Gjendja e pakënaqshme e të ardhurave buxhetore në një masë të madhe është shenjë domethënëse për dështimin e paralajmëruar të politikave fiskale të ndjekura nga vendimmarrja politike në 2 vitet e fundit së bashku me recetat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Konfindustria këshillon ekzekutivin shqiptar dhe vendimmarrjen politike në përgjithësi të vlerësojnë me përgjegjshmëri domosdoshmërinë e ndryshimit të politikave fiskale për vitin 2016, me kahje drejt uljes së barrës tatimore dhe taksave në nivele konkurruese të paktën me vendet e rajonit. Shënojmë se nëpërmjet 2 paketave fiskale të njëpasnjëshme 2014-15, Shqipëria ka kaluar në rritje prej 50% të disa prej zërave kryesore të tatimeve si p.sh tatim fitimi, dividenti, qiratë, të ardhurat personale, etj. Rritje ka pasur edhe në disa taksa me ndikim të ndjeshëm në ekonomi si mbi karburantin, pronat e paluajtshme, etj.

Kërkesat e Konfindustrisë i janë paraqitur zyrtarisht Ministrisë së Financave në diskutimet e hapura për paketën fiskale 2016. Gjithashtu, Konfindustria është duke përgatitur pjesën e dytë me propozime të ardhura nga sektorët më të rëndësishëm të industrisë për paketën fiskale 2016, që së shpejti do t’i paraqiten Ministrisë së Financave.

 

INSTAT: Ja si paraqitet situata e ndërmarrjeve shqiptare

Sipas statistikave të fundit të INSTAT për regjistrin e ndërmarrjeve ekonomike në vend, ndërmarrjet me aktivitet ekonomik tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor mbizotërojnë me 56% të totalit. Aktiviteti tregtar vazhdon të jetë më i preferuari në vendimmarrje për një aktivitet të ri dhe përfaqëson 37.4% të ndërmarrjeve të reja.

Në grupin e prodhuesve të të mirave mbizotëruese janë ndërmarrjet me aktivitet ekonomik industria përpunuese, me 52%. Në grupin e prodhuesve të shërbimeve, mbizotëruese janë ndërmarrjet me aktivitet Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 47%.

 

Përmasat

Industria përpunuese përfaqëson numrin më të lartë të ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar, me 21,1%. Rreth 90% të ndërmarrjeve janë me 1 – 4 të punësuar. Pjesa më e madhe, 69%, janë ndërmarrje me vetëm një të vetëpunësuar/punësuar. Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,3% të ndërmarrjeve gjithsej, por kontributi i tyre në punësim është shumë i ndjeshëm, 50%.

 

Përqendrimi

Rreth 52,6% e ndërmarrjeve aktive janë përqendruar në qarqet Tiranë e Fier. Mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet, dhe luhatet nga 80,0% në qarkun Fier deri në 87,7% në qarkun Tiranë.

Në vitin 2014 shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja është 15,4%, nga 10,9% në vitin 2013. Gjatë këtij viti janë krijuar 17.377 ndërmarrje të reja, krahasuar me vitin 2013 ky numër ishte 12.131. Qarku Lezhë ka shkallën më të lartë të lindshmërisë me 25,6%, ndërsa qarku Dibër më të ulët me 11,7%.

 

Të huajt

Rezulton që 5.245 ndërmarrje kanë pronarë apo bashkëpronarë të huaj. 5,6% e tyre janë ndërmarrje me 50 e më shumë të punësuar dhe punësojnë 74,2% të të punësuarve të ndërmarrjeve me pronësi të huaj e të përbashkët. Ndërmarrjet e mëdha të këtij grupi ushtrojnë aktivitet ekonomik kryesisht në: prodhim veshjesh e këpucësh, call center dhe aktivitete bankare. 81,2% e ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta janë përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës.

 

Femrat pronare

Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve 2014, 28,5% e ndërmarrjeve aktive gjithsej kanë pronare/administratore femra. Femrat drejtojnë apo zotërojnë 31% të ndërmarrjeve të reja, krahasuar me vitin 2013 ku femrat drejtonin apo zotëronin 29,3% të ndërmarrjeve të reja. Aktiviteti ekonomik “Tregti” shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare/administratore femra. Krahasuar me meshkujt, në këtë aktivitet femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2% të ndërmarrjeve aktive në tregti. Gjithashtu 47,9% e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitetit ekonomik “Tregti”. 16,1% e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar zotërohen apo menaxhohen nga femrat 47,5% e ndërmarrjeve me pronare/administratore femra janë në qarkun e Tiranës, ndërsa përqindja më e ulët është në qarqet Kukës dhe Dibër. Në krahasim me meshkujt, qarqet me përqindje më të lartë e më të ulët me pronare/administratore femra janë përkatësisht Tirana me 30,7% dhe Kukësi me 15,6%. 31% e ndërmarrjeve të krijuara gjatë vitit 2014 kanë pronare/administratore femra.

 

Njësitë lokale

Në vitin 2014 numri i ndërmarrjeve aktive është 112.537, gjatë vitit 2013 numri i ndërmarrjeve aktive ka qenë 111.083, pra numërohen 1.454 ndërmarrje më shumë gjatë vitit 2014. 110.336 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje, 2.201 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin e tyre në më shumë se një vendndodhje. Ato përfaqësojnë vetëm 2% të ndërmarrjeve aktive gjithsej dhe numri i të punësuarve në to është 33,5% e numrit të të punësuarve gjithsej. 78,6% e njësive lokale janë përqendruar në zonat urbane nga të cilat 51,3% ushtrojnë aktivitetin ekonomik në qarqet Tiranë dhe Fier.

Në territorin e Republikës së Shqipërisë numërohen 124.508 njësi lokale aktive.

 

Përqendrimi më i madh i të punësuarve, në sektorin e shërbimeve

Mundësia sipas degëve të ekonomisë për t’u punësuar është në shërbime, bujqësi dhe industri. Në përputhje me të dhënat e përpunuara nga Instat sipas hartës së re territorial, rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve është e punësuar në shërbime. Kryeson listën metropoli me 71.0%, i ndjekur nga Kukësi me 66.5%, Lezha me 59.9% dhe Durrësi me 58.0%.

Një tjetër sektor që ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish është edhe bujqësia. Berati, sipas të dhënave të INSTAT, ka numrin më të lartë të të punësuarve në bujqësi me 51.8%, i ndjekur nga Elbasani me 47.7%, Fieri me 47.5% dhe Dibra me 46.9%. Një tjetër sektor i ekonomisë që ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish është edhe industria. Ky sektor duket se zhvillimin më të madh e ka në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Vlora apo edhe Gjirokastra. Edhe pse përqindja e të punësuarve në këtë sektor është më e ulët se përqindja e të punësuarve në shërbime dhe bujqësi, përsëri janë shifra të konsiderueshme, të cilat në vitet e ardhshme mund të rriten ndjeshëm. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të punësuar në industri janë në Durrës ku numërohen 29.3% e tyre. Më pas vjen Vlora me 26.1%, Tirana me 22.3% e ndjekur nga Shkodra me 21.8% dhe në fund Gjirokastra me 19.8%.

 

 

Nisin negociatat për tarifat e televizioneve private

Autoriteti i Medias Audiovizive, Radiotelevizioni Publik dhe operatorët privatë televizivë nisën dje negociatat për procesin e dixhitalizimit të transmetimeve, që do të kalojnë nga rrjeti analog në atë numerik. Sipas strategjisë së prezantuar nga përfaqësuesi i RTSH-së në takimin konsultativ për këtë çështje, parashikohet t’u kërkohet operatorëve t’i paguajnë televizionit publik 2.885 euro në muaj për secilin nga 12 qarqet e vendit, që mbulohen nga RTSH-ja. Madje, është kërkuar që kjo tarifë të dyfishohet për Tiranën dhe Durrësin, si qarqe me dendësi më të madhe popullsie.

Ky propozim u kundërshtua nga operatorët televizivë, të cilët e konsideruan të pajustifikueshme një tarifë të tillë, ndërsa drejtori i RTSH-së, Martin Leka, tha se propozimi mund të negociohet mes palëve në këtë proces.

Përfaqësues të shoqatave së rrjeteve lokale thanë se tarifa të tilla janë të papërballueshme të paktën për dy vitet e para.

Ky ishte takimi i parë konsultativ për këtë çështje, ndërsa në ditët në vijim do të diskutohet në terma konkretë për negociatat mes palëve në këtë proces.

 

Rifillon linja detare Brindizi – Shëngjin

Pas 8 vitesh ndërprerjeje, në Shëngjin rikthehet linja e pasagjerëve Brindizi – Shëngjin. Në këtë port, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka investuar për ndërtimin e hyrjes së re dhe zyrave të sigurisë rreth 26 milionë lekë, investim ky prej të ardhurave të buxhetit të shtetit, thanë për ATSH-në burime nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Sipas burimeve, në Shëngjin së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i portit të jahteve, një investim ky austriako-slloven.

Brenda këtij sezoni turistik synohet të vihet në funksion edhe linja e pasagjerëve Bari – Shëngjin, çka do ta kthejë Shëngjinin në një port të rëndësishëm, jo vetëm për mallrat, por edhe për pasagjerët.

 

Grekët, të gatshëm për lëshime

Ndërkohë që akrepat e orës po lëvizin shumë shpejt për të dyja palët, mediat greke, por edhe ato evropiane njoftojnë se marrëveshja për zgjidhjen e problemit të borxheve është shumë pranë. Sipas zërave që qarkullojnë, Athina është e gatshme të zbatojë masa shtrënguese, por të moderuara. Marrëveshja që ofron qeveria greke për kreditorët përfshin një rritje të tatimit mbi vlerën e shtuar, shkurtime të pensioneve, si dhe të suficitit primar për vitin 2015. Këto lëshime do të mundësonin zhbllokimin e 7.2 miliardë eurove të planit të shpëtimit, të ngrira që prej muajit gusht të vitit të shkuar. Në rast të kundërt, qeveria do të detyrohet të përdorë fondin e veçantë helen të stabilitetit për bankat, prej 9 miliardë eurosh, por që do të përbënte një rrezik edhe më të lartë për financat. Athina kërkon ta mënjanojë me çdo kusht një skenar të tillë.

Ditën e diel u zhvillua një telekonferencë mes Kryeministrit Tsipras, Kancelares Merkel dhe Presidentit francez, François Hollande për t`i dhënë dritën jeshile zhbllokimit të 7.2 miliardë eurove nëpërmjet implementimit të masave shtrënguese. Vetë qeveria greke nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me këto masa shtrënguese, duke e lënë çdo gjë të mjegullt.

Nga ana tjetër, kreditorët vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Athinën për të vijuar me procesin e liberalizimeve dhe privatizimeve. Palët kanë rënë parimisht dakord për një marrëveshje të shpejtë mbi reformat, në mënyrë që të evitohet rreziku i mosshlyerjes së detyrimeve ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar brenda datës 5 qershor. Ndërkohë, përsëri Kryeministri grek Alexis Tsipras, në një intervistë për parisienen “Le Monde”, ka deklaruar se kërkesat e kreditorëve janë absurde.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here