Vonesat/ Rifillon rimbursimi i TVSH-së biznesit

0
123

rimbursimi i TVSH-së biznesitGjatë muajve mars dhe prill, por edhe në dy muajt në vijim pritet që rimbursimi i TVSH për bizneset të përshpejtohet, pas një ngërçi që pasoi nga vjeshta e vitit që shkoi deri në shkurt të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, TVSH e rimbursuar ndaj biznesit në fund të katërmujorit arriti në 2.4 miliardë lekë.

Kjo shumë është më shumë se, dyfishi i TVSH së rimbursuar në po këtë periudhë të një viti më parë. Vetëm në muajin mars janë rimbursuar 1.5 miliardë lekë dhe Ministria e Financave ka vënë 4.5 miliardë lekë në dispozicion të këtij procesi nga fondi i detyrimeve të prapambetura.

Bizneset që janë të përfshira në ciklin e rimbursimit të TVSH, sidomos biznesi fason dhe eksportuesit e tjerë, kishin shprehur pakënaqësi në lidhje me ecurinë e procesit në fillim të vitit. Përveç vonesave, bizneset e sektorit pohuan se, janë rritur edhe tarifat e korrupsionit në formën e komisionit për të përfituar shumën.

Por afrimi i zgjedhjeve lokale ka ndryshuar kryekëput situatën. Ndërsa rimbursimi i TVSH-së i është kthyer normalitetit, shumë nga bizneset janë vënë në “shërbim” të fushatës në mënyra të ndryshme. Duke qenë se fasonët punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe janë të përqendruar kryesisht në Tiranë, presionet për orientimin e votave janë edhe më të mëdha.

Megjithatë, financat pohojnë se kjo është një ecuri normale dhe rimbursi rifilloi, pasi ishte bllokuar për shkak të procesit të auditimit në muajt e parë të vitit.

 

Leku ruan vlerë të qendrueshme në tregun valutor

Në tregun e këmbimit valutor vendas, leku gjatë javës së kaloi ruajti vlera të qëndrueshme kundrejt valutave kryesore, ndonëse dollari amerikan shënon vlerën më të lartë të këmbimit 128.48 lekë, që nga nëntori i vitit 2014. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 140.98 lekë. Kjo vlerë është ruajtur pothuajse gjatë gjithë javës, që përkon edhe me ditët e fundit të muajit maj 2015.

Ekspertët e tregut shprehen se, tregu valutor vendas vazhdon të reflektojë ecurinë në bursat ndërkombëtare, ndërsa efektet sezonale, që karakterizojnë këtë periudhë forcimin e monedhës vendase, janë ende të papërfillshme. Sipas BSH-së, ecuria e lekut në raport me monedhat e tjera, vlerësohet e stabilizuar ndërsa lëvizjet e vlerave dollar dhe euro janë brenda intervalit të parashikuar prej saj. Kërkesa e lartë për euro në tregun vendas po ruan dhe pozitat e monedhës evropiane në kufijtë e 140 lekëve, bën të ditur BSH-ja.

 

Nis sezoni i nxehtë, ulen çmimet e perimeve, shtrenjtohen frutat

Sezoni i prodhimit bujqësor, që përkon në këtë periudhë me pikun e tij, ka sjellë në tregjet bujqësore të vendit përgjysmim të çmimit të shitjes për këto produkte. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se çmimet e artikujve kryesorë ushqimorë në fund të javës së kaluar në tregjet e vendit shënuan rënie kundrejt javës së shkuar. Sipas të dhënave të tregut të shitjes, çmimet e rreth 40 për qind të artikujve bujqësore, kryesisht të perimeve, si speca, domate, kastraveca etj, kanë vazhduar të ulen, përkatësisht në 40-30 lekë/kg, 45-30 lekë/kg, 50 lekë/kg.

Rritja e prodhimit bujqësor vendas gjatë këtij sezoni, ka sjellë gradualisht uljen e çmimeve të këtyre produkteve në tregjet e vendit. Ndërsa me rritje të çmimit rezultojnë prodhimet që janë në fillim të sezonit dhe një pjesë e prodhimeve të importit, ku kryesojnë frutat me një rritje prej 20-30 leke/kg më shtrenjtë.

Po sipas të njëjtit burim, për produktet e tjera në grupin e ushqimeve mish, bulmet dhe ushqime të importit, si vaj, makarona, etj, gjatë kësaj jave është ruajtur i njëjti nivel çmimi sa një javë më parë. Javën e kaluar perimet u shitën më lirë në qytetet e Lushnjes dhe Fierit.

 

Bullgaria fton Iranin në rrjetin e gazsjellësve

Bullgaria i ka bërë thirrje Iranit për t’u bashkuar me tubacionin e gazit Nabucco në harmoni me raundin e ri të bisedimeve të Iran-Group 5 +1 (SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani plus Gjermani) referuan raportet e medias. Thirrja është përcjellë gjatë takimeve të fundit mes ambasadorit iranian për Bullgarinë, Abdullah Norouzi, dhe Kryeministrit të Bullgarisë, si dhe zyrtarëve të tjerë bullgarë.

Thirrja nga Bullgaria erdhi pasi presidenti iranian, Hassan Rouhani, javën e kaluar theksoi se Bullgaria zotëron potencialet e duhura për të ndihmuar Iranin të fitojë qasje në pjesën tjetër të vendeve europiane, veçanërisht për transferimin e energjisë.

“Bullgaria mban një status superior gjeografik në Europën Juglindore dhe ajo mund të veprojë si një urë mes Iranit dhe vendeve europiane në të gjitha fushat, përfshirë transferimin e energjisë”, – deklaroi Rouhani në një takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë në Teheran, Christo Polendakov. Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, njoftoi gatishmërinë e Teheranit për të furnizuar me gaz vendet europiane. “Irani, në të njëjtin nivel me Rusinë, gëzon të gjitha burimet (e nevojshme) për të siguruar gaz në Europë”, – tha Zarif në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij, Erlan Idrissov, në Astana më 13 prill.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian theksoi se vendi i tij nuk ka aspak ndërmend të zëvendësojë apo të rivalizojë eksportet e gazit rus, dhe tha: “Teherani është një partner i besueshëm dhe kjo çështje është kuptuar nga Kina, India, Pakistani dhe Turqia, të cilat përdorin gazin e Iranit”.

Irani, i cili zë vendin e dytë në botë për rezerva të gazit natyror pas Rusisë, po përpiqet të rrisëprodhimin e gazit të tij, duke rritur investimet e huaja dhe vendase, posaçërisht në fushën e gazit South Pars. Vendi aktualisht furnizon me gaz Turqinë dhe Armeninë dhe pritet që këtë vit të fillojë pompimin e gazit në Irak.

Republika e Azerbajxhanit ishte vendi i parë që ftoi Iranin në Gazsjellësin Trans-anatolian (TANAP) disa ditë pasi Irani dhe fuqitë botërore arritën në mirëkuptim në Lozanë muajin e kaluar.

Tubacioni Nabucco është një tubacion gazi natyror i propozuar, i cili fillon nga Erzurum i Turqisë për të përfunduar në Baumgarten të Austrisë në mars dhe ka për qëllim të reduktojë vartësinë e gazit të Europës nga Rusia.

Projekti i tubacionit Nabucco u propozua për herë të parë në vitin 2002, me vendet pjesëmarrëse (të cilët në vitin 2009 nënshkruan një marrëveshje ndërqeveritare), përfshirë Turqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë dhe Austrinë. Megjithatë, ideja qëndroi pezull në vitin 2013 teksa Azerbajxhani, burimi kryesor i gazit për projektin, preferoi në një moment të caktuar tubacionin e gazit Trans-anatolian (TANAP), ndërsa disa shtete europiane zgjodhën South Stream të Gazprom.

 

Alarm në Greqi, pensionistët në radhë të gjata për pensionet

Nën frikën e zërave se paratë në arkat e shtetit po mbarohen dhe vendi mund të falimentojë, mijëra pensionistë kanë shkuar prej orëve të para të mëngjesit të së premtes para degëve të bankave greke për të marrë pensionet e tyre, duke krijuar një radhë më të gjatë se zakonisht.

Megjithëse edhe këto ditë pagesat janë bërë në rregull, përsëri në shumicën e grekëve mbizotëron shqetësimi dhe ankthi nëse qeveria Tsipras do t’ia dalë të nënshkruajë një marrëveshje me kreditorët e Greqisë në ditët e ardheshme. “Jemi të shqetësuar, si mund të mos jemi të shqetësuar? Pyesim veten nëse do t’i marrim pensionet tona këtë muaj apo jo”, thotë një pensionist.

Një nga kërkesat e huadhënësve të Greqisë është pikërisht reduktimi i pensioneve, që Athina zyrtare deri tani e ka hedhur poshtë dhe deklaron se nuk do ndryshojë qëndrimin e saj. Qeveria greke ka vetëm disa ditë afat, pasi më 5 qershor duhet të paguajë detyrimin e parë të një kësti prej 1.56 miliardë euro që duhet ta shlyejë tërësisht deri në fund të muajit tjetër. Por në arkat e shtetit dihet që nuk ekzistojnë kaq para, ndaj dhe syte e të gjithëve janë tek negociatat e qeverisë me huadhënësit, të cilët në rast se mbyllet marrëveshja do të aprovojnë lëvrimin e këstit të fundit të ndihmës prej 7.2 miliardë euro, duke i dhënë një frymëmarrje vendit për disa muaj. “Negociatat duhet të kishin shkuar më mirë, por për fat të keq partnerët tanë nuk i kuptojnë dhe nuk i ndjejnë problemet e popullit grek”, thotë Stefanos Kotakis, shofer autobusi.

Ndërkohë vazhdon me ritme të pandalshme tërheqja e depozitave të qytetarëve nga bankat greke dhe niveli i tyre ka arritur sot në 139.4 miliardë euro, njësoj me atë të vitit 2004, pra të 11 viteve më parë. Gjithashtu, sipas Shërbimit Kombëtar të Statistikave, vazhdon edhe recesioni i ekonomisë greke. Në tre muajt e fundit të 2014, PBB u reduktua me 0.4%, ndërsa edhe në tre muajt e parë të këtij viti ka një recesion prej 0.2%.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here