Në Fier/ Basha: Vendi po shkon drejt greminës, jo në drejtimin e duhur. Të keqen ta ndalim me votë

0
143

Gëzim Saliu

basha, alibeaj dhe nonaKreu i PD-së, Ramës: Çfarë dashurie ke për gratë, kur nuk ke hapur asnjë perspektivë, asnjë mundësi për punësimin e tyre apo të burrave të tyre? 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dje me tregtarë dhe banorë të Fierit dhe Roskovecit, ku u njoh me shqetësimet e shumta që lidhen me pasigurinë për të ardhmen, abuzimet me çmimin e energjisë dhe rënien e fuqisë blerëse. Në këto takime, qytetarët i shprehën kryedemokratit zhgënjimin për votën e dhënë për mazhorancën me 23 qershor, votë e cila sipas tyre u ka shkaktuar sot dhimbje të mëdha. “Populli me një frymë të madhe ja dhanë atij por gaboi rëndë. Mua më kanë hedhur në 2014-ën, 500 mijë lek drita. Ku do t’i gjejë nëna këto lekë ti paguajë, që kam dalë rrugëve për një copë bukë? Kurse djali im më thotë -“Mama unë nuk dal në rrugë, do të hidhem nga kati i pestë.” Si do të bëjë unë për atë fëmijë që kam me edukatë, unë kam marrë për ti dhënë shkollën?!”, tha një banore. Një tjetër tha se,: “Policia më vrau vëllanë. Vajtën i morën patentën vëllait. Para 20 ditësh ka vëllai që më ka vdekur. Nuk e përballoi dot patentën që e mori policia, piu fotoksinë e iku. Ngrihej në mëngjes në 3 të natës, nga Patosi vinte në Tiranë, mblidhte pasagjerë, vinte prapë”, theksoi banorja.

 

Takimi

Në takimet me qytetarët, kreu i opozitës tha se qytetarët gjithnjë e më shumë po varfërohen e ndërsa mazhoranca e majtë po e çon vendin sipas tij drejt grehinës. “Halli i ka bashkuar njerëzit. Vendi po shkon drejt greminës, jo në drejtimin e duhur. Në greminë do të bien të gjithë, të djathtë e të majtë. Kjo është gremina e mjerimit, e varfërisë, e taksave të larta, e çmimeve të larta, kur në fakt u premtua e kundërta. Vota me 23 qershor u mor me premtimin se do të uleshin taksat, me premtimin se do të ulej çmimi i energjisë, me premtimin se do të ulej çmimi i naftës e do të hapeshin 300 mijë vende të reja pune”, u shpreh Basha. Më tej në takimin e Roskovecit, lideri i demokratëve tha se kandidatja e mazhorancës në këtë njësi, dje deputete nuk kundërshtoi asnjëherë asnjë nga nismat e qeverisë për rritje të çmimit të energjisë, naftës, rritje  taksash etj. Madje tha Basha, ajo votoi dhe kundër propozimeve të opozitës për ulje çmimesh dhe taksash e  nxitje të hapjes së vendeve të reja të punës. Ndërkohë duke komentuar deklaratat e kryeministrit Rama në fushatë lidhur me gratë, kreu i PD-së pohoi se respekti ndaj grave tregohet duke ua lehtësuar jetën dhe jo vështirësuar atë. “Çfarë dashurie ke për gratë, kur nuk ke hapur asnjë perspektivë, asnjë mundësi për punësimin e tyre apo të burrave të tyre?  Kur vetë gratë shkojnë në shtëpi me kokën e ulur dhe me sytë përdhe, sepse shumica prej tyre nuk e dinë si ta mbyllin muajin, nuk e dinë ku t’i gjejnë lekët për të nesërmen, kur listat shtohen, kur mijëra e mijëra janë nxjerrë nga puna apo janë hequr nga listat e ndihmës ekonomike. Ndaj, me 21 qershor kemi një mundësi, ashtu siç erdhi e keqja, ashtu ta ndalim me votë. Të votojmë me 21 qershor platformën tonë të uljes së taksave, të uljes së çmimit të energjisë, të uljes së çmimit të naftës, të rritjes së rrogave dhe pensioneve si rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza”!”, u shpreh Basha.

 

Në Durrës/ Meta: Reforma territoriale do rris bashkëpunimin mes qeverisë dhe bashkive

Kreu i LSI-së Ilir Meta së bashku me kandidatin e së majtës për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako premtuan dje mbështetjen e plotë, jo vetëm të qeverisë, por edhe të bashkive të reja për fermerët. Sipas kryeparlamentarit, reforma e re administrative do të rrisë edhe më shumë bashkëpunimin mes qeverisë dhe bashkive të reja të vendit.  “Kjo reformë administrativo-territoriale do të rrisë bashkëpunimin dhe sinergjinë midis qeverisë qendrore dhe bashkive. Do të bëjë atë që të gjitha energjitë të shkojnë në një drejtim, për shërbime sa më cilësore dhe për të garantuar punësim për të gjithë ata që duan të punojnë”, tha ai. Nga ana e tij kandidati i majtë pohoi se,: “Kemi mbështetjen e koalicionit dhe një vizion të përbashkët me qeverinë për ta bërë Durrësin një qendër model për gjithë Shqipërinë”.

 

Në KQZ/ PD kërkon çregjistrimin e kandidatit të Këlcyrës, Muhameti: Shohim vendimin e kryesisë sot

Partia Demokratike ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ku kërkon çregjistrimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Këlcyrës, Gentian Muhameti. Por nga ana tjetër, vetë kandidati Muhameti ka deklaruar se nuk ka dijeni për këtë vendim dhe se vijon fushatën elektorale. “Nuk e kam një informacion të tillë. Nesër kemi mbledhje kryesie. Të shohim vendimin që do të marrë kryesia. Unë vijoj fushatën në Këlcyrë”, tha ai. Mësohet se kërkesa e PD-së në KQZ është bërë dje në mesditë.

 

Kundër Ramës/ Mediu: Autostrada Beograd-Nish- Durrës s’ka asnjë përfitim për Shqipërinë

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu doli dje kundër kryeministrit Edi Rama për projektin e autostradës Beograd-Nish-Prishtinë-Merdare-Durrës. Sipas kryerepublikanit  ky projekt nuk ka asnjë përfitim për Shqipërinë, por siguron fondet për Serbinë, pasi autostrada Prishtinë-Merdare-Durrës është tashmë e përfunduar. “Ky projekt dhe investim nuk i jep asnjë përfitim Shqipërisë të paktën për momentin. Së pari Prishtinë-Merdare-Durrës autostrada është e përfunduar. Është ajo autostradë që Rama nuk ka lënë gjë pa thënë kundër ndërtimit të saj. Së dyti nëse ky lajm është i konfirmuar, as më shumë dhe as me pak Rama veç mbështet interesat e palës serbe për të ndërtuar me fondet e BE infrastrukturën e saj. E treta në kushtet e një politike tërësisht diskriminuese për Kosovën në shkëmbimet tregtare, sot Kosova ka fluks tregtar më të madh me Serbinë se ne, kjo rrugë do ti jepte më shumë hov marrëdhënieve ekonomike Kosovë- Serbi sesa ndërmjet shqiptarëve”, shkruante Mediu në rrjetin social Facebook, duke shtuar se,: “është absurde të mendosh që do rritet fluksi i turistëve serb drejt Shqipërisë duke i siguruar atyre një dalje të re në det. Ata e kanë një dalje me Malin e Zi, i cili ka një turizëm shumëfish më të organizuar dhe më kualitativ se ne, kanë të njëjtën gjuhë dhe zakone dhe rreth 1/2 e popullsisë është serbe”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here